12
 
Lajme Shqip Monday, 27 January 2014 16:52

Disa orë pasi autobusi i linjës Athinë-Tiranë u sulmua me armë zjarri në një pritë në të dalë të qytetit të Memaliajt, menaxheri i linjës i cili ndodhej në autobus rrëfen për “A1 Report” sesi rrodhi ngjarja.

 
Edmond Tafa, menaxher i linjës, ka qenë i ulur pranë shoferit kur ka pikasur i pari një person në cep të rrugës. Për shkak të errësirës, pasi ora shënonte 01:30 e së hënës, Tafa ka menduar se ishte bari. Por në momentin që autobusi ka ulur shpejtësinë, janë dëgjuar të shtënat me armë në drejtim të autobusit, por duke qenë se të shtënat dallohej se vinin nga armë të ndryshme, menaxheri thotë se mund të ishin më shumë se dy vetë ata që i sulmuan.
 
Autobusi, ku ndodheshin 22 pasagjerë, po udhëtonte në aksin rrugor Memaliaj-Mallakastër në afërsi të kthesës së Vasjarit, kur është sulmuar dhe si pasojë mbetën dy persona të plagosur: Laurent Tabaku, 23 vjeç nga Elbasani, në gjëndje të rëndë dhe Qebarie Dihani, 19 vjeçe nga Fieri.
 
Pasagjerët e autobusit, mes tyre dhe i ati i të plagosurës, të intervistuar nga “A1 Report”, treguan sot në mëngjes se autobusi po lëvizte avash për shkak të rrugës së keqe dhe në momentin kur është qëlluar i kanë thënë të mos ndalej port ë ecte me shpejtësi.
 
INTERVISTA PER “A1 REPORT”: JA SI NA SULMUAN
Si e kujtoni momentin kur ju sulmuan?
Sapo kaluam Memaliajn. Është një kanal. U detyruam të ulim shpejtësinë. Atje na kishin bërë pritë. Ishte shoferi dhe unë, pranë pasagjerët.
 
Si e kuptuat ju?
Se pamë një njeri 3 m larg autobusit. Na u duk si bari. Aty ishte errësirë e plotë. Në atë moment vetëm kur dëgjojmë që na gjuajti.
 
Nga cila anë ju gjuajtën fillimisht?
Nga krahu i majtë.
 
Kjo është goditja e parë?
Shoferit i thamë jepi makinës me shpejtësi të madhe e pastaj dëgjuam, 5-6 gjuajtje kallashi.
 
U shqetësuan njerëzit?
Njerëzit u shqetësuan sigurisht dhe u shtrinë poshtë në autobus. E shtuam shpejtësinë e autobusit. Diku 8-10 km na doli policia përpara dhe aty hapëm krahun. Ndaluam se ishin dy anash të evidentuar që na qëlluan, por mund të ishin dhe më tepër. Njëri gjuajti me kallash, dikush tjetër me armë ose çifte.
 
Sa pasagjerë ishin në autobus?
22 persona. Plumbat na çanë radiatorin.
 
Si e kuptuat për vajzën dhe djalin që ishin plagosur?
Kur ndaluam 8 apo 10 km më larg, atëherë e kuptuam që dy pasagjerë ishin të palgosur se ajo vajza ishte e gjakosur, kurse ai djali nuk lëvizte fare.

ORA 12:45 AUTOBUZI I LINJËS ATHINË-TIRANË, MBËRRIN NË KRYEQYTET
Autobuzi i linjës Athinë-Tiranë, i cili u qëlluan në një pritë në afërsi të Memaliajt me armë zjarri, ka mbërritur rreth orës 12:45 minuta të mesditës në kryeqytet. Shenjat e plumbave dhe dëmtimet që ka pësuar autobusi janë të dukshme.

ORA 09:27 SHOQËROHEN 9 PERSONA NË POLICI, VIJOJNË KËRKIMET
Policia e Gjirokastrës ka shoqëruar 9 persona në lidhje me sulmin me armë ndaj autobusit që ka ndodhur në Memaliaj. Burime zyrtare thanë se, deri tani janë shoqëruar në ambjentet e Policisë së Gjirokastrës 9 persona nga rrethi i Tepelenës.
 
