12
 
Lajme Shqip Tuesday, 04 December 2012 17:27

TIRANË.-  “Agon”, një film mbi integrimin mes popujsh me kultura e tradita të ndryshme, një histori që i bie këmbanave të alarmit kur këta popuj priren nga paragjykimet në bashkëjetesën midis tyre, që prej datës 6 dhjetor do të shfaqet në kinematë e kryeqytetit.
Filmi i regjisorit Robert Budina, i vendos ngjarjet në vitin 2006. I xhiruar në Selanik të Greqisë dhe Shqipëri, filmi trajton përplasjet mes steriotipeve të krijuara prej vitesh për shqiptarët emigrantë dhe që regjisori dhe skenaristi Budina i vendos brenda një familjeje.
“Ngjarja e filmit tim është ngjarja e filmit tim dhe nuk ka për qëllim që të përgjithësojë”, tha Budina, në konferencën e sotme për mediat. Regjisori ka zgjedhur ta quajë filmin e tij agon, për të treguar se brenda vetes shqiptarët kanë një dritë shumë të fortë dhe e vetmja gjë që duhet është guximi për ta ndezuar. Edhe pse filmi mbart një dramë, për regjisorin ka një dritë në fund të tunelit.
Filmi rrëfen historinë e dy vëllezërve shqiptarë, Saimiri dhe vëllai i tij i vogël, Vini, që jetojnë e punojnë në Greqi, ku njëri përpiqet të integrohet atje me punë të ndershme, ndërsa tjetri falë edhe moshës së tij adoleshente bie pre e lekut të lehtë, duke njohur kështu tmerrin e trafikut të paligjshëm dhe duke i hapur vëllait të madh probleme që nuk kanë më kthim mbrapa. “Agon” është historia e dy qenieve që përpiqen të gjejnë vetveten në një vend të huaj, brenda vllazërisë, në një histori dashurie të verbër dhe pa rrugëdalje.
“Kjo nuk është një histori emigracioni, është një histori përpjekjeje për integrim. Kjo nuk është një histori kriminaliteti e mafieje, është një histori dashurie të pamundur”, është shprehur Budina.
Filmi është realizuar me një trupë të përzier teknike shqiptaro-greko-rumune dhe me aktorë shqiptarë dhe të huaj. Në rolin e Saimirit interpreton Marvin Tafaj, i cili është angazhuar në disa role në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Guljem Kotori, i cili interpreton Vinin, është  përzgjedhur nga një kast i gjerë prej 5000 kandidaturash. Të tjerë aktorë që interpretojnë në film, janë Xhevdet Jashari, në rolin e Kenos, aktorja Eglantina Cenomeri në rolin e Majlindës, Isabella Kogevina, Laert Vasili, Nikolla Llambro, Hajrie Rondo si dhe aktori i njohur grek Antonis Kafetzopulos.
Sipas këtij të fundit, gjërat sot në Greqi janë siç paraqiten në film. “Më parë kanë qenë më keq sepse grekët ishin mësuar të kishin afër vetëm njerëz që flisnin të njëjtën gjuhë. Më kalimin e kohës grekët kanë filluar të kuptojnë se duhet të jetojnë me njerëz të tjerë”, tha Kafetzopulos.
Aktori u shpreh i kënaqur nga realizimi i filmit dhe ajo çka e shtyu të punojë jashtë industrisë greke është karriera e tij e gjatë 30 vjeçare aty, me të cilën u shpreh se është i “ngopur”.
Filmi është rezultat i një pune pesë vjeçare, një bashkëprodhim i “ERAFILM” Shqipëri me “INKAS FILM” në Greqi, “ELEFANT FILM” në Rumani, “ARIZONA FILM” në Francë, me mbëshetjen financiare të Qendrës Kombëtare Kinematografike Shqiptare.
Që prej datës 6 dhjetor, “Agon” do të shfaqet në Kinema “Millennium”, “Agimi”, “Kristal” dhe “Imperial”.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 03 November 2012 14:36

TIRANË- Inis Gjoni i rikthehet regjisë dhe pas shfaqjes “Salla e banjos” ajo sjell një tjetër komedi, “Klani i të divorcuarve”, e cila po shfaqet në Teatrin Kombëtar të Komedisë.

