12
 
Lajme Shqip Wednesday, 24 April 2013 16:30

Prishtinë – Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, ka shqyrtuar sot raportit vjetor të EULEX për vitin 2012 që ka të bëjë me personat e zhdukur. Sipas anëtarëve të këtij Komisioni, raporti në fjalë ka shumë paqartësi dhe mangësi, gjë e cila ka bërë këtë komision që ta ftojë për dëgjim përfaqësuesin e EULEX-it dhe Drejtorin e Departamentit për Mjekësi Ligjore, Arsim Gërxhaliun.

Kryetarja e komisionit, Suzan Novobërdali, ka folur për punën e EULEX-it në gjetjen e të zhdukurve në veri të Mitrovicës, duke thënë se familjarët janë ankuar se ky mision ndërkombëtar nuk po bën asgjë në këtë drejtim.

Nënkryetarja e parë e Komisionit, Rita Hajzeraj – Beqaj, ka folur për kompetencat që EULEX ka thënë se do t’ia bartë Ministrisë së Drejtësisë, por pasi kjo e fundit ta dëshmojë se po e kryen punën ashtu siç duhet.

Sipas saj, në raport të EULEX-it, ky i fundit thotë se fillimisht do ta shohë MD-së se a do t’i kryej punët siç duhet, pastaj do t’ia lë kompetencat asaj.

Ajo ka propozuar që të ftohen zyrtarët e EULEX-it për ta sqaruar se çka kanë dashur të thonë me këtë gjë.

Kurse anëtarja e këtij Komisioni, Kimete Bajraktari, duke folur për raportin e EULEX-it, ka vënë në dukje mungesën e shifrave për të zhdukurit dhe punën e EULEX-it.

Duke marrë parasysh këto paqartësi, edhe ajo ka kërkuar që të ftohet përfaqësuesi i EULEX-it për të sqaruar detajet e raportit.

Ndërkaq, më kritike në këtë në punën e EULEX-it ka qenë anëtarja e komisionit, Albana Gashi, ku sipas saj, EULEX-i asgjë nuk ka bërë sa i përket gërmimeve në pjesën veriore të Mitrovicës për gjetjen e të zhdukurve.

Në këtë drejtim, Komisioni rekomandoi që në mbledhjen e ardhshme të ftohet për dëgjim përfaqësuesi i EULEX-it dhe Drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu.

Për më tepër, Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, ka diskutuar edhe rreth punës që është duke e bërë grupi punues lidhur me aktivitetet për monitorimin e Ligjit për Personat e Zhdukur.(K.P/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 11 April 2013 18:32

Prishtinë – Familjarët e personave të pagjetur kanë shprehur edhe një herë shqetësimin e tyre për fatin e më të dashurve, të zhdukur para 14 vitesh. Në prag të ditës kombëtare të të zhdukurve më 27 Prill, Bajram Çerkini, përfaqësues i familjarëve të personave të zhdukur ka kritikuar zyrtarë të institucioneve se brengat e tyre po neglizhohen vite me radhë, transmeton KTV.

“Ne e dimë se edhe bashkësia ndërkombëtare nuk po bënë punë sa duhet por jemi të indinjuar me zyrtarët vendorë të cilët thjeshtë po flenë dhe nuk po kryejnë punën e tyre. Është shumë për t’u shqetësuar fakti që derisa bëhen gërmime në një lokacion në veri të Mitrovicës nga EULEX-i dhe zyrtarë të mjekësisë ligjore nuk merr pjesë asnjë anëtar i komisionit nga Kosova e asnjë patolog për vlerësime, por ato kryhen në prezencë të komisionit të ardhur nga Beogradi”, ka thënë Çerkini.

Ndërkaq kryetari i komisionit qeveritar për të zhdukurit Prenk Gjetaj ka thënë se bashkëndjejnë shqetësimin me familjarët. Ai ka thënë të jetë në dijeni për gërmimet që janë bërë në veri të Mitrovicës ku janë gjetur shtatë trupa të cilët presin të identifikohen. “Numri i madh i të zhdukurve na obligon të punojmë edhe më tutje në këtë drejtim ndërsa i mbështesim edhe familjarët të cilët mund të na ndihmojnë në drejtim të zbardhjes së fatit të tyre”, ka thënë Gjetaj. Ai ka treguar se do të kërkohet shqyrtim të punës së mjekësisë ligjore pasi janë verifikuar 19 trupa te të cilët është bërë gabim në identifikim. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 15 January 2013 12:42

Reçak – Fshatarët e Reçakut sot kujton të afërmit e tyre të cilët para katërmbëdhjetë viteve u vranë e u masakruan barbarisht nga formacionet e policisë speciale, militare dhe paramilitare serbe.

