Lajme Shqip Sunday, 20 April 2014 14:23

Banorët e Bedatit dhe Adriatikut, dy fshatrat e Divjakës ku opozita akuzon se janë ulur dhe ngritur avionët e narkotikëve, thonë se nuk kanë parë dhe dëgjuar asgjë. Rruga prej dy kilometrash që lidh dy fshatrat, sipas deputetëve të PD është përdorur për uljen e avionit dhe trafiku është mbajtur i bllokuar nga makina në të dy fundet e rrugës.

“Jo unë nuk kam dijeni për këtë , s’kam parë gjë. Nuk jam në dijeni. S’kam parë gjë”, thotë një prej banorëve.

 “Unë jam mes atje fshatit, s’kam parë gjë”, thotë një tjetër banore e fshatit.

Por pas publikimit të akuzave, edhe vetë banorët janë përfshirë në dyshime. Një prej tyre thotë se ka dëgjuar nga bashkëfshatarë të tjerë këtë histori, por se vetë nuk ka parë e dëgjuar gjë.

Prej më shumë se 10 ditësh, opozita ka hedhur akuza se infrastruktura e ushtrisë po përdoret për trafikun e drogës dhe se avionët e ngarkuar me lëndën narkotike, po ngarkohen në disa zona të vendit, si Divjakë, Gjadër apo edhe Gjirokastër.

Akuzat janë hedhur poshtë nga mazhoranca, e cila ka propozuar edhe një Komision Hetimor për këtë çështje, ndërsa Prokuroria e Përgjithshme ka nisur hetimet dhe i ka bërë thirrje opozitës të sjellë prova për akuzat e saj./shekulli/