12
 
Lajme Shqip Wednesday, 17 July 2013 15:32

 Prishtinë – Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi në mbledhjen e kabinetit qeveritar të mbajtur ditën e mërkurë ka vlerësuar si shumë të rëndësishme fillimin e zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit mes Kosovës dhe Serbisë. Gjithashtu ai ka thënë se kanë mbetur edhe dy barrikada që së shpejti do të hiqen në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar dhe atë vendës. Thaçi ka ripërsëritur qëndrimin se janë duke u bërë përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve edhe në veri të vendit, ndërkohë që ka ftuar të gjithë spektrin politik në veri që të marrin pjesë në zgjedhje. Kabineti qeveritar ka miratuar propozim-vendimin për fillimin e procedurave për themelimin e Komunës së Zhegrës.
Shefi i ekzekutivit të vendit, Thaçi ka thënë se fillimi i zbatimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, është një hap shumë i rëndësishëm duke shtuar se pritet që së shpejti të hiqen edhe dy barrikadat në pjesën veriore të Mitrovicës.

“Është jashtëzakonisht me rëndësi që i gjithë procesi i implementimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë mund të them se ka filluar së zbatuari me agjendën e plotë që përfshihet të marrëveshjes së 19 prillit. Tanimë lëvizja e lirë ka shënuar progres jashtëzakonisht të theksuar, tani policia dhe doganierët lëvizin lirshëm dhe shkojnë në pikën 1 dhe 31. Pra ka filluar në tërësi implementimi i marrëveshjen për IBM. Ka mbetur që të punohet për eliminimin e plotë të barrikadave, kanë mbetur edhe dy pa u larguar. Kjo do të bëhet në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar”, ka theksuar kryeministri Thaçi, shkruan koha. 
Gjithashtu ai ka thënë se është me rëndësisë që të gjitha pikat policore serbe janë të mbyllura, gjë që është konfirmuar nga Policia e Kosovës dhe EULEX-i. Ndërkohë tani fillon faza tjetër ajo e rekrutimit individual e qytetarëve serbë në Policinë e Kosovës. Kryeministri ka thënë se është shumë me rëndësi që tani është nxjerrë vendimi për mospranimin e asnjë lënde në gjykatat në veri.
Duke folur për përgatitjen e zgjedhjeve të 3 nëntorit në veri të vendit, ai ka kërkuar nga spektri politik i asaj ane që të marrin pjesë në zgjedhje.
“Jemi duke punuar maksimalisht me gjithë bashkësinë ndërkombëtare, por edhe me autoritetitin lokal në veri që të përgatitemi për zgjedhjet e 3 nëntorit. Ftoj gjithë spektrin politik në veri që të rris pjesëmarrjen në zgjedhje, që të organizohen në subjekte politike, apo lëvizje, apo shoqata që dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhje. Ne i kemi bërë edhe ftesë bashkësisë ndërkombëtare për monitorimin e gjithë procesit”, ka theksuar ai.
Për më tepër ai ka thënë se nesër Kosovën do ta vizitojë komisioneri për Zgjerim, Stefan Fyle, ku do të sjellë edhe mesazhe shtesë për fuqizimin e rrugës evropiane të Republikës së Kosovës, qoftë për procesin e MSA-së dhe për procesin e liberalizimin e vizave 

 

 

 
Lajme Shqip Tuesday, 02 July 2013 13:03

Prishtinë – Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se shpallja e Deklaratës Kushtetuese më 2 korrik, 1990, është ndër ngjarjet më të rëndësishme juridike dhe politike pas shpërbërjes së sistemit njëpartiak në Kosovën e fillimviteve të nëntëdhjeta.

Thaçi i ka bërë këto komente me rastin e 23-vjetorit të Deklaratës Kushtetuese.

Në adresimin e tij për media thuhet se “delegatët e Kuvendit të Kosovës ndërmorën një akt të rëndësishëm, ku shprehej vullneti i popullit të Kosovës për liri dhe mëvetësi politike dhe juridike nga pushtimi jugosllav dhe serb njëkohësisht”.

“Deklarata Kushtetuese ishte akt i guximit qytetar dhe patriotik për kohën kur Kosova realisht nuk pranonte degradimin kushtetues, ndrydhjen e lirive dhe të drejtave si dhe mënjanimin e shqiptarëve nga jeta institucionale”, shkruan rel.