Sipas policisë, “në datën 27 janar 2014, rreth orës 01.20 minuta të mëngjesit, në aksin rrugor Tepelenë- Mallakastër, vendin e quajtur Mogila, persona të pa identifikuar të fshehur poshtë rrugës nacionale kanë qëlluar me armë në drejtim të faqes anësore të autobuzit me targa AA 578 GC, të linjës ndërkombëtare Athinë -Tiranë”. Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Gjirokastrës, “drejtuesi i autobusit nuk ka ndaluar por ka vijuar lëvizjen me shpejtësi në drejtim të Mallakastrës dhe ka ndaluar në fshatin Beraj ku ka kontaktuar me një patrullë të Policisë Rrugore”.

“Si pasojë e të shtënave është plagosur një prej pasagjerëve L. Tabaku, 25 vjeç nga Elbasani, i cili ndodhet i shtruar në Spitalin e Fierit. Nga të dhënat e para rezulton së është lënduar lehtë jashtë rrezikut për jetën dhe një pasagjere tjetër Q. Dihani, 19 vjeçe nga Fieri”, ka bërë të ditur policia.
 
Burimet zyrtare nga Policia e Gjirokastrës thanë se, “me marrjen e njoftimit, menjëherë në drejtim të vendngjarjes janë nisur efektivat e Komisariatit të Policisë Tepelenë, dhjetra forca të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër dhe të Komisariatit të Policisë Gjirokastër, si dhe dy grupe të FNSH”. “Vijon krehja e gjithë zonës për të bërë të mundur kapjen e autorëve”, ka bërë të ditur Policia e Gjirokastrës.

 

I ATI I QEBARIE DIHANIT: THASHË SE MË IKU FËMIJA

I ati i Qebaries rrëfen minutat e tmerrit gjatë sulmit me armë, kur pa vajzën e tij që u plagos nga plumbat.

“Thashë unë, iku fëmija, mbaroi. Isha bashkë në një sedilje me çupën. Ajo ishte nga krahu i xhamit që u thye edhe unë isha nga krahu tjetër. Autobusi u mënjanua për të ndaluar, ne bërtitëm të gjithë ec ec se do na vrasin të gjithëve. Vazhdoi autobusi rrugën, deri sa arritëm tek ndihma e policisë. Do vinim në shtëpi nga Greqia. U shtrimë të gjithë në tokë në autobus”, rrëfen i ati i të plagosurës Qebarie Dihani.

 

PASAGJERËT: I THAMË SHOFERIT EC SHPEJT, FATI JONË QË SHPËTUAM


“Ishim në gjumë dhe nuk dimë gjë se kush qëlloi me armë. U shtrimë, bërtitëm, nuk ndaloi shoferi dhe ikëm. Qëlluan me armë, u thye xhami, u plagos një vajzë dhe një djalë” – thotë një pasagjere.
 
“Po udhëtonim në autobus, na gjuajtën nga krahu i majtë i shoferit. Gjuajtën dhe me një armë tjetër, me kallash. Fati i mirë që shpëtuan njerëzit. Gjithë autobusi i tha shoferit që mos ndalo, por ec shpejt. Shoferi eci me shumë shpejtësi të madhe dhe ndaluam diku 10 kilometra larg vendit që ndodhi”- dëshmon një tjetër pasagjere.
 
“Dëgjuam një zhurmë gjatë rrugës. Thashë mos u ça goma. Pastaj dëgjuam dhe 3 të tjera. Pastaj u ulëm barkas të gjithë. Njëri që kisha në krah më tha që më duket se jam plagosur. Uli dorën dhe e kishte me gjak. Pastaj ra, nuk lëvizi më. Ai tha në Fier do zbriste”, deklaruan pasagjerët pas ngjarjes së rëndë./Shqiptarja/ 

 
Lajme Shqip Saturday, 19 October 2013 20:54

 

“A1 Report” ka sjellë pamjet ekskluzive të momenteve të para të përmbytjes në zonën e Kamzës buzë lumit të Tiranës në lagjen e njohur si “Treshi”.

