Lajme Shqip Tuesday, 22 October 2013 15:53

Katër të rinj kanë gjetur vdekjen në një aksident automobilistik në qytetin e Shkodrës në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme. Ngjarja tragjike u prit me pikëllim nga banorët e qytetit, Bashkia e të cilit shpalli dhe ditë zie.

 

Por zia që pllakosi 4 familje shkodrane rëndohet dhe më tepër kur nëna e një prej viktimave pëson një atak në zemër teksa qante trupin e të birit. Elvie Duli teksa qante trupin e të birit të sapoardhur nga morgu, ka pësuar një atak në zemër. Pavarësisht ndihmës që iu dha në moment dhe dërgimin në spital, mjekët konstatuan se Elvie Duli ka mbërritur gati pa shenja jete dhe se ka rënë në vdekje klinike.

Trupi i të riut, Raelv Duli do të varrosej ditën e nesërme, ndërsa vëmendja tani është dhe tek nëna e tij që ndodhet në gjendje të rëndë në spital.

 
Lajme Shqip Wednesday, 15 February 2012 14:10

Familja Reka ka reaguar kundër deklaratave të presidentit serb Boris Tadic, lidhur me përkujdesjen e tij të shprehur për vogelushen e mbijetuar nga tragjedia, ku 10 anëtarë të saj humben jeten nga orteku, që goditi shtëpinë e tyre në fshatin malor Restelicë në malet e Sharrit.

Pjesëtarë të kësaj familje kanë theksuar se presidenti serb duhet të shikojë hartën se ku i bie Kosova dhe të mos bëje lojë politike.

“E ftojmë që ta shikojë hartën, sepse vetëm ashtu e merr vesh se ku është Restelica, sepse ndoshta ka harruar ku është ky fshat. Kjo është vetëm lojë politike e Serbisë”, ka theksuar për KTV, një pjesëtar i familjes Reka.

“Jemi të shqetësuar rreth thënieve se ne paskemi kërkuar ndihmën e Serbisë, kjo është e pavërtetë, ne e kemi shtetin, i cili na ndihmoi në cdo moment dhe na u gjind pranë gjatë gjithë kohës”, ka thënë familja Reka për KTV.

 
Lajme Shqip Tuesday, 14 February 2012 15:47

Prishtinë – Ekipet e Forcës së Sigurisë së Kosovës gjatë operacionit të kërkimit, sot, kanë gjetur edhe viktimën e fundit, të dhjetë, të fatkeqësisë në Restelicë të Sharrit, të cilës i mbijetoi vetëm një vajzë e vogël, Amsera Reka, 5 vjeçe.

Viktima e fundit u gjend rreth orës 13:35 të ditës. Komandanti i Forcës së Sigursië së Kosovës, gjenerallejtënant Kadri Kastrati e shpalli të përfunduar operacionin e FSK në Restelicë.

Dje pasdite është bërë varrimi i nëntë viktimave të gjetura të tragjedisë, që goditi Restelicën.

Në Kosovë, para 28 viteve një tragjedi e tillë orteku, ku humbën jetën 11 veta të një familje, ka ndodhur në Rugovë të Pejës.

 
Lajme Shqip Monday, 13 February 2012 20:02

Prishtinë- Andy Sparkes, ushtrues detyre i shefit të EULEX-it shprehu sot përmes një deklarate ngushëllimet për tragjedinë e shkaktuar nga orteku i dëborës në fshatin Restelicë.

“Ajo çfarë ndodhi mëngjesin e së shtunes në komunën e Dragashit është një tragjedi e tmerrshme. Në emër të EULEX-it, shpreh ngushëllimet tona të thella për familjet e atyre që kanë vdekur.

Mendimet tona mbeten me ta. EULEX-i ende qëndron i gatshëm të ndihmojë në çdo mënyrë që mundet me personelin dhe resurset që ka”, u shpreh Sparkes. Ai mbështeti me admirim shërbimet e shpëtimit, që punuan dhe vazhdojnë të punojnë në vendngjarje në përpjekjet për t’u përballur me motin e ashpër. (LajmeShqip.com)

 

 
Lajme Shqip Monday, 13 February 2012 16:17

Restelicë (PLOTESUAR 13 Shkurt, 18:00) Janë përcjellë sot për në banesën e fundit, 9 viktimat e tragjedisë natyrore në fshatin Restelicë, të komunës së Dragashit.