“Prej kohës së shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, deri në çlirimin përfundimtar, Kosova ka kaluar nëpër ngjarje të rëndësishme historike, gjithnjë duke pasur vizion lirinë dhe pavarësinë”, thuhet pos tjerash në deklaratën e kryeministrit Thaçi.

 

 

 
Lajme Shqip Friday, 21 June 2013 09:55

Prishtinë-  Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, i ka kritikuar LDK-në e AAK-në se po dorëzohen përballë kryeministrit Thaçi.

Ai ka thënë se po të kishin qenë këto dy subjekte politike sikur Vetëvendosje, qeveria Thaçi moti do të kishte renë prej pushtetit.
Konjufca ka thënë se VV-ja e vetme e ka të vështirë ta luajë rolin e opozitës.
“Është e vështirë, sepse në gjysmën e rrugës këto dy parti po e ndërrojnë drejtimin”, ka thënë Konjufca.
Sipas tij, Thaçi i kontrollon LDK-në e AAK-në. 
“Hashim Thaçi në një farë mënyre po i mban nën sqetull këto dy subjekte politike sa herë që po dëshiron”, thotë Konjufca për gazeten Epoka e re.
Ai mendon se LDK-ja e AAK-ja po i garantojnë qeverisje shumë të qetë Thaçit deri në vitin 2014. 

 
Lajme Shqip Tuesday, 18 June 2013 16:45

Prishtinë- Nuk do të ketë këmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, e nuk do të ketë as Shqipëri të madhe. Kështu ka deklaruar kryeministr,i Hashim Thaçi në një intervistë për gazetën vjeneze Die Presse, ndërsa ka theksuar se Serbia po shfaq një tendencë për të zvarritur procesin, mirëpo zbatimi i marrëveshjes nuk ka alternativë.Ndryshe sipas kryeministrit Thaci “as për Kosovën as për Serbinë nuk do të ketë alternativëFillimisht kryeministri Thaçi ka vlerësuar se takimet e zhvilluara mes tij dhe homologut të tij serb, Ivica Daçiq kanë qenë në funksion të stabilitetit, paqes dhe krijimit të fqinjësisë së mirë midis dy vendeve. 

Marrëveshja e arritur për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi është barë pas një konflikti 100- vjeçar, ka vlerësuar kryeministri Thaçi për gazetën vjeneze die Presse. Kosova dhe Serbia, ka thënë ai, kanë lënë prapa të kaluarën dhe tani kanë bërë një agjendë që i shërben të ardhmes jo vetë për të dy vendet, por edhe për gjithë rajonin. Marrëveshja gjithashtu është në shërbim të serbëve që jetojnë në veri të Kosovës, të cilët tani kanë filluar ti kthehen normalitetit. 
Duke folur për fatin e mëtutjeshëm të marrëveshjes, kryeministri Thaçi ka theksuar se “nga Serbia po shfaqet një tendencë për të zvarritur procesin, mirëpo implementimi i marrëveshjes nuk ka alternativë, sepse ndryshe as për Kosovën as për Serbinë nuk do të ketë të ardhme evropiane”, raporton RTK.
Marrëveshja e 19 prillit nuk është fundi por fillimi i një procesi të gjatë, ka theksuar kryeministri Thaçi, që sipas tij, në radhë janë zgjidhjet e kontesteve tjera , kurse në tetor, ka thënë ai, do të jetë gjithçka gati për zgjedhjet e lira lokale në veri. 
Duke folur për pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, kryeministri Thaçi, ka deklaruar se Kosova po punon për hapjen e kufijve dhe jo mbylljen e tyre. I pyetur për tendencat për një “Shqipëri të madhe” kryeministri Thaçi ka vlerësoi se kryeministri i Shqipërisë Berisha është keqkuptuar, sepse bëhet fjalë për krijimin e kushteve në rajon ku njerëzit të mund të jetojnë pa kufizime por ku do të respektohen kufijtë shtetëror. Vetëm si shtete ne mund të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian, ka deklaruar kryeministri Thaci.