Në orët e para të mëngjesit të tre ditëve më parë banorët janë përballur me furinë e përmbytjes e për të shpëtuar veten janë ngjitur mbi tarracat e shtëpive.

Uji ka marrë para gjithçka në orendi shtëpiake, ku lartësia ka kaluar 1 metër e gjysmë. Rreziku ka qenë i madh për të gjitha familjet, pasi edhe fëmijët e vegjël janë kërcënuar nga situata e përmbytjes.

Më të vështirë e kanë pasur disa prej banorëve, të cilët s’kanë mundur të largohen më parë, por kanë mbetur mbi bordurat e mureve rrethuese e një prej tyre dhe mbi një portë.

Një nga banorët e zonës ka mbetur mbi një portë ngjyrë blu për afro 2 orë, derisa ka rënë intensitetiti i përmbytjes.

Banorët tre ditë pas përmbytjeve apelojnë për ndihmë, pasi sipas tyre uji i ka marrë gjithçka në pak minuta dhe ende askush nga institucionet shtetërore si ka shkuar të përllogarisë dëmin.  

 
Lajme Shqip Friday, 18 October 2013 22:59

Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi nismën e qeverisë për hartimin e Planit kombëtar të territorit, që të anulojë çdo plan dhe leje ndërtimi të dhënë në qendër të Tiranës, si dhe të rikthejë mbrojtjen me ligj të ansamblit të kryeqytetit. 

Qeveria thotë se në këtë mënyrë synon t’i japë fund informalitetit dhe të nisë një epokë të re per territorin. 

“Me marrjen e kësaj nisme do t’i jepet fund informalitetit. Gjithashtu do të nisë hartimi i planit të integruar të përgjithshëm të zonës ekonomike Tiranë-Durrës, e prekur nga kaosi urban”, deklaroi ministrja Eglantina Gjermeni në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Mjedisit, Lefter Koka dhe ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro. 

“Një tjetër element shumë i rëndësishëm ishte masa për rehabilitimin e zonave dhe parqeve kombëtare, pasi 90 për qind të ndërtimeve që ndodhen në to janë informale”, deklaroi Koka. 

“U mor vendimi për rishikimin e listës së objekteve të rëndësisë së veçantë. Do të vihen në mbrojtje objektet e reja të trashëgimisë kulturore”, tha më pas Kumbaro. / Top Channel/

 
Lajme Shqip Friday, 23 August 2013 13:28

Tiranë – Konsulli i përgjitshëm i Greqisë në Gjirokastër, Nikolas Kotrokoi, është shprehur se ndërhyrja për largimin e Kishës Ortodokse nga Pallati i Kulturës në Përmet, ka qenë e papërshtatshme. Komenti i tij është bërë pas një takimi që ka pasur me kryebashkiakun e Përmetit, Gilberto Jaçe.

“Kisha Autoqefale Shqiptare nuk ka varësi nga askush. Vendimet e saj duhet të respektohen. Mënyra, koha dhe vendi i ndërhyrjes në Pallatin e Kulturës ishte jo i përshtatshëm”, ka thënë konsulli grek gjatë takimit me kryebashkiakun e Përmetit, raporton tema.
“Greqia është i vetmi shtet që ka përkrahur Shqipërinë në procesin e integrimit europian dhe do vazhdojmë të mbështesë Shqipërinë. Jemi dy popuj miq, kemi qenë dhe do jemi për përforcimin e marrëdhënieve ndëretnike, ndërfetare e ndërajonale”, ka vijuar më tej konsulli grek.

 
Lajme Shqip Thursday, 22 August 2013 14:14

Athinë – Edhe në Parlamentin grek është shtruar çështja e ngjarjeve në Përmet, pasi deputeti i partisë “Demokracia e Re”, Nikitas Kaklamanis i ka drejtuar disa pyetje ministrit të Jashtëm, Evangelos Venizelos mbi veprimet që ka ndërmend të bëjë Athina zyrtare, lidhur me atë që e quajti “vandalizmin mbi Kishën e Përmetit”.

