Lajme Shqip Friday, 24 August 2012 09:45

Korçë – Thellohet skandali me objektet e Kulturës në qytetin juglindor të vendit. Historianë dhe studiues kanë  dhënë alarmin se janë zhdukur objektet e Kulturës që i përkisnin shtëpisë e njohur ndryshe dhe si ‘Shtëpia e Flamurit pasi aty u shpall Korça krahinë autonome nga Themistokli Germenji. 

Vetëm një ditë pas deklaratës së Ministrisë së Kulturës, e cila bëri me dije se ka nisur puna për hartimin e një projekti, që do të bëjë të mundur rindërtimin e shtëpisë së shembur, historiani Bashkim Jahollari, njëkohësisht ish-drejtor i Muzeve si dhe studiuesi Niko Kotherja japin alarmin se në ‘Shtëpinë e Flamurit’ nuk gjenden më objektet e vjetra me vlerë të mëdha historike, pasi ato janë zhdukur në  kohë të ndryshme. 

Studiuesit pretendojnë se objektet e muzeut ishin dërguar pas viteve 1990 në Pallatin e Kulutës , por këtë të fundit kanë hedhur poshtë akuzat duke thënë se në këtë institucion ruhen vetëm objekte të luftës. Sipas studiuesve, muzeu do të rindërtohet me objekte jo origjinale, ndërkohë që shprehin shqetësimin e objektet tashmë të zhdukura mund të jenë pjesë e tregut të zi.

Protesta 
“Shteti po rri indiferent, ndërsa në Korçë shemben godina historike me vlera të veçanta për gjithë Shqipërinë. Shteti hesht, ndërsa vlerat kulturore janë duke u rrafshuar dhe historia i fshihet para syve. Turp për këdo që nuk reagon sot, për ‘masakrën’ kulturore të radhës në Korçë”. Këto kanë qenë tekstet e disa pankartave që një grup studentësh dhe intelektualësh të Korçës mbanin në duar gjatë protestës së djeshme. Nën moton “Zgjohuni korçarë”, ata protestuan dje në mesditë paqësisht, para rrënojave të “Shtëpisë së Flamurit”. 

Hetimet
Burime nga prokuroria dhe policia e Korçës sqarojnë se janë marrë në pyetje edhe shumë persona të tjerë që kanë informacione për prishjen e “Shtëpisë së Flamurit”. Mësohet se për zbardhjen e ngjarjes janë angazhuar edhe ekspertë të urbanistikës, për të vërtetuar nëse ndërtesa është shembur vetë apo ka qenë e qëllimshme. Ndërsa, do të merren në pyetje dhe pronarët e ndërtesës, të cilët kanë deklaruar se shtëpia e Themistokli Gërmenjit është shembur për shkak të amortizimit fizik. “Shtëpia e Flamurit” në Korçë u shemb javës që shkoi. Kryebashkiaku, Niko Peleshi pak ditë më parë kërkoi publikisht lejen e Ministrisë së Kulturës për rindërtimin e godinës historike. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 22 August 2012 18:31

Tiranë – Shtëpia historike në Korçë është shembur qëllimisht. Ky ka qënë qëndrimi zyrtar i ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në të parën deklaratë pas ngjarjes së rëndë. Zv. ministri Abaz Hado ka theksuar se pas shembjes së saj fshihen qëllime të errëta. Sa i përket gjëndjes së rënduar që ajo ka qënë Hado u shpreh se MTKRS-ja ka qënë në dijeni pavarësisht mosndërhyrjes së saj. Ai ka theksuar se MTKRS do të ndihmojë bashkinë e Korçës për hartimin e projektit për rindërtimin e shtëpisë muze.

Shembja e shtëpisë muze, intelektualët në Korçë në tubim
Qytetarët dhe intelektualët e Korçës kanë dalë në një tubim paqësor për ringritjen e shtëpisë së flamurit. Pas degradimit që pësoi godina në vite dhe mungesës së kujdesit total të shtetit megjithëse ishte një monument kulture i kategorisë së parë, për më shumë se 40 vjet ndaj saj nuk u tregua asnjë lloj interesi sikur të mos ekzistonte. Kjo ka bërë që vit pas viti godina të pësojë dëmtime të shumta në të gjithë strukturën e saj, ndërsa prej disa ditësh ajo është shëmbur gati plotësisht.

Në 10 dhjetor të vitit 1916 patrioti i njohur Themistokli Gërmenji bashkë me 13 patriotë të tjerë të kësaj treve e shpallën Korçën krahinë autonome. “E dua historinë e Korçës” ka qënë deviza e këtij tubimi, ndërsa tubuesit kanë hedhur parulla të ndryshme duke kërkuar dhe zgjimin e korçarëve për vlerat në zhdukje të identitetit të tyre. Niko Kotherja një studiues i historisë ka theksuar se zhdukja e vlerave të hirstorisë janë veprime mjaft të rrezikshme, ndërsa ka pohuar se protestat e qyetarëve do të vijojnnë të jenë permanente deri në ringritjen e godinës.