 
Lajme Shqip Sunday, 16 June 2013 15:43

Vjenë – Kryeministri i Republikës së Kosovês, Hashim Thaçi  po merr pjesë në Konferencën vjetore të Forumit Evropian të Whachau -ut, që sivjet ka temën aktuale ” Përtej  krizës – konturat e një Evrope të Re”.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi po merr pjesë në Konferencën vjetore të Forumit Evropian të Whachau -ut, që sivjet ka temën aktuale ” Përtej  krizës – konturat e një Evrope të Re”.Thaçi mbajti një fjalë  rasti për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë 

 

Fjala e kryeministrit Thaçi:

 

Të nderuar mysafirë, 
Zonja e zotërinj,

Është kënaqësi e  jashtëzakonshme për mua të marrë pjesë në Forumin Evropian të Wachau – t, dhe më këtë rast dua të shpreh falënderimet e mia më të sinqerta organizatorëve të këtij forumi, duke filluar nga Zonja Barabara Schwarc, për z. Michael Spindelegger si kryesues, Guvernatorin z. Erwin Peroll dhe të gjithë të tjerët.
Mendoj se në Europë ekziston një momentum pozitiv për të tejkaluar edhe pak kriza, apo më mirë t’i quaj sfida të mbetura, me qëllim që më në fund, të gjithë së bashku të përmbyllim  kornizën apo platformën e Evropës së re, e cila duhet të jetë një Evropë e bashkuar, e integruar, e zhvilluar ekonomikisht me rol vendimtar në arenën botërore.
Sot së bashku me homologun tim nga Serbia, kryeministrin Ivica Daçiq, do të ndajmë më Ju, një përvojë të jashtëzakonshme, e cila është krejt e freskët, një përvojë se si popujt që kanë qenë në konflikt për një shekull të tërë, mund t’i lënë prapa përjetimet e hidhura të konfliktit, dhe të ndërtojnë paqe, të ndërtojnë raporte normale, dhe të sigurohen që më kurrë të mos lënë mundësinë për luftëra të përgjakshme.
Sot, me kënaqësi do të ndaj me ju, përjetimin ndoshta më të vështirë të tejkalimit të krizës, atë të konfliktit një shekullor më jetëgjatë, më të thellë dhe më të përgjakshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili me sukses të madh është përmbyllur me 19 prill 2013, në Bruksel.
Më lejoni të kthehem pak mbrapa, jo në vitin 1389, siç bëjmë zakonisht ne të Ballkanit, e as në historinë e konfliktit të ish-Jugosllavisë.
Kosova e shpalli pavarësinë më 2008, pas një periudhe intensive të negociatave të udhëhequr nga Përfaqësuesi i OKB, Presidenti Marti Ahtisaari.
Receta që përdori Presidenti Ahtisaari ishte i një kompromis i  thellë midis dy palëve: 
U propozua  pavarësi e kushtëzuar, sipas së cilës Kosova do të mund të shpallte pavarësinë, por nuk do të fitonte të drejtat e plota dhe sovranitet të plotë në vendim-marrje, derisa të implementojë reforma të thella, përfshirë edhe decentralizimin, si koncept i afrimit të pushtetit qytetarëve përmes komunave.
Kjo ishte mënyra për të mbrojtur dhe afirmuar minoritetin serb dhe të tjerët nga shumica  apo diskriminimi.
Mbi 60 kompetenca të ndryshme iu bartën komunave, e ndërkaq u krijuan disa komuna të reja me shumicë serbe.
Ky plan, edhe pse u pranua nga shumica absolute e shteteve të Grupit të Kontaktit, në mesin e të cilave ishte edhe Rusia, nuk  u pranua nga Serbia dhe nga një pjesë në veri të Kosovës, që ishte ilegalisht në kontroll të Qeverisë serbe dhe strukturave paralele, që nga fundi i luftës më 1999.
Kosova ishte e përkushtuar të ndërtojë institucione dhe të kërkojë njohje, dhe jam i lumtur t’ju njoftoj që tashmë shumica e shteteve të OKB-së e njohin Kosovën.
 Kosova  është bërë anëtare  e organizatave ndërkombëtare: e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore, dhe së fundi edhe e Bankës  Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Në veri, sipas hulumtimeve të vetë medieve serbe dhe shoqërisë civile, si dhe sipas të dhënave të OKB-së, krimi i organizuar dhe kontrabanda krijonte profite prej 60 milionë eurosh për strukturat ilegale, për shkak të moskontrollit të kufirit.
Në Samitin e Selanikut para një dekade u bë një premtim i madh nga BE – ja që i tërë Ballkani do të anëtarësohet në BE,  pasi që të përfundojmë reformat.
Mirëpo reformat e brendshme brenda shteteve nuk ishin kushti i vetëm i aspiratave për anëtarësim në BE.
Një kriter tjetër kyç ishte edhe tejkalimi i problemeve ndërshtetërore, pra fqinjësia e mirë ndërmjet shteteve  aspirante për anëtarësim në BE.
Dialogu ishte fillimisht teknik dhe ne u morëm vesh me Serbinë që Kosova mos të bojkotohet në organizata rajonale, që diplomat e Kosovës të njihen, që të dhënat e dokumentet kadastrale të Kosovës të kthehen, që Serbia mos të lëshonte më tabela të automjeteve etj.
Përkundër disa marrëveshjeve të arritura, u bë e qartë se në Serbi kishte një kufizim në pranim të realitetit. 
Në shumë aspekte, kapitujt kryesorë mbetën të hapur, sidomos pranimi i Serbisë se në Kosovë ka vetëm ligje të Kosovës, se nuk ka ambiguitet kushtetues se kush është zot i Kosovës në aspektin demokratik dhe në aspektin e sovranitetit. 
Baronesha Ashton dhe BE-ja dhe ne dy kryeministrat e shteteve, u pajtuam që të fillojmë të takohemi,  të hyjmë më thellë në obligime dhe të sjellim një normalizim të vërtetë të gjendjes.
Krijuam një situatë dhe një peisazh të ri ku të dy palët me të vërtetë fillojnë të shkruajnë një kapitull të ri të historisë, pa armiqësi dhe në kuadër të agjendës euro-atlantike.
U takuam plotë 11 herë dhe së bashku biseduam për 200 orë rresht.
Hymë në dialog të thellë, të përgjegjshëm, shpesh frustrues, shpesh me paragjykime, shpesh edhe me mospajtime të thella, por të dedikuar që mos të përfundojmë pa arritur deri te një marrëveshje fillestare kornizë, mbi parime të normalizimit, ku do të adresoheshin çështjet kryesore.
Baronesha Ashton luajti rol të për admirim me durimin, përkushtimin dhe vizionin politik të saj.
Mund të them se pas bisedave të lodhshme, arritëm deri te një sukses historik.