Në orët e hershme të mëngjesit të datës 15 janar 1999, ashtu siç ishte planifikuar në Beograd, fshati Reçak u zgjua i rrethuar nga formacionet e policisë speciale, militare dhe paramilitare serbe të shoqëruar edhe me mjete të shumta të motorizuara.

Sipas dëshmitarëve që kanë mbijetuar krimin, aty rreth orës 6.30 minuta forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të granatojnë fshatin. Në këto momente mjaftë të rënda, fshatarët janë përpjekur të largohen nga fshati apo të gjejnë një vendstrehim më të sigurt, por rrethimi i hekurt e ka bërë të pamundur një gjë të tillë dhe pikërisht në këtë ditë në Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur, në mesin e të cilëve ishte edhe një grua.

Të nesërmen, në Reçak do të shkojë ish-shefi i misionit të OSBE-së, William Walker, për të parë nga afër këtë ngjarje të tmerrshme kriminale.

“T’i shohësh kufomat kështu me fytyra të shkatërruara, që si duket janë bërë nga armët që janë mbajtur afër kokave të tyre, t´i shohësh 15 në një gropë, dhe në një mënyrë të ekzekutuar, mendoj se më nevojiten disa minuta para se të përcaktohem se çka dua të them“, pohoi Walker.

Dhe, menjëherë në konferencën me gazetarë pa ngurrim ai deklaroi se nga ajo që pa, ka ndodhur masakër dhe krim kundër njerëzimit.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 07 January 2013 19:33

Prishtine – Takimi i radhës në nivel komisionesh për persona të pagjetur ndërmjet Kosovës e Serbisë do të mbahet në Prishtinë, por nuk është caktuar ende data për këtë takim, njoftuan përfaqësues të komisionit kosovar.

Gjatë vitit 2012 ishin mbajtur tri takime ndërmjet komisioneve përkatëse të të dyja palëve, ndërsa shpresat për intensifikimin e punës u rritën tek pala kosovare pas takimit të tretë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologut të tij serb, Ivica Daçiq.

Në komunikatën e lëshuar për këtë takim nga ndërmjetësuesja e dialogut, shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, thuhej se “të dy kryeministrat janë pajtuar të shtojnë bashkëpunimin ndërmjet komisioneve përgjegjëse për persona të pagjetur”.

Por, anëtari i Komisionit për Persona të Pagjetur dhe shef i delegacionit teknik për këtë çështje, Pajazit Nushi, tha se nuk pret ndonjë “mrekulli” nga gatishmëria e të dy liderëve.

“Nuk presim ndonjë mrekulli të këtyre bisedave ndërmjet kryeministrit të Serbisë Daçic dhe të kryeministrit të Kosovës zotëri Hashim Thaçi. Me siguri çështja do të intensifikohet, por rezultatet e saja i presim më vonë se sa që është durimi ynë për të ardhur deri në finalizimin e kësaj çështjeje”, tha ai.

Përfaqësuesit e organizatave për të drejtat e njeriut në Prishtinë parashikuan procese të gjata dhe të ndërlikuara që do të nisnin me hapjen e çështjes së zhdukjes së personave gjatë luftës së në Kosovë.

Behxhet Shala, Drejtor ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut u shfaq pesimist për intensifikimin e punës së komisioneve për të pagjetur të të dyja palëve në këtë fazë.

“Edhe në Serbi edhe në kosovë ka persona të cilët në rrethana normale do të duhej të jepnin llogari për ata të cilët sot llogariten si të pagjetur-qofshin shqiptar, serbë, romë dhe të tjerë. Në këtë fazë të procesit të bisedimeve politike Kosovë-Serbi nuk do të intensifikohet çështja e të pagjeturve, sepse ajo hapë plagë të vjetra. Ajo kërkon pastaj përgjegjësi për ata të cilët do t’i japin informacionet apo do të ishin bashkëpunues në këtë proces”, tha ai.