Në fjalën e tij deputeti i djathtë është shprehur ndër të tjera se “ngjarjet që ndodhën në qytetin e Përmetit në Shqipëri kanë cënuar konceptin e së drejtës ndërkombëtare dhe evropiane. Në të njëjtën kohë, ato kanë krijuar një ndjenjë shqetësimi për të gjithë grekët”.

Ai ka përmendur veçanërisht, “përdhosjen e relikeve të shenjta, Ungjillit, Grailit të Shenjtë, ikonat e hedhura mbi një kamion, veprime që kanë zemëruar klerin ortodoks grek dhe njerëzit”.

Duke vijuar deputeti i djathtë grek pyet: “Cfarë do të ndodhte nëse dikush do të kishte hedhur Kuranin në një kamion? Ndoshta do të digjej gjysma e planetit”, ka shtuar ai.

Më pas Kaklamanis i drejton ministrit të Jashtëm, Evangelos Venizelos këto pyetje:

*Përveç përgjigjes diplomatike rutinë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, cilat janë hapat shtesë që keni ndërmend të merrni?

*A do të ndërhyjë Greqia në institucionet e BE-së, si për sa i përket financimit të një vendi aderues, ashtu edhe për procesin e pranimit, pasi qeveria shqiptare jo vetëm nuk e pengoi aktin, por e fshehu vandalizmin dhe dhunën.

Ky zhvillim ndodh paralelisht me pyetjen që eurodeputeti grek, Jorgos Kumutsakos ngriti në Komisionin Evropian, për çështjen në fjalë dhe me të njëjtën përmbajtje. /BW/

 
Lajme Shqip Wednesday, 21 August 2013 17:22

Tiranë – Kthime masive të shqiptarëve në dy pikat kufitare me Greqinë, kanë ndodhur gjatë ditës së sotme në doganën e Kakavijës në Gjirokastër dhe Kapshticës në Korçë,

Mësohet se pala greke iu përmend shqiptarëve konfliktin e ditëve të fundit në ‘Përmet’ mes kishës ortodokse e Bashkisë së këtij qyteti, ndërsa për t’i kthyer, sipas gazetarëve tanë ne vendgjarje, përdor si justifikim sasinë e parave që qytetarët duhet të kenë me vete.

Mësohet se në pikën kufitare të Kakavijës një polic grek ka dalë në zonën neutrale dhe kthen mjetet me targa shqiptare. Ndërsa lejohen të kalojnë në kufi vetëm ata qytetarë që kanë leje qëndrimi e karta greke. Duke u nisur nga kjo situatë, drejtori i policisë kufitare në Kakavijë Admir Abrija ka kërkuar takim me homologun e tij grek.

Në një komunikim telefonik për NEËS 24, zëdhënësi i policisë së Gjirokastrës, Genti Mullai sqaroi se situata e krijuar atje është kaotike, ndërsa shtoi se deri më tani janë kthyer nga policia greke mbi 100 shtetas shqiptarë.

Mullai sqaroi se fillimisht policia ka përdorur si justifikim mungesën e të ardhurave të mjaftueshme monetare, ndërsa më pas kanë përmendur edhe çështjen e Përmetit. Mësohet se qytetarëve në Kakavijë iu kërkojnë të kenë me vete 3000 euro.

E njëjta situatë raportohet edhe nga pika kufitare e Kapshticës. Që në orët e para të mëngjesit qytetarët shqiptarë janë kthyer masivisht në kufi.

Mësohet se policia greke iu kërkon të kenë me vete mbi 1500 euro, ndërsa iu përmend shqiptarëve edhe konfliktin e ‘Përmetit’. Situatën e krijuar atje policia greke e justifikon situatën me shumën monetare.

Në një prononcim për NEËS 24 emigranët shprehen se, “Nuk lejohet të kalojë asnjë person me pasaportë shqiptare. Na përmendet ngjarja e Përmetit dhe na kthejnë”.

Qytetarët akuzojnë ndërkaq shtetin shqiptar për indiferencë në zgjidhjen e këtij problem.

