12
 
Lajme Shqip Friday, 27 June 2014 23:35

Pas aksionit të Policisë së Kosovës, dy ditë më parë kur vunë në pranga tre shtetas nga Kaçaniku, të cilët akuzohen për pjesëmarrje në organizatën terroriste Al-Nusra, ka ndërhyrë edhe policia jonë për të vënë në pranga një emër që në fakt ka dalë gjatë përgjimeve mbi grupin xhihadit. Ndërhyrja është kryer orëve të vona të mbrëmjes së sotme në zonën e ‘ish-Frigoriferit’ në rrugën “Siri Kodra”, ku është arrestuar Altin Demirlika, një 28-vjeçar nga Burreli. Bashkë me të, sipas të dhënave të policisë është arrestuar edhe një shtetas kosovar, ndërsa që të dy akuzohen si persona që rekrutonin besimtar me qëllim për t`i dërguar në luftën e Sirisë. 

Arrestimet janë kryer nga seksioni i Antiterrorit të policisë së Tiranës në bashkëpunim me DFON-në. Emri i shtetasit nga Kosova nuk bëhet me dije, ndërsa saktësohet se Demirlika mbahej nën vëzhgim dhe përgjim që në shkurtin e këtij viti, kohë kur u ndërhyrë në disa operacioni që kulmuan me arrestimin e dy imamëve të vetëshpallur, aty të xhamisë së Unazës së Re dhe të xhamisë së Mëzesit. 

Të dy këta imamë, mbajnë edhe peshën kryesore të akuzave të ngritura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ndërsa arrestimet e mbrëmjes së sotme mësohet se kanë ardhur edhe si rezultat i hetimeve të dala nga prangosjet e tre shqiptarëve të Kaçanikut të Kosovës. Demirlika mësohet se ka qenë i dyshuar prej muajsh si pjesëtar i grupit të xhihadit, madje sipas policisë ka dyshime që ai mund të ketë shkuar edhe në Siri për luftime.

“Më datë 07.01.2014 ora 19.52 personi me nr. 0672886422 merr Bujar Hysën dhe i thotë se Enesi ka postuar një video ku ka dalë ai shoku që ka ikur bashkë me atë që ka lënë fuaristradën atje te Xhamia. Flet dhe shqip dhe arabisht për ata personat që kanë marrë peng. (Fuoristradën te xhamia e ka lënë Altin Demirlika, Mitsubishi Pajero me targe AA 503 CH)”.

 
Lajme Shqip Tuesday, 03 June 2014 14:32

Një shtetas kosovar është akuzuar në Shtetet e Bashkuara për terrorizëm. Gjykatësit amerikanë kanë pasur rastin të shohin videon në të cilën shfaqej shtetasi kosovar Sami Osmankaç, duke përgatitur një sulm terrorist në ShBA, shkruajnë mediat amerikane.

Anëtarët e trupit gjykues në gjykimin për terrorizëm në qytetin Tampa të SHBA-së dëgjuan te akuzuarin dhe panë videot e xhiruara në fshehtësi nga FBI-ja. Kamerat e mediave nuk u lejuan brenda sallës së gjykatës. 

Në secilën prej videove, Osmankaç flet për një komplot terrorist që synonte të merrte jetë njerëzish në Tampa të Floridas. Prokurorët thanë se, së pari Sami Osmankaç dhe një person tjetër vendosën objektet ku ata donin të sulmonin. Personi tjetër është një agjent i FBi-së, i cili po xhironte çdo lëvizje të Osmankaç.  

“Dua të godas sa më shumë njerëz që të mundem”, thotë Osmankaç në videon e regjistruar.

Prokurorët thanë se Osmankaç dëshironte të bombardonte pabin “MacDinton” në jug të Tampas, madje edhe urat në vendin e quajtur Bay. Osmankaç mendonte se po merrte ndihmë nga një terrorist i njohur, të cilit mund t’i besonte.

“Të gjithë do të vdesim një ditë. Atëherë pse të mos vdesim në mënyrën islame?”, thoshte ai.

Pas kësaj, Osmankaç mori një dhomë hoteli ku ai i tregonte personit të dytë se si ta përdorte AK-47, granatat dhe atë që Osmankaç besonte që ishte bombë. Hetuesit thonë se Osmankaç fliste se si do t’i vriste viktimat dhe ku mendonte ta vishte jelekun e tij vetëvrasës. Gjykimi i Osmankaç pritet të zgjasë tri javë.