Marrëveshja në esencë është e thjeshtë.

Serbia e akcepton Kosovën si të tillë, ia njeh ligjet,  kushtetutën, nuk ia cenon sovranitetin dhe tërhiqet krejtësisht nga mbajtja dhe financimi i strukturave ilegale të sigurisë në Kosovë.
Serbia, po ashtu, zotohet, sipas Marrëveshjes  se nuk do ta bllokojë Kosovën në integrime europiane.
Ndërsa Kosova premton se do të garantojë fuqishëm implementimin e Marrëveshjes së Brukselit në tërë territorin, duke dhënë garanca dhe instrumente shtesë, konform kushtetutës sonë,  për serbët që jetojnë në veri të Kosovës.
Kemi siguruar se serbët në veri mund t’i lidhin komunat në një asociacion që do merret me çështje të vetëqeverisjes në nivelin lokal por edhe si një mekanizëm i rëndësishëm i serbëve të Kosovës, ku do të mund të adresohen çështjet dhe brengat e tyre.

Marrëveshja pastaj reflektohet në shumë fusha.

Në energjetikë ne duhet të kemi një sistem unik të transmisionit, sipas kartave europiane.
Në lëvizje të lirë ne duhet të kujdesemi që të kemi menaxhim të integruar të kufijve, ta ndalim krimin.   
Në interaksione multilaterale, ne duhet të kujdesemi që Kosova të bëhet anëtare e të gjitha organizatave që hyjnë nën ombrellën e integrimeve europiane.
Është me rëndësi që u morëm vesh të hapim Zyre Ndërlidhëse në kryeqytetet e tona.
Pasi që bëmë marrëveshjen historike, patëm ende takime për mënyrën se si do ta implementojë këtë marrëveshje.  
Cilët janë hapat e parë që duhet të merren, cilët të dytët?
Si të sigurojmë të mos ketë vakum të sigurisë në veri? 
Si të krijojmë përfaqësim demokratik dhe zgjedhje në veri me ligj të Kosovës?