Sot pasdite është bërë varrimi i nëntë viktimave të kësaj tragjedie, ndërsa po vazhdon operacioni i Forcës së Sigurisë, në kërkim të personit të njëmbëdhjetë të familjes Reka, që dyshohet se gjendet nën gërmadhat e shkaktuara nga orteku i së shtunës.

Kështu konfirmon komandanti i operacioneve të kërkim shpëtimit në FSK, Mehmet Lladrovci i cili thotë se janë bërë gërmime shumë të mëdha dhe se operacioni do të vazhdoj deri në gjetjen e personit të fundit.

Lladrovci thekson se moti është i përshtatshëm dhe ekipet janë duke vazhduar kërkimin e viktimës së dhjetë të kësaj tragjedie, që është një djalë 20 vjeç i familjes Reka.

Ndërkohë varrimi i nëntë viktimave të tragjedisë që goditi këtë fshat është bërë sot pasdite, ka konfirmuar Lladrovci.

Për shkak të rrezikut që mund t’iu kanoset, shumë banorë të zonave ku është shfaqur orteku, janë zhvendosur në brendi të fshatit, ku janë më të sigurt, ka deklaruar, koordinatori i ekipit për shpëtim në fshatin Restelicë, imami Shaban Haxhi.

Në nderim të viktimave të tragjedisë së të shtunës, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka shpallur ditën e sotme ditë zie shtetërore.

 *************************

Njësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë duke vazhduar edhe operacionin në fshatin Restelicë të komunës së Dragashit, në kërkim të personit të fundit që dyshohet se gjendet nën gërmadhat e shkaktuara nga orteku i së shtunës.

Kështu konfirmon komandanti i operacioneve të kërkimshpëtimit në FSK, Mehmet Lladrovci i cili thotë se sot janë bërë gërmime shumë të mëdha dhe se operacioni do të vazhdoj deri në gjetjen e personit të fundit.

Ndërkohë varrimi i nëntë viktimave të tragjedisë që goditi këtë fshat është bërë, konfirmon Mehmet Lladrovci.

Ndryshe, për shkak të rrezikut që mund t’iu kanoset, shumë banorë të zonave ku është shfaqur orteku, janë zhvendosur në brendi të fshatit, ku janë më të sigurt.

Në nderim të viktimave të tragjedisë së të shtunës, presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka shpallur ditën e sotme ditë zie shtetërore. Ndërkaq presidenti i Shqipërisë Bamir Topi, kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ngushëlluan Kosovën dhe familjet e viktimave të ortekut në Restelicë të Dragashit.

 
Lajme Shqip Monday, 13 February 2012 11:39

Restelicë- Forcat e Sigurisë së Kosovës vazhdojnë operacionin në kërkim të personit të pagjetur të tragjedisë së ortekut të dëborës së madhe në fshatin Restelicë të rajonit të Gorës, në jug të Kosovës.

Me vendim të Ministrit Agim Çeku dhe urdhër të Komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral-lejtnant Kadri Kastrati, Forca e Sigurisë së Kosovës ka vazhduar sot në mëngjes herët operacionin e kërkimit të personit të njëmbëdhjetë të zhdukur nga orteku i dëborës në Restelicë të Komunës së Sharrit.

Në operacionin e sotëm në Restelicë janë të angazhuar 154 pjesëtarë dhe 21 automjete. Kjo është dita e tretë e angazhimit të FSK-së në këtë operacion.

Nënkolonel Mehmet Lladrovci, Komandanti i batalionit të dytë të brigadës për reagim të shpejtë është caktuar komandanti i operacionit dhe do të udhëheq kërkimet në Restelicë, deri në gjetjen e personit të fundit që konsiderohet i zhdukur në këtë fatkeqësi natyrore. (LajmeShqip.com)

 

 
Lajme Shqip Monday, 13 February 2012 08:28

Jetonin afër njëri tjetrit. Por nuk janë më. Nëntë pjesëtarë të familjes Reka vdiqën për një ditë. Ata i zuri brenda shtëpive një ortek i borës i ardhur nga bjeshka sipër shtëpive. Nën rrënoja dyshohet se gjendet edhe një djalë i ri.