 

 
Lajme Shqip Friday, 02 May 2014 12:23

Almir Daci, Shkelzen Dumani, Mehdi Manallari dhe Shyqyri Kaca akuzohen për nxitje dhe organizim të rrjetit të rekrutimeve të besimtarëve mysliman në Shqipëri për të luftuar në Siri.

Interpol Tirana ka ekzekutuar vendimin e dhënë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për kërkimin ndërkombëtar të 4 xhihadistëve shqiptarë në Siri.

Almir Daci, Shkelzen Dumani, Mehdi Manallari dhe Shyqyri Kaca akuzohen për nxitje dhe organizim të rrjetit të rekrutimeve të besimtarëve mysliman në Shqipëri për të luftuar në Siri.

Krimet e Rënda kanë arrestuar 9 persona dhe 4 u shpallën në kërkim. Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, grupi i rekrutimeve drejtohej nga imami i xhamisë së “Unazës së Re”, Genci Balla dhe imami i xhamisë së Mëzezit, Bujar Hysa.

Të arrestuar janë: Genci Balla, Bujar Hysa, Edmond Balla, Zeqir Imeri, Verdi Morava, Fadil Muslimani, Astrit Tola, Orion Reçi dhe Gerti Pashja./kosova.com/

 
Lajme Shqip Thursday, 17 April 2014 14:04

Gjykata e Krimeve të Rënda nuk ka pranuar të lirojë Gerti Pashja pavarësisht se 30-vjeçari ka mohuar akuzat për terrorizëm, apo rekrutim të shqiptarëve për të luftuar në Siri.

“Nuk kam lidhje me terrorizmin, kam predikuar vetëm fenë islame. Do të kthehesha vetë në Shqipëri, por më arrestuan autoritetet turke dhe më sollën në Tiranë” mësohet të ketë thënë para gjyqtarit të Gjykatës së Krimeve të Rënda Sandër Simoni.

Gjykata e Krimeve të Rënda ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” të vendosur në mungesë ndaj tij, menjëherë pas arrestimit në Tiranë të 8 personave të tjerë të dyshuar për terrorizëm, pjesë e së njëjtës celulë, ku bën pjesë edhe 30-vjeçari.

Gjyqi u ndërpre për disa minuta, pasi Pashja kërkoi avokat z. Kambo, i cili njoftoi se ndodhej jashtë Tiranës

Pas pamundësisë për praninë e avokat Kambos, Gjykata caktoi Jalldyz Kastratin, avokate kryesisht të Gerti Pashjas.

Pretendimet e akuzës u mbrojtën nga prokurorja Elizabeta Imeri.

Gerti Pashja u vu në pranga dy ditë më parë në Rinas menjëherë pas deportimit të tij nga Turqia.

Ndërkaq mbetet e paqartë ende se si u soll në Shqipëri 30 vjeçari, i cili vetëm pak ditë më parë deklaroi në Ora News se nuk do të kthehej në vendin e tij, për sa kohë është akuzuar padrejtësisht./Oranews/

 

 
Lajme Shqip Tuesday, 25 March 2014 15:51

DITA posedon një dosje të plotë të Shërbimit Informativ me këto përgjime dhe ka zgjedhur sot për botim disa pasazhe të tyre. Ka qenë gjithmonë një pyetje e vështirë ajo nëse këta djem që shkojnë në Siri, paguhen në njëfarë mënyre. Përgjimet që DITA disponon ofrojnë episodin e mëposhtëm:

“…Pas informacionit te marre ne rruge konfidenciale se shtetasi Artur Balla (Ish Komando ne Zallher) bashkëshortja e tij Lutfije Balla dhe vajza e tyre Mersa Balla do te ktheheshin nga Siria per ne Shqiperi nepermjet PKK Kapshtice ne date 05.02.2014, nga ana jone u be e mundur shoqerimi i tyre… dhe me pas pyetja e tyre ne ambjentet e Kom.Pol.Devoll. Gjate këqyrjes se telefonit cellular u gjend SMS i dates 13.11.2013, ora 16.33.05, derguar numrit 00355673896431 (Belda) me tekst: “Ketej nuk mungon asgje jane te gjitha ne qe jemi familjar na japin 150 dollar ne muaj hajt selamalekum se do fal akshamin”.

