Lajme Shqip Tuesday, 08 January 2013 16:26

Lotar Mateus ka deklaruar se është i çuditur nga përbërja e formacionit të vitit, të shpallur dje nga FIFA pas votimit të anëtarëve të FIFPro, sidomos për faktin se të gjithë lojtarët ishin zgjedhur nga kampionati spanjoll.

Futbollistë si Zherard Pike  dhe Dani Alvesh, u përfshinë në skuadër edhe pse në vitin 2012 ata janë kritikuar shpesh për paraqitjet e tyre me Barcelonën. Ndërkohë, u lanë jashtë lojtarë si Andrea Pirlo e Mats Humels, të cilët kanë qenë vendimtarë si me klubet, ashtu edhe me kombëtaren gjatë vitit që sapo u mbyll.

“Nuk e kuptoj se si formacioni e vitit mund të përbëhet vetëm nga lojtarë që luajnë në kampionatin spanjoll. Në rreshtat e parë në sallë, kur u publikuan emrat, kishte shumë njerëz që tundin kokën në shenjë pakënaqësie”, tha Mateus.

Por ish-lojtari i Bajern Mynih, Inter dhe Gjermanisë, bëri të qartë se mendonte që “Topi i Artë” ishte plotësisht i merituar për Lionel Mesin.

“Suksesi i Mesit është krejtësisht i merituar, për këtë nuk kam dyshime”, tha ai. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 08 January 2013 09:22

Trajneri i përfaqësueses shqiptare të futbollit, Xhani De Biasi, ka përzgjedhur Lionel Mesin si të preferuarin e tij në votimet për “Topin e Artë”, duke i dhënë argjentinasit 5 pikët e vendit të parë.

Tekniku i përfaqësueses kuqezi, më pas ka dhënë 3 pikët e vendit të dytë për portugezin Kristiano Ronaldo, ndërsa nuk ka arritur të parashikojë saktësisht të tretin, edhe pse vota e tij ka qenë për një mesfushor spanjoll të Barcelonës. Në fakt, De Biasi i ka dhënë votën e vendit të tretë mesfushorit Ksavi Hernandez, i cili përfundoi i katërti në këtë votim, pas Andres Iniesta që plotësoi podiumin.

Ndërkohë, Lorik Cana, me votimin e tij si kapiten i përfaqësueses, ka rritur të gjejë të tre finalistët, ndonëse ka gabuar disi radhën. Votat për vendin e parë ai ia ka dhënë Kristiano Ronaldos, me të cilin është ndeshur si kundërshtar në ndeshjet historike kundër Portugalisë në eliminatoret e Botërorit 2010. Vendi i dytë i ka shkuar Lionel Mesit, ndërsa vendi i tretë ka qenë për Andres Iniesta.

Edhe përfaqësuesi shqiptar i medias në këto votime, gazetari Besnik Dizdari, ka gjetur treshen finaliste, por pas Mesit, në vendin e dytë ka vendosur preferencën për Iniesta, ndërsa ka përzgjedhur të tretin Kristiano Ronaldon.

Interesante janë përzgjedhjet e De Biasit dhe Canës përsa i përket votimit për trajnerin më të mirë, pasi të dy kanë preferuar që të bazohen te futbolli i klubeve dhe jo te futbolli i kombëtareve, ndonëse gjatë vitit 2012 u zhvillua Kampionati Evropiani.

De Biasi ka zgjedhur bashkëkombësin e tij, Roberto Di Mateo në vendin e parë, duke vlerësuar punën që bëri me Çelsin, duke fituar Ligën e Kampioneve. Pas tij ai votoi për Jup Heinkes të Bajern Mynih, tjetër finalist i Ligës së Kampioneve në edicionin e kaluar dhe vendin e tretë ia dha Pep Guardiolës.

Ndërsa Cana ka përzgjedhur trajnerin e Borusia Dortmund, Jurgen Klop, në vendin e parë, me Zhoze Murinjon në vendin e dytë dhe Roberto Di Mateon në vendin e tretë.

