Lajme Shqip Saturday, 01 September 2012 10:50

Paraqitja e Radamel Falkao në ndeshjen e Superkupës së Evropës me 3 golat e tij, ka bërë që sulmuesi kolumbian të meritojë elozhe nga ekspertët e futbollit botëror. Kjo është arsyeja pse trajneri i Atletiko Madrid, Diego Siemone, është shfaqur i lumtur që futbollisti ka vendosur të qëndrojë pjesë e skuadrës spanjolle.

“Sa mirë që ndeshja u luajt me datë 31 gusht! Fatmirësisht mëkatoja u mbyll, pasi nëse do të luanim pak ditë më parë, me këto tre gola që shënoi, atëherë do ta kishim patur të vështirë ta mbanim në ekip. Mendoj se për momentin, Falkao është një nga sulmuesit më të fortë në qarkullim”, tha tekniku argjentinas.

I të njëjtit mendim është edhe Roberto Di Mateo, i cili pa se si lojtari masakroi mbrojtjen e tij që i kishte rezistuar me sukses sulmit të Barcelonës e Bajern Mynih për të siguruar Ligën e Kampioneve në sezonin e kaluar.

“Ai është padyshim një nga sulmuesit më të mirë në kontinentin tonë. E dinim që para ndeshjes se do të kishim përballë një nga sulmuesit më të fortë që luajnë në Evropë. E tregoi përsëri këtë sot, sidomos me golin e dytë. Ai është një futbollist i shkëlqyer”, tha trajneri i Çelsit i cili në fillimin e merkatos së verës u mundua të blinte lojtarin e Atletiko Madrid, por ndeshi në rezistencën e klubit spanjoll që kërkoi 60 milion euro për shitjen e tij. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 31 August 2012 22:05

Radamel Falkao ka treguar se është një nga sulmuesit më në formë aktualisht në botë me një paraqitje spektakolare, duke ndihmuar me tre golat e tij skuadrën e Atletiko Madrid të fitojë Superkupën e Evropës përballë Çelsit në suksesin 4-1.

Pasi ndihmoi ekipin spanjoll në sezonin e kaluar të fitonte Europa League me 12 golat e  tij, sulmuesi kolumbian ka qenë fantastik edhe në ndeshjen e luajtur në Monako, duke i treguar fituesve të Ligës së Kampioneve që kishin gabuar që nuk kishin siguruar shërbimet e tij gjatë merkatos së verës kur për disa javë e cilësuan si një përforcim të mundshëm.

Falkao ka masakruar thuajse i vetëm mbrojtjen e Çelsit në pjesën e parë, duke qenë vdekjeprurës me tre gola të shënuar në minutat 8, 17 dhe 44, për të konfirmuar edhe një herë se për momentin është në një formë të shkëlqyer dhe është i pandalshëm. 

Shtylla shpëtoi portën e Çeh nga një gol i katërt i sulmuesit kolumbian në pjesën e dytë, por gjithsesi, ishte Miranda që shënoi golin e katërt për spanjollët në minutën e 59-të.

Një gol i Kahill në minutën e 74-t shërbeu vetëm si ngushëllim për londinezët dhe për të vulosur rezultatin 4-1 në favor të ekipit spanjoll që rifiton Superkupën e Evropës pas dy sezonesh. (LajmeShqip.com)