Lajme Shqip Wednesday, 13 November 2013 11:27

E mban mjekrën e gjatë e pantallonat e shkurtër, mirëpo Genc Selimi nga Bresalci i Gjilanit nuk ka qenë asnjëherë në Siri dhe si i tillë nuk ka marrë pjesë në luftën e atjeshme.

Të vetmen rrugë jashtë Kosovës, Genc Selimi e ka bërë deri në Stamboll ngase përmes një organizate arabe po synonte të studionte në Egjipt.

Kështu së paku thotë për gazetën “Zëri” babai i tij, Hysriu. Djali i tij i vetëm është arrestuar të martën e javës së kaluar në Prishtinë nën dyshimin se bashkë me pesë persona të tjerë, të cilët po ashtu janë arrestuar, po përgatisnin një sulm terrorist, duke kryer kështu veprën penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë në Republikën e Kosovës.

Djali 19 vjeç nga Bresalci, për babanë e tij, nuk është terrorist, ani pse ditën e arrestimit në Prishtinë ai ishte zënë me armë në dorë, përkatësisht me snajper dhe fishekë.

Ai dhe shokët e tij ishin arrestuar pas nëntë muajsh përgjime nga policia, të cilët për të vërtetuar dyshimin e kishin simuluar një rast, ku kishin rënë në kontakt me të dyshuarit të cilëve edhe iu kanë shitur e falur armë.

Babai i Gencit shtron pyetjen se ku i mori paratë djali i tij për të blerë armët, kur e di se djali i tij ka punuar argat në ndërtim dhe si i tillë është paguar dhjetë euro në ditë.

Me tërë mohimet që i bën, Hysri Selimi një ditë pasi që është publikuar arsyeja e arrestimit të djalit të tij, thotë se nuk dëshiron që ta shfajësojë të birin, pasi është zënë me armë. Këtë rast thotë se ia ka montuar Policia, siç thotë ai, për interesa të caktuara.

Për interesa të caktuara edhe grupet ekstremiste, sipas babait, e kanë futur në mesin e tyre edhe djalin e tij. Selimi thotë se djalin ia kanë manipuluar, ndonëse e kishte paralajmëruar për këtë.

“I kemi thanë, kujdes se po manipulohesh. I kam thanë ti je në kurth, i kam thanë ty po të përgjojnë, ty kanë me të shti në lojë, por ai me ka thënë se nuk jam duke bërë asgjë”, thotë Selimi.