Lajme Shqip Monday, 16 April 2012 11:22

Tiranë (PLOTESUAR 16 prill, 17:00) Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD) vendosi sot të shtyjë për të mërkurën mbledhjen për zgjedhjen e nëkryetarit të ri të KLD-se,  pas doreheqjes së Kreshnik Spahiut. 
Seanca e KLD-se, mësohet se është shtyrë për shkak të axhendës së punës së Presidentit të Republikës,  Bamir Topi. 

Gjatë mbledhjes se zhvilluar sot, Presidenti Topi, njëkohësisht Kryetar i Keshillit të Lartë të Drejtësisë, mësohet se ka propozuar për postin e nënkryetarit të KLD-së, Ilir Mustafaj. Ndërkohë që, votimi për këtë propozim pritet të bëhet të mërkurën në KLD.

Mbledhja e sotme, është zhvilluar me dyer të mbyllura pasi është hedhur poshtë kërkesa e ministrit të drejtësisë Eduart Halimi që ajo të zhvillohej e hapur për mediat. Mbledhja e KLD-së është shoqëruar me debate rreth mënyrës së përzgjedhjes së nënkrytarit të ri.
KLD, gjatë mbledhjes së sotme, miratoi Elvis Cefen si anetarin e ri  të këtij Keshilli. Cefa u zgjodh për këtë post nga Parlamenti,  me votat e mazhorancës. (LajmeShqip.com)

***************************

Tiranë – Këshilli i Lartë i Drejtësisë është mbledhur sot për të zgjedhur zëvendëskryetarin e ri pas dorëheqjes së Kreshnik Spahiut dhe votimit në Kuvend të Elvis Çefës. Mbledhja ka nisur në orën 10 të paradites dhe po drejtohet nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, njëherësh kryetar i KLD.

Sipas rendit të ditës, pikë e parë është ligjërimi i mandatit të Elvis Çefës për të vijuar me propozimin për numrin dy të KLD-së. Nisur nga debati i fundit mes mazhorancës dhe opozitës, pas votimit në Kuvend duket se një pikë që do të ngjallë debate në mbledhjen e KLD-së do të jetë verifikimi i ligjshmërisë së mandatit të Elvis Çefa, i cili u votua në Kuvend me 71 vota.

Për hërë të parë KLD u plotësua me postin e zëvendëskryetarit në vitin 2002 dhe në atë kohë u zgjodh Ilir Panda, i cili si anëtar i KLD-së u propozua nga Kuvendi dhe jo nga konferenca gjyqësore. Tradita u ndoq dhe për pasuesin e Pandës, Kreshnik Spahiu, i cili u ul në karrigen e zëvendëskryetarit pas zgjedhjes si President të Bamir Topit në korrik të vitit 2007.

Si rregull, përzgjedhja e zëvendëskryetarit bëhët me votim të hapur mes anëtarëve të KLD. Dhe propozimi bëhet për një nga anëtarët e KLD, prej të  cilëve 3 janë propozuar dhe votuar nga mazhoranca kuvendore. Pikërisht kjo pikë, pritet të sjellë debate për vete pozicionin që mazhoranca, e cila përfaqësohet në KLD nga ministri i drejtësisë, Eduard Halimi ka mbajtur ndaj Topit dhe Spahiut muajt e fundit.

Më 14 prill gjatë një vizite në Korçë Presidenti refuzoi të komentonte votimin e Çefës në Parlament vetëm me votat e mazhorancës, por i i kujtoi klasës politike se posti i nënkryetarit të KLD-së, i lënë bosh me largimin e Kreshnik Spahiut, është e drejtë kushtetuese e Kreut të Shtetit, i cili është edhe drejtues i KLD-së.

“Nuk më takon të komentoj për debatet në parlament. Mbledhja e KLD-së do mbahet të hënën (sot) me rend dite të përcaktuar e atje do vlerësohet sipas procedurës edhe kandidati i votuar nga Kuvendi. Ndërsa zgjedhja e nënkryetarit të KLD-së është prerogativë e Presidentit të Republikës”, pat deklaruar presidenti Topi. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 16 December 2011 08:00

Tiranë- Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në mbrëmje, se “në asnjë rast dhe rrethanë maxhoranca nuk do të rikandidonte Bamir Topin në postin e Presidentit të Republikës.

I ftuar në një emision televiziv “Opinion” në Tv Klan, Berisha komentoi marrëdhëniet e maxhorancës me Kreun e Shtetit dhe miratimin sot në Kuvend të z. Bujar Leskaj në postin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

“Për aq kohë sa Presidenti i Republikës bëri të qartë se nuk kishte ndërmend të respektonte vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, që përcakton qartë detyrimin e konsultimeve të ndërsjellta, mbetej që ose KLSH të lihej pa kryetar deri në fund të mandatit të Topit, dhe maxhoranca i kishte votat për ta bërë këtë, ose të prevalonte institucionalizimi dhe KLSH të kishte kryetarin e saj”, tha Berisha.