Foto: Atdhe Mulla (Gazeta Express)

Resmin Reka ende nuk është gjetur pavarësisht kërkimeve të shumta nën ortek dhe nën rrënojat e shtëpisë ku jetonte. Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës punuan tërë ditën e diel por nuk mund ta gjenin trupin e tij që mendohet se ka vdekur. Dy shtëpi të vëllezërve Fehim dhe Rexhep Reka u rrafshuan me tokë. Atyre tashmë nuk u dihen as themelet. U kanë mbetur vetëm rrënojat. Gjatë së dielës pjesëtarët e FSK-së nxorën nga rrënojat edhe dy trupa të pajetë të anëtarëve të familjes Reka.

Vetëm një natë më parë ata kanë arritur ta nxjerrin të gjallë një vazjë pesë vjeq. Amsera është vajza e Avdullah(30) dhe Garka(29) Rekës të cilët kanë vdekur. Bashkë me ta ka humbur jetën edhe Amari djali i tyre dy vjeqar. Përveq këtyre në këtë tragjedi kanë vdekur Fehim(57) Zekia(54), Rexhep(58), Fatima(58) Seldin(17) dhe Resmina,(20) binjake me djalin që supozohet se gjendet nën rrënoja. Përveq shtëpive të vëllezërve Reka kanë pësuar edhe gati njëzet shtëpi që gjenden në lagjen me të skajshme të fshatit, mirëpo në to nuk banonte askush.

Banorët e Restelicës janë të tmerruar nga ajo që kanë parë të shtunën në mëngjes. Përveç dhimbjes që kanë për fqinjët e tyre ata me të gjitha forcat kanë ndihmuar forcat e FSK-së, policisë dhe KFOR-it që të nxjerrin nga rrënojat nën ortek trupat e të vdekurve. Shaban Haxhi përfaqësues i fshatit Restelicë dhe imam në këtë fshat tregon për Express se ajo që ka ndodhur mëngjesin e së shtunës i ka tronditur. Ky banor tregon edhe nxjerrjen e vajzës së vogël, të cilën sipas tij e shpëtoi mrekullia e Zotit.

“E kam dëgjuar një të qarë nëpërmes një gypi dhe shpejt e kemi hjekë borën. Vajzën e kemi gjetë të gjallë në duar të nënës së saj”, tregon imami i emocionuar.

Tash Amsera gjendet e shtrirë në spitalin e Prizrenit dhe mjekët tregojnë se është në gjendje shumë të mirë shëndetësore. Sipas mjekëve kur e kanë dërguar në spital vetëm ishte pak e ftohur, përndryshe analizat që ia kanë bërë i kanë dalë shumë mirë. E rrethuar nga dajët dhe të afërmit tjerë vogëlushja nuk e ka idenë se qka është duke ndodhur. Sipas një personi i cili prezantohet si daja i saj Amsera nuk i përmendë as prindërit as vëllain e saj.

“Shoqet” e vetme që atë e shoqërojnë në spital janë dhjetëra kukulla që i ka renditur në shtrat. Megjithatë mendjen e ka të kthellët. Di të tregojë për emrin dhe vjetët. Amserën në spital po e vizitojnë shumë njerëz. Të dielën nga Italia i erdhën edhe axhallarët, të vetmit familjarë të afërt që i kanë mbetur. Por këtë vogëlushe të dielën e vizitoi edhe një grua.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga vizitoi në spitalin rajonal të Prizrenit, Asmira Rekën, të mbijetuarën e vetme të tragjedisë së shkaktuar nga moti i keq.

