Lajme Shqip Sunday, 12 February 2012 21:10

Kampionët në fuqi të Skënderbeut kanë lënë pas fillimin shumë të dobët të sezonit duke u kthyer përsëri si pretendentë. Korçarët kanë triumfuar 4-2 ndaj Tomorit në stadiumin e rikonstruktuar të qytetit të Beratit, duke arritur suksesin e 6-të radhazi në kampionat.

Ndeshja mes dy skuadrave ka qenë mjaft entuziazmuese sepse ka patur gola dhe emocione. Kanë qenë miqtë që kanë kaluar të parët në avantazh me anë të Shkëmbit pas një 11-metërshi, ndërsa Bakiu ka baraspeshuar shifrat me një aksion personal në minutën e 34-t. Por Skënderbeu mbyll pjesën e parë në avantazh falë goli të Radas me goditje dënimi në minutën e 42-të.

Ofeje arrin të rivendosë barazimin në minutën e 61-të, duke ngjallur entuziazmin në stadium. Por gëzimi i vendasve nuk zgjat shumë pasi vetëm 4 minuta më vonë është Muzaka që kalon përsëri në avantazh korçarët. Mesfushori i kombëtares tregon saktësinë e tij para portës edhe pak minuta më vonë, duke mundur përsëri Llanin dhe duke çuar rezultatin në 4-2 për Skënderbeun.

Në minutat e mbetura të takimi, për t’u shënuar është kartoni i tretë i kuq në 10 ndeshje kampionati për Ditmar Bicajn, i cili la skuadrën e tij me 10 lojtarë. Gjithsesi, Skënderbeu mori një sukses të rëndësishëm që e afron 3 pikë larg kreut të renditjes që mbahet nga Teuta.

Ndërkohë, ndeshja tjetër e të dielës ka qenë ajo mes Pogradecit dhe Kastriotit, e përfunduar në barazim 1-1. Në takimin e luajtur në Elbasan për shkak të dënimit të stadiumit të pogradecarëve, “vendasit” kanë kaluar në avantazh të parët me anë të penalltisë së Çerepit në minutën e 43-të, por nuk kanë arritur t’i gëzohen 3 pikëve pasi Oganjoviç ka shënuar golin e barazimit 7 minuta para fundit të sfidës.

Java e 14-të e Kategorisë Superiore përfundon me sfidën e të hënës mes dy skuadrave që mbyllin renditjen, Dinamos dhe Apolonisë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 10 February 2012 19:39

Tirana ka ngushtuar diferencën në kreun e renditjes në takimin e parë të fazës së dytë të kampionatit duke mundur në Durrës me rezultatin 2-1 pikërisht kryesuesit e Teutës.

Ekipi i drejtua nga spanjolli Rubio ka kaluar në avantazh me anë të Bekim Balës, por rezultati është barazuar në minutën e 45-të nga Çota. Gjithsesi, pak minuta pas fillimit të pjesës së dytë, Tirana ka gjetur përsëri golin kur Stafa ka devijuar topin në portën e tij.

Rezultati nuk ka ndryshuar deri në vërshëllimën përfundimtare, pavarësisht tentativave të vendasve apo edhe daljes me karton të kuq të kapitenit të kryeqytetasve, Sina. Teuta vazhdon të kryesojë renditjen në kuotën e 32 pikëve, por Tirana ka ngushtuar në dy pikë diferencën, duke patur tashmë 30 pikë.

Në takimin tjetër të luajtur sot, Laçi ka mundur Vllazninë me rezultatin 1-0 duke u larguar përkohësisht nga zona e ftohtë e renditjes. Në ndeshjen e zhvilluar në fushën asnjanëse të Krujës, goli i vetëm i takimit u shënua nga Hysa në minutën e 6-të. (LajmeShqip.com)

Rezultatet

Laçi-Vllaznia       1-0

Teuta-Tirana     1-2

11/02/12

Kamza-Flamurtari         14:00

Shkumbini-Bylis            14:00

12/02/12

Tomori-Skënderbeu     13:00

Pogradeci-Kastrioti      14:00

13/02/12

Dinamo-Apolonia         14:00

Renditja

Teuta 32, Tirana 30, Skënderbeu 26, Kastrioti 23, Flamurtari 22, Bylis 18, Shkumbini 18, Vllaznia 17, Laçi 14, Kamza 14, Pogradeci 13, Tomori 11, Apolonia 8, Dinamo 1.