Lajme Shqip Saturday, 20 October 2012 13:20

Igli Tare po mundohet në të gjitha mënyrat për të rritur koloninë shqiptare në radhët e Lacios, duke përfituar edhe nga njohuritë e tij personale. Drejtori sportiv i skuadrës italiane është vënë në kërkim të një tjetër futbollisti shqiptar, Taulant Xhakës, duke tentuar që ta marrë nga radhët e Grasshopers në fund të këtij sezoni.


Mbrojtësi 21 vjeçar, vëllai i madh i futbollistit të përfaqësueses zvicerane, Granit Xhaka, është i huazuar nga Bazeli te Grasshopers deri në fundin e sezonit, por kjo skuadër dëshiron që ta mbajë. Megjithatë, Tare po bën të pamundurën që ta blejë atë në fund të këtij sezoni, duke parë se mbrojtësi i djathtë që ka luajtur rregullisht me kombëtaret e moshave të Zvicrës, nuk kushton më shumë se 400 mijë euro.

Sipas mediave të ndryshme, kjo është një tentativë e Tares që të afrojë në të ardhmen vëllain e vogël, Granit Xhakën, i cili gjatë merkatos verore injoroi Lacion për t’iu bashkuar Borusia Mynshengladbah. Por meqë ekipi gjerman nuk po shfaqet në nivelet e kërkuara dhe Xhaka është konfliktuar me lojtarët e tjetër në klub rreth kësaj teme, duket se ai po merr në shqyrtim idenë e ndryshimit të ambientit.

Me blerjen e Taulant Xhakës, Lacio do të kishte mundësinë t’i afrohej më shumë mesfushorit të kombëtares zvicerane, duke i treguar nga shumë afër se si është jeta në kryeqytetin italian dhe cilat janë ambiciet e klubit.

Gjatë verës, përveç Xhakës, Tare kërkoi të blinte edhe sulmuesin Adrian Nikçi, por ky i fundit më pas preferoi të transferohej në Gjermani, në radhët e skuadrës së Hanover. (LajmeShqip.com)