“Gjatë vizitës, Presidentja Jahjaga, e shoqëruar nga kryetari u komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, u njoftua me gjendjen e Asmirës, dhe njëkohësisht falënderoi mjekët dhe personelin e këtij spitali për mobilizimin dhe përkujdesjen që ata po ofrojnë për qytetarët e Restelicës, por edhe për të gjithë banorët e fshatrave të tjera të rrezikuar nga bora e rënë ditëve të fundit në mbarë Kosovën”, thuhet në një komunikatë të Presidencës. “Presidentja Jahjaga e ngushëlloi familjen Reka dhe të gjithë qytetarët e Kosovës për këtë humbje tragjike dhe trishtuese të jetëve të njerëzve.

Ajo u bëri thirrje qytetarëve që në këto kushte të vështira atmosferike nëpër të cilat po kalon vendi ynë, të solidarizohen dhe t’i dalin në ndihmë njëri-tjetrit, duke premtuar se ndihma e institucioneve të Kosovës nuk do të mungojë” Presidentja Jahjaga posaçërisht veçoi punën e palodhshme të Forcave të Sigurisë së Kosovës, Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe qytetarëve vullnetarë për përpjekjet e tyre të pandërprera për të hapur rrugën dhe për t’u ardhur në ndihmë të të ngujuarve në Restelicë. Me këtë rast, Presidentja Jahjaga ndau dhjetë mijë euro nga fondi i Zyrës së Presidentes për të ndihmuar adresimin e nevojave emergjente për familjet e goditura të fshatit Restelicë.

Kërkimet në fshat për të dielën kanë përfunduar në orën 16 pasdite për të vazhduar të hënën në kërkim të trupit të djaloshit. Ekspertë të KFOR-it austriak u kanë sugjeruar që të ndalojnë kërkimet për shkak se ekziston rreziku nga shembja e ndonjë orteku tjetër për shkak të motit të ligë.

Në këtë operacion janë të angazhuar qindra pjesëtarë të FSK-së, Policisë, KFOR-it dhe shumë banorë të fshatrave të Dragashit.

Në Restelicë edhe kryeministri

Fshatin e thellë të Dragashit i cili këto ditë është bërë kryelajm jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë të dielën e vizitoi edhe kryeministri Hashim Thaçi, i cili shprehu mbështetjen e institucioneve për banorët e prekur nga kjo fatkeqësi.Të parit të ekzekutivit iu desh të ecte në këmbë me shumë se dy kilometra për të arritur në vendin ku orteku i borës ka mbuluar disa shtëpi dhe ka dëmtuar shumë të tjera. Në këtë rast, kryeministri Thaçi falënderoi të gjithë ata që u angazhuan për tejkalimin e katastrofës, ndërsa shfaqi gatishmërinë e institucioneve për mbështetjen e banorëve të Restelicës. Ai premtoi që do të bëjnë çmos për gjetjen e personit të fundit. “Sot dhimbje ka gjithë Kosova, shteti i Kosovës, gjithë qytetarët e Kosovës. andaj propozoj që dita e nesërme të jetë ditë zie për qytetarët e Kosovës, në shenjë nderimi për shkak të ndodhjes së kësaj tragjedie që i ka ndodhur këtyre familjeve. Do të jemi me gjithë potencialin tonë pranë këtij fshati, pranë këtyre familjeve, fillimisht në strehim pastaj natyrisht edhe me mjete materiale”, ka thënë kryeministri Thaçi.

E hëna Ditë zie

Dita e hënë është ditë zie shtetërore, në nderim të anëtarëve të familjeve Reka, që pësuan në fatkeqësinë natyrore në fshatin Restelicë të komunës së Dragashit.

Sipas vendimit të Presidentes, në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të Republikës së Kosovës, flamuri i Kosovës ulet në gjysmë shtize. Gjithashtu, të gjitha veprimtaritë artistike, kulturore dhe sportive, të planifikuara për këtë ditë, pezullohen dhe shtyhen për një datë të mëvonshme. (Gazeta Express)

 
Lajme Shqip Saturday, 11 February 2012 15:43

PLOTËSUAR (12 Shkurt 2012, 20:00) – Vendin e goditur nga orteku e vizitoi sot kryeministri Hashim Thaçi, i cili shprehu ngushëllimet për jetët e humbura dhe siguroi banorët e Restelicës se i gjithë shteti është me ta. Për shkak të kësaj ngjarjeje tragjike, e hëna në Kosovë është shpallur ditë zie.