Ata janë duke hartuar gjithashtu një letër për kryeministrin Sali Berisha me firma të familjeve më të njohura korçare, për ti kërkuar këtij të fundit ndërhyrjen emergjente për ringritjen e shtëpisë së flamurit deri më 28 nëntor. Pak ditë më parë ka qënë vetë kryebashkiaku i Korçës Niko Peleshi i cili proprozoi investimin deri në masën 100 për qind të kësja godine me vlera historike për Korçën dhe jo vetëm nëse merr miratimin nga Drejtoria e Trashëgimisë Kulturore. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 18 August 2012 10:55

Korcë – Humbja e një tjetër monumenti kulture në qytetin e Korçës ka ngjallur fuqishëm reagimin e Bashkisë së Korçës. Pasi denoncoi rastin publikisht nje dite me pare permes nje konference per shtyp, kryebashkiaku Niko Peleshi ka shprehur gatishmerine e Bashkise se qytetit per ta rindertuar kete shtepi muze dhe per t’ia rikthyer qytetit permes financimit te Bashkise.

“Shprehim vullnetin dhe gatishmërinë që nga buxheti i bashkisë të financojmë rindërtimin deri në datën 28 nëntor të këtij viti kurdo të festohet 100-vjetorit i pavarësisë, të ndërtesës që është shembur. Bashkia e Korcës është e gatshme dhe këtë e kam shprehur edhe shkresërisht që të financojë në rindërtimin e këtij objekti monument historik i kategorisë së parë”, tha kryetari i Bashkisë së Korcës, Niko Peleshi.

Sakaq mesohet se pas nje denoncimi te bashkise te depozituar prane Prokurorise se Korces, kjo e fundit ka nisur hetimet per gjetjen e personave te cilet kane shembur ndertesen. Shtepia e Flamurit ku Themistokli Germenji ne 10 dhjetor 1916 e shpalli Korcen krahine autonome, u shkaterrua vetem nje dite me pare me mjete te forta.  Humbja e nje vlere te tille cuditerisht eshte shoqeruar me heshtjen e pronareve mes te cileve edhe ndertues.

Baçe:S’kishte vlera arkitektonike, Lame: E çmuar për historinë

Shtëpia e Republikës, në Korçë vijon të jetë e listuar si monument kulture i kategorisë së parë, ndonëse prej mbrëmjes së të mërkurës, kjo banesë është shndërruar në gërmadhë. Në cilësinë e drejtorit të Institutit të Monumenteve të Kulturës, Apollon Baçe nxiton të thotë se mbrojtja e këtyre monumenteve nuk është përgjegjësi e këtij institucioni dhe as kompetencë e tyre, por nga ana tjetër nuk ngurron të flasë për mungesë të vlerave arkitektonike të saj.

“Këto monumentet janë nwn administrimin e Drejtorisw Rajonale të kulturës kombëtarë, të cilat varen nga Ministria. Vlera arkitektonike nuk ka, vlera simbolike dhe historike ka sepse është vendi ku u ngrit flamuri”, tha Baçe.

Cilësuar si një skandal, ky i zhbërjes së banesës ku u ngrit flamuri i Republikës së Korçës, e që prej vitit 1997 është shndwrruar në Muzeun Historik të qytetit, ashpër reagon Artan Lame, i Forumit për Mbrojtjes për Trashëgiminë Historike dhe thotë se rasti i degradimit vit pas viti të kësaj godine është denoncuar prej tyre.

“Godina, pavarësisht nga vlerat monumentale apo kulturore që mund të jenë të kufizuara, vlera historike dhe vlera e ngjarjeve, të cilat janë zhvilluar në to i bën të çmuara dhe të patjetërsueshme. Nëqoftëse sot Korca gjendet brenda kufijve të shtetit shqiptar këtë duhet t’ia dimë vetëm aktit fisnik të atij burri, Themistoli Germenji. Eshtë një tragjedi e vërtetë të mendosh që pikërisht që 100-vjetorin e pavarësisë, kjo godinë nuk ndodhet më mbi dhe, por u rrënua tërësisht. Para rreth një viti ne kemi denoncuar edhe me fotografi gjendjen katastrofike, në të cilën gjendej godina, por për fat të keq askush nuk mori asnjë masë”, tha Lame. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 16 August 2012 13:57

Korçë- Mëngjesin e së enjtes, krejt papritur, në qytetin e Korçës u gjet e shembur shtëpia ku Themistokli Gërmenji ngriti flamurin për shpalljen e krahinës autonome të Korçës më 10 dhjetor 1916. Kjo ngjarje la të befasuar banorët e qytetit, por njëherazi edhe të trishtuar, sepse kjo shtëpi ruante në memorien e këtij qyteti një nga evenimentet më të shquara të historisë së tij.