Zonja dhe zotërinj,

Janë tre lloj sfida që shoh para nesh:

Sfida e parë 

Është inercioni i sistemit të vjetër dhe koncepteve të vjetra në Serbi. 
Është e qartë se kjo marrëveshje është e arritur historike, por është po ashtu e qartë se kërkon ndryshim rrënjësor të paradigmës dhe qëndrimit ndaj Kosovës.
Në Beograd- Kosovën duhet ta shikojnë si partnere dhe jo si armike apo provincë të kohërave të vjetra post-Otomane. 
Edhe Kosova nuk duhet ta sheh Serbinë, si të periudhës 1913 -1999. 
Ka ende mjaft forca në Serbi, por edhe në Kosovë që po pengojnë dhe po ngadalësojnë një proces të pajtimit.  E pamë këtë me dështimin e një samiti në Maqedoni. Kam shpresë se këto rezistenca do të diskutohen dhe qartësohen.
 

Popullata serbe në veri,  sipas sondazheve është pro normalizimit dhe  ka dëshirë të lëvizë përpara. Ne kemi dëshmi për këtë nga zyra jonë në veri, që shërben me mijëra qytetarë serbë, por ende ka elemente radikale që mundohen të bëjnë shantazhe.
Unë besoj fuqimisht se zgjedhjet demokratike dhe hyrja në sistem parlamentar dhe lokal do të zgjidh një pjesë të këtij problemi. 
Ne do të shpallim amnisti, që ata që nuk e njohën kushtetutën dhe ligjet e Kosovës të mund të ndjehen të sigurt. 
Por, nga ana tjetër,  duhet t’ua bëjmë të qartë kriminelëve se nuk do të gjejnë vend dhe hapësirë të lirë askund, as në Kosovë e as në Serbi.  

Sfida e tretë 

Lodhja europiane me zgjerim është një faktor i jashtëm që mund të sjell brenga.
Shtetet e BE-së kanë qenë vendimtare për kontributin që i kanë dhënë paqes, lirisë dhe stabilitetit në Ballkan, por kohërat kanë ndryshuar dhe kohërat janë shumë më stresuese për peizazhet e brendshme politike të këtyre shteteve.
Kjo sjell më shumë obligime posaçërisht për Kosovën, si shtetin e fundit që hyri në integrime formale europiane, që të bëjë reforma dhe të zbatojë hapat konkretë  që e përafrojmë shtetin tonë me BE-në.  
Por,  në disa shtete ende jeton paragjykimi që Ballkani sjell vetëm probleme.

Kjo nuk është e vërtetë.

Kosova ka shumëçka t’i ofrojë Europës.

Zonja dhe zotërinj,

Unë jam i bindur se në muajt e fundit ishim dëshmitarë të një kthese të vërtetë.
Unë si kryeministër i Kosovës në emër të qytetarëve të Kosovës e kam dëshmuar se ne jemi të gatshëm të lëvizim përpara dhe të hapim kapitullin e ri – atë të paqes dhe të bashkëpunimit reciprok.
Popujt tanë që kanë vuajtur shumë në të kaluarën e presin këtë nga ne liderët e sotëm. Ndërsa fëmijët tanë, do të na mallkojnë në rast se do të lëmë ndonjë konflikt të hapur për gjeneratën e tyre.
Normalizimi tek e fundit e sjell drejtësinë më të plotë të mundshme, të përfundimit të hartës konfliktuoze politike të Ballkanit një herë e përgjithmonë, dhe krijimit të fqinjësisë së mirë,  si vende kandidate në BE. 

 
Lajme Shqip Friday, 14 June 2013 10:02

Prishtinë – Sekretari i Përgjithshëm i AKR-së, Ibrahim Makolli, ka reaguar ndaj kërcënimeve të Partisë së Drejtësisë se do të largohen nga koalicioni nëse nuk marrin edhe dy poste qeveritare.

Makolli ka thënë se kreu i PDK-së, Hashim Thaçi bashkë me atë të AKR-së, Behgjet Pacolli, janë marrë vesh edhe për sa i përket posteve që i takojnë Partisë së Drejtësisë.

Makolli ka thënë për Express se kjo çështje do të zgjidhet në ditët në vazhdim në bisedime me partnerët e koalicionit.

“Ju e dini se ka pasur një pajtueshmëri edhe të Kryeministrit Thaçi edhe të Zëvendëskryeministrit Pacolli sa i përket çështjes se posteve qeveritare. Për të gjitha ato çështje që janë dakorduar dhe janë marrë vesh se do të realizohen”, ka thënë ai.

Zyrtarët e Partisë së Ferid Aganit kanë paralajmëruar se nëse nuk i jepen dy poste të Zëvendësministrave do të largohen nga Grupi Parlamentar i Koalicionit për Kosovë të Re, ku bëjnë pjesë AKR’ja, PD’ja dhe disa parti të tjera politike.