I vetmi që ka votuar për fituesin e këtij edicioni ishte gazetari Dizdari, i cili në vend të parë ka vënë Vicente Del Boske, të ndjekur nga Roberto Di Mateo dhe Çezare Prandeli. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 07 January 2013 20:21

Goli i Miroslav Stoh në ndeshjen mes Fenerbahçe dhe Gençlerbirligi në kampionatin turk, është votuar si më i bukuri për vitin 2012. Gjuajtja fluturimthi nga distanca e mesfushorit sllovak të Fenerbahçes ka mposhtur gjestin akrobatik të Radamel Falakao në miqësoren ndaj Amerika De Kali dhe driblimin e radhës të brazilianit Neimar, fitues i edicionit të kaluar, në një ndeshje të Santos përballë Internacional. (LajmeShqip.com) 

 
Lajme Shqip Monday, 07 January 2013 20:11

Lionel Mesi është fituesi i “Topit të Artë 2012”, pasi ka arritur të mposhtë konkurrencën e Kristiano Ronaldos dhe Andres Iniesta. Ylli argjentinas i Barcelonës ka shkruar emrin e tij në librin e historisë së futbollit botëror, pasi në moshën 25 vjeçare është futbollisti i parë që e fiton katër herë këtë trofe individual, për më tepër në katër edicione radhazi.

Në ndryshim nga herët e tjera, talenti argjentinas këtë radhë është shfaqur mjaft i emocionuar në momentin e dhënies së çmimit, ashtu siç e ka pranuar edhe vetë ai.

“Jam shumë krenar që mund të ngre përsëri lart këtë trofe. Që të ishte i katërti radhazi është e pabesueshme për mua. Dua të falënderoj të gjithë shokët e mi te Barcelona dhe mund të them se është një nder i madh që të stërvitem dhe të luaj përkrah Iniestas. Një falënderim edhe për të gjithë shokët e ekipit kombëtar që më kanë zgjedhur kapiten. Në fund, një përshëndetje dhe falënderim për familjen time, sidomos për gruan dhe djalin tim të vogël, i cili është dhurata më e bukur që më ka bërë Zoti. Dua ta pranoj që jam pak nervoz në këto momente”, ishin fjalët e talentit argjentinas.

Me këtë sukses, Mesi ka kaluar në historinë e futbollit botëror emra si Marko Van Basten, Mishel Platini e Johan Krujf, të cilët e kanë fituar 3 herë trofeun e “Topit të Artë”, duke bërë që tashmë të fillojë me të drejtë debati nëse ai është lojtari më i mirë i të gjitha kohëve.

Ndërkohë, “Topin e Artë 2012” të futbollit të femrave e ka marrë amerikania Ebi Uambah, e cila ka shënuar 152 gola në 198 ndeshje me kombëtaren e SHBA gjatë karrierës së saj ndërkombëtare që ka filluar në vitin 2003. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 07 January 2013 19:51

Vicente Del Boske ka fituar “Topin e Artë 2012” të trajnerëve, falë suksesit të tij të jashtëzakonshëm, duke ngjitur përsëri Spanjën në shkallën më të lartë të podiumit në Kampionatin Evropian të vitit 2012.

Spanjolli ka arritur të mundë konkurrencën e dy emrave shumë të njohur që vinin përsëri nga futbolli spanjoll, trajnerin e Real Madrid, Zhoze Murinjo, si dhe ish-trajnerin e Barcelonës, Pep Guardiola.

“Është një privilegj i madh të jem pjesë e Federatës Spanjolle, e stafit teknik të kombëtares. Unë do të doja që në këtë moment të kujtoja të gjithë trajnerët e mi, të cilët kanë qenë pjesë e edukimit që kam marrë. Të gjithë jemi thirrur këtu që të mbrojmë futbollin dhe imazhin e tij”, ishin fjalët e trajnerit që drejton kombëtaren spanjolle të futbollit.

Ndërkohë, “Topin e Artë 2012” për futbollin e grave e meritoi ish-trajnerja e SHBA, Pia Sandixh, e cila drejtoi këtë kombëtare në Londër 2012, duke fituar medaljen e artë. Ajo ka qenë protagoniste e një momenti mjaft humoristik në sallë, pasi i ka kënduar një këngë falënderimi futbollistëve të kombëtares së saj që e ndihmuan të siguronte këtë trofe.

Ndërkohë, “Çmimi Presidencial” i ka shkuar Franc Bekenbauer, në shenjë nderimi për karrierën e tij të shkëlqyer si futbollist, trajner dhe drejtues në nivelet më të larta të futbollit botëror.

