Lajme Shqip Monday, 24 June 2013 14:07

Prishtinë – Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës (KQSHM) ka publikuar sot rezultatet e provimit të maturës të afatit të qershorit. Sipas njoftimit nga Ministria e Arsimit, nga 31.628 maturantë, sa kanë marrë pjesë në provim, kanë kaluar 23.531 sish  (74.5 për qind).

Gjatë tri ditëve të ardhshme do të jetë afati për ankesa, ndërsa publikimi i rezultateve të ankesave do të bëhet më 28 qershor.

Të gjithë ata që nuk e kanë kaluar provimin në këtë afat, do të kenë edhe një mundësi në afatin e gushtit.

 
Lajme Shqip Saturday, 15 June 2013 15:43

Prishtinë – Në Kosovë, në 305 qendra, maturantët i janë nënshtruar pjesës së dytë të testit të maturës shtetërore në lëndët profesionale, sipas profileve përkatëse.

Zyrtarët e Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës kanë njoftuar se për mbarëvajtjen e procesit janë angazhuar mbi 2,500 administrues dhe mbi 900 anëtarë të komisioneve në Qendrat e Testimit, të cilat qendra janë të mbuluara me së paku dy përfaqësues nga tri universitetet publike të Republikës së Kosovës.
Publikimi i rezultateve do të bëhet më 24 qershor.
Ankesat e nxënësve pranohen nga data 25 deri më 27 qershor dhe publikimi i rezultateve me ankesa do të bëhet më 28 qershor.

 
Lajme Shqip Monday, 03 June 2013 14:27

Prishtinë- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka shprehur shqetësimet e saj në lidhje me ecurinë e mbajtjes së testit të maturës, duke thënë se edhe këtë vit, janë bërë lëshimet ashtu si në vitet paraprake.
Kryesuesi i Departamentit të AAK-së për Arsim, Jonuz Salihaj, ka thënë se “madje këtë vit ka ndodhur një thellim më i madh i lëshimeve”.
“Është e papranueshme që maturantët të presin me orë të tëra që t’i kenë testet në sallat e testimit, siç ndodhi të shtunën me 1 qershor.Kur kësaj i shtohet edhe momenti i organizimit të këtij testimi, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, shqetësimi bëhet edhe më i madh, sepse shkalla e shkeljes së këtyre të drejtave, në vend që bile në këtë ditë të eliminohej, përkundrazi u shoqërua me përshkallëzim evident.Përveç vonesave evidente kanë mbetur edhe problemet e shënuara vite me radhë, problemet me hapësira, salla të mbipopulluara, të cilat krijojnë kushte të favorshme për përdorimin e mjeteve të ndaluara për kopjim, e mos të pyesim për bashkëpunimin në mes të nxënësve, që asnjëherë nuk është penguar”, ka thënë veç tjerash Salihaj.

 
Lajme Shqip Saturday, 01 June 2013 12:54

Prishtinë – (E plotësuar) Rreth 34 mijë maturantë kosovarë iu nënshtruan pjesës së parë të provimit të maturës, në 305 qendra të testimit në gjithë vendin.

Me këtë rast, si njofton MASHT-i, ministri i Arsimit, Ramë Buja, i shoqëruar nga zëvendësministri, Nehat Mustafa, rektori i UP-së, Ibrahim Gashi, dhe drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Halim Halimi, kanë vizituar maturantët që i janë nënshtruar provimit të maturës në qendrën e testimit në shkollën “Xhemajl Mustafa” në Prishtinë.
Aty, ministri Buja ka parë nga afër se si po shkon procesi i testimit dhe ka bashkëbiseduar shkurt me maturantët rreth shqetësimeve të tyre në lidhje me këtë test.
Më pas, në një prononcim për media, ministri Buja tha se sot kanë ankth jo vetëm këta nxënës që janë në testin e maturës, por edhe prindërit.“Unë ju them se nuk duhet ta kenë këtë ankth, sepse janë siguruar të gjitha kushtet që është dashur të sigurohen, të gjitha përgatitjet janë bërë që ky testim të shkojë sa më mirë, duke përfshirë këtu edhe gjithë nivelin pedagogjik arsimor dhe teknik”, tha ai.
Si probleme që janë shfaqur sot, Buja përmendi Skenderaj, ku në shenjë revolte për paraburgimet e shtatë ish-komandantëve dhe luftëtarëve të UÇK-së, nuk kanë dashur t’i nënshtrohen testit, ndërsa në Obliliq ka pasur një vonesë të vogël.
Pjesa e dytë e testit, ku do të ketë pyetje nga lëndët më të përafërta me drejtimin, do të mbahet më 15 qershor.
Rezultatet e provimit të maturës do të shpallen më 24 qershor. Më pas, maturantët do të kenë tre ditë afat që të ankohen dhe më 28 qershor do të bëhet edhe publikimi i rezultateve të ankesave.
Ata që nuk do të mund të arrijnë pragun e kalueshmërisë prej 50 për qind kësaj radhe, do ta kenë edhe një mundësi në afatin e gushtit.

Mbahet testi i maturës 

Rreth 30 mijë maturantë nga e gjithë Kosova që nga ora 8:00 u janë drejtuar shkollave të tyre, për t’iu nënshtruar testit të maturës, i cili organizohet në 305 qendra të testimit. Të gjitha profilet e arsimit, sot do t’i nënshtrohen testit në lëndët Gjuhë amtare, gjuhë angleze dhe matematikë, ndërsa më 15 qershor do t’i nënshtrohen provimit nga lëndët profesionale, sipas profileve përkatëse. Publikimi i rezultateve do të bëhet më 24 qershor.
Testi i maturës bojkotohet në Skënderaj 
Ndërkohë maturantët e shkollave të mesme të Komunës se Skenderajt, po e bojkotojnë fillimin e testit të maturës, në shenjë pakënaqësie për shndërrimin e arrestit shtëpiak në mas paraburgimi për drejtuesit dhe pjesëtarët e ish UÇK-së, të njohur si “Grupi I Drenicës, njofton Koha. 
Maturantët kanë mbajtur në duar pankarte me mbishkrimet “Kush i vrau mësuesit e Drenicës”, “Kush i dogji shkollat”, “Uncle Sami”, etj, derisa brohorisnin “Sami Lushtaku”, “UÇK, UÇK”.

 

 
Lajme Shqip Saturday, 01 June 2013 12:10

Bruksel – Përparim i dukshëm është arritur në sektorët e policisë dhe drejtësisë në takimin dyditor të ekipeve për zbatimin e marrëveshjes Beograd-Prishtinë, ka deklaruar Marko Gjuriq, këshilltar i presidentit të Serbisë.
Ai ka thënë se fryma në të cilën janë zhvilluar bisedimet ka qenë konstruktive dhe ka thënë se pret marrëveshje të mundshme, po që se nuk ka tërheqje dramatike nga teksti i marrëveshjes.

Gjuriq ka thënë se pesë grupet punuese kanë diskutuar në mënyrë intensive gjatë dy ditëve detajet “me qëllim të sigurimit të të drejtave politike dhe mbrojtjen e pronës personale dhe sigurinë e serbëve të Kosovës”. Sipas tij, bisedimet do të vazhdojnë të martën dhe të mërkurën në Bruksel, transmeton rel.
Bisedimet kanë nisur të enjten me takimet dypalëshe të drejtorit për zgjerim të Bashkimit Evropian, Fernando Gentilini, me delegacionet e të dyja vendeve.