Shef i delegacionit teknik për të pagjeturit, Nushi, tha se megjithatë do të këmbëngulet në bashkëpunimin e autoriteteve serbe në çështjen e të zhdukurve në Kosovë.

Ai paralajmëroi se do të insistohet që temë kryesore e takimit të radhës me delegacionin serb të udhëhequr nga Velko Odalloviq të jetë çështja e varrezës masive në afërsi të Rashkës.

“Në agjendën numër një të bisedave me Serbinë këtë vit do të jetë çështja e identifikimit të plotë të varrezës masive afër Rashkës, për të cilën Prokuroria për Krime të Luftës në Serbi ka dhënë deklaratë publike. Sipas kësaj deklarate, në këtë varrezë masive duhet të gjinden rreth 250 trupa të shqiptarëve”, tha Nushi.

Takimet e komisioneve për të pagjetur ndërmjet Kosovës e Serbisë ndërmjetësohen nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar.

Afro 14 vite që nga paslufta në Kosovë mbesin të zhdukur më se 1.700 persona. (REL/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 12 November 2012 16:55

Prishtinë – Komisioni Qeveritar për persona të zhdukur në një takim me familjarë të personave të pagjetur ka raportuar për takimin e fundit që kanë pasur në Beograd me delegacionin serb. Sipas Kryetarit të KQPP Prenk Gjetaj, Rashka mbetet ende një lokacion i dyshuar, ku mund të jenë varrosur viktimat e krimeve serbe në Kosovë. Ai tha se është i nevojshëm një presion ndërkombëtar ndaj Serbisë në mënyrë që kjo e fundit të jap më shumë informacione rreth të pa gjeturve.

Nëntë lokacione të dyshuara si varreza masive janë në proces për hulumtime derisa edhe 14 të tjera priten të gërmohen ka bërë të ditur kryetari i Komisionit për Persona të Pagjetur, Prenk Gjetaj.

Pas një takimi që pati ai me familjarë të personave të pagjetur, Gjetaj tha se disa nga lokacionet e dyshuara i përkasin veriut të vendit dhe për shkaqe sigurie ato ende nuk janë hapur. Ai po ashtu tha se Rashka në Serbi ende mbetet një rajon i dyshuar.

“Për çështjen e Serbisë ne vazhdimisht kemi thënë se rajoni i Rashkës është i dyshuar. Edhe ata në një mënyrë e kanë pranuar dhe faktikisht e dinë por duhet një trysni , një presion dhe në takimin e fundit në Beograd që e kemi pasur e kemi ngritur këtë çështje . Vetëm, me një presion ndërkombëtar mund të detyrohet Serbia se derisa ata kanë pranuar se gjendet një varrezë le të na tregojnë se ku gjendet ajo varrezë”, tha Gjetaj.

Gjetaj shpreson se çështja e personave të pagjetur do të avancohet edhe në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Ndërkaq në kuadër të projektit sheshi “Ibrahim Rugova” do të vendosen edhe fotografitë e personave që kërkohen prandaj në takimin e sotëm kjo çështje u diskutua edhe me ekspertët e urbanizmit të Komunës së Prishtinës.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 04 October 2012 14:23

Prishtinë – Raportuesi i PE për Serbinë Jelko Kacin ka përfundon sot vizitën dyditor në Kosovë.

Në fokus të takimeve me zyrtarë të lartë të Kosovës dhe Euleks-it ka qenë fati i personave të zhdukur.

Kacin dje ka zhvilluar takime me zëvendësshefin e EULEX-it Andy Sparks dhe zëvendëskryeministrin Sllobodan Petroviç, kurse sot një takim e ka zhvilluar edhe me kryeministrin Hashim Thaçi dhe  përfaqësuesin e BE-së në Kosovë Samuel Zhbogar.

Kacin në të gjitha takimet ka theksuar nevojën e intensifikimit të përpjekjeve për zbardhjen e  fatit të të zhdukurve.

Ai ka thënë se tema e të pagjeturve duhet të jetë domosdo në tavolinën e dialogut të ardhshëm në nivel të lartë që do të zhvillohet midis Kosovë dhe Serbisë. Familjet e të zhdukurve duhet të dinë të vërtetën për fatin e më të dashurve të tyre.