Në emër të PD-së, Jeton Svirca ka deklaruar se nëse nuk i plotësohen kërkesat atëherë do të themelojnë një grup të ri parlamentar për të bërë pastaj marrëveshje të re me Kryeministrin Thaçi.

Megjithëkëtë, zyrtarët e AKR -së shpresojnë se nuk do të ketë kurrfarë lëvizje sa i përket partneritetit me 

 
Lajme Shqip Friday, 14 June 2013 09:26

Des Moines – Në kryeqytetin e Iowa-s, Des Moines, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi u prit me nderime të larta në selinë e qeverisë, State Capitol, nga guvernatori i Iowa-s, Terry E. Branstad, nga senatorët e Iowa-s, Daryl Beall, Rita Hart, nga përfaqësues të shtetit: Dan Kelley, Deborah Berry dhe Mark Lofgren, si dhe nga përfaqësues të kulturës e të biznesit.

Fillimisht kryeministrin Thaçi e pritën senatorët dhe përfaqësuesit e shtetit të Iowa-s, duke e njoftuar me të arriturat e këtij shteti dhe lidhur me bashkëpunimin midis Iowa-s dhe Kosovës.

Kryeministri Thaçi mbajti një fjalë rasti në State Capitol, në praninë e senatorëve dhe përfaqësuesve të Iowa-s, të gjeneralit të Gardës së Iowa-s, Orr dhe presidentit të Bordit të drejtorëve organizatës Iowa Sister States, Tom Rial.

Kryeministri Thaçi falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që Kosovën e mbështetën në mënyrë të veçantë që nga procesi i rënies së komunizmit, duke çmuar kontributin e të gjithë presidentëve amerikanë.

Kosova është vend me fat që ka një shtet mik siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tha mes tjerash kryeministri Thaçi, dhe vlerësoi lart kontributin e shtetit të Iowa-s që në mënyrë të veçantë po ndihmon Kosovën, veçanërisht Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Kryeministri Thaçi kërkoi që fusha e bashkëpunimit të thellohet edhe në edukim, siguri agrikulturë dhe sektorë të tjerë. “Kosova ka nevojë për përvojën tuaj”, tha kryeministri Thaçi.

Thaçi u prit nga guvernatori Terry Branstad, i cili shprehu kënaqësinë për praninë e kryeministrit të Kosovës në shtetin e Iowa-s.

Kryeministri Thaçi bëri një rikapitulim të marrëdhënieve midis SHBA-ve dhe Kosovës, duke theksuar faktin që SHBA-të e kanë përkrahur Kosovën në momentet më të vështira historike, në të gjitha proceset që çuan në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

Guvernatori Branstad e siguroi kryeministrin Thaçi për thellim të bashkëpunimit edhe në fusha të tjera. Partneriteti dhe bashkëpunimi midis Kosovës dhe Iowa- do të thellohet me rastin e vizitës së guvernatorit Branstad brenda një periudhe të shkurtër në Kosovë.Kryeministri Thaçi vizitoi edhe kompaninë e fuqishme të industrisë ushqimore KEMIN dhe nga drejtuesit e saj u njoh me kapacitetet dhe cilësinë e punës së saj.

Në fund të vizitës, kryeministri Thaçi vizitoi bazën e forcave ajrore të Des Moines.

 
Lajme Shqip Thursday, 13 June 2013 15:08

New York- Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një shkrim autorial të botuar në gazetën e kongresit amerikan “The Hill”, ka shkruar se Kosova dhe Serbia janë dëshmi se ka mbaruar koha e armiqësive të vjetra dhe se nën ombrellën e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, edhe rajonet tjera të trazuara mund të shohin dritën.

 

Më poshtë, është shkrimi i kryeministrit i botuar në “The Hill”

 