Përsa i përket marrëdhënieve të Presidentit Topi me maxhorancën, Berisha tha se, “në historinë e një vendi nuk mund të ketë asgjë më rrënuese për institucionin qendror të shtetit, se sa deklarimi i Presidentit në detyrë, për të krijuar parti”.

 “Nëse flitet për dinjitet shtetëror, kjo është e rëndë, sepse Presidenti qëndron qartësisht jashtë forcave politike dhe presidenca kurrë nuk mund të jetë një parti politike në një Republikë Parlamentare. Ai ka një rrugë, të japë dorëheqjen dhe pastaj të krijojë parti politike, meqënëse maxhoranca e cila e kandidoi ka deklaruar publikisht se nuk do ta rikandidojë. Kjo është e prerë. Nuk mund të bëjë kompromise artificiale, pasi kjo do të thotë të marrësh peng presidencën. Të votosh një President për të shmangur krijimin e një partie që të bënë dëm ty, do të thotë të bësh pazare”, tha Berisha.

Berisha: PD do ketë kandidatin e vetë për president

Kryeministri Sali Berisha deklaroi se Partia Demokratike do të ketë kandidatin e vetë në zgjedhjet presidenciale të 2012″, ndërsa hodhi poshtë çdo mundësi për një kandidim të tij për këtë post.

Ai tha se Fatos Nano është lideri i së majtës dhe ai nuk mund të jetë kandidati i propozuar nga Partia Demokratike për postin e Presidentit.

“PD do të ketë kandidatin e vet dhe padiskutim që përjashtohet Fatos Nano, sepse ai është lideri politik i së majtës”, tha Berisha.

Sipas tij “PD ka të drejtën të kandidoj çdo drejtues të saj për President Republike”. “PD ka një numër të madh personalitetesh që mund ti promovojë në atë post dhe nuk ka pengesë për të përzgjedhur kandidatin më të mirë që ajo mendon për postin e Presidentit”, tha Berisha.

Kryeministri theksoi se “koalicioni i djathtë funksionon në mënyrë të përsosur dhe i ka të gjitha votat për të votuar Presidentin e Republikës, zgjedhja e të cilit do të bëhet në përputhje me Kushtetutën e vendit”.

 I pyetur nëse Jozefina Topalli mund të jetë kandidatura e PD-së për postin e Presidentit, Berisha tha se, “ajo, sikurse dhe disa drejtues të tjerë të PD-së kanë të gjitha cilësitë për të qenë në atë post, por në mënyrë absolute nuk ekziston dhe nuk do të ekzistoj as edhe një kandidaturë deri sa të filloj gara presidenciale”.

“Bamir Topi është President deri ditën që i skadon mandati dhe nuk do të ketë as edhe një emër deri në ditën që mbaron mandati i tij”, tha Berisha, ndërsa përjashtoi çdo mundësi për propozimin e një kandidature jo politike.

Sipas tij, “Presidenti i vendit është një post politik dhe nuk është post jo politik”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 29 July 2011 16:52

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekretoi të premten paketën fiskale, e miratuar në Kuvend më 21 korrik, e cila përfshinë disa ndryshime në ligjin “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore”, disa ndryshime në ligjin “Për taksat kombëtare”, disa ndryshime në ligjin “Për sistemin e taksave vendore”, si dhe disa ndryshime në ligjin “Për akcizat”.

Paketa fiskale e miratuar në seancën e fundit parlamentare të këtij sesioni synon bërjen 0% të tarifës së lëndëve të para të industrisë së konfeksioneve të këpucëve dhe të produkteve të gatshme të veshjeve, bazuar në propozimet dhe shqetësimet e ngritura nga grupet e interesit që operojnë në fushën e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve nga përfaqësuesit e sektorit të shitjeve me pakicë të veshjeve të gatshme.

Gjithashtu, Presidenti i Republikës dekretoi sot edhe një tjetër ligj të rëndësishëm”Për transplantimin e indeve, të qelizave dhe të organeve në Republikën e Shqipërisë”, i cili synon të stimulojë teknikat e trapianteve, si dhe ratifikimin e disa marrëveshjeve si ajo ndërmjet qeverisë shqiptare dhe Qeverisë së Serbisë për ripranimin e personave me qëndrim të paautorizuar dhe protokollit të saj të zbatimit, “ratifikimin e protokollit që ndryshon aneksin e sigurisë të marrëveshjes ndërmjet palëve të Traktatit të Atlantikut Verior, për bashkëpunimin për informacionin atomik”, etj.