Zgjidha për krizën me Greqinë, pas negociatave të Ramës?

 

Burime të mirëinformuara në Athinë tregojnë se mes Edi Ramës dhe Athinës, për çështjen e toponimeve, si dhe për krizën në Përmet, ka patur nje komunikim intensiv.
Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë i ka kërkuar mikut të tij të majtë Venizellos në Ministrinë e Jashtme, heqjen e kufizimit për shqiptarët deri në fund të shtatorit, për ta zgjidhur pastaj përfundimisht këtë problem në rrugë bilaterale. Dhe, pala greke ka mbajtur fjalën, deri kur kriza e Përmetit ka risjellë në skenë fantazmën e toponimeve, ditën e mbrëmshme e sot paradite, kur përsëri, sipas të njëjtave burime, zoti Rama ka komunikuar me Athinën.
Top Channel pohon se rikthimi i normalitetit ka ardhur falë këtij komunikimi. Nga ana tjetër, Edi Rama nuk ka dhënë asnjë deklaratë për çështjen e krizës në Përmet, por burimet e Top Channel pranë qeverisë së re tregojne se kryeministri i ri dhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, janë të angazhuar për zgjidhjen e këtij problemi.
Mesa duket edhe dialogu i hapur nga kryebashkiaku socialist i Përmetit, me përfaqësuesit e kishës, është produkt i planit Rama – Bushati për zgjidhjen e këtij problemi./BW/Tema/

 
Lajme Shqip Friday, 02 August 2013 14:47

Tiranë – Inspektoriati Ndërtimor ka vijuar aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje në Tiranë. Sot ky aksion ka vijuar gjatë paradites me prishjen e një shtesë pa leje në katin e sipërm të një pallati, në rrugën “Mihal Grameno”, në Njësinë Bashkiake Nr. 2. Drejtori i Inspektoriatit të Ndërtimit Florenc Hoxha ka përsëritur thirrjen e tij ndaj qytetarëve të Tiranës të mos ndërtojnë paleje dhe të mos bien pre e mashtrimeve të eksponentëve të lartë socialist për legalizimin e tyre, se të gjitha ndërtimet pa leje do të prishen.

“Inspektorati Ndërtimor Urbanistik i Bashkisë Tiranë sot po vijon punën e tij në lidhje me ndërtimet pa leje. Pra për të goditur çdo ndërtim pa leje në qytetin e Tiranës. Këtu pas meje shikohet që në mënyrë abuzive ka lulëzuar një ndërtim pa leje, shtesë kati, të cilën ne do ta vendosim përpara kushteve të ligjshmërisë duke e kthyer në gjendjen e mëparshme”- u shpreh Hoxha, raporton albeu.

Zoti Hoxha tha se ka një kontakt të vazhdueshëm me ALUIZN-in për të vendosur në kushtet e ligjshmërisë çdo objekt të ndërtuar pa leje, i cili mund të ketë aplikuar pranë ALUIZN-it. Asnjë prej këtyre objekteve nuk mund dhe nuk do të përfitojë nga legalizimi.

“Po verifikojmë dhe po konstatojmë çdo ndërtim pa leje që është bërë gjatë këtyre muajve të fundit. Kemi pasur një korrespondencë me zyrat e ALUIZN-it për të përcaktuar kushtet e ligjshmërisë dhe për të përcaktuar çdo objekt paleje, i cili mund të ketë aplikuar pranë ALUIZN-it pikësëpari duke e përjashtuar atë nga legalizimi dhe më pas për të vepruar me forcën e ligjit.

Garantojmë edhe njëherë qytetarët e Tiranës, që do të veprojmë ndaj çdo objekti të paligjshëm që është ndërtuar në mënyrë abuzive gjatë këtyre kohëve në qytetin e Tiranës” – theksoi z. Hoxha.

Kreu i Inspektoratit Ndërtimorë i ka bërë thirrje eksponentëve të PS-së të mos ndërtojnë pa leje dhe kërkoi nga PS të mos e politizojë çështjen e ndërtimeve pa leje për të mbrojtur eksponentët e saj.