“Çmimi Fair Play” i ka shkuar Federatës së Futbollit të Uzbekistanit, pasi ekipet kombëtare të këtij vendi kanë shënuar sjelljen më korrekte në të gjitha aktivitetet ndërkombëtare në të cilat kanë marrë pjesë gjatë vitit 2012. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 07 January 2013 19:24

Mbrëmja gala e organizuar nga FIFA për dhënien e “Topit të Artë” ka filluar me prezantimin e formacionit më të mirë të vitit 2012, të zgjedhur nga votat e 50 mijë futbollistëve të FIFPro.

Ashtu siç pritej, ka qenë një triumf i kampionatit spanjoll, me të 11 protagonistët e përzgjedhur nga skuadrat e këtij kampionati. Më saktësisht, kanë qenë Real Madrid dhe Barcelona që kanë nga 5 lojtarë secila në këtë formacion ideal të vitit të kaluar, ndërsa Atletiko Madrid ka plotësuar vendin e 11-të.

Në portë, ashtu siç pritej ka triumfuar kapiteni i Real Madrid dhe Spanjës, Iker Kasijas. Para tij, mbrojtja ka qenë një përzierje e kombëtares spanjolle me atë braziliane, pasi Marcelo (Real Madrid) e Dani Alvesh (Barcelona) ishin rreshtuar nga krahët, me Zherard Pike (Barcelona) e Serxho Ramos (Real Madrid) në qendër.

Mesfusha është përbërë nga treshja titullar e kombëtares së Spanjës, ku përkrah dy futbollistëve të Barcelonës, Andres Iniesta e Ksavi Hernandez, rreshtohej Ksabi Alonso i Real Madrid.

Sulmi, ashtu siç pritej, përbëhet nga treshja që ka entuziazmuar futbollin evropian, me Lionel Mesin dhe Kristiano Ronaldon, përkrah të cilëve rreshtohej i vetmi futbollist që nuk i përkiste Barcelonës apo Real Madrid, sulmuesi i Atletiko Madrid, Radamel Falkao. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 19 December 2012 19:56

Kristiano Ronaldo ka deklaruar se nuk do të dëshpërohet nëse nuk fiton “Topin e Artë” në këtë sezon. Çmimi për lojtarin më të mirë të vitit do të shpallet në janar, ndërsa futbollisti portugez i Real Madrid ka si rivalë dy lojtarët e Barcelonës, Lionel Mesin dhe Andres Iniestan.

Megjithëse Ronaldo ka pranuar se do të dëshironte të fitonte këtë trofe, ai mendon se trofetë e skuadrës janë më të rëndësishëm se trofetë individualë.

“Sigurisht që do të dëshiroja të fitoja këtë trofe, nuk dua të shfaqem hipokrit dhe gënjeshtar. Ky është një trofe që e aspiroj, por nuk mendoj se do të jetë fundi i botës nëse nuk ia dal mbanë”, ishte deklarata e tij në faqen zyrtare të internetit të Federatës Portugeze të Futbollit.

“Unë mund të jetoj pa një çmim individual, ndonëse do të ishte e padrejtë. Karriera e një futbollisti dallohet nga trofetë kolektivë, jo ato individualë”.

Lojtari ka pranuar se ndjen më shumë emocione kur luan me kombëtaren portugeze sesa kur luan me klubin e tij.

“Është diçka të luash për klubin tënd dhe krejtësisht diçka tjetër kur luan me kombëtaren, janë ndjesi krejtësisht të ndryshme. Është e vërtetë që pasioni për të fituar dhe konkurruar është e njëjtë, por ka më shumë emocione të përfshira kur luan për vendin tënd”, tha Kristiano Ronaldo. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 19 December 2012 10:09

Zlatan Ibrahimoviç duket se ka ndërruar mendje për Lionel Mesin dhe mendon se argjentinasi e meriton të fitojë “Topin e Artë”. Sulmuesi suedez i PSZH, pak kohë më parë deklaroi se argjentinasi kishte 3 trofe të tillë, ndaj duhej që dikush tjetër të fitonte “Topin e Artë” në vitin 2012.

Ndonëse ka pranuar se ka votuar për Andres Iniestan në këtë edicion, Ibra e sheh Mesin si favoritin kryesor për një tjetër sukses.

“Për Mesin thonë se është më i mirë në botë, se luan si në Playstation. Kush thotë të kundërtën, nuk di asgjë nga futbolli. Por Iniesta ka fituar Kampionatin Evropian me kombëtaren ndërsa Kristiano ka fituar kampionatin spanjoll. Thuhet se duhet fituar Liga e Kampioneve për të synuar këtë trofe  por asnjë prej fituesve nuk është mes tre më të mirëve”.