Kosova është prekur prej ditësh nga moti i keq me reshje të dendura dëbore që kanë krijuar vështirësi të shumta sidomos në komunat perëndimore të Deçanit dhe të Pejës, duke lënë edhe mjaft fshatra të izoluar.

*************

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto i shprehu ngushëllime ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, për fatkeqësinë natyrore të shkaktuar nga një ortek dëbore, që u mori jetën nëntë anëtarëve të familjes Reka në fshatin Restelicë të komunës së Dragashit.

Haxhinasto i telefonoi të dielën homologut të tij kosovar për t’i shprehur ngushëllimet më të sinqerta dhe ndjenjat e solidaritetit për humbjet e jetëve njerëzore nga orteku. Ai shprehu bindjen se në këto në këto çaste hidhërimi të thellë e vështirësish të mëdha, me të cilat po përballen familjet e të ndjerëve, Qeveria dhe i tërë populli i Kosovës po demonstrojnë një ndjenjë të lartë solidariteti, duke bërë maksimumin për t’u ardhur në ndihmë familjeve të viktimave, si dhe gjithë banorëve të prekur nga ky mot i acartë.

Haxhinasto njëkohësisht shprehu gatishmërinë e Qeverisë Shqiptare për të dhënë ndihmën dhe asistencën e nevojshme në zonat më të prekura nga ky dimër i jashtëzakonshëm.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, me rastin  e fatkeqësisë  tragjike, që ndodhi në fshatin Restelicë të Komunës së Dragashit, ku humbën jetën nga orteku i borës 9 anëtarë të familjes Reka, në një deklaratë pak më para shprehu ngushëllimet më të sinqerta.

“Me shqetësim dhe dhembje të thellë morëm lajmin për vdekjen tragjike të 9 qytetarëve, shkaktuar nga orteku i borës. Kjo tragjedi  ka prekur thellë, jo vetëm familjarët e të afërmit, por edhe tërë qytetarët e Kosovës. Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal,  ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe të afërmeve të familjes Reka”, tha ai.

***************************

Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga vizitoi të dielën në spitalin rajonal të Prizrenit, Asmira Rekën, të mbijetuarën e vetme të tragjedisë së shkaktuar nga moti i keq në fshatin Restelicë, të komunës së Dragashit, në të cilën pësuan anëtarët e familjes Reka.

Gjatë vizitës, presidentja, e shoqëruar nga kryetari i komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, u njoftua me gjendjen e Asmirës dhe njëkohësisht falënderoi mjekët dhe personelin e këtij spitali për mobilizimin dhe përkujdesjen që ata po ofrojnë për qytetarët e Restelicës, por edhe për të gjithë banorët e fshatrave të tjera të rrezikuar nga bora ditëve të fundit në mbarë Kosovën, thuhet në kumtesën e Zyrës së Presidentes së Kosovës.

Presidentja e ngushëlloi familjen Reka dhe të gjithë qytetarët e Kosovës për këtë humbje tragjike dhe trishtuese të jetëve të njerëzve. Ajo u bëri thirrje qytetarëve që në këto kushte të vështira atmosferike nëpër të cilat po kalon vendi ynë, të solidarizohen dhe t’i dalin në ndihmë njëri-tjetrit, duke premtuar se ndihma e institucioneve të Kosovës nuk do të mungojë.

Jahjaga posaçërisht veçoi punën e palodhshme të FSK-së, Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe qytetarëve vullnetarë për përpjekjet e tyre të pandërprera për të hapur rrugën dhe për t’iu ardhur në ndihmë të ngujuarve në Restelicë.

Me këtë rast, presidentja e vendit ndau 10 000 euro nga fondi i Zyrës së Presidentes për të ndihmuar adresimin e nevojave emergjente për familjet e goditura të fshatit Restelicë.