 
Lajme Shqip Monday, 22 July 2013 17:04

Tiranë – Ambientalistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile u takuan me përfaqësues të Komunitetit Mysliman për të kërkuar rishikimin e projektit të ndërtimit të xhamisë së Namazgjasë pranë Parlamentit, bashkë me të cilën është planifikuar dhe ndërtimi i dy kullave, që do të shërbejnë si qendër tregtare.

‘Ata nuk pranojnë që aty ka ndërtime të tjera biznesi, por thonë që ne kemi të bëjmë vetëm me ndërtimin e një xhamie. Ne mbrojmë hapësirën e fundit publike të gjelbër që është ngritur bashkë me qytetin e Tiranës”, thotë Sazan Guri, ambientalist për Top Channel .

Duke iu drejtuar vendimmarrësve lokalë dhe atyre qendrorë, ambientalistët thonë se kryeqyteti nuk pranon më asnjë metër kub ndërtim ndërsa hedhin idenë e ndërtimin e xhamisë në ambientet pas Pallatit të Kulturës apo bulevardit të ri.

‘Nuk pranojmë asnjë metër kub ndërtim. I bëjmë thirrje Komunitetin Mylsiman dhe të shohë si alternativë ndërtimin e xhamisë prapa Pallatit të Kulturës, ose buleveardi i ri”, tha Guri.

Përmes një peticioni drejtuar krerëve të institucioneve më të rëndësishme të vendit, 23 përfaqësues të shoqërisë civile, pedagogë e studentë kërkojnë anulimin e lejes zhvillimore të dhënë nga Këshillit Kombëtar i Territorit për ndërtimin e xhamisë së Namazgjasë dhe ndërprerjen e menjëhershme të punimeve, ndaljen e prerjes së pemëve dhe zaptimin e trotuarëve publikë nga kompania e ndërtimit.