“Favorit për të fituar mbetet Mesi. Individualisht mbetet më i miri në botë, por ai nuk luan vetëm te Barcelona. Unë vetë votova për Iniestan. Mesi nuk do të shënonte po të mos kishte shokët e skuadrës e mes tyre është edhe Iniesta”, tha suedezi në intervistën e tij për “BeIn Sports”.

Ibrahimoviç ka zbuluar më pas se lojtari nga i cili përpiqet të marrë shembull mbetet Zinedin Zidan, një prej idhujve të tij.

“Kur Zidan hynte në fushën e lojës, të 10 futbollistët e tjerë përmirësoheshin, kjo është e gjitha. Ishte magjike, ai ishte një futbollist unik. Ai ishte më shumë se i mirë, ishte nga një planet tjetër. Shokët e skuadrës bëheshin si ai, kur ishte në fushën e lojës. Një lojtar që bën diferencën është një futbollist që përmirëson të tjerët. Nuk e di nëse do të shohim ndonjëherë lojtarë të tjerë si ai. Por ky është mentaliteti im tani, të përmirësoj të tjerët. Nëse edhe të tjerët janë të mirë, atëherë edhe unë do të jem më i mirë”, tha lojtari suedez. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 15 December 2012 11:32

Iker Kasijas ka zgjedhur diplomacinë për t’i përgjigjur pyetjes rreth atij që mendon se është trajneri më i mirë i vitit 2012, ku në garë nga FIFA janë vendosur përballë njëri-tjetrit Visente Del Boske dhe Zhoze Murinjo. Sipas portierit të Spanjës dhe Real Madrid, është e pamundur të japë një mendim për këta dy trajnerë që i kanë dhënë mundësinë të fitojë trofe të rëndësishëm në këtë vit.

“Do të doja që “Topin e Artë” për trajnerë ta merrte si Murinjo, ashtu edhe Del Boske, pasi i vlerësoj shumë që të dy këta trajnerë. Nuk mund të zgjedh njërin. Mendoj se Visente ka shumë merita për punën e tij, por edhe Murinjo gjithashtu”, u shpreh Kasijas në një intervistë të dhënë për “La Sexta”

Më pas, Kasijas ka përsëritur se roli i portierit vlerësohet shumë pak dhe meriton më tepër vëmendje, jo si tani që nuk merret në konsideratë për çmimet e rëndësishme individuale.

“Puna e portierit është shumë e mirë dhe e rëndësishme brenda një skuadre futbolli. Nuk e kam fjalën vetëm për veten. Ka portierë shumë të mëdhenj, merita e të cilëve nuk është njohur kurrë”, deklaroi kapiteni i Spanjës dhe Real Madrid. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 07 December 2012 15:03

Ish-mesfushori i famshëm brazilian i Betis, Denilson, ka përzgjedhur Lionel Mesin si të preferuarin e tij në garën për “Topin e Artë”, ndërsa mendon se Kristiano Ronaldo duhet të jetë më i thjeshtë.

Futbollisti që u shpall Kampion Bote me Brazilin në vitin 2002, mendon se Mesi duhet të marrë përsëri trofeun, ndonëse Reali i Kristiano Ronaldos arriti të merrte kampionatin spanjoll në sezonin e kaluar.

“Mesi është nga një planet tjetër, ai bën që gjithçka të duket e thjeshtë. Nuk ka asnjë lojtar tjetër që mund ta fitojë “Topin e Artë” para tij. Kristiano ka qenë i shkëlqyer por Mesi ishte më i mirë se aq. Sipas meje, Mesi merr vendin e parë, pastaj Inesta dhe i treti Ronaldo”, tregoi futbollisti që mbahet ndër dribluesit më të mirë të të gjitha kohëve.

Ish-lojtari i kombëtares braziliane, me të cilën ka luajtur më shumë se 60 ndeshje, beson se defekti më i madh i Ronaldos është përulësia që ai nuk shfaq, krejt ndryshe nga Mesi.

“Kristiano duhet të jetë më i thjeshtë. Një ditë më parë, e dëgjova ta pyetnin se kush mendonte që ishte lojtari më i mirë në botë dhe ai zgjodhi veten. Mesit iu bë e njëjta pyetje dhe ai tha se mendonte që ishte Iniesta. Kjo tregon përulësi që Kristiano nuk e ka”, shpjegoi Denilson. (LajmeShqip.com)