Lajme Shqip Wednesday, 22 August 2012 15:53

Zhoze Murinjo nuk ka ngurruar të deklarojë sot se është gati të firmosë për humbjen  e Superkupës së Spanjës përballë Barcelonës nëse në fund të sezonit do të fitojë titullin kampion, ashtu siç ndodhi në sezonin e kaluar.

“Superkupa nuk vendos për kampionatin dhe jam gati të firmos që tani ta humb këtë trofe dhe të marr kampionatin në fund të sezonit siç ndodhi një vit më parë. Fitorja apo humbja e Superkupës jep një motivim të veçantë, këtu jam dakord, por ky është thjesht turneu më pak i rëndësishëm nga ato katër që luajmë dhe nuk ka asnjë rëndësi për vazhdimin e sezonit”, deklaroi trajneri i Realit.

“Kuptohet që përballë klubesh rivale kërkohet gjithmonë një fitore, edhe nëse është një turne vere siç ndodh në Itali. Kjo është arsyeja pse duhet fituar Superkupa, por luajmë duke e ditur se nuk ka asnjë vlerë për vazhdimin e sezonit”.

“Ndryshimi Guardiola-Vilanova? Për mua kundërshtar është Barcelona dhe pikë. As Guardiola, as Vilanova, thjesht Barcelona. Është një ekip që ka praktikisht të njëjtët lojtarë dhe dy trajnerët kanë të njëjtën filozofi. Personalisht nuk shoh ndonjë ndryshim të madh”.

Në fund, Murinjo ka insistuar se për të, Barcelona nuk ka vënë asnjëherë hegjemoninë në futbollin evropian në vitet e fundit, pasi nuk ka arritur të mbrojë trofeun e Ligës së Kampioneve.

“Nuk mund të flitet për hegjemoni në futbollin evropian kur nuk ke fituar asnjëherë dy Liga Kampionesh radhazi. Nuk e di nëse gabohem por nëse asnjë ekip nuk e ka fituar dy herë radhazi Ligën e Kampioneve, kjo do të thotë se futbolli evropian nuk ka qenë nën hegjemoninë e askujt”. (LajmeShqip.com)