Predikimet kundër Amerikës

Mbi bazen e Vendimit te Gjykates eshte lejuar pergjimi i bisedave ne Xhamine e Mëzezit ku i dyshuari Bujar Hysa predikon. Më poshtë, pjesë nga ligjërata në Xhami, pasi ishte marrë vesh vrasja në Siri e shqiptarit nga Vlora Hasan Korvafaj, që është vrarë jo nga forcat e Asadit, por nga opozita siriane.

“…Hasani u vra nga dora e tradhëtarëve, u vra nga dora e atyre, që u shkuan nga pas muslimanëve, duke u vendos thikën mbas shpinës… Ah i mjeri unë si shembulli i Hasanit. Aman, aman, – më tha (Hasani). Ta dish ti se cfarë përjeton prej kënaqësisë do vish menjëherë. E mbylli… Perëndimi po i futet të gjithëve nëpër shtëpia (me media etj) dhe po i ngatërrojnë jetën e tyre. Por do të vij me lejen e Allahut një ditë, shumë shpejt; në këtë dynja (jo në botën tjetër) që do t’i ….shqyejmë me dhëmbë qafirat (jobesimtarët) që na kanë rënduar aq shumë…. Faraoni madh është Amerika …”

“Pasi t’iu lepijne kembet, prijuni koken…”

Pergjimi i bisedave telefonike te bera ne mes te dyshuarve eshte lejuar Me vendim te Gjykates se Shkalles se pare per Krime te Renda. Nga permbajtja e tyre me interes paraqiten bisedat për një pengmarrje. Bëhet fjalë për “tradhëtinë” e një grupi shqiptarësh 2 djem e 6 vajza që kanë ikur nga grupi i radikalëve islamikë dhe janë bashkuar përkohësisht me një grup tjetër jo radikal, por të opozitës siriane që mbështetet nga Perëndimi. Ata kthehen më pas të penduar dhe një nga regjistrimet e bisedave që mund të lexohen sot të plota në DITA thuhet:

“.. Date 10.01.2014 Haliti me nr. 00905347169046 merr Bujarin dhe i thote se nuk e ka marre pasi ka pasur pune. Ajo gje qe ishte, ishte se nuk iu binden urdhrit te atij te parit. Tani po qajne, thone jemi te Jusra, luten kur flasin me ne. Kane dorëzuar rrobat dhe thone aman. Bujari i thote se pasi t’ju lepijne kembet pastaj prijuni koken…”/gazetadita.al/

 

 
Lajme Shqip Wednesday, 19 March 2014 15:14

E ndërsa informacioni i SHISHit bëhet kryefjalë beteje mes institucioneve, në lidhje me hetimin dhe përgjimet e grupit të celulës së terrorit në vend vijnë informacione të reja. Sipas të dhënave bëhet me dije se SHISH ka mbledhur të dhëna mbi qëllimin e ikjes së xhihadistëve bashkë me gratë dhe fëmijët e tyre në drejtim të vendit të luftës. Edhe pse ende nuk bëhet e ditur se sa është numri i grave që kanë ikur në drejtim të Sirisë, SHISH-i është njohur me informacionet që vijnë nga disa arabe, ku femrat shkojnë me dëshirën e tyre për të qëndruar krah xhihadistëve, pasi pretendohet se ushtarët që luftojnë në mbrojtje të vëllazërisë myslimane janë pa familjet e tyre dhe respektivisht janë edhe pa gratë e tyre. Pas informacioneve të shumta se disa prej shqiptarëve të rënë në Siri, kanë lënë gratë dhe fëmijët në kampet e luftës, mësohet se janë përpiluar të dhëna shtesë në lidhje me aktivitetin e këtyre grave në Siri, pasi tashmë shqetësimi më i madh mbeten fëmijët e mitur, fati i të cilëve vijon të mbetet mister. 

Gjithashtu, në kuadër të hetimeve intensive për të   zbuluar se si funksiononte celula terroriste e Tiranës, bëhet me dije se SHISH-i po punon mbi të dhëna të ndryshme për persona që mendohet se janë pjesë e stafit të ambasadave arabe në vendin tonë, për të cilët ka dyshime se janë ideatorë si dhe përkrahës të xhihadizmit. Mirëpo, ndërsa SHISH dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda vijojnë të mbushin dosjet në lidhje me aktivitetin e Genci Ballës dhe të gjithë ndjekësve të tij, tashmë janë familjarë të viktimave të cilët trokasin në prokurori për të treguar gjithçka dinë mbi kontaktet e njerëzve të tyre me dy imamët e vetëshpallur, të cilët janë edhe përgjegjësit kryesorë për ngritjen e mekanizmit të xhihadizmit në vendin tonë.

 Hetimi i grave të xhihadit 

Pas denoncimit të burrit nga Shkodra, i cili i tha prokurorisë se ish-gruaja e tij kishte ikur me Genci Ballën tri vite më parë dhe nga të dhënat e tij besonte se ajo dhe i biri kishin përfunduar në kampet e luftës në Siri, ekspertët e hetimit nisën të verifikojnë të gjithë personat, të cilët janë më shumë se 70, që kanë ikur në drejtim të Turqisë. Kalimi i grave dhe i fëmijëve në drejtim si të Turqisë, ashtu edhe kalimit në drejtim të Sirisë bëhet me një mekanizëm mjaft të lehtë dhe dyshohet se janë të shumta gratë që kanë shkuar në vendin e xhihadit. Alarmi për femrat arabe që shkonin në drejtim të Sirisë fillimisht u dha edhe nga mediet britanike, por që i referoheshin vetëm vendeve të botës arabe, ndërsa shërbimet sekrete ndërkombëtare informuan edhe në lidhje me gra që iknin nga vendet e rajonin të Ballkanit. 

Madje në konfliktin e Sirisë, dyshohet se është zbuluar edhe një tjetër konflikt mes ushtarëve ballkanas që luftojnë, ndonëse ende nuk bëhet fjalë për shifra dhe fakte konkrete. Kështu, nga të dhënat e Krimeve të Rënda bëhet me dije se përveç Almira Kastratit, gruas nga Shkodra që u martua me Genci Ballën dhe mori të birin 4-vjeçar dhe u largua në drejtim të Sirisë, janë edhe gruaja e Hamit Muslisë, pukjanit të vrarë vitin e kaluar si dhe gruaja e Hasan Korvafajt, që të dy    viktima. Njëkohësisht bëhet me dije se bashkë me këto dy gra janë edhe fëmijët e tyre, ndërkohë që sipas të dhënave që ka mbledhur policia janë edhe gratë e dy prej personave të zhdukur që vijojnë të jenë në vendin e luftës. 

Konflikti mes xhihadistëve të Ballkanit 

Ekspertë të çështjeve ndërkombëtare që po merren me statistikat e kampeve rivale të luftës së Sirisë flasin për një rekrutim masiv nëpër vendet e Ballkanit. Janë Bosnja dhe Kosova që kryesojnë me shifra të larta pjesëmarrjeje, ndërsa Shqipëria sipas tyre ka numër relativisht më të vogël, ndonëse kalimi i tyre drejt Sirisë nuk është diçka që ka ndodhur kohëve të fundit. Të dhënat flasin se në të vërtetë në drejtim të Sirisë ka edhe luftëtarë serbë, të cilët janë vendosur përkrah regjimit të Bashar Al Assad.

Madje, sipas të dhënave, saktësohet se rreshtimi i këtyre ushtarëve përkrah regjimit të qeverisë së Assad, ka zemëruar kryesisht xhihadistët e Kosovës, të cilët kanë shkuar të luftojnë pikërisht kundër këtij regjimi pasi në radhët e tyre janë renditur serbët. Janë të shumta predikimet e imamëve të Kosovës që e pranojnë këtë fakt, ndërsa mësohet se ushtarët serbë të cilët shërbejnë në radhët e qeverisë kanë një pagë ditore rreth 2 mijë euro, ndërkohë që shqiptarët dhe luftëtarët e tjerë ballkanas, që janë renditur në grupet kundër Assad, që pretendohet se janë edhe të mbështetur nga Al Qaeda, luftojnë vetëm në emër të Allahut.   

Lajmi i vrasjes së pukjanit Hamit Muslija 

SHISH ka mbajtur nën përgjim dy imamët e vetëshpallur dhe ka depozituar në prokurori pjesë nga këto përgjime. Faktet flasin për mënyrën se si imamët predikonin dhe lajmëronin besimtarët nëpër xhamitë e tyre për vrasjet e xhihadistëve shqiptarë. Në këto ambiente, sipas të dhënave, kishte edhe fëmijë, të cilët njiheshin me situatën e vrasjeve në vendin e luftës. Kështu mësohet se është përgjuar edhe Bujar Hysa, imami i xhamisë së Mëzezit, që njoftonte ndjekësit edhe për vrasjet, të cilët i quante “shehid”. Sipas përgjimit që gjendet në dosjen kundër imamëve, mësohet se me datën 10 tetor 2013, besimtarëve të tjerë imami iu bën të ditur se kishte rënë në luftë Hamit Muslia, i njohur mes besimtarëve me emrin Ebu Enesi.

Hysa mësohet të ketë thënë: “Nga muxhahidët shqiptarë që janë në Siri, ka rënë shehid vëllai mysliman me emrin fetar Ebu Enesi nga Lapraka dhe është vëllai musliman Hamit Muslija. Inshalla Ebu Enesi, ka rënë shehid, e ne duhet të gëzohemi për këtë gjë, të gëzohemi për të që Allahu ia mundësoi xhehnetin (parajsa) si shehid. Ne duhet të mërzitemi për vetet tona që allahu nuk na e ka mundësuar shehidllikun, e inshalla ia mundëson secilit prej nesh dhe çdo myslimani të devotshëm. “/shekulli/

 

 
Lajme Shqip Thursday, 13 March 2014 14:49

Gjykata e Krimeve të Rënda do të jap sot masën e sigurisë për shtatë personat, të cilët rekrutonin besimtarët myslimanë për në Siri.

Është konfirmuar tashmë se, është rritur masa e sigurisë që kanë marrë autoritetet pasi pjesëmarrës në këtë seancë gjyqësore do të jenë edhe mbështetësit e shtatë të arrestuarve.

Sipas organit të akuzës, shtetasit Genci Balla dhe Bujar Hysa, të cilët ushtrojnë aktivitet fetar ilegal, në zonën e “Unazës së Re” dhe në fshatin Mëzez, Tiranë, dyshohet se kanë kryer veprime aktive për indoktrinuar persona të ndryshëm me ideologji radikale, për t’u angazhuar më pas në luftime në përbërje të grupeve terroriste ekstremiste që janë nën sanksione nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Ndërsa shtetasit Edmond Balla dhe Vervi Morava dyshohet se kanë kryer veprime konkrete për dërgimin e disa shtetasve shqiptarë në Siri, 3 të tjerët Fadil Musulmani, Zeqir Imeri dhe Astrit Tola dyshohet se kanë kryer veprime aktive për të ndihmuar organizatorët në rekrutimin dhe më pas dërgimin e disa shtetasve shqiptarë në Siri./shekulli/

 
Lajme Shqip Saturday, 18 January 2014 14:17

Policia e Kosovës kishte marrë informata se Bujar Behrami dhe Genc Selimi po përgatisnin rrëmbimin dhe vrasjen e një qytetari serb nga rajoni i Vushtrrisë. Hetimi kishte zbuluar se ata përbënin një grup të rinjsh me prirje radikale fetare. Të gatshëm për të kryer sulme terroriste, siç janë cilësuar nga Prokuroria.  Për këtë kanë blerë edhe armë adekuate si snajper e eksploziv TNT.  

Prokuroria vazhdon të kryejë hetime kundër Genc Selimit, Nuredin Sylejmanit, Valon Shalës, Ardian Mehmetit, Musli Hysenit, Fidan Demollit dhe Bekim Mulollit. Ata dyshohen se duke u përgatitur për të kryer vepra të rënda të lidhura me terrorizëm e që ishin të nxitura nga motivet e urrejtjes racore, fetare apo etnike, përçarjes apo mosdurimit kombëtar. Atyre u është vazhduar paraburgimi deri më 5 shkurt. Ky grup të rinjsh është arrestuar në kohën kur kosovarë të shumtë janë duke luftuar në Siri. Dyshohet se janë bërë pjesë e grupeve terroriste. Disa ditë pas arrestimit, dikush që veten e kishte quajtur Xhemati i TeHuidit dhe Xhihadit në Kosovë kishte kërcënuar Policinë me “sulme të dhimbshme”. Prokuroria pretendon se është zbuluar nga cili grup është lëshuar, por nuk janë identifikuar individët.

Rastin e këtyre të rinjve të dyshuar për përgatitje të sulmeve terroriste e ka marrë EULEX-it. Prokurori special i këtij misioni, Robert Kucharski është në krye të hetimit. Prokuroria nëpërmjet ndihmës ndërkombëtare pritet të kërkojë nga Facebooku dhe Microsofti për të marrë të dhënat e komunikimit të tyre elektronik. /koha/

 
Lajme Shqip Monday, 30 December 2014 12:25

Katërmbëdhjetë persona kanë humbur jetën dhe së paku 23 të tjerë, përfshirë një fëmijë njëvjeçar, janë plagosur nga shpërthimi në një trolejbus, në qytetin Volgograd të Rusisë. 

Raportet fillestare kanë thënë se bëhet fjalë për sulm terrorist, por Komiteti Anti-terrorizëm i Rusisë ka thënë se shpërthimi mund të ketë ndodhur nga bomba e vendosur në zonën e pasagjerëve të automjetit.

“Një nga teoritë e mundshme është që mjeti shpërthyes të jetë vendosur në pjesën e pasagjerëve të trolejbusit. Rasti kriminal që përfshin artikuj të terrorizmit është hapur”, ka thënë zëdhënësi i Komitetit Anti-terrorizëm, Dmitry Pavlov.

Shpërthimi i sotëm ndodh një ditë pasi 17 persona janë vrarë nga një sulm vetëvrasës në një stacion treni në të njëjtin qytet. Zyrtarët thonë se hetuesit po hetojnë nëse shpërthimi i sotëm është po ashtu terrorist, si ai i së dielës.

Përgjegjësinë për sulmet nuk e ka marrë asnjë grup, por raportet ruse sugjerojnë militantët islamikë si të dyshuar.

Raportet thonë se siguria është forcuar dukshëm në kryeqytetin rus, Moska.

Shpërthimet ndodhin rreth gjashtë javë para se në qytetin Soçi të Rusisë të nisin Lojërat Olimpike Dimërore.

Volgogradi, i njohur dikur si Stalingrad, për nder të diktatorit sovjetik, Josef Stalin, është rreth 700 kilometra në verilindje të Soçit.

Në muajin tetor, ky qytet është goditur edhe nga një tjetër sulm vetëvrasës, në të cilin kanë humbur jetën shtatë persona. Hetuesit kanë thënë se sulmuesja ka pasur lidhje me islamistët në Kaukazin Verior.

Kremlini ka thënë se presidenti Vladimir Putin ka takuar kreun e Shërbimit Federal të Sigurisë, Alexander Bortnikov, i cili e ka informuar atë për shpërthimin e sotëm. /REL/ 

 
Lajme Shqip Tuesday, 12 November 2013 12:49

Prishtine- Një komunikatë kërcënuese është lëshuar nga i ashtuquajturi “Xhemati i Teuhidit dhe Xhihadit në Kosovë”. Me këtë komunikatë është kërcënuar Policia e Kosovës se nëse nuk i liron gjashtë të arrestuarit, do të përballet me “sulme të dhimbshme”. Policia e Kosovës është njoftuar për këtë komunikatë dhe është duke e analizuar shkallën e seriozitetit të saj. 

Komunikata e lëshuar nga adresa xhemati-xhihadit@hotmail.com, thotë: Xhemati i Teuhidit dhe Xhihadit në Kosovë paralajmëron Policinë Terroriste të Kosovës, se në qoftë se nuk i liron Vëllezërit tanë të dashur sa më parë, do të përballen me sulme të tmerrshme dhe të dhimbshme.

“Padyshim, ne kemi burra të cilët e duan vdekjen më shumë se sa ju jetën e kësaj bote. Është ushtria e Allahut e cila do të triumfoj dhe ajo e Brankoviqit e cila do të mbytet në gjakun e tyre.

 

 

Allahu i lartësuar thotë:

“Prej besimtarëve kishte burra që vërtetuan besën e dhënë Allahut, e disa prej tyre e realizuan premtimin duke dhënë jetën, dhe ka prej tyre që janë duke pritur (ta zbatojnë) dhe ashtu nuk bënë kurrfarë ndryshimi.” Surja Ahzab, Ajeti 23

“Ata që besuan luftojnë në rrugë të Allahut, e ata që nuk besuan luftojnë në rrugë të djallëzuar. Luftoni pra miqtë e djallit, s’ka dyshim se intriga e djallit është e dobët.” Surja Nisa, Ajeti 76

Dhe falënderimi i takon Allahut zotit të botrave.

Batalioni i Mediave

Komandant Muxhahidi”, përfundon komunikata, dërguar sot medieve me rrugë elektronike/Koha/ 

12