Ndonëse kanë kaluar 13 vjet pas luftës në Kosovë ende nuk dihet asgjë për fatie edhe të 1700 të zhdukurve. (lajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 01 October 2012 13:54

Prishtinë – “Stacioni i fundit” në titull duket si një pikë ku nuk lëviz asgjë, por në shfaqjen që mban këtë titull ajo përmbledh tri kohë: të kaluarën të tashmen dhe të ardhmen (e pasigurt). Burimi shëtit në një mjegullnajë të dendur e të ftohtë tek kërkon të vërtetën e familjes të së fejuarës së tij të pagjetur që prej përfundimit të luftës së fundit në Kosovë. Në absurditetin e të panjohurës ai personifikon fatin njerëzor. E rrugëtimi për zbardhjen e tij vazhdon. Edhe në të ardhmen e largët (në vitin 2015). Burimi është personazhi kryesor i shfaqjes “Stacioni i fundit”, premiera e së cilës u dha të enjten mbrëma në teatrin “Oda”. Me shfaqjen me tekst të Lirak Çelajt, i cili njëherësh ka bërë edhe regjinë bashkë me Florent Mehmetin, është hapur sezoni i këtij teatri.

“Shfaqja iu përkushtohet kryesisht familjeve të humbura, viktimave dhe të gjithë atyre që kanë dhënë jetën për liri, dhe thjesht e trajton problemin e të zhdukurve, që po i mundon ende familjet në Kosovë. Jam munduar që të bashkëndiej me ta, e kryesisht edhe publikun ta shtyj që ta marrë nga një copë dhimbje nga ata që i kanë humbur më të dashurit e vet”, ka thënë Çelaj fill pas përfundimit të premierës. Publikun e ka mbërthyer “Stacioni…”. Shumica janë parë të emocionuar tek dilnin nga teatri.

“Një shfaqje prekëse duke e pasur parasysh vetë temën e trajtuar. I gjithë ekipi kishin bërë një punë shumë të mirë,  sidomos aktorët, të cilët ishin përshtatur aq mirë me personazhet e tyre duke na dhënë një shfaqje e cila më të vërtetë meriton vlerësimet më të larta”, ka thënë Arta Zajmi, studente në UP.

“Stacioni…” zgjon kujtimet e trishta. Ideja për këtë shfaqje Çelaj ka thënë se  i kishte lindur tek kishte lexuar romanin e Ibrahim Kadriut “Zogjtë fluturojnë vetë”.

E për bashkëregjisorin e shfaqjes, Florent Mehmeti, inskenimi i “Stacionit…” ka qenë proces i vështirë, pasi që është punuar me një stil dhe me një mënyrë të punës, pak më të rëndë dhe më të jashtëzakonshme. “Duke i pasur parasysh këto jam shumë i kënaqur me atë që është prezantuar sonte para publikut dhe besoj që këto fjalë do t’i marr edhe prej publikut e prej njerëzve të tjerë”, ka thënë Mehmeti. Shfaqja, sipas tij, trajton një temë të rëndë. “Por në të njëjtën kohë është temë e jona, temë të cilën ne e hapim çdo ditë”, ka thënë ai.

Për aktorin kryesor të kësaj shfaqjeje, Besnik Krapi, kjo temë është trajtuar edhe më herët po shumë pak në formën siç e trajton “Stacioni…”. “Shfaqja është e natyrës fragmentare, e cila kërkon përkushtim të madh në aspektin fizik, por shfaqja trajton një temë e cila duhet të ketë shumë seriozitet”, thënë ai. Krapi ka thënë se përshtatja në role nuk ka qenë punë e lehtë. “Por ne jemi aktorë dhe duhet t’u përshitemi, por problemi ka qenë për shkak të temës së ndjeshme. Megjithatë, besoj se secili prej nesh, ke aktor apo jo, mund t’ia arrijë, sepse është temë që na brengos të gjithëve tash  12 vjet e më tepër”, ka shtuar ai.

