Lajme Shqip Monday, 30 April 2012 10:02

Federata Angleze e Futbollit ka konfirmuar se do të fillojë bisedimet me Roi Hodgson, për ta bërë këtë të fundit trajnerin e ri të përfaqësueses angleze, duke injoruar përkohësisht preferencën e publikut, trajnerin e Totenhem, Herri Redknap.

Por takimi që pritet të zhvillohet sot pasdite, duket se nuk do të bëhet në një klimë pozitive pasi ka patur reagime mjaft negativë rreth kësaj zgjedhje. Edhe vetë Hodgson është shqetësuar për faktin se nuk shihet me sy të mirë nga tifozeria angleze dhe për këtë arsye ka vënë në dyshim nëse do të pranojë ofertën për të drejtuar “tre luanët”.

Më parë gjatë këtij muaji, 64 vjeçari insistoi se nuk dëshironte të përsëriste eksperiencën e tij te Liverpuli, ku u largua si një dështak pas kontestimeve të tifozëve.

“Nuk mendoj se tifozët e Liverpulit më shihnin si një trajner të keq, ata thjesht donin një person tjetër. Ndaj nuk besoj se do të marr më një detyrë që bie në kundërshtim me opinionin publik”, kanë qenë vetë fjalët e Hodgson.

Roi Hodgson ka drejtuar edhe më parë kombëtare, pasi ka udhëhequr me sukses Zvicrën drejt kualifikimit në Botërorin ‘94 dhe Euro ’96. Gjatë kësaj periudhe, kombëtarja zvicerane u rendit e 3-ta në botë në klasifikimin e FIFA-s. Më pas ai ka drejtuar dhe kombëtaren e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Finlandën. (LajmeShqip.com)