12
 
Lajme Shqip Monday, 20 May 2013 20:34

 

 

Ambasada amerikane në Kosovë njoftoi se Departamenti i shtetit e ka këshilluar kompaninë “Neë Poëer Generation”, se Kosova është shtet sovran dhe se Serbia nuk ka juridiksion mbi ndërmarrjën shtetërore “Trepça”.

 “Departamenti i Shtetit po ashtu inkurajoi kompaninë “Neë Poëer Generation” që të kontaktojë me Qeverinë e Kosovës direkt për të diskutuar lidhur me investimin që e ka propozuar”, thuhet në deklaratën për media të ambasadës amerikanë në Prishtinë.

Kompania amerikane ditë më parë nënshkroi një marrëveshje me Qeverinë e Serbisë për të investuar në kompleksin e minierave të Trepçës.

Autoritetet në Serbi theksuan se marrëveshja e arritur në Bruksel parashihte juridiksion të Serbisë në veriun e Kosovës dhe se Qeveria serbe mund të lidhte marrëveshje me investitorë për ndërmarrjën Trepça.

Qeveria e Kosovës reagoi ndaj kësaj marrëveshje duke e cilësuar si cenim të integritetit territorial të vendit.

 

 

 
Lajme Shqip Monday, 20 May 2013 15:53

Kryeparlamentari i vendit, Jakup Krasniqi, ka thënë se nuk ka asnjë infromacion për ndonjë marrëveshje të arritur në mes të Serbisë dhe ndonjë kompanie amerikane për shitjen e Trepçës, përpos asaj që është thënë në media. Krasniqi këto komente i bëri të hënën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ai poashtu shtoi që për këtë qështje duhet pyetur Qeveria.

“Neve nuk kemi informacione për këtë çështje, kemi informacione të marra nga mediat që për mua, për të dhënë mendimin nga pozita të cilën e kam nuk mjafton. Këto pyetje duhet t’i drejtohen qeverisë si përgjegjësja kryesore edhe me kushtetutë për ekzekutimin dhe mbrojtjen e pasurisë se qytetarëve dhe Kosovës në përgjithësi”, tha ai.

Sipas Krasniqit, Serbia përderisa e ka bërë këtë marrëveshje me kompaninë amerikane për shitjen e Trepçës, është thirr sipas tij, në marrëveshje e arritur në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit, për të cilin ai shprehet se nuk është në dijeni se çka përfshin.

Ndryshe, ditë më parë konsorciumi amerikan “New Generation Power” nga shteti Ilinois, raportohet se ka nënshkruar një kontratë me Ministrinë e Minierave dhe Resurseve Natyrore të Serbisë për bashkëpunim biznesi dhe teknik në kombinatin e Trepçës në veri të Mitrovicës. 

 
Lajme Shqip Wednesday, 12 December 2012 09:15

Prishtinë – Komisioni i kreditorëve për Trepçën e minon rolin e Qeverisë se Kosovës mbi këtë ndërmarrje. Aty Qeveria do të përballet e vetme me gjashtë kompani të huaja që pritet të jenë kryesisht nga Serbia dhe dy anëtarë nga punëtorët. Në bazë të ligjit, ky komision do të vendosë për fatin e ndërmarrjes.

Në bazë të përbërjes se komisionit të kreditoreve për ndërmarrjen Trepça, është e paqartë se kush do ta ketë fjalën kryesore për fatin e kësaj ndërmarrjeje. Prej 7 anëtarëve sa do të jenë në komision, gjashtë do të jenë kompani të ndryshme, derisa dy përfaqësues nga punëtorët.

Kështu Qeveria e Kosovës do të përballet e vetme me gjashtë kompani të huaja që pritet të jenë kryesisht nga Serbia.

Nga ato që kanë paralajmëruar më herët drejtuesit e Trepçës, mbi 90 për qind e pretendimeve ndaj kësaj ndërmarrje do të jenë kompani serbe.

Në një shkresë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit thuhet se komisioni i kreditorëve do të përbehet nga një grup personash, që në mënyrë të arsyeshme mund të konsiderohen si përfaqësues të të gjithë kreditorëve.

