Lajme Shqip Saturday, 11 May 2013 19:26

Kategoria Superiore, pasi kishte mbyllur prej javësh çdo diskutim, sot është mbyllur edhe në fushën e lojës, pasi janë luajtur takimet e javës së 26-të. Kuptohet se duke qenë çdo gjë e përcaktuar prej kohësh përsa i përket rënies nga kategoria, skuadrat nuk është se janë lodhur shumë në ndeshjet pa vlerë të kësaj jave.

Ndeshja më interesante dhe që ka dhuruar pak emocione ka qenë ajo mes Skënderbeut kampion dhe Kukësit të vendit të dytë, takim i luajtur në fushën e këtyre të fundit. Nënkampionët, në sezonin e tyre të debutimit në Kategorinë Superiore, i kanë bërë një mbyllje shumë të bukur këtij kampionati historik për ta, duke fituar 4-3 ndaj korçarëve dhe duke regjistruar vetëm 6 pikë diferencë pas 26 javësh nga skuadra që në vitet e fundit ka dominuar futbollin shqiptar.

Me mbylljen e kampionatit, Skënderbeu do të shkojë në Ligën e Kampioneve në edicionin e ardhshëm, ndërsa Kukësi e Teuta do të luajnë në Europa League. Në Kategorinë e Parë do të bien Shkumbini, Tomori, Luftëtari e Apolonia. Për t’u përcaktuar ka mbetur vetëm fituesi i Kupës që për herë të parë vë përballë njëra-tjetrës skuadrat e Laçit dhe Bylisit. Përveç trofeut të parë në historinë e këtyre dy klubeve, fituesi siguron edhe pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm. (LajmeShqip.com)

Kategoria Superiore

Java 26 / Rezultatet

Luftëtari-Shkumbini      1-2

90’+1’ Nora / 18’ Lluca, 70’ (p) Mile

Bylisi-Besa                   1-1

31’ Izuçuku / 60’ Poçi

Apolonia-Flamurtari      0-0

Vllaznia-Kastrioti          2-0

58’ Guri, 89’ Vecaj

Kukësi-Skënderbeu      4-3

43’ Alikaj, 451+1’, 64’ Popoviç, 81’ (p) Allmuça / 25’ Pejiç, 47’ Lilaj, 74’ Shkembi

Klasifikimi: Skënderbeu 58 pikë, Kukësi 52, Teuta 48, Flamurtari 46, Tirana 43, Vllaznia 38, Laçi 38, Kastrioti 34, Besa 32, Bylis 30, Shkumbini 29, Tomori 19, Luftëtari 19, Apolonia 13.

 
Lajme Shqip Saturday, 04 May 2013 19:21

Kukësi ka vazhduar edicionin e mrekullive, duke siguruar sot matematikisht pjesëmarrjen në Europa Legaue në sezonin e ardhshëm falë fitores 3-0 në Krujë ndaj Kastriotit vendas. Ekipi verior vazhdon të jetë në vendin e dytë në klasifikim, një objektiv që mund të sigurojë përfundimisht vetëm në javën e fundit, pasi është një pikë para Teutës që e ndjek hap pas hapi.

E pavlefshme ka qenë tentativa e fundit e Flamurtarit për të siguruar Evropën, pasi vlonjatët kanë mbetur në vendin e katërt dhe falë ndeshjeve direkte, nuk mund të kalojnë në renditje ekipin durrsak që ka tre pikë më shumë se ata. Gjithsesi, skuadra e drejtuar nga Gjoka ka fituar 3-1 përballë Vllaznisë, një skuadër e cila aktualisht po luan kryesisht me lojtarët e rinj dhe ata që ka vendosur të mbajë në sezonin e ardhshëm.

Ndeshjet e tjera kanë qenë thjesht për statistikë, pasi tashmë është përcaktuar se kush do të bjerë nga kategoria në sezonin tjetër, me Shkumbinin, Luftëtarin, Tomorin e Apoloninë, që nga viti i ardhshëm kthehen në Kategorinë e Parë. (LajmeShqip.com)

Kategoria Superiore

Java 25 / Rezultatet

Skënderbeu-Luftëtari               1-0

51’ Plaku

Kastