Lajme Shqip Friday, 04 October 2013 10:45

Tiranë-  Ish-kryeministri britanik, Tony Blair drejtoi dje në mënyrë simbolike mbledhjen e qeverisë shqiptare. Në një intervistë të dhënë për gazetarin, Sokol Balla në emisionin “Top Story” në Top Channel ai tha se për këshillat e tij nuk do paguhet nga buxheti i shtetit shqiptar. 

Ish-kryeministri britanik, Tony Blair drejtoi dje në mënyrë simbolike mbledhjen e qeverisë shqiptare. Në një intervistë të dhënë për gazetarin, Sokol Balla në Top Channel ai tha se për këshillat e tij nuk do të paguhet nga buxheti i shtetit shqiptar. 
Z.Blair, çfarë ju lidhi me Edi Ramën, ose me saktë, kush ju lidhi? Si u prezantuat me një politikan shqiptar që thjesht pretendonte të bëhej kryeministër? 
Kam ca kohë që e njoh Edi Ramën dhe pas momentin që nuk isha më kryeministër, vendosa që të ndihmoja qeveritë që të realizonin ndryshimin. Pjesë e ketij projektit tim është të ndihmoj Shqipërinë. Unë nuk mbaj anën e asnjë partie politike, kjo nuk është pjesë e detyrës time. 
Për hir të transparencës z.Blair, mund t’ju pyes se kush paguan ‘charterin’? Kush paguan hotelin? Kush paguan shpenzimet tuaja, të themi gjatë punës tuaj në Shqipëri? 
Ne do të mbulojmë një sërë shpenzimesh, por projekti në fakt do të duhet të mbulohet nga bashkësia ndërkombëtare, nga donatorë, nga miq të këtij vendi. Kështu veprojmë në vende të ndryshme të botës. Unë jam në gjendje të financoj infrastrukturën time, por sigurisht që nëse do të marr një person tjetër që do të punojë për vendin, sigurisht që do të kujdesemi që të sigurojmë fondet e duhura nga bashkësia e donatorëve. Këtë e bëjmë në mënyra të ndryshme në vende të ndryshme. Këtu në Shqipëri nuk dua që të përdor fondet e qeverisë sepse është një vend që ka nevojë deri në qindarkën e fundit nga kjo qeveri dhe në rastin e Shqipërisë do të shfrytëzojmë fondet e donatorëve të ndryshëm. Ekipi që unë do të sjell këtu, do të jetojë dhe punojë krahas shqiptarëve. Ajo që unë kam vënë re që shumë këshilla që u jepen qeverive nga ana teorike janë të mira, por nga ana politike janë jorealiste. 
Opozita ka akuzuar kryeministrin Rama se përmendja nga ana e tij e disa kompanive britanike që do të merren me sistemin fiskal apo menaxhimin e doganave në Shqipëri, janë në fakt kompani që janë nën influencën tuaj. A është e vërtetë kjo? 
Unë nuk jam më kryeministër i Britanisë së Madhe. Nuk ushtroj më ndikim tek shoqëritë tregtare angleze. Unë nuk dua të përfshihem në politikën e brendshme, kjo është puna juaj. Nuk e di fare se për çfarë e keni fjalën kur thoni shoqëri britanike, unë s’kam kompani timen, as tani, as kur isha kryeministër. 
Le të flasim pak për rolin që do të ketë organizata juaj, ju dhe stafi juaj pranë qeverisë shqiptare? 
Sipas mënyrës që punojmë ne dhe këtë ne e bëjmë në partneritet edhe me elementë të tjerë të bashkësisë ndërkombëtare, është që të ndihmojmë qeverinë që të vendosë dhe të zbatojë pritoritetet e veta. Këtu në Shqipëri ka 150 gjëra të ndryshme që duhen bërë, por ajo që unë mendoj që është e rëndësishme për një qeveri është të thotë që; shiko, mund të jenë 150 gjëra të ndryshme për të bërë, por ne do të bëjmë 5 gjëra që vërtet do ta ndryshojnë vendin gjatë 3-4 viteve të ardhshme dhe ajo që bëjmë ne është që të ndihmojmë që të përqendrohet fokusi tek zgjidhjet e duhura për këto prioritete dhe si të vihen ato në zbatim. Ju po ecni drejt BE-së, është një pjesë shumë e rëndësishme e progresit të vendit, por çfarë është e nevojshme që të arrijmë që të jemi në atë gjendje që Europa ta mirëpresë hyrjen tuaj? Janë këto lloje gjërash që ne punojmë në mënyrë shumë praktike. 
