Lajme Shqip Thursday, 03 October 2013 11:38

 

Ish- kryeministri i Britanisë së Madhe, Toni Bler, zbarkoi në Tiranë, ku ishte i pranishëm në mbledhjen e radhës së qeverisë së re.

 

Më pas ai doli në një konferencë për shtyp me kryeministri Edi Rama, ku u pranua se ai do jetë këshilltar i qeverisë së re.

 

Por zërave të shumtë se cila do jetë pagesa ndaj Bler, kryeministri Edi Rama iu përgjigj duke thënë se ai do vijë me kontribut vullnetar.

 

“Kryeministri Bler është në shërbimin tonë personalisht dhe tërësisht vullnetarisht. Për këtë dua t’i shpreh mirënjohjen për atë që bëri dhe të nënvizoj se sa e vërtetë mbetet doktrina e kryeministrit Bler lidhur me domosdoshmërinë për të vepruar në mbështetje të çdo populli që nuk mund të çlirohet dot i vetëm nga një diktaturë”, u shpreh Rama.

 

Vetë Bler u shpreh entuziast për misionin e tij të ri. Ai tha se do të ndihmojë për të ndërtuar një Shqipëri ndryshe.

 

“Jam këtu sepse besoj në këtë vend, tek ky popull dhe vizioni i progresit që është përcaktuar për të. Ideja e orientimit në BE është mjaft e rëndësishme. Është një perspektivë mjaft e mirë. Është një mundësi shumë e mirë bashkëpunimi që do të krijoni me vendet e rajonit. Ajo që është e rëndësishme për një qeveri, sidomos në mandatin e saj të parë, është që të realizojë ato gjëra që prekin gjërat e përditshme të njerëzve në këtë vend. Ajo që donim të bënim është të punojmë së bashku me Bankën Botërore të realizojmë projektin: Të kthejmë vizionin e objektivat në gjëra të prekshme. Sfidë e qeverisë është që gjërat të bëhen,” tha Bler.