Lajme Shqip Sunday, 30 March 2014 15:24

Një ekskavator, i cili rezulton nën pronësinë e kreut të komunës Milot, Bujar Haxhiut shpërtheu në orët e para të mëngjesit nga një sasi eksplozivi që i ishte vendosur. 

Mësohet se mjeti i rëndë ka qenë i parkuar pranë një pike karburanti në dalje të Milotit. Policia tha se nga shpërthimi ka patur vetëm dëme materiale dhe jo të lënduar në njerëz. 

Policia ka nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarje dhe identifikimin e autorëve. Nga hetimet paraprake dyshohet se shpërthimi ka lidhje me aksionin e INUK-ut për shembjen e ndërtimeve pa leje në këtë zonë./Shekulli/

 
Lajme Shqip Tuesday, 25 March 2014 14:54

Një sasi eksplozivi ka shpërthyer në banesën e kryetarit të komunës së Farkës, Fatbardh Plaku. Policia bën të ditur se shpërthimi ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit, ndërsa lënda eksplozive mësohet se ishte vendosur në murin rrethues të banesës në Farkë të Vogël, ku edhe banon kryekomunari.

Burime nga policia kanë bërë të ditur se, nga shpërthimi i një sasie eksplozivi nuk ka dëme në njerëz, por disa dëme materiale.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta policie që kanë nisur hetimet në lidhje me personat që mund të kenë hedhur lëndën plasëse në banesën e Plakut.

 Nuk dihen ende shkaqet në lidhje me këtë ngjarje, ndërsa është marrë në pyetje kreu i komunës së Farkës, për shkaqet që mund të kenë çuar në këtë shpërthim.

 

Plaku prej dy mandatesh vazhdon të jetë kryetar i Komunës së Farkës, nën siglën e Partisë Demokratike.

 
Lajme Shqip Saturday, 22 March 2014 13:28

Një shpërthim ka ndodhur gjatë mbrëmjes së djeshme në një pallat te Komuna e Parisit. Policia  bën të ditur se një sasi tritoli ka shpërthyer në katin e katërt të një pallati në rrugën ‘Muhamet Butka’. Mësohet se, një sasi prej 200 gramë lëndë eksploziv është vendosur në derën e banesës së biznesmenit Petrika Bardhi. Deri më tani në polici janë shoqëruar 7 persona, ndërsa dyshohet se shkak i vendosjes së lëndës plasëse të jenë konfliktet për biznesin, raporton shekulli.

Forcat e policisë dhe grupi hetimor shkuan në vendngjarje menjëherë pas njoftimit, ndërkohë, po punohet për identifikimin e autorëve të shpërthimit. Fatmirësisht nga ngjarja janë shënuar vetëm dëme materiale, ku më së shumti janë dëmtuar fasadat e xhamit të banesës në katin e tretë të pallatit, si dhe dera hyrëse.

Biznesmeni është marrë në pyetje nga grupi hetimor, ndërsa ka deklaruar se nuk ka asnjë konflikt apo dyshim konkret çka mund të lidhë shpërthimin me autorin, por blutë e kryeqytetit kanë shoqëruar 7 persona, ku dyshohen se kanë probleme në raport biznesi me Petrika Bardhin. 

 

 
Lajme Shqip Monday, 10 March 2014 11:50

Në orët e para të mëngjesit, rreth orës 02:30 ka ndodhur një shpërthim me eksploziv në katin e dytë të një banese në rrugën “Margarita Tutulani”.

Sipas forcave të policisë nuk ka patur të lënduar në njerëz. Eksplozivi i përdorur ka qenë artizanal.

Ende nuk dihen shkaqet apo qëllimet që fshihen pas këtij  shpërthimi.

 
Lajme Shqip Wednesday, 26 February 2014 14:33

Policia ka konfirmuar se shpërthimi në lokalin e biznesmenit Ceka është kryer me eksploziv. Shpërthimi ka ndodhur pikërisht në momentin kur Armando Ceka (pronar i lokalit), së bashku me Julian Çelën dhe Artur Sharrën (punonjës të lokalit) po hapnin derën e lokalit për t’u futur brenda. Për pasojë të tre personat e lartpërmendur mbetën të plagosur dhe u dërguan me urgjencë drejt Spitalit të Traumës. 

Mjekët e spitalit bëjnë me dije se Armando Ceka ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi ka humbur shumë gjak si pasojë e plagëve të marra. Po ashtu situata paraqitet e rëndë edhe për 28-vjeçarin Çela, i cili ka marrë dëmtime të rënda në njërën këmbë, dhe rrezikon ta humbasë atë. I plagosuri tjetër, Artur Sharra ka marrë vetëm disa plagë të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.  

10:00-Shpërthim në lokalin e biznesmenit Ceka, plagoset pronari së bashku me 2 punonjës

Një shpërthim është dëgjuar mëngjesin e sotëm, në rrugën “Pjetër Budi”, në Tiranë. Shpërthimi ka ndodhur pranë Institutit të Higjienës, brenda një lokali që ndodhej aty pranë, ku janë plagosur tre persona, mes tyre edhe pronari i lokalit. Të plagosurit janë identifikuar si shtetasit: Julian Çela 28 vjeç, Artur Sharra 46 vjeç dhe Armando Ceka 33 vjeç. Ky i fundit është pronari i lokalit ku ndodhi shpërthimi. 

Të plagosurit janë dërguar menjëherë në Spitalin e Traumës, nga ku mësohet se Ceka dhe Julian Çela ndodhen në gjendje më të rëndë. Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve dhe kapjen e autorëve, ndërkohë që mendohet se shpërthimi mund të jetë bërë me eksploziv. 

Ky është atentati i dytë që i bëhet biznesmenit Ceka, pas atij të shtatorit të vitit 2013, kur në rrugën “Siri Kodra” në Tiranë, Armando Cekës iu vendos eksploziv në bagazhin e makinës së tij, tip “Volvo”. Nga shpërthimi u dëmtua vetëm makina, ndërsa biznesmeni Ceka nuk pati lëndime. 

Në atë kohë policia hetoi mbi shpërthimin, duke ngritur si pistë kryesore mosmarrëveshjet që biznesmeni kishte me banorët e një pallati të ndërtuar prej tij, në rrugën “Don Bosko”, në kryeqytet.