Degradimi i ndërtesës

Për motivet se si mund të ketë ndodhur shembja, dyshimet janë të shumta. Ende asgjë nuk është e qartë se si mund të ketë ndodhur shembja e saj. Ajo çka dihet ka të bëjë me faktin se, kjo shtëpi po përjetonte prej vitesh amortizimin më të thellë të mundshëm, aq sa ishte kthyer edhe në rrezik jete për kalimatarët. Duke filluar që nga vitet ’90 dhe këtej, ndoshta për mungesë fondesh ose jo, kjo shtëpi u la në një harresë totale, e cila nga viti në vit po shkonte drejt degradimit të plotë. Drejtoria Rajonale e Kluturës Kombëtare, e cila ka përgjegjësinë direkte për mbrojtjen e monumenteve të kulturës, nuk tregoi asnjëherë kujdesin dhe vëmendjen e duhur. Edhe institucionet e tjera, që mund të mos e kishin lejuar degradimin e këtij monumenti kulture të kategorisë së parë, nuk bënë gjë tjetër veçse qëndruan në heshtje të plotë. Gjithsesi, edhe pse shtëpia e flamurit ishte lënë në mjerim të plotë, askush nuk do ta besonte se do të vinte një ditë, që ajo do të shembej për të mos ekzistuar më. 

Pistat e hetimit

Shtëpia e përmendur më sipër, përveç ngritjes së flamurit, shërbeu edhe si ndërtesë e administratës së qeverisë për krahinën autonome. Aktualisht policia e Korçës ka nisur hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Deri më tani, pistat e hetimit po shtrihen në disa drejtime: shembje nga amortizimi, shembje nga persona të tjerë, të cilët mund të kenë interes për realizimin e ndonjë projekti tjetër në vend të saj, ose shembje per arsye ende të panjohura.

Pushteti lokal

Kryetari i Bashkisë Korçë, Niko Peleshi, e vlerësoi si një ngjarje mjaft të rëndë, si një goditje që po i jepet Korçës në zemër të saj, si nje mohim i vlerave më të shquara historike. Për këtë arsye, nga ana e bashkisë, siç deklaroi Peleshi, është përpiluar dokumentacioni i nevojshëm i denoncimit për policinë dhe prokurorinë, me qëllim vendosjen përpara organeve të drejtësisë të personave përgjegjës. Me të njëjtin agresivitet u përgjigj edhe drejtoresha e Drejtorisë Rajonale e Kulturës Kombëtare në Korçë, Jorida Remaçka, e cila ashtu si edhe kryeatri i Bashkisë kërkoi gjetjen e personave përgjegjës. Megjithatë Remaçka nuk dha asnjë sqarim se për çfarë arsyesh kjo shtëpi- monument kulture i kategorisë së parë ishte lënë jashtë çdo përkujdesi, pasi në Korçë nuk është hera e parë që ndodhin fenomente të tilla. Sot, aktualisht, si shtëpia e Mihal Gramenos ashtu edhe shtëpia e Themistokli Gërmenjit, të cilat deri  para viteve ’90 funksiononin si muzeume, janë shndërruar totalisht në lokale.

Historia

Krahina automnome e Korçës u shpall me 10 dhjetor 1916. Pikërisht në këtë kohë në krahinën e Korçës, vepronin çetat e Themistokli Gërmenjit dhe Sali Butkës, të cilët duke përfituar nga rasti i shtrirjes së ushtrisë franceze në Korçë dhe në qarkun e saj, ngritën një komision, dhe në emër të popullsisë së krahinës, u kërkuan forcave franceze largimin e grekëve nga Korça dhe ngritjen e një administrate shqiptare. Në këto kushte, komandanti francez i zonës së Korçës, koloneli Dekoen, sipas udhëzimeve të komandës së Armatës së Lindjes, vendosi të largonte nga Korça venizelistët grekë dhe hyri në bisedime me udhëheqësit e lëvizjes shqiptare. Komisioni përbëhej prej katërmbëdhjetë vetësh, shtatë të krishterë dhe shtatë myslimanë. Në këtë komision, që mori përsipër barrën e kujdesjes për vendin dhe u paraqit përpara kolonelit, bënin pjesë: Rafail Adhami, Kostandin Nocka, Nikolla Vangjeli, Vasil Singjeli, Vasil Kondi, Llambro Mborja, Thimi Cale, Shaqir Shabani, Tefik Rushiti, Hysen Dishnica, Emin Rakipi, Qani Dishnica, Sali Babani dhe Haki Shemshedini. Sipas protokollit të 10 dhjetorit, qyteti i Korçës, Bilishti, Kolonja, Opari dhe Gora, formonin një krahinë “autonome”, që do të administrohej nga shqiptarët, nën mbrojtjen e autoriteteve franceze. Krahina do të administrohej nga një këshill administrativ, i përbërë prej katërmbëdhjetë vetash, i cili do të kishte edhe xhandarmëri për të mbajtur rregullin. Gjuha zyrtare në kërkesa, ankesa e kontrata do të ishte shqipja dhe flamuri i krahinës “autonome”, ai shqiptar, me një shirit të trengjyrëshit francez. Kjo ngjarje e madhe ruhej pikërisht te kjo ndërtese, e cila mëngjesin e së enjtes u gjet e shembur, ashtu siç mund të ndodhte me rrëzimin e një barake kur dikur shitej vajguri. (LajmeShqip.com)