Lajme Shqip Friday, 14 March 2014 22:53

Një letër që të këput shpirtin, është ajo që ka shkruar Bashkim Dobrushi, babai i tri vajzave të vrara nga nëna e tyre. Në letrën e shkruar edhe në emër të familjarëve të tjerë, për të kujtuar tri vajzat: Simonën, Sidnin dhe Keisin, Bashkim Dobrushi u kërkon falje vajzave të tij që nuk arriti të kuptonte atë që do të ndodhte. Në letrën e shkruar gjatë ceremonisë së lutjeve në Lecco, babai i dëshpëruar thotë se nuk e ndjen që të dënojë nënën e vajzave të tij. “Nuk dua ta gjykoj”, -shkruan Dobrushi për ish-gruan e tij, dhe njëkohësisht vrasësen e fëmijëve të tij. 

“Zemra jonë është e mbushur nga një dhembje e madhe, e papërshkrueshme. Nuk e kemi kuptuar dhe nuk e kemi imagjinuar kurrë këtë që do të ndodhte. Ne kemi dashur vetëm t’ju demonstronim dashurinë që kishim për ju. Përpiqeshim të bënim të pamundurën, por sigurisht që nuk ishte e mjaftueshme. Ju kërkojmë të falur nga shpirti dhe shpresojmë që lart nga qielli ku ndodheni tani, të mund të kuptoni dobësinë tonë”.

Kështu e ka nisur letrën që u ka shkruar të bijave, tashmë të vdekura, Bashkim Dobrushi edhe në emër të familjarëve të tij. Burri i dëshpëruar për humbjen e tre ëngjëjve të tij, Siomën, Keisin dhe Sidnin, pavarësisht dhimbjes së madhe që ka për të bijat, nuk e ndjen që e ëma e vajzave, njëkohësisht edhe vrasësja e tyre, të dënohet. “Nuk dua të gjykoj”. Kështu shprehet Bashkim Dobrushi, për ish-gruan e tij, që vrau barbarisht tri vajzat e mitura, teksa flinin gjumë mbrëmjen e së shtunës, më datë 8 mars. 

Duke vazhduar më tej me letrën e tij, babai i dëshpëruar shkruan: “Do të na mungoni pafundësisht. Do të na mungojnë buzëqeshjet tuaja, kurioziteti juaj, përqafimet tuaja, do na mungojnë të gjitha momentet që kemi kaluar së bashku. Do të na mungojë dëshira juaj për të jetuar, projektet dhe ëndrrat tuaja për një jetë të qetë dhe të lumtur. Të gjitha këto ne nuk mundëm t’jua jepnim. Nuk e di nëse do të gjej paqe, por nuk mund ta gjykoj nënën tuaj. Do të doja ta kuptoja, edhe pse tani nuk jam i aftë ta bëj një gjë të tillë, dhe do të dëshiroja ta kisha kuptuar, edhe pse nuk isha i aftë ta bëja një gjë të tillë”.

Në fund letra e babai fatkeq mbyllet: “Ju lutem, ju përgjërohem, nga Parajsa ku ndodheni tani, edhe në zemrat tona, na jepni forcë për ta përballuar këtë dhimbje të tmerrshme”.

Nëna e tri vajzave, Edlira Çoba Dobrushi pas daljes nga spitali do të futet në burgun e Lecco-s, ku pritet edhe të marrë dënimin. Por në gjendjen në të cilën ajo ndodhet, mundet që 37-vjeçarja të ketë nevojë për një trajtim në psikiatri, pasi është në gjendje shoku. 

 

 
Lajme Shqip Thursday, 13 March 2014 14:42

Dita e sotme është shpallur ditë zie nga  komuna e Leço-s në Itali, për nderë të tri vajzave të vogla të vrarë nga nëna e tyre. Flamuri në godinën e bashkisë është ulur në gjysmë shtizë.

Sot në ditën që trupat e vogëlusheve nisen drejtë Shqipërisë, në Lecco është dita e heshtjes dhe kujtimit.

Simona, Kejsi dhe Sidni janë fytyrat e dramës që kanë bashkuar komunitetin e shqiptarëve në Lecco dhe shumë komunitet të tjera të huaja.

“Dhimbja ka dimension familjar por edhe civil dhe publik. Është një moment që përfshin edhe qytetin për atë që ka ndodhur për t’i qëndruar afër familjes”, shprehet kreu i bashkisë së Lecco-s, Virginio Brivio.

Stafi i bashkisë ka mbajtur edhe një minutë heshtje. Sot në Lecco ka qenë i pranishëm dhe Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Milano, bashkë me prefektin dhe presidentin e provincës për të bërë nderime për viktimat.

Shumë nga shokët dhe shoqet e klasës së tri vajzave të vogla kanë vizatuar, shkruar dhe ngjyrosur zemra. Në një prej mesazheve shkruhet: “Na vjen keq për ju dhe nënën tuaj të sëmurë”. Gjatë përcjelljes për në Shqipëri, shumë njerëz dolën në rrugë për t’u dhënë lamtumirën e fundit.