 
Lajme Shqip Sunday, 23 June 2013 08:55

Tiranë – Zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit 2013 janë të tetat që zhvillohen në Shqipëri, që nga vendosja e sistemit pluralist politik në vitin 1991. Shqiptarët vendosin me votë për ata që do na qeverisin në 4 vitet e ardhshme. Procesi i votimit ka nisur sot që në orën 7:00, për t’i dhënë popullit të drejtën të vendosë me votë për 140 parlamentarët e rinj. Simbolikisht kryetarja e KQZ-së Lefterie Lleshi ka hapur qendrën e votimit tek Akademia e Arteve, në Tiranë, aty ku edhe ka votuar.
Pritet që rreth 3 milionë e 271 mijë e 885 zgjedhës të ushtrojnë të drejtën për të votuar, bazuar në regjistrin kombëtar elektronik, transmeton BalkanWeb.
Nga këta për herë të parë votojnë 165 mijë zgjedhës të rinj të grupmoshave 18, 19 dhe 20 vjeç . Po ashtu drejt kutive, në të gjithë Shqipërinë do të shkojnë edhe 560 mijë pensioniste nga të cilët 750 zgjedhës konfirmon Ministria e Brendshme nuk janë përfshirë në lista për shkak të moshës mbi 100 vjeç në datën e votimit dhe se të cilët nuk janë paraqitur pranë zyrave të gjendjeve civile. Por ndryshe nga këta, 380 persona të moshës 100-vjeçare të tjerë, të cilëve u ishin bllokuar emrat për shkak të moshës me kërkesë të posacme rifituan të drejtën e votës.
Në orën 7:00 të kësaj të diele hapën 5508 qendra votimi, të cilat, pritet të qendrojnë të hapura deri në orën 19:00, sipas orarit zyrtar. 19 qendra të posaçme votimi janë ngritur dhe në burgje për 5000 të dënuar dhe paraburgosur që zgjedhjet i gjejnë në qeli.
Subjektet politike janë grupuar në dy koalicione: “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim”, e drejtuar nga Partia Demokratike e kryeministrit Sali Berisha dhe “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, e drejtuar nga Partia Socialiste, me kryetar Edi Ramën. Qarku i Tiranës do të nxjerrë numrin më të madh të deputetëve 32, ku pritet të votojnë 785 mijë persona kurse ai i Kukësit numrin më të vogël, 4 deputetë, ku pritet të votojnë 77 mijë.
Në këtë proces zgjedhor ka një numër më të lartë të komisioneve në të gjithë piramidën elektorale. Po ashtu, ky është edhe procesi më i vëzhguar nga ndërkombëtarët dhe organizatat në vend. Monitoruesit vendas janë rreth 8 mijë, ndërsa ata të huaj rreth 1 mijë, në përputhje me rëndësinë që procesi elektoral i së dielës është konsideruar nga ndërkombëtarët si tejet të rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë në BE.
Policia njofton se ka marrë në ruajtje 5.508 Qendrat e Votimit në të gjithë territorin e vendit dhe se në këtë aksion janë angazhuar 6200 policë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve printoi në Slloveni rreth 3 milion e 337mijë e 385 fletë votimi, ashtu siç e parashikon kodi, 2% më shumë se numri i zgjedhësve. Kryetarja e këtij komisioni i bëri apel komisionerëve në të gjithë vendin që të bashkëpunojnë. Kosto e këtyre zgjedhjeve është llogaritur nga KQZ rreth 744 milionë lekë. Kësaj vlere iu shtuan dhe rreth 3 milionë euro të tjera që cilat i janë paguar kompanisë spanjolle Indra pavarësisht se dy projektet pilote për numërimin elektronik në Fier dhe identifikimit elektronik të kartave të identitetit në Tiranë dështuan.
Menjëherë pas votimit kryetarja e KQZ-së Lefterie Lleshi i bëri apel të gjithë shqiptarëve t’i drejtohen qendrave të votimit, pasi vota e tyre vlen, sic tha ajo.
“I ftoj shqiptarët të paraqiten të votojnë pasi është përgatitur e gjithë infrastruktura zgjedhore që të votojnë të lirë dhe në fshehtësi. Motoja jonë është: Vota jote vlen, votoni”, tha ajo.
Një apel tjetër kryetarja Lleshi e bëri për të gjithë komisionerët zgjedhorë, të cilët i ftoi të bëjnë detyrën duke iu përmbajtur kodit zgjedhor.
“Komisionerët të kryejnë detyyrën sipas kodit zgjedhor, të jenë jashtë ndikimeve politike’, shtoi ajo.

 

 

 

 

 
Lajme Shqip Saturday, 22 June 2013 16:43

 

Prishtinë – Në kampin e së majtes shqiptare ekziston frika se Sali Berisha po bën përpjekjet e fundit për përmbysjen e rezultatit të nesërm zgjedhor, përmes një kontigjenti kosovarësh qe kanë shtetësi të Republikës së Shqipërisë.

Burime të Gazetës Express brenda Partisë Socialiste, kanë treguar planin e Berishës për të mbajtur dhunshëm pushtetin e tij.

“Duke pasur parasysh sistemin tonë elektoral, ku rezultatin final mund ta ndryshojnë një grusht votash, Berisha ka kërkuar përkrahjen e mbështetësve të tij nga Kosova”, ka thënë një zyrtar i PS’se për Express, në kushte anonimiteti.

Të njëjtat informacione janë konfirmuar edhe nga disa burime qeveritare. Madje, sipas tyre, në këtë lojë kanë hyrë edhe disa deputetë të Parlamentit të Kosovës.

“Deputetë te Kuvendit të Kosovës janë të përfshirë në organizimin e njerëzve për të votuar në Shqipëri, të kamufluar si turist. Esenca qëndron se kjo do të bëhet duke keqpërdorur gjithë ata kosovarë që kanë shtetësi shqiptare. Do të votohet në emër të tyre, me personalitete të tjera”, ka thënë një burim qeveritar për Express.

Për përfshirjen e kosovarëve në kurdisjen e zgjedhjeve në Shqipëri, ka pasur intormacione edhe në të kaluarën, duke rritur kështu ndasitë mes dy vendeve. Normalisht, zgjedhjet në Shqipëri nuk do duhej të ishin betejë e shtetasve të Kosovës.

 

 

12