Kur nënpresidenti Biden iu drejtua Parlamentit të  Bashkimit Evropian më 06 maj 2010, ai lavdëroi BE-në për ndërtimin e asaj që “duhet të jetë dukur si një fantazi” pas Luftës së Dytë Botërore: “një Evropë paqësore dhe e bashkuar”.
Për më tepër, Nënpresidenti vazhdoi, BE-ja ka krijuar një “komunitet të përkushtuar për mendimin e lirë, lëvizjen e lirë, dhe sipërmarrjen e lirë”. Një Evropë të cilën një historian e kishte  quajtur më shumë një ide sesa një vend”.
Kur të takoj sot më vonë zotin Biden, unë do të sjell lajme të mira në lidhje me atë se si një nga rajonet më të trazuara tradicionalisht të Evropës – Ballkani – është duke bërë paqe dhe duke avancuar idealet perëndimore. Avantazhet e përafrimit me komunitetin botëror të demokracive të tregut të lirë, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara dhe BE-në, janë duke inkurajuar kombet e Evropës Juglindore për t’u pajtuar me njëri-tjetrin dhe të reformojnë vetveten. 
Gjatë udhëtimit tim në SHBA, unë do të raportoj se një konflikt që nuk mund të zgjidhej për më shumë se një shekull është afër përfundimit paqësor. Me ndërmjetësimin e palodhshëm të shefes së Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe  Siguri, Catherine Ashton, dhe mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara, unë dhe  kryeministri serb Ivica Daçiç, para pak kohësh kemi nënshkruar marrëveshjen e parë të arritur ndonjëherë ndërmjet dy vendeve tona.
Duke arritur këtë mirëkuptim historik, ne duhet të dyfishojmë përpjekjet tona për ta zbatuar atë. Në takimin e mbajtur në Bruksel më 21 dhe 22 maj, me baroneshën Ashton nga BE-ja duke shërbyer si ndërmjetëse, unë dhe  kryeministri Daçiq diskutuam hapat specifik për të vënë marrëveshjen në fuqi. Si rezultat, ne kemi rënë dakord dhe kemi nënshkruar Planin e Implementimit, i cili tani është miratuar formalisht nga të dyja qeveritë.
Kuvendi i Kosovës ka votuar me shumicë dërmuese në mbështetje të marrëveshjes dhe Qeveria e Kosovës kërkon nga homologët tanë serbë që të vazhdojnë të mbështesin marrëveshjen si dhe të  punojnë në procesin e implementimit.
Në një dispozitë të rëndësishme, marrëveshja jonë siguron të drejta shtesë dhe gjithëpërfshirëse për pjesën veriore të Kosovës me shumicë etnike serbe. Qeveria e Kosovës është duke bërë përpjekje të mëdha  të integrojë serbët të cilët jetojnë në pjesën veriore në institucionet dhe shoqërinë  e Kosovës, duke krijuar  komuna me shumicë serbe që garantojnë të drejtat politike, ekonomike dhe socio-kulturore.
Kjo përpjekje nuk ka të bëjë vetëm me zbatimin e marrëveshjes sonë me Serbinë. Kjo ka të bëjë me atë që ne sigurojmë se vendi ynë është një demokraci e larmishme. Ne duam të sigurohemi që komuniteti serb, kultura e tyre dhe institucionet e tyre fetare, duke përfshirë kishat dhe manastiret, respektohen dhe mbrohen. Duke bërë këtë, ne jemi duke demonstruar se ne mund të jemi një vend demokratik, multietnik, multikulturor dhe multi-fetar.
Në këtë frymë, gjatë javës së tretë në muajin maj, Kosova ka mbajtur një seri ngjarjesh që promovojnë pajtimin, tolerancën dhe respektin e ndërsjellë ndërmjet bashkësive tona fetare, duke përfshirë shumicën myslimane, pakicën ortodokse serbe, katolikët, protestantët dhe hebrenjtë. Më 23 maj, memoriali për viktimat e Holokaustit u përurua në vendin e sinagogës së fundit të mbijetuar në kryeqytetin tonë, në Kosovë.
Promovimi i diversitetit është pjesë e asaj që do të thotë të jesh anëtar i familjes evropiane të demokracive të tregut të lirë. Ne jemi duke përqafuar vizionin evropian të të drejtave të barabarta dhe respektit të ndërsjellë, i shprehur jo vetëm në dokumentet historike në letër, por edhe në praktikë. 
Për Kosovën dhe Serbinë, perspektiva e pjesëmarrjes së plotë në BE është  nxitje dhe  frymëzim për përpjekjet tona që të arrijmë pajtimin dhe reformat. Marrëveshja jonë nënvizon se as Serbia e as Kosova nuk do të pengojnë – ose inkurajojnë të tjerët të pengojnë – progresin e njëri-tjetrit drejt integrimit në BE.
Kjo ndihmë reciproke nga ish-kundërshtarët është duke inkurajuar BE-në të lëvizë përpara me bisedimet rreth anëtarësimit me të dy vendet  tona. Në të vërtetë, Komisioni Evropian i ka kërkuar BE-së të caktojë datën për negociata me Serbinë për anëtarësim, ndërsa gjithashtu ka rekomanduar hapjen e negociatave me Kosovën për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit – një hap kyç drejt anëtarësimit. Nëpërmjet tregtisë së lirë me BE-në, si pjesë e kësaj marrëveshjeje, Kosova mund të rrisë eksportet e saj për në 27 vendet anëtare, duke ndihmuar në këtë mënyrë gjenerimin e vendeve të punës dhe ndërtimin e bizneseve në vendin tonë.
Me mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia mund të dëshmojnë se ka mbaruar koha e armiqësive të vjetra edhe për rajonet e tjera të trazuara dhe se është më mirë të ndërtojmë një të ardhme të përbashkët për paqe dhe prosperitetit, në vend se të lejojmë që  të acarohen  përgjithmonë urrejtjet arkaike. Shembulli ynë mund të shërbejë si frymëzim për një botë të lodhur nga lufta.