Në dramën “Stacioni i fundit” përveç Besnik Krapit luajnë edhe Liridona Shehu, Eshref Durmishi, Ilire Çelaj, Adrian Morina e Kushtirm Sheremeti.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 30 August 2012 17:38

Prishtinë – Me rastin e 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, presidentja Atifete Jahjaga ka theksuar përmes një deklarate se personat e pagjetur janë një nga plagët më të rënda të luftës së fundit në vendin tonë.

“Çështja e të pagjeturve është një trashëgimi e dhimbshme e luftërave në rajon dhe posaçërisht në Kosovë, një prej çështjeve që kërkon angazhimin e plotë dhe të pakursyer të të gjithë faktorëve vendorë dhe ndërkombëtarë.

Institucionet e Republikës së Kosovës nuk do të pushojnë së angazhuari derisa të zbardhet fati i secilit person që u mungon tash e sa vjet familjarëve dhe ato vazhdimisht po angazhohen që të gjithë kriminelët të dalin përpara drejtësisë. Çështja e të pagjeturve është një nga çështjet më të rëndësishme që do të dialogohet me Serbinë dhe ne kërkojmë që kjo çështje të trajtohet me përparësi.

Presidentja Jahjaga, që në fillim të mandatit, ka shtruar me kryeministrin dhe kryetarin e komunës së Prishtinës idenë për ngritjen e një obelisku në kujtim të dëshmorëve dhe personave të pagjetur të luftës”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Presidencës.

***********************************

Kreu i legjislativit, Jakup Krasniqi dhe ai i Prishtinë, Isa Mustafa, kanë vënë gurin themeltar të obeliskut në kujtim të të zhdukurve, i cili do të zëvendësojë fotografit e tyre dhe do të ndërtohet në oborrin e Kuvendit. Krasniqi duke folur në emër të popullit të Kosovës ka kërkuar drejtësisë për të gjithë të zhdukurit dhe dënim për
kryerësit e krimit.  Ndërkaq Isa Mustafa ka thënë se ndanë dhembjen më familjarët dhe ka kërkuar nga përgjegjësit që të punohet më shumë në zbardhjen e fati të të pagjeturve.

Edhe koalicioni “KOMRA”, i udhëhequr nga Natasha Kandiq, u ka bërë thirrje qeverive të vendeve të ish-Jugosllavisë që ta ndërpresin heshtjen për varrezat e fshehta.

*********************************

Kjo është një çështje e ndjeshme që i ka prekur mijëra njerëz në Kosovë dhe për EULEX-in është jashtëzakonisht e rëndësishme” ka deklaruar sot u.d. shef i misionit EULEX Andy Sparkes me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Zhdukurve. Sipas tij kjo është arsyeja pse EULEX-i e ndihmon Departamentin e Mjekësisë Ligjore (DML) të Ministrisë së Drejtësisë të Kosovës në përpjekjet intensive të tij për ta ndriçuar fatin e të Zhdukurve.

“Përveç kësaj, EULEX/DML bashkërendojnë në mënyrë intensive me shoqatat e familjeve, me familje individuale dhe me aktorë të tjerë”, thuhet sipas InfoGlobe në komunikatën e EULEX-it.Sparks më tej theksoi se “që prej se EULEX-i ka filluar të punojë me Departamentin e Mjekësisë Ligjore në dhjetor 2008, familjeve të tyre u janë kthyer mbetjet mortore të 313 viktimave të konfliktit.

Këtu përfshihen 238 persona të zhdukur të cilët janë gjetur pas një pune intensive në terren (në më shumë se 340 operacione në terren), me anë të analizave laboratorike (punës intensive në obduksione dhe identifikime, përfshirë mbi 1660 mostra eshtrash të marra për analizë të ADN-së), si dhe me anë të shqyrtimit të materialit arkivor (mbi 5000 dosje)”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 29 August 2012 12:07

Ballkan – Grupi për të drejtat e njeriut, Amnesty International i bëri thirrje autoriteteve në shtetet e Ballkanit që të hetojnë fatin e rreth 14 mijë personave ende të pagjetur nga konfliktet e rajonit të viteve ’90 dhe për të ndëshkuar ata që janë përgjegjës për “zhdukjet”.

Thirrja është bërë në një deklaratë të lëshuar nga Amnesty International para “Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve”, që shënohet të enjten më 30 gusht.

Në deklaratë thuhet se “njerëzit që jetojnë në Ballkan nuk e kanë mbyllur kapitullin e zhdukjeve”.

