Lajme Shqip Monday, 10 October 2011 13:55

Tiranë- Sektori i ndërtimit po shfaq një rritje të lehtë të kërkesës për blerje, kjo si pasojë e rikthimit të emigrantëve në Shqipëri.

Në bisedë me sipërmarrës të sektorit të Real Estate (Agjenci Imobiliare), në Tiranë, mësohet se gjatë vitit 2011 kërkesa për pasuri të paluajtshme ka pësuar një rritje të lehtë, çka nënvizuan ata, “na bën optimistë për të ardhmen”.

Njëri prej sipërmarrësve, që ka hapur biznesin e tij 5 vjet më parë pranë shkollës “Vasil Shanto”, tha se “kjo rritje, edhe pse e lehtë, i atribuohet rikthimit të emigrantëve në Shqipëri, të cilët  kërkojnë të marrin me qira apo të blejnë shtëpi banimi apo dyqane për të hapur aktivitetin e tyre”.

Ndërsa një sipërmarrës tjetër, që ushtron aktivitetin në rrugën “Myslym Shyri”, tha se “kjo rritje e lehtë, është vetëm fillimi i një ringritje të këtij sektori”.

Sipas tij, “ky është vetëm fillimi, pasi miratimi i planit urbanistik të Tiranës, lehtësimi i praktikave të kredisë si dhe bashkëpunimi i qeverisë vendore me atë lokale, siç u dëshmua dhe nga udhëzimi i miratuar pak ditë më parë nga qeveria (udhëzimi për lejet e shfrytëzimit), do t’i japin një stimul të rëndësishëm këtij sektori, i cili ka qenë bllokuar për një kohë të gjatë”.

Ai kujtoi se gjatë 6-të mujorit të dytë të këtij viti është vënë re dhe një ulje 10-15% e çmimit të banesave.

Ky rigjallërim i tregut është vënë në dukje edhe në raportin e fundit të Bankës së Shqipërisë në përfundim të 6-të mujorit të parë, ku vlerësohej një përformancë në rritje e sektorit të ndërtimit, shkak i të cilës ishte lehtësimi i standardeve të kredisë për individë, si kredi për blerje banesash, ashtu edhe për kredi konsumatore.

Ky trend, vihet re edhe në treguesit e publikuar nga Instituti i Statistikave të Shqipërisë (INSTAT), i cili në raportin e publikuar në fund të 6-të mujorit të parë vlerëson se në tremujorin e dytë 2011, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim ka shënuar një ulje prej 0.2 për qind kundrejt tremujorit të mëparshëm.