***************************

“Në këto momente shumë të dhembshme, vlerësoj lart angazhimin e jashtëzakonshëm që bënë dhe po bëjnë pjesëtarët e  Forcës së Sigurisë së Kosovës, të Policisë së Kosovës,  të trupave të KFOR-it, si dhe qytetarët, që në këto kushte tejet të vështira atmosferike po bëjnë gjithçka që është e mundur për të nxjerrë dhe shpëtuar të goditurit nga orteku i borës”, theksohet në deklaratën  e kryekuvendarit Krasniqi.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka shpallur ditën e hënë, 13 shkurtin 2012, ditë zie shtetërore, në nderim të anëtarëve të familjeve Reka, që pësuan në fatkeqësinë natyrore në fshatin Restelicë të komunës së Dragashit.

Sipas vendimit të Presidentes, në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të vendit  flamuri i Kosovës do të ulet në gjysmë shtize.

Gjithashtu, të gjitha veprimtaritë artistike, kulturore dhe sportive, të planifikuara për këtë ditë, pezullohen dhe shtyhen për një datë të mëvonshme.

Sipas një komunikate, edhe Qeveria e Kosovës thuhet ta ketë shpallur ditën e hënë ditë zie në vend.

Qeveria edhe njëherë i shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve të viktimave, dhe rithekson gjithë përkushtimin dhe vendosmërinë institucionale për ndihmë dhe shpëtim të qytetarëve, të rrezikuar nga gjendja e rëndë klimatike, thuhet në këtë kumtesë të qeverisë. 

******************

PLOTËSUAR (12 Shkurt 2012, 12:30) – Një vajzë rreth 7-vjeçare e nxjerrë mbrëmë e gjallë e 7 të vekur raportohet se janë nxjerrë nga dëbora e rrënojat e shtëpive rreth 24 orë nga rënia e një orteku të madh dëbore në fshatin Restelicë, në rajonin e Gorës të komunës së Dragashit, në jug të Kosovës. 
Dyshohet  edhe për  për tre të zhdukur, dhe në kushte shumë të  vështira  vazhdojnë  operacionet e kërkimit nga ekipet e FSK-së, KFOR-it, Policisë,  zjarrfikësve dhe vetë banorët.
 Orteku i lartë 10 metra dhe e i gjatë 500 metra, ka mbuluar dje në mëngjes afro 15 shtëpi të një lagjeje në fshatin Restelicë, dy prej tyre të banuara nga 11 anëtarë të familjes Reka, të tjerat ta pabanuara meqë njerëzit ndodheshin jashtë vendit. Policia e Kosovës  ka njoftuar se dje rreth orës 09:25 ka pranuar një informacion për rënien ortekut që shkaktoi tragjedinë.
Sapo njoftohet se kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi do të vizitojë sot fshatin Restelicë të komunës Dragashit, ku dje gjatë gjithë ditës e natës kanë qëndruar përfaqësues të lartë të qeverisë e institucioneve tjera të Kosovës.

**************

Prishtinë-Një ortek ka rënë mbi dy shtëpi në Restelicë të Dragashit, dhe dyshohet të ketë viktima. Orteku i borës, me gjatësi 500 metra dhe me gjerësi disa metra ka ngujuar 11 persona në dy shtëpi me mbiemrin Reka.

Druhet se nga orteku ka humbur jetën një grua ndërsa në rrezik për jetën janë edhe të tjerë që  u ngujuan nga orteku  nga ky ortke.

Ekipet shpëtimtare të komunës janë nisur për në vendin e ngjarjes për të ofruar ndihmë, por bora dhe mjegulla e madhe kanë bërë të pamundur afrimin tek orteku që supozohet të jetë burim i tragjedisë, njofton KTV.

Me të ngujuarit janë humbur kontaktet. Në fshatra të komunën së Dragashit lartësia e borës ka arritur 2.5 metra. Edhe në vise të tjera të Kosovës mbrëmë dhe sot ka rënë shumë borë.

Reshjet më të dendura kanë qenë në Dukagjin: Pejë,  Gjakovë e Klinë. Si pasojë e nise së borës shumë zona e fshatra të vendit kanë mbetur të izoluara. Meteorologët parashikojnë që mot i ngjashëm me të reshura bore reshura të mbretërojë deri të hënën.

http://www.youtube.com/watch?v=-kBvc2melW8&