 
Lajme Shqip Tuesday, 11 June 2013 14:28

Washington – Në kuadër të vizitës zyrtare që po zhvillon në SHBA, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pasur një takim të veçantë me drejtorin e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), John Brennan.

Në këtë takim, Thaçi dhe Brennan kanë diskutuar çështje të ndryshme të interesit të përbashkët, thuhet në njoftimin për media të Kryeministrisë.

 
Lajme Shqip Tuesday, 11 June 2013 10:21

Prishtinë – Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është pritur në Shtëpinë e Bardhë nga zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të AmerikësJoe Biden.

Zyrtari amerikan ka riafirmuar “partneritetin e ngushtë të SHBA-së me Kosovën, si dhe mbështetjen e palëkundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të saj”.

Siç bën të ditur Shtëpia e Bardhë, zoti Biden ka lavdëruar udhëheqjen dhe kurajën politike, të demonstruar nga kryeministri Thaçi dhe Qeveria e Kosovës në arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Zëvendëspresidenti ka nënvizuar rëndësinë e zbatimit të plotë dhe të shpejtë të marrëveshjes, për të shfrytëzuar këtë mundësi historike për të siguruar paqe dhe prosperitet për popullin e Kosovës dhe të Serbisë, si dhe për të avancuar aspiratat evropiane të të dyja vendeve”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

Po sipas tij, Biden ka përsëritur se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah Kosovës si partnerë dhe miq dhe besojnë në thellimin e mëtejshëm të partneritetit.

Kryeministri Thaçi, nga ana e tij, ka thënë se marrëveshja me Serbinë nuk është fundi i normalizimit, por fillimi i tij, ndërsa tani “fjalë kyçe është implementimi i plotë i saj”.

“Pa përkrahjen e SHBA-së, kjo marrëveshje nuk do të ishte e mundur. Garancitë dhe qëndrimet e SHBA-së kanë qenë vendimtare”, citohet të ketë thënë kryeministri Thaçi.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë në Uashington, ai ka thënë se Serbia është duke bërë përpjekje për të vonuar procesin e zbatimit, por është shprehur optimist se grupet teknike të të dyja vendeve do të arrijnë pajtim dhe se implementimi do të nisë sa më parë që të jetë e mundur.

”Ka tendenca të zhargitjes, por jam i bindur që implementimi do të ndodhë. Është një proces i pakthyeshëm, i pandalshëm dhe jetik”, ka thënë Thaçi.

Sipas tij, ky proces mund të sjellë lirinë e lëvizjes, shpërbërjen e strukturave paralele, ligjin dhe rendin, instalimin e policisë së Kosovës dhe po ashtu mjedisin për mbajtjen e zgjedhjeve të lira lokale në tetor të këtij viti.

Duke pranuar se marrëveshja ka kundërshtarët e saj në Serbi dhe Kosovë, Thaçi ka thënë se ajo është marrëveshja më e mirë në këtë moment midis dy vendeve.“Në marrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë, nuk ka humbës, ka fitues; fitues janë Kosova, Serbia, rajoni, investimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian. Unë i kuptoj zërat kritikë. Marrëveshja nuk është populiste në kuptimin elektoral. Është marrëveshja më e mirë e mundshme për momentin në mes të dy shteteve tona, për normalizimin e marrëdhënieve, për të ecur përpara, për të lëvizur drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, ka thënë Thaçi.

 

12