Vepra, e shkruar nga Alil Vardari, do të interpretohet nga aktorët Romir Zalla, Jonida Vokshi, Adriana Tolka dhe Orsi Vagjeli. Tre gra, që nuk njihen me njëra-tjetrën, fati i ka bashkuar në një shtëpi pas ndarjes martesore. Ngjarja zhvillohet në apartamentin e tyre dhe këtu krijohet klani i të divorcuarve.

Komedia ka në qendër të saj tre personazhe, Stefania, Brixhilda dhe Meri. Stefania dhe Meri kanë zgjidhur martesat e tyre me koshiencë. Ndërsa nga ana tjetër kemi dhe femrën e braktisur nga bashkëshorti, që është Brixhilda, e cila arrin ta përballojë divorcin, të shikojë përpara dhe të gjejë shpresën pas një dhimbjeje të madhe siç është dhe ndarja. Aktori Romir Zalla do të vijë këtë herë në skenën teatrore në rolin e një femre.
Në një prononcim për mediat, Inis Gjoni është shprehur se shfaqja është një komedi intime, ashtu siç ishte komedia “Salla e banjës”, e realizuar vitin e kaluar. “Këto komedi flasin për jetën reale, atë të prekshmen ku publiku pa shumë sforco me anë të gjuhës dhe zhargonit që gjen në komedi shikon jetën me të cilën ballafaqohet çdo ditë”, shprehet Gjoni.
Sipas saj, komedia “Klani i të divorcuarve” tregon se sot divorci nuk është një dramë e pakalueshme nga femrat. “Veçse me intrigon tema, nga ana tjetër më bën përshtypje se si femra e shikonte divorcin dje dhe si e shikon sot. Rruga që ka ndjekur më përpara dhe çfarë zgjidhjeje i jep sot divorcit. Nga ana tjetër edhe pse janë femra të forta, kanë dhe anën e brishtë”, tha Inis Gjoni.Skenografia e veprës është realizuar nga Beqo Nanaj, kostumografia nga Bukuroshe Sinanaj, formulimi muzikor nga Ermir Shaphasa. Komedia do të shfaqet deri në datën 9 nëntor në skenën e TKK-së.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 06 October 2012 21:30

Shkup – Me hapjen e ekspozitës të veprave, gjëra personale dhe rrëfime “‘Të 60-tat; Bota, Shkupi dhe shkupjanët” të autorëve Jovan dhe Ana Ivanovski sonte në Muzeun e Qytetit të Shkupit solemnisht do të fillojë manifestimi i tetë “Nata e Bardhë”.

Në suaza të këtij projekti, publiku do të ketë mundësi të vizitojë edhe kaërt ekspozita.

Artistët e Maqedonisë në sheshin “Maqedonia” në orën 21 do të paraqiten me “Vendi ku jam”, performancë multimediale – pantomima dhe teatër në hije.

Kino në ambient të hapur do të ketë në Parkun e Qytetit, ku do të shfaqen filmat më të mirë nga festivali ndërkombëtar të filimit evropian CINEDASC 2011.

Në suaza të “Natës së Bardhë”, sot hyrja në kopshtin zoologjik nga ora 11 është falas. Është siguruar edhe transport falas deri te kopshti zoologjik me autobusët me numër 8 dhe 15 nga NQP “Shkup” pas orës 11.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 11 April 2012 19:15

Tiranë – Komedia tragjike “Doktor Shuster” e Spiro Dunit, me protagonist Robert Ndrenikën, do të rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar këtë fundjavë.

Edhe pse ishte menduar që shfaqja e fundit të ishte në datën 8 prill, vepra e Dushan Kovacevic do të rishfaqet këtë të shtunë dhe të djelë.

Vepra e autorit Dushan Kovacevic është një rrëfim komik i marrëdhënieve të reja, të imponuara nga ndryshimet aktuale në shoqërinë postkomuniste, e cila u soll për publikun si një teatër metaforik. Drama zbulon thellësitë e skajshme të marrëdhënieve njerëzore në terrenin e krimit, të ndërvarura nga ndikimi i mafies, sikurse edhe paraqet jetën dhe mospërmbushjen e ëndrrave të personazheve kryesorë.

Në komedinë tragjike interpretojnë Artan Imami, Olta Gixhari, Flaura Koreta, Mir Sina dhe Ogert Islami. Shfaqja është një prodhim i Studios Teatrore “Po” dhe u shfaq premierë në 20 mars në skenën e madhe të TK-së.

 
Lajme Shqip Thursday, 15 December 2011 18:00

Tiranë – Drama “Shtëpia e Bernarda Albës” do të shfaqet këtë fundjavë katër ditë radhazi për t’u rikthyer për publikun në janar të vitit 2012, në sallën “Shekspir”.

Vepra e trazuar e Federiko Garsia Lorkës, nën regjinë e Kiço Londos, do të shfaqet mbrëmjen e sotme e deri të dielën, duke sjellë një vepër që prek tema të mëdha, si tema e lirisë, dhunës, shtypjes seksuale, e rolit të gruas, etj.

Një kast aktoresh të reja, si Esela Pysqyli, Dana Tolka, Ermira Hysaj, Mirela Naska, Taulanda Jupi, Erjona Kakeli dhe aktoret Luiza Xhuvani dhe Roza Anagnosti, do të sjellin historinë e Bernarda Albës, e cila, pasi ka mbetur e ve për herë të dytë, vendos të mbajë një zi të rreptë, ajo dhe vajzat e saj. Por do ta vendosë këtë gjë me një tirani të egër. Gjithçka komplikohet kur vajza e madhe tërheq një pretendent, Pepe Romano, i cili hedh në shtëpi farën e xhelozisë dhe pasionit.

Drama, me kostumografi të Berina Kokonës dhe koreografi të Aledia Kondaj, do të rikthehet në sallën “Shekspir” të Teatrit të Metropolit, në sezonin e ri artistik 2012-të.

 
Lajme Shqip Thursday, 08 December 2011 21:30

Tiranë – Sot ajo është 85 vjeç dhe vetëm një muaj më parë e duartrokitëm për interpretimin e saj ne dramën “Shtrigat e Salemit”, roli i saj i fundit në karrierën 65 vjeçare.

Artistja e qindra roleve ka festuar sot me miq, kolegë e të afërm 85 vjetorin e saj të lindjes, në një festë të organizuar për të nga Teatri Kombëtar dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Pas më shumë se treçerek shekulli jetë Pelingu kujton se në jetën e saj artistike ka pasur si qëllim që të bëjë një emër të mirë në biografinë e prindërve të saj dhe të vendosë një figurë, sa do të vogël, në themelet e artit skenik shqiptar. “Me këto vlerësime që më bëhen sot, më lind dëshira të besoj se ia kam arritur qëllimit”, tha Pelingu.

Sot, aktorja tregon se jeta e një artisteje nuk ka qenë e thjeshtë, duke qenë fizikisht më shumë larg familjes se afër saj. “Ka qënë jetë e vështirë, sidomos kur kemi filluar karrierën artistike. Kishte muaj që ishim larg familjes dhe ka qënë vështirësi e madhe për jetën familjare, për fëmijët e mi. Jam munduar që mos u mungojë asgjë, por përsëri atyre u ka munguar nëna”, tha Drita Pelingu.

Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi e cilësoi aktoren Pelingu si një artiste me sharm aristokratik, të cilin e ruajti pavarësisht deformimeve të sistemit komunist. “Drita Pelingu është një figurë e madhe e skenës shqiptare. Karriera të tilla 65 vjeçare janë të rralla edhe në skenën bashkëkohore, një karrierë që është e gjatë sa historiku i themelimit të TK-së dhe që shumë të rinj do të dëshironin ta kishin”, tha Bumçi.

Ishte 3 dhjetor i vitit 1926 kur në qytetin e Vlorës lindi Drita Pelingu, që më pas do të bëhej një yll i skenës shqiptare me mbi 130 role në skenë. Artistja që sot numëron qindra role në skenë nuk ka ëndërruar që e vogël se do të bëhej aktore, sipas saj, kjo ndodhi krejt rastësisht.

Kur ishte në klasën e katërt të shkollës fillore interpretoi në shfaqjen “Vajza e pabindur”, në ceremoninë e mbylljes së sezonit shkollor. “Kjo shfaqje ka një histori shumë të bukur, duke lënë kështu një kujtim të paharrueshëm për mua, por jo asnjë gjurmë në preferencat e së ardhmes sime sepse as kisha parë teatër, as përfytyrohej një profesion i tillë”, është shprehur Pelingu në një intervistë.

Kur në dhjetor të vitit 1945 u shpall në gazetë konkursi për hapjen e shkollës së parë dramatike, ëndrra që as vet ajo s’e dinte se qëndronte e strukur brenda, shpërtheu. Pa pyetur as babanë, as nënën, as motrat më të mëdha rrëmbeu për dore motrën më të vogël dhe vrapoi në dyert e konkursit, duke qënë kështu e vetmja femër që konkurroi dhe fitoi krah të talentuarve të tjerë si Kadri Roshi, Naim Frashëri, Lazër Filipi, etj. “Isha e re dhe për paragjykimet e kohës nuk pyesja fare”, shprehet Pelingu, ndërsa shton se në atë kohë marrëdhëniet me familjen u tronditën. I ati gjithmonë i thoshte se do vazhdonte shkollën e lartë jashtë shtetit.

Roli i saj i parë ishte ai i piktores tek drama “Portreti”, i cili u pasua më pas vetëm nga kryesore. Kur e pyet se ku ndihet më e realizuar në film apo në teatër, shprehet shkurt: “patjetër në teatër” dhe kujton me dëshpërim që nuk e shfrytëzoi aq sa duhej kinematografinë. Megjithatë, ajo numëron role në filmat si “Kur hidheshin themelet”,  “Njeriu me top”, “Radiostacioni”, “Vajza me kordele të kuqe”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Përtej mureve të gurta”, etj.

Gjatë karrierës së saj shumë vjeçare artistja pranon se ka ndjerë shumë zhgënjime dhe lodhje, por asnjëherë që të heqë dorë nga teatri. Ndërkohë që Pelinku për 32 vjet ka qenë pedagoge në Akademinë e Arteve, dega dramë- regjisurë. Puna me studentët nuk e ka lodhur asnjëherë, madje edhe mjaft prej tyre i vijnë ende ta takojnë në shtëpi.

Sot Drita Pelingu është 85 vjeç, edhe pse është shumë e kënaqur për të gjitha ato që i ka ofruar teatri, vazhdon luftën për të lënë pas emrin e njeriut të mirë dhe të aktores së vërtetë.

Drita Pelingu, një grua e fortë që nuk e kanë mposhtur as dhimbjet më të mëdha të jetës, ka fituar edhe betejën me vitet që ikin.

 
Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 14:30

Tiranë – Komedia “Hiqe ministrin nga priza”, një performancë komike dhe satirike, u shfaq mbrëmjen e djeshme premierë në sallën “Çehov” të Teatrit të Metropolit nga një kast aktorësh të rinj.

Nën regjinë e Arbër Jakllarit, komedia trajton sipas tij një problematikë e cila “qëndron” mjaft mirë në realitetin tonë aktual politik dhe zgjedhja e kësaj vepre nuk ka qënë rastësore.

“Duke qenë se populli ynë është mbingarkuar dhe stresuar me këtë situatë zgjedhore që po ndodh në vend do të doja që ai të vinte në shfaqje për një pastrim shpirtëror duke e parë këtë situatë nga ana komike”, tha Jakllari për ATSH-në.

Ngjarjet e komedisë së autorit Eric Idle zhvillohen në sallonin e shtëpisë së ministrit të Mbrojtjes, i cili ka rënë në koma, por e shoqja dhe dashnori i saj e mbajnë në jetë artificialisht në një inkubator për interesa politike.

Këtu fillojnë situatat komike për të vazhduar me dashnoren e ministrit që vjen në shtëpinë e tij për ta kërkuar atë, vajzën e tij që vendos të martohet me armikun më të madh të babait të saj, kryetarin e opozitës, si dhe intriga, korrupsioni, tradhtia dhe shitja e dinjitetit vetëm për të qëndruar në pushtet.

Aktorët si, Devis Muka, Ina Gjonçi, Klodjana Hoxha, Klodjana Keco, Cubi Metka, Roland Saro, Alban Musa interpretuan në një shfaqje ku pushtetarët flasin pa doreza, ku edhe pse janë në shtëpi ndahen dhe flasin si në parlament, ku pozita dhe opozita aq sa janë armiq bëhen edhe miq për interesa politike.

Regjisori tha se nuk ka përdorur modele politikanësh në shfaqje, por ka skena të cilat publikut i ngjajnë si të para dhe të dëgjuara më parë. “Politikanët i shikojmë brenda mureve të shtëpisë aty ku ata thonë të vërtetat pa doreza, krijohen situata që shkojnë deri në demaskimin e tyre dhe nxjerrin në pah se si janë në të vërtetë ata”, shprehet regjisori Jakllari.

Aktorët e rinj interpretuan në skenën e përgatitur nga skenografi Beqo Nanaj me kostume të Olsida Muratit, ndërkohë që “Hiqe ministrin nga priza” do të ketë edhe 7 takime me spektatorin në datat 3, 4, 5, 9, 10, 11, 12 qershor, ora 20:00.

Regjisori i ri Arbër Jakllari sjell ketë shfaqje pas asaj “Striptiz” në Teatrin Kombëtar.

 
Lajme Shqip Saturday, 21 May 2011 08:32

Tiranë – “Leksioni” i Eugene Ionecso-s është premiera e radhës që po shfaqet në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar, një dramë absurde me në thelb një teatër thellësisht politik.

Një profesor i moshuar, i cili i jep leksione në shtëpinë e tij një vajze maturante, janë personazhët ku përqëndrohet ngjarja, interpretuar nga Vasjan Lami dhe Marsela Lena, ndërsa rolin e shërbëtores e luan Natasha Sela.

Drama me një akt ka sjellë edhe një herë në Tiranë regjisorin Frantz Helmer, i njohur për vënien në skenë të komedisë së Molierit “George Dandin” në Akademinë e Arteve apo për rolin e mjekut në dramën “Vojcek” e Georg Büchner-it.

Helmer kësaj here sjell në TK një vepër për të cilën shprehet se ka kohë që e mendon dhe e sjell në kuadër të 101 – vjetorit të lindjes së autorit, Ionesco. Ai ka zgjedhur këtë vepër pasi, sipas tij, është një teatër thellësisht politik.

“Kisha dëshirë të ndërtoja një pjesë skenike, por dhe pjesa politike ndërthuret me atë artistike për të sjellë në skenë veprën teatrore”, është shprehur Helmer në prononcimin për mediat.

Në leksionin që autori do të japë, komikja ndërthuret me tiraninë e mësuesit, i cili përpiqet qëllimisht t’ia vështirësojë mësimin vajzës për të gjetur edhe motivin e nervozizmit të tij, që agravohet deri sa “detyrohet” ta vrasë atë.

Me skenografi dhe kostume te Genc Mulliqit, Lami dhe Lena sollën për publikun një orë mësimi, e cila përfundon me vrasjen e nxënësve, një veprim absurd dhe i pa besueshëm dhe për këtë arsye autori e vë ngjarjen në një vend dhe kohë diktatoriale

“Personazhi i profesorit përmbledh gjithë farat e karaktereve njerëzore brenda vetes. Ai është timid, është shpirtëror, poetik, është agresiv, i dhunshëm. Nuk e di se çfarë do të shihni ju në shfaqje”, është shprehur Lami në rolin e protagonistit.

Në fund të shfaqjes, pas një “beteje” të gjatë fjalësh pa logjikë dhe vdekjes së vajzës, drama mbyllet me shërbëtoren e profesorit që përshëndet një nxënëse të re të tij.

“Leksioni” do të shfaqet edhe gjatë një turi në Teatrin “A. Z. Çajupi” në Korçë më 25 maj; në Teatrin “Skampa” të Elbasanit më 26 maj; në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës më 29 maj dhe në Qendrën Kulturore “Margarita Tutulani” në Berat, më 3 qershor.

 
Lajme Shqip Friday, 25 March 2011 08:07

Tiranë – Historia e legjendës së shtrigave të Salemit, shkruar nga Arthur Miller, u shfaq premierë mbrëmë në skenën e Teatrit Kombëtar nën konceptin regjisorial të Spiro Dunit si një shfaqje pa përkatësi kohore.

Në “Shtrigat e Salemit”, rolin e protagonistëve Duni ua besoi aktorëve Timo Flloko dhe Eva Alikaj, të cilët me interpretimet e tyre u rikthyen në skenën e TK me rolet e çiftit Proktor, duke përcjellë fatin tragjik të individit në kushtet e mungesës së lirisë.

Në lidhje me rolin e Xhon Proktorit, Flloko u shpreh se e ka patur të vështirë të gjejë karakterin e tij sepse sikurse u shpreh “shkon  shkon aktori te karakteri e nuk e sjell at tek vetja, por tashmë e ka të qartë atë që kërkon nga personazhi i tij”.

“Gjatë punës me rolin, jo vetëm gjatë provave, por edhe gjatë shfaqjeve, i kam përftuar elementët e karakterit dhe të psikologjisë së Xhon Proktorit”, u shpreh Flloko në një prononcim për mediat.

Në skenën e TK-së në rolë të tjera interpretuan aktorët Drita Pelingu, Vasjan Lami, Fatos Sela, Neritan Liçaj, Eni Jani, Naum Shundin, Elia Zaharia, etj.

“Shtrigat e Salemit” ka rikthyer në skenën e teatrin edhe aktoren Drita Pelingu, që pas interpetimit në monodramën “Rouz”, para ca kohësh u shpreh se do të ishte shfaqja e saj e fundit. Por mesa duket nuk qe kështu dhe Pelinku shijoi edhe një herë duartrokitjet e forta të publikut.

Aktorja Elia Zaharia për këtë interpretim të saj të parë në skenën e TK-së u shpreh se nuk mund të vinte më mirë se më një rol të tillë në Teatrin Kombëtar, një rol që e ka frymëzuar shumë.

“Roli i Abigelës është një rol kompleks dhe më vjen mirë që për herë të parë po vi me një rol të plote që ka një trajektore shumë interesante, personazhi ka rrugën e vet dhe për mua kjo është shumë interesante”, tha Zaharia.

Aktorët interpetuan në skenën me skenografi te realizuar nga Bashkim Ahmeti, qe gjatë mbrëmjes shndërrohet në tre pamje të ndryshme ku zhvillohet ngjarja.

Nën kostumet e Anila Zajmit, të përshtatura për kohën kur zhvillohen ngjarjet, aktorët interpetuan historinë e një fshati që brenda një nate u kthye në qendrën botërore të magjisë, dhunës dhe gënjeshtrës, ku hakmarrja bënte ligjet.

Vepra klasike ngjarjet e së cilës zhvillohen në Amerikën e viteve ’50 paraqet fenomenin e makartizmit, shtypjes së mendimeve të lira të individit. Personazhi kryesor Xhon Proktori gjendet mes tundimi për Abigelën dhe ruajtjes së emrit të tij. E ndërsa gruaja e tij Elisabet rrezikon dënimin, Proktor i del në mbrojtje duke dëshmuar për lidhjen me Abigeil dhe për të ruajtur dinjitetitn dhe personalitetin shkon në litar.

Ky bashkëpunimi në teatër i Fllokos me Alikaj është i pari për ta, për të cilin Timo Flloko është shprehur se janë përpjekur të ndërtojnë një komunikim brenda karaktereve që të jenë të vërtetë dhe të besueshëm.

Drama “Shtrigat e Salemit” është shkruar nga Arthut Miller në vitin 1953 dhe të paktë janë teatrot në botë që nuk e kane ngjitur në skenë të paktën një herë këtë dramë, ndërsa në Shqipëri rikthehet pas një venieje vite më parë. Ajo do të vazhdojë të shfaqet në TK edhe në datat 25,26,27 mars.

 
Lajme Shqip Thursday, 24 March 2011 08:12

Tiranë – Drama “Shtrigat Salemit” e autorit Arthur Miller, me regji të Spiro Dunit, do të shfaqet premierë të enjten në mbrëmje në Teatrin Kombëtar, duke çelur sezonin artistik të këtij institucioni për këtë vit.

Regjisori Spiro Duni tha se ka punuar mbi një vepër klasike të shekullit të kaluar duke e sjellë me elegancë dhe artistikisht mesazhin e madh që ka vepra, fatin tragjik te individëve që përplasen në botën agresive dhe të egër.

Protagonistët e shfaqjes janë aktorët Timo Flloko dhe Eva Alikaj të cilët do të interpretojnë personazhet Xhon Proktor dhe Elisabet Proktor, ndërsa në role të tjera interpretojnë aktorët: Elia Zaharia, Fatos Sela, Drita Pelinku, Vasian Lami, Naun Shundi, Eni Jani, Flaura Kureta, etj.

Ngjarja e “Shtrigave të Salemit” zhvillohet në shek. XVII në Masaçusets, ku zien fushata kundër magjive dhe magjistareve dhe ku për një akuzë të tillë përfundoje në litar. Brenda një nate ky fshat u kthye në qendrën botërore të magjisë, dhunës dhe gënjeshtrës, ku të gjithë fjetën njerëz e në mëngjes u ngritën shtriga…!!!

Vepra e Miller-it ka në fokus Amerikën e viteve ’50, por regjisori Duni u shpreh se e ka konceptuar pa fillim dhe pa fund si përkatësi kohore.

Gjatë konferencës për shtyp drejtori i TK-së Kristaq Skrami tha se Teatri Kombëtar është duke vënë në skenë dramaturgji të  autorëve të  mëdhenj dhe një prej tyre është dhe Miller me këtë vepër të fuqishme.

“Shtrigat e Salemit” do të interpetohet në sallën e madhe të TK-së me skenografi të Bashkim Ahmetit, ndërsa aktorët do të luajnë me kostumet realizuar nga Anila Zajmi. Kjo shfaqje është premiera e parë e TK-së, për këtë sezon artistik, provat për të cilën kanë filluar rreth 50 ditë më parë per tu shfaqur nga  24-27 mars, ora 19:00.

“Shtrigat e Salemit” është shkruar nga Arthur Miller në vitin 1953 dhe të pakta janë teatrot në botë që nuk e kanë shfaqur në skenë të paktën një herë këtë dramë, kur në Shqipëri rikthehet pasi është vënë në skenë disa vite më parë.

12