Lajme Shqip Thursday, 06 June 2013 00:25

Ish- komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi ka kërkuar nga katër grevistët të cilët po qëndrojnë përballë Gjykatës së Apelit në Prishtinë që ta ndërpresin grevën.

Ai nga  paraburgimi, ku është aktualisht, ka dërguar porosinë nëpërmjet gruas së tij raporton portali Koha.net.

Por, grevistët nuk e kanë pranuar këtë duke deklaruar se do ta çojnë kauzën e tyre deri në fund.

Katër veta janë future në grevë prej se EULEX-i arrestoi komandantët që janë pjesë e Grupit Drenica si ambasadorin e Kosovës në Shqipëri Sylejman Selimi, kryetarin e Skënderajt, Sami Lushtaku, Sahit Jasharin, Jahir Demakun, Zeqir Demakun dhe Hysni Thaçin.

 

 
Lajme Shqip Sunday, 02 June 2013 23:25

Gazeta Jeta në Kosovë në Prishtinë raporton se Sylejman Selimi ambasador i Kosovës në Shqipëri ishte marrë në pyetje në vitin 2003 nga hetuesit e Tribunalit të Hagës.

Ai ishte pyetur në cilësinë e dëshmitarinë në rastin kundër Fatmir Limajt në Hagë.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i njohur me nofkën Sulltani kishte mohuar ekzistimin e burgut të Likovcit.

Në këtë fshat të Skënderajt sipas tij gjatë luftës  UÇK-ja kishte pasur një lloj ambulancë të ndihmës së parë për civilë dhe një spital për të plagosurit.

Selimi aktalisht po mbahet në paraburgim bashkë me pesë ish-komandantë tjerë të zonës së Drenicës. Në grupin e tyre bënë pjesë edhe kryetari i Skënderajt Sami Lushtaku.

Prokurori i EULEX-it Mauricio Salustro akuzon ish-komandantët për krime lufte të kryera në zonën e Drenicës përkatësisht në burgun e Likovcit.

Selimi dyshohet se ka grushtuar e rrahur me mjete të drunjta dhe metalike të ndaluarit në burgun e krijuar nga UÇK-ja.

 

 

 
Lajme Shqip Saturday, 25 May 2013 13:01

 

 

Anëtarët e Grupit Drenica po mbahen në arrest shtëpiak me vendim të   Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Vendimi i gjykatës u pasua pas kërkesës së prokurorit të rastit Mauricio Salustro.

Prokurori ka nisur hetime për krime lufte ndaj civilëve që dyshohen se janë kryer nga Sylejman Selimi ish-komandanti i shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sami Lushtaku ish-komandant i zonës operative të Drenicës si dhe nga Jahir Demaku, Zeqir Demaku, Avni Zabeli, Hysni Thaçi e Sahit Jashari.

EULEX-i pati njoftuar se anëtarët e këtij grupi dyshohen se kanë kryer  krime lufte kundër popullsisë civile në formën e dhunimit të integritetit trupor dhe shëndetit të civilëve të mbajtur në qendrën e ndalimit të UÇK-së në Likovc (Komuna e Skënderajt).

 
Lajme Shqip Friday, 24 May 2013 10:20


Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Sylejman Selimi pritet të paraqitet sot në seancën e procedurës paraprake ku një gjykatës i EULEX-it pritet të marrë vendim nëse ambasadorit Selimi do t’i shqiptohet masa e paraburgimit apo do të lihet i lirë.
Seanca gjyqësore do të mbahet në ora 15:00 dhe bashkë me ambasadorin do të paraqiten edhe Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Jahir Demaku, Zeqir Demaku e Hysni Thaçi, të cilët janë ndaluar në mbajtje nga EULEX-i. 
Grupi i Drenicës akuzohet për krime lufte për veprat-torturim, arrestime e trajtim çnjerëzor.

 
Lajme Shqip Thursday, 23 May 2013 21:57

 

Pesë të arrestuarit pjesë e grupit “Drenica”, janë ndalë në mbajtje për 24 orë nga Misioni Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).

Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Jahir Demaku, Zeqir Demaku dhe Hysni Thaçi u ndaluan nga EULEX-i nën dyshimin për kryerje të krimeve të luftës.

“Pesë individët janë duke u hetuar për krime lufte kundër popullsisë civile në formën e dhunimit të integritetit trupor dhe shëndetit të civilëve të mbajtur në qendrën e ndalimit të UÇK-së në Likovc (komuna e Skënderajt)”, theksohet në kumtesën  e EULEX-it.

Pjesë e hetimeve të gjëra te EULEX-it raportohet se është edhe Sylejman Selimi ambasador i Kosovës në Tiranë i cili pritet të paraqitet para prokurorit të EULEX-it. 

 
Lajme Shqip Wednesday, 15 May 2013 16:06

Sylejman Selimi, ambasador i Kosovës në Shqipëri, dhe 16 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shumë shpejt do të përballen me akuza për krime lufte.

Pohimet e publikuara disa ditë më parë, se EULEX po heton  mbi të lartëpërmendurit nuk janë komentuar nga Misioni Europian për Sundim të Ligjit në Kosovë.

 “EULEX-i nuk ka koment për këtë çështje”,  ishte përgjigja e vetme zyrtare e dhënë nga Prokuroria e EULEX’it përmes postës elektronike për Express.

Ndryshe, ditë më parë ishte publikuar lajmi se Sylejman Selimi po hetohet nga një Prokuror i EULEX’it nën dyshimin për torturim, dhunim dhe keqtrajtim të civilëve, ngjarj etë cilat janë zhvilluar në Drenicë, gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Aktualisht, Selimi është ambasador i Kosovës në Tiranë.