Lajme Shqip Tuesday, 15 April 2014 15:02

Letërkëmbimi do të hap rrugën që Parlamenti i Kosovës ta diskutojë dhe ta votojë atë në një pako ligjesh që do t’u dorëzohen deputetëve, nga qeveria e Kosovës.

Letra e Ashton, me të cilën pranohet kërkesa e institucioneve të vendit për vazhdimin e mandatit të EULEX-it dhe krijimin e gjykatës së posaçme, thonë zyrtarë qeveritarë, do të dorëzohet nga zyra e Presidentes në qeverinë e Kosovës, e cila do ta paraqes në Parlament si ligj të veçantë për të cilin do të deklarohen deputetët, transmeton Zëri i Amerikës.

Megjithëse faktori ndërkombëtar në Kosovë ka kërkuar që letërkëmbimi të dorëzohet gjatë kësaj jave, zyrtarë të qeverisë së Kosovës thonë se ka shumë më shumë mundësi që Parlamenti do të mund ta votojë pakon e ligjeve së bashku me letrat, të martën e ardhshme më 22 prill, në një seancë të jashtëzakonshme. Kjo edhe për faktin se qeveria duhet të përgatis propozimet për ndryshime të një numri ligjesh që ndërlidhen me mandatin e EULEX-it, që do të kërkojnë kohë për analizim nga ana e deputetëve.

Kryesia e Parlamentit la të hapur mundësinë që çështja të hidhet për miratim kurdo që deputetëve u dorëzohen materialet e punës, varësisht nga procesi i këmbimit të letrave ndërmjet presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga dhe shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Catherine Ashton.

Ndonëse nuk shihet me sy të mirë nga asnjë forcë politike në Kosovë, miratimi i saj pritet të ndodhë në Parlamentin e Kosovës, për të shmangur themelimin e saj nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

Miratimi në Parlament do të hapte ndërkaq mundësinë shumë shpejt grupet parlamentare të përgatisin edhe kushtet për shpërbërjen e Parlamentit për të çuar vendin në zgjedhje parlamentare, me gjasë nga fundi i muajit maj ose në pjesën e parë të qershorit

 
Lajme Shqip Monday, 14 April 2014 13:40

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, deklaroi se formimi i Gjykatës Speciale, është më tepër kërkesë politike sesa gjyqësore, madje kjo çështje sipas tij, ka shumë të panjohura.

Krasniqi i bëri këto komente në një takim me Komisionin Parlamentar për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të kryesuar nga Arta Dade, kryetare. Pasi përshëndeti delegacionin, kryekuvendari Krasniqi theksoi se ndërmjet dy parlamenteve të Kosovës dhe Shqipërisë zhvillohen takime të shpeshta, por ka ende fusha të pashfrytëzuara për shtimin e bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve dhe shteteve.

Në vijim kryekuvendari Krasniqi i bëri një vështrim zhvillimeve aktuale në Kosovë. Duke folur rreth çështjes së formimit të Gjykatës Speciale  për Krimet e Luftës në Kosovë, mes tjerash ai tha:” Formimi i kësaj Gjykate, është më tepër kërkesë politike sesa gjyqësore, madje kjo çështje ka shumë të panjohura”.

Në fjalën e saj, Arta Dade, kryetare e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, theksoi se ky Komision ka përkrahur bashkëpunimin dhe marrëdhëniet ndërmjet institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës. Ajo përgëzoi kryetarin Krasniqi për drejtimin e urtë të Kuvendit në të gjitha sfidat me të cilat është ballafaquar legjislativi.

Arta Dade pastaj i bëri një vështrim përpjekjeve që bëhen nga dy shtetet për bashkëpunim rajonal e integrim evropian, duke përmendur me këtë rast si një hap të rëndësishëm pranimin e Kosovës në Kartën e Adriatikut 5, që është një shenjë e seriozitetit e të dy shteteve drejt integrimeve euroatlantike. Në këtë vështrim ajo theksoi:”Të dy shtetet duhet të jemi më të artikuluar në politikat e përbashkëta në kontekst të sfidave që paraqet siguria rajonale, e cila kërcënon herë-herë”.

Ndërkaq, duke vlerësuar zhvillimet më të ndjeshme aktuale në Kosovë, ajo tha:”Shprehim besim se pjekuria e klasës politike të Kosovës do të bëjë që të merren vendime në dobi të proceseve integruese”.
Bashkëbiseduesit vlerësuan lart bashkëpunimin që zhvillohet ndërmjet komisioneve përkatëse dhe institucioneve tjera nga të dyja shtetet./rtk/