Lajme Shqip Monday, 06 February 2012 18:11

Në reagimin e Ministrisë së Bujqësisë thuhet se raporti i projektit “EULUP” i Komisionit Evropian, ka bërë hulumtimin e përbërjes së tokave bujqësore me metale përreth zonave ku janë të përqendruara më shumë aktivitetet e industrisë së mineraleve.

Në bazë të 1000 mostrave të marra nga tokat bujqësore në këto zona, sipas ekspertit ndërkombëtar Wolfgang Spyra, pas biotesteve vetëm rreth 12 për qind apo 123 sish kanë rezultuar me efekte negative në rritjen e bimës.

Përndryshe, konstatimet e nxjerra rreth përqendrimit të metaleve në toka bujqësore i referohen vetëm vendeve ku janë marrë mostrat, përkatësisht përreth zonave ku ndërmarrje të ndryshme nxjerrin minerale dhe jo të gjitha tokave të punueshme, siç përshkruhet në gazetë.

Hulumtime të tilla janë bërë në shumicën e vendeve të rajonit dhe në disa prej këtyre vendeve, veçanërisht në Serbi dhe Kroaci, rezultatet e këtyre hulumtimeve kanë rezultuar se sasia e metaleve të rënda në tokat bujqësore është shumë më e lartë se sasia e metaleve që tani për tani supozohet se ekziston në këto zona të Kosovës.

Ministria e Bujqësisë, kërkon nga mediumet të mos përhapin panik në opinion duke iu referuar një raporti me konstatime që nuk kanë bazë shkencore, sepse toka bujqësore në Kosovë është një prej tokave me pjellorinë më të lartë në gadishullin ballkanik dhe ka kapacitete të mbajtjes së ndotësve dhe nuk e lejojnë bartjen e tyre në zinxhirin ushqimor, thuhet në komunikatën e ministrisë.

Nga ana tjetër, ekspertët e bujqësisë thonë se tokat afër zonave industriale, edhe në Kosovë si në tërë botën, potencialisht mund të jenë të ndotura dhe produktet e prodhuara aty mund të akumulojnë një pjesë të metaleve të rënda.

Njëkohësisht uji që përdoret për ujitje nga lumenjtë e ndotur mund të jetë ndotës për produktet ushqimore, por kjo nuk do të thotë se tërë tokat janë të helmuara

Në një raport të Komisionit Evropian për Përkrahjen e mëtejme të shfrytëzimit të tokës, të publikuar nga gazeta Express thuhet se toka bujqësore është e kontaminuar mbi normat e lejuara me metale të rënda në veçanti krom, nikel, plumb, zink dhe arsenik.

Sipas raportit ndotjet më të mëdha vijnë nga mihjet e qymyrit, mineralet metalike, shfrytëzimi industrial i tokës dhe ndotja e bimëve nga ndotja e lumenjve.

 
Lajme Shqip Monday, 06 February 2012 11:13

Bruksel-Sipas një raporti të Komisionit Europian, toka e bukës në Kosovë është e helmuar dhe konsumimi i produkteve bujqësore të vendit, paraqet rrezik real për jetën e kosovarëve.

Sipas të përditshmes “Express”, dokumentet tregojnë se si qytetarët që ushqehen me frutat, perimet, mishin apo produktet e qumështit, rrezikohen në shkallë të lartë edhe nga vdekja. Produktet bujqësore që kultivohen në Kosovë po del se janë shumë të rrezikshme.

Madje konsumi i frutave, perimeve, mishit apo produkteve të qumështit, përfshirë qumështin, gjalpin e djathin me të cilat ushqehen qytetarët, mund të rezultojnë edhe me vdekje.

Kështu ka konstatuar Raporti i Komisionit Europian (EULUP) – “Përkrahja e mëtejme e shfrytëzimit të tokës”.

Ky raport hulumtues mbi ndotjen e tokës bujqësore, është përfunduar në janar të këtij viti nën mbikëqyrjen e Profesorit Wolfgang Spyra.

Të gjeturat nga analizat e bëra janë alarmante sa që rekomandohet sa më parë këto fakte të verifikohen dhe të përcillen me hulumtime shkencore për të evituar trazirat e mundshme sociale.

EULUP ka dëshmuar kontaminimin e tokës bujqësore, mbi normat e lejuara, me metale të rënda, në veçanti krom, nikel, plumb, zink dhe arsenik. Koncentrimi i lartë i këtyre ndotësve thuhet se është në të gjithë Kosovën.