Cilat janë prioritetet që sipas jush duhet të fokusohet qeveria shqiptare për të cilat ju po e këshilloni? 
Ne do të punojmë me qeverinë gjatë muajve në vijim për t’i përcaktuar këto prioritete. Ka dy grupe çështjesh që janë të lidhura me progresin tuaj drejt Europës, gjërat të lidhura sistemin e drejtësisë dhe pastaj gjërat të lidhura me problemet e jetës së përditshme të popullit, energjia elektrike, ujësjellësi, arsimi, shëndetësia, punësimi dhe krahas kësaj është edhe perspektiva se si i zhvillon ky vend marrëdhëniet me vendet fqinje për të patur një qasje më mbarëballkanike. Por dy gjërat e mëdha janë dy gjërat që përmenda të parat. Çfarë duhet të bëjë Shqipëria për të qenë në harmoni në rrugën drejt Europës dhe çfarë duhet të bëjmë për të arritur ndryshimin në jetën e përditëshme të njerëzve dhe qëllimi im është të ndihmoj në vendosjen e prioriteteve në këtë vend. 
Ju do të keni një grup tuajin që do të vendoset në Tiranë? Një ekip tuaj që do të vendoset në bazë të përherëshme në Tiranë dhe ndërkohë ju do e vizitoni Tiranën sa herë? 
Disa herë. Qëllimi i ekipeve që kemi këtu, i ekipeve që vendosim nëpër vende është se vetëm kështu arrihet të ndihmohet për të arritur qëllimet. Ekipi duhet të mësohet edhe me rrethanat lokale. Ajo që ne përpiqemi të bëjmë ndryshe nga organizatat e tjera është që të ofrojmë zgjidhje të botës reale dhe për këtë duhen njerëz që të jetojnë këtu, të punojnë këtu në krah të vendasve. 
Ka një debat ditët e fundit në Shqipëri lidhur me administratën publike. Nëse do të kishi mundësi ta këshillonit Edi Ramën për këtë, çfarë do t’i thonit? Si duhet të sillet ai me administratën publike? 
Mendoj që ka disa gjëra të rëndësishme në punën e administratës publike. Unë mendoj që njëra është që sistemi të fokusohet tek realizimi i detyrës. Ana politike e kësaj ju takon juve. Unë këtu jam vullnetar, vij këtu vullnetarisht dhe mua nuk më detyron kush që të vij këtu, ndaj nuk jam i përfshirë në debate politike. Ky është debati juaj, diskutimi juaj. 
Ju do keni rol konsultativ por nuk do të ndikoni në vendimmarrjen përfundimtare të qeverisë? 
Qeveria i merr vetë vendimet. Ju keni zgjedhur qeverinë, nuk më keni zgjedhur mua, por detyra ime është e thjeshtë. Detyra jonë nuk është t’u tregojmë juve se si të drejtoni vendin tuaj. I takon qeverisë tuaj dhe popullit që e zgjedh atë qeveri. 
A keni ju një marrëdhënie personale, një vlerësim ekstra me Edi Ramën që të thoni ky ndoshta është personi i duhur? 
Ai është një person me vizion dhe aftësi të jashtëzakonshme, është një person që unë e vlerësoj dhe do doja të bashkëpunoja. Unë këtu kam ardhur të punoj për Shqipërinë dhe jo për një parti politike, sepse lidhja ime personale është me vendin në tërësi. Z.Edi Rama është një person të cilin kam kohë që e njoh dhe është një person që kam respekt dhe më pëlqen të punoj me të, por unë këtu jam që të realizoj ndryshimet për vendin dhe jo për një parti politike. 
Ju jeni shumë popullor, mes shqiptarëve në Kosovë dhe Shqipëri, jeni një figurë karizmatike, mendoni që misioni juaj i fundit në Shqipëri do t’ua shtojë apo do t’ua ulë popullaritetin mes shqiptarëve? 
Nuk e di. Më e rëndësishme është që njerëzit të kuptojnë që ekziston një vullnet i mirë i bashkësisë ndërkombëtare për Shqipërinë dhe unë jam pjesë e këtij vullneti të mirë. Unë kam ardhur të ndihmoj. Unë nuk mund të bëj detyrën e qeverisë, është qeveria që do bëjë detyrën e saj sigurisht, por unë do doja të isha pjesë e përpjekjeve për ta ndihmuar këtë vend për të qenë ai vend që do ky popull të jetë dhe kjo do të jetë një kënaqësi dhe nder i madh për mua. /Gazeta Shqiptare/BW/