“Komisioni i kreditorëve do të përfshijë dy përfaqësues të punonjësve, mirëpo jo më shumë se shtatë kreditorë, të cilët në kohë kanë parashtruar dëshmitë e kërkesës tek administratori brenda apo para afatit të kërkesave”, thuhet në ketë shkresë të AKP-së.

Këto ditë AKP-ja ka shpallur njoftimin për afatin e kërkesave për të gjithë kreditorët pretendentë ndaj ndërmarrjes Trepça. Të shqetësuar me këtë proces kanë dalë edhe drejtuesit e Odës Ekonomike të Kosovës. Ata kanë ftuar Qeverinë që të jetë kreditori kryesor i ndërmarrjes, pasi ka investuar rreth 100 milionë euro vetëm në dekadën e fundit.

Por, në mungesë të Bordit, Agjencia Kosovare e Privatizimi ka parashtruar kërkesë për shtyrjen e afatit edhe për një vit.

“Ndërkohë AKP ka parashtruar kërkesë për zgjatje të afatit për paraqitje të kërkesave edhe për 365 ditë të tjera dhe AKP shpreson në mirëkuptim dhe pret përgjigje pozitive, duke pasur parasysh faktin se ka disa muaj që AKP është pa bord funksional, organ ky vendimmarrës për proceset që zhvillon AKP”, ka thënë zyrtari i lartë në AKP, Ylli Kaloshi.

Sipas tij, është herët të flitet për kompanitë që kanë aplikuar, pasi konkursi do të jetë i hapur për një kohë të gjatë. AKP i ka ftuar të gjithë personat që pretendojnë se kanë kërkesa dhe interesa ndaj ndërmarrjes “Trepça” që të parashtrojnë dëshmitë e kërkesat në formën e paraparë ligjore në zyrat e AKP-së, pa marrë parasysh nëse ata e kanë njoftuar më herët për këto pretendime ish AKM-në apo Dhomën e Posaçme.

Por e gjithë kjo nga drejtuesit e Trepçës dhe përfaqësuesit e bizneseve po shihet me rrezik.

Këshilltari në Trepçë, Shyqyri Kelmendi, pati thënë se mbi 90 për qind e kreditorëve që do të lypin hise në Trepçë janë kompani serbe.

Të njëjtat, në bazë të Ligjit për AKP-në, do të përfaqësohen në Komisionin e Kreditorëve, i cili edhe do ta ketë fjalën e fundit për fatin e kësaj ndërmarrjeje.

“Dëmi më i madh që i bëhet Kosovës është futja e Trepçës nën ingerencën e AKP-së, sepse e ka vendosur problemin nga njerëz që e njohin ndërmarrjen tek ata që s’e njohin atë. Mbi 90 për qind e kërkesave do të jenë kompani nga Serbia dhe Bordi i Kreditorëve do të përbehet nga këto kompani. Ky bord do të vendosë edhe për fatin e ndërmarrjes”, pati thënë Kelmendi.

Ndryshe, pas shqyrtimit të këtyre kërkesave e ankesave do të definohen kreditorët e Trepçës. Pas shqyrtimit të kërkesave, do të mbahet takimi i kreditorëve i cili do të pasohet më vonë me formimin e komisionit të kreditorëve. Sipas AKP-së, kjo do të jetë hera e parë që do të identifikohen me saktësi kreditorët e Trepçës. Procesi pastaj do të vazhdojë me hartimin e planit të riorganizimit të ndërmarrjes.(G.E)

 
Lajme Shqip Friday, 28 September 2012 16:35

Prishtinë –Lëvizja Vetëvendosje vazhdon me kundërshtimin ndaj privatizimit të ndërmarrjeve publike.

Një mur i improvizuar me mbishkrimin” Privatizimi la pa punë 76 mijë punëtorë”, ishte aktiviteti i radhës i Lëvizjes Vetëvendosje, përmes të cilit shpreh kundërshtimin ndaj privatizimit të ndërmarrjeve publike.

Sekretari organizativ i Vetëvendosjes, Dardan Mulliqi tha se privatizimi në Kosovë ka rrezikuar 12 e 667 familje si pasojë e humbjes së vendit të punës, të anëtarit të familjes.