Jezerca Tigani, zëvendëdrejtoreshë e programit të Amnesty International për Evropë dhe Azi Qendrore i bëri thirrje qeverive që të “sigurojnë drejtësi për të gjitha viktimat dhe familjet e tyre.

Deklarata akuzon autoritetet në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë, Serbi, Mal të Zi, Maqedoni dhe Kosovë për dështimin e tyre që “t’iu përmbahen detyrimeve ligjore ndërkombëtare për të hetuar dhe ndjekur penalisht në mënyrë efektive” rastet mbi personat e pagjetur. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 06 April 2012 12:29

Prishtinë- Qeveria e Republikës së Kosovës angazhohet për zbardhjen e fatit të të gjithë qytetarëve të zhdukur në vitin 1999 gjatë luftës në Kosovë. “Një angazhim të tillë presim edhe nga autoritetet e shtetit të Serbisë dhe nga faktorët ndërkombëtarë, që të ofrojnë të dhënat për të gjithë qytetarët e zhdukur gjatë luftës”, theksohet sot, në një komunikatë të qeverisë së Kosovës.

Komisioni ndërministror i Republikës së Kosovës për Persona të Zhdukur ka bërë kërkesa të shumta dhe ka ofruar dëshmi të ndryshme për supozimet dhe mundësitë e ekzistimit të varrezave në territorin e Serbisë, por deri tani nuk janë kryer hulumtimet të plota nga ana e shtetit serb. Si pasojë, që nga viti 2006 institucionet zyrtare të Kosovës nuk kanë pranuar nga Serbia asnjë mbetje mortore të personave të zhdukur.

Njoftohet se mbetje mortore, të identifikuara përmes analizës së ADN-së, të katër personave të zhdukur si pasojë e luftës gjatë viteve 1998 -’99, janë dorëzuar dje nga institucionet relevante të Republikës së Kosovës, në afërsi të vendkalimit kufitar Nr 3. Pranimi i mbetjeve mortore është bërë nga ana e familjarëve, të shoqëruar nga përfaqësues të Komisionit Qeveritar të Republikës së Serbisë për Persona të Zhdukur.

Edhe sot, në Departamentin e Mjekësisë Ligjore, do të bëhet dorëzimi i mbetjeve mortore të katër personave të zhdukur, gjithashtu të identifikuar përmes analizës së ADN-së.

Edhe EULEX dje njoftonte se ekspertët mjeko-ligjorë dhe homologët e tyre vendor nga Departamenti për Mjekësi Ligjore (DML) kanë dorëzuar mbetjet mortore të katër personave të cilët ishin zhdukur në vitin 1999 gjatë konfliktit në Kosovë. Këto mbetje mortore ju dorëzuan familjarëve dhe përfaqësuesve të Komisionit të Qeverisë së Serbisë për Personat e Pagjetur në Merdar.

Sipas njoftimit, këta persona u identifikuan nga ekspertët e mjekësisë ligjore të EULEX-it me anë të kombinimit të analizave të ADN-së dhe analizave mjeko ligjore antropologjike.

Dje, Alan Robinson, bashkë-drejtues i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, tha se “Departamenti për Mjekësi Ligjore dhe ekspertët mjeko ligjor të EULEX-it i kanë dorëzuar mbetjet mortore të katër personave të cilët ishin të zhdukur prej vitit 1999. Nesër do të dorëzojmë më shumë. Me këto, numri i përgjithshëm i mbetjeve të dorëzuara arrin në 291 që prej fillimit të Misionit tonë. Së shpejti do t’i dorëzojmë së paku edhe dhjetë mbetje mortore të identifikuara.

“Megjithatë, është me rëndësi të mos harrojmë se 1790 persona janë ende të pagjetur. Çështja e personave të pagjetur është e ndërlikuar dhe e ndjeshme. EULEX-i dhe DML-ja do ta vazhdojnë punën e tyre intensive për ta ndriçuar fatin e sa më shumë prej tyre që është e mundur” tha Robinson.

Edhe EULEX njoftonte se sot në Departamentin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë do të dorëzohen mbetjet mortore edhe të katër personave tjerë të cilët ishin zhdukur gjatë konfliktit. (LajmeShqip.com)

12