“ Ky mur i ndërtuar, paraqet njërën prej pasojave që ka sjell privatizimi në Kosovë. Secila vijë e vendosur në këtë mur, paraqet në mënyrë simbolike secilin punëtorë i cili e ka humbur vendin e punës, si pasojë e privatizimit në Kosovë. Privatizimi në Kosovë ka rrezikuar, 12 mijë e 667 familje”.

Mulliqi tha se koncepti ekonomik i qeverive të pasluftës, se zhvillimi ekonomik vjen pas procesit të privatizimit, ka dështuar si i pavërtete, i dëmshëm dhe i rrezikshëm për zhvillimin e vendit.

Aksioni i sotëm është organmizuar në prag të debatit parlamentar për privatizimin që pritet javën e ardhshme.  Mulliqi, paralajmëroi se Vetëvendosje do t’i shfrytëzoj të gjitha kapacitet, në mënyrë që privatizimi i ndërmarrjeve publike të mos ndodh.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 20 September 2012 14:25

Prishtinë – Qindra punëtorë e të papunë protestuan sot në mesditë në Prishtinë, organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, në vazhdimësi të një peticioni të nënshkruar nga më shumë se 60 mijë qytetarë kundër privatizimit të ndërmarrjeve publike PTK, KEK dhe likuidimit të Trepçës.

“Trepça është e jona”, ishte një nga thirrjet e tyre, krahas mesazheve edhe në pankarta “Kuvend ndal privatizimin”, “Stop shkatërrimit të pasurisë së Kosovës”, e të tjera, në protestën e zhvilluar qetë nëpër mot me shi në sheshin kryesor “Nëna Terezë”.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës thotë se “ka marrë iniciativën dhe është bashkuar edhe me shumë organizata të tjera në Kosovë, duke patur parasysh gjendjen e rëndë ekonomike dhe sociale në vend, e cila, në masë të madhe vjen edhe si pasojë e procesit të privatizimit”.

“Mbi 70 mijë punëtorë që kanë kontribuar me dekada të tëra në ndërmarrjet prodhuese të Kosovës, si pasojë e këtij procesi të privatizimit sot enden rrugëve”, kanë deklaruar drejtues të Sindikatave.

Kryetari i Këshillit Organizativ të protestës, Alush Sejdiu, prezantoi kërkesat kryesore.

“Të formohet Komision parlamentar për vlerësimin e procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, duke përfshirë të gjitha valët e privatizimit. Të ndërpritet çdo proces i privatizimit deri në vlerësimin e Komisionit parlamentar për këtë çështje. Të ndërpritet procesi i likuidimit të Trepçës”, theksoi ai.

Pas mbajtjes së fjalimeve nga drejtues të sindikatave të Elektro-kosovës dhe të PTK-së, kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi, ka bërë të ditur se është vendosur që të shtyhet nënshkrimi i marrëveshjes për shitjen e Distribucionit dhe të Furnizimit.

“Kam një informatë që na vjen nga Parlamenti që nënshkrimi i marrëveshjes është shtyrë për një kohë të pacaktuar. Pikërisht na gëzon fakti se më në fund është ngritë vetëdija që të na kuptojnë”, tha Arifi.

Por, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka përgënjeshtruar deklaratën e kryetarit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës se është shtyrë nënshkrimi i kontratës me kompaninë Calik&Limak fituese në tenderin e privatizimit të KEDS-it.

“Është kjo edhe dezinformatë e radhës të cilën kohëve të fundit e plason kryetari i BSPK-së. Dëshirojmë të përkujtojmë zotin Arifi se ishte prezent në prezantimin e kompanisë Calik&Limak dhe aty është informuar se afati ligjor për nënshkrimin e kontratës është 90 ditë nga dita e përzgjedhjes së kompanisë fituese, dmth 19 tetori 2012. Siç ka deklaruar shumë herë ditëve të fundit ministri Beqaj, kontrata me kompaninë fituese do të nënshkruhet në afatin ligjor dhe për datën e nënshkrimit të saj do të informohet opinioni. Nënshkrimi i kontratës do të jetë publik dhe mediat do të mund të përcjellin këtë akt”, thuhet ne reagimin e MZHE’se.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 18 September 2012 18:31

Prishtinë – Këshilli Drejtues i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), në mbledhjen e mbajtur të martën, ka marr vendim që të enjten, më 20 shtator të këtij viti, të mbajë protestë masive.

KD i BSPK-së njofton gjithashtu se kanë formuar edhe Këshillin organizativ të protestës, i cili përbëhet nga 5 anëtarë.

“Marshimi i protestuesve do të fillojë nga Hoteli Grand dhe do të vazhdojë deri tek Hoteli Swiss Diamond në Prishtinë. Kjo protestë do të fillojë në ora 12:00 dhe do të zgjasë deri në ora 13:00. Protesta do të jetë dinjitoze dhe e qetë”, thuhet në komunikatën e BSPK-së.

Ndryshe, siç njofton BSPK, grumbullimi i protestuesve, të cilët vijnë nga regjionet me automjete transportuese (autobusë, vetura etj.), do të bëhet te parkingu prapa Pallatit të Rinisë.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 17 September 2012 09:14

PRISHTINË.-Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës tha sot se  me shumë se 60 mijë qytetarë kanë nënshkruar një peticion, duke shprehur vullnetin e tyre kundër privatizimit të ndërmarrjeve publike PTK, KEK dhe likuidimit të Trepçës.

Deklarata u bë para seancës së nesërme të Kuvendit të Kosovës, ku në rend dite është debati parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë.

“Nëse Kuvendi dhe Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do ta marrë parasysh vullnetin e qytetarëve të shprehur në peticion, vullnetin e punëtorëve dhe sindikatave, ne si nismë e përbashkët e këtyre organizatave do të protestojmë fuqishëm me datën 20 shtator 2012”, paralajmëroi kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi.

Ai tha se Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka marrë iniciativën dhe është bashkuar edhe me shumë organizata të tjera në Kosovë, duke pasur parasysh gjendjen e rëndë ekonomike dhe sociale në vend, e cila, sipas tij, në masë të madhe vjen edhe si pasojë e procesit të privatizimit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 06 September 2012 15:37

Prishtinë – BSPK- përmes një peticioni, filloi sot mbledhjen e nënshkrimeve për ta kundërshtuar privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës, Distribucionit të KEK-ut si dhe likuidimit të Trepçës.

Privatizimi i ndërmarrjeve publike do të shkatërrojë deri në fund potencialin ekonomik të shtete të Kosovës.

Forma e deri tashme e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, e ka dëmtuar në masë të madhe ekonominë dhe ka krijuar varfëri në vend të krijimit të vendeve të reja të punës. Kështu tha Ramadan Makolli, përfaqësues i Federates Sindikale të PTK-së.

“Privatizimin e kundërshtojmë për shkak se deri tash privatizimi ka sjellë varfëri dhe mjerim në popullatën e Kosovës. Asgjë të mirë nuk është bërë deri më tash nga ana e privatizimit të ndërmarrjeve.Prandaj, me privatizim është rritur edhe shkalla e varfërisë në vend”

Iniciativën e BSPK-së për të kundërshtuar privatizimin e PTK-ës, KEK-ut si dhe likuidimit të Trepçës po e përkrahin edhe qytetarët.

Peticioni do të vazhdojë deri në mbledhjen e duhura të nënshkrimeve për ta kundërshtuar procesin e privatizimit.

Ndërkohë, sindikalistët paralajmërojnë se këtë proces do ta kundërshtojnë me të gjitha format që ekzistojnë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 26 August 2012 18:07

Prishtinë – Telefoni mobil i kryeministrit Hashim Thaçi, dhe ministrave Besim Beqaj, Bedri Hamza dhe Mimoza Kusari-Lila, janë bllokuar para pak kohe nga qindra mesazhe kundër procesit të privatizimit.

Nëpërmjet SMS-ve, që kanë përmbajtjen e njëjtë, katërshja qeveritare është “këshilluar” nga anëtarët dhe aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje që në asnjë mënyrë mos ta privatizojnë Postën dhe Telekomin e Kosovës, Korporatën Energjetike të Kosovës dhe Trepçën.

Aktivistët e lëvizjes, që drejtohet nga Albin Kurti, nuk janë ndalur me kaq. Nëpërmjet mesazheve telefonike dhe e-mailave në adresa personale të katër zyrtarëve shtetëror, ata kanë kërcënuar që privatizimin e PTK-së, të KEK-ut dhe Trepçës do ta ndalin duke dalë në rrugë së bashku me familjarët e tyre.

“z. Ministër,

Unë që po të shkruaj, jam një nga qytetarët e thjeshtë të Kosovës i brengosur me rrugën që po merr vendi im. Po marr shkas të ju shkruaj nga lajmet e përditshme mbi gjendjen e rëndë ekonomike, varfërinë, që po përhapet pa ndalur duke zhytur në skamje një numër gjithnjë e më të madh të familjeve kosovare.

Kjo gjendje e rënduar për qytetarët duket se nuk do të ketë të ndalur, të paktën jo nëse nisemi nga politikat tuaja ekonomike. E kam fjalën për procesin e privatizimit të Trepçës, KEK-ut dhe Telekomit të Kosovës , të gjitha këto simbole dhe krenari për Kosovën. Të gjithë ne, shpresat për një jetë më të mirë i kemi pasur tek potenciali zhvillimor i këtyre gjigantëve ekonomik.

Këto ndërmarrje nuk janë pronë e juaja z. Ministër. Trepça, KEK-u dhe Telekomi i Kosovës, janë ndërtuar me punën tonë të palodhshme. Prandaj, për fatin e këtyre ndërmarrjeve duhet të vendosim ne, qytetarët e Kosovës. Ju që po merrni vendime të tilla, ka kohë që jeni të shkëputur nga realiteti që e jetojnë qytetarët dhe nuk do t’i vuani pasojat e këtyre privatizimeve.

z. Ministër, nëse politikat tuaja të drejtuara kundër mirëqenies sonë do ta vazhdojnë rrugën e tyre pa u ndalur, unë dhe familja ime do të jemi të detyruar të dalim në rrugë për t’ju ndalur me çdo kusht juve dhe këtë proces. Ne, do ta kundërshtojmë në çdo formë privatizimin e Trepçës, KEK-ut e Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Me respekt!”

Ndërkaq, ky është mesazhi telefonik që kanë pranuar katërshja qeveritare:

“Z. Kryeministër, nëse politikat tuaja te drejtuara kundër mirëqenies sonë do ta vazhdojnë rrugën e tyre pa u ndalur, unë dhe familja ime do te jemi te detyruar te dalim ne rruge për t’ju ndalur me çdo kusht juve dhe ketë proces. Ne, do ta kundërshtojmë ne çdo formë privatizimin e Trepçës, KEK-ut dhe PTK-së”.

Burime të “Zërit” brenda Lëvizjes Vetëvendosje kanë bërë të ditur se planifikohet që gjatë ditës së diel të dërgohen mijëra SMS dhe e-maila të tillë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 20 July 2012 09:10

Prishtinë – Minatorët e “Trepçës” kanë ndërprerë grevën, bëri të ditur për Radion Evropa e Lirë, këshilltari i menaxherit të Trepçës, Bislim Muçaj.

Ndërprerja e grevës, sipas Muqajt, është bërë pas vendimit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) për largimin e Eset Ujkanit nga posti i ushtuesit të detyrës së kompanisë “Trepça”.

“Grevistët kanë ndërprerë grevën dhe nesër do të fillojnë punën”, theksoi Muçaj. Punonjësit e “Trepçës”, kishin hyrë në grevë pas emërimit të Eset Ujakinit si ushtrues detyre të AKP-së.

Ata kishin kërkuar emërimin në këtë post të dikujt që, siç thuhet, e njeh “Trepçën”. Muçaj tha se AKP-ja ka pranuar kërkesën e minatorëve dhe ka emëruar në postin e ushtruesit të detyrës së kompleksit industrial, Halil Qelajn. Ky i fundit ishte drejtor i Departamentit për Miniera dhe Zhvillim të kompanisë “Trepça”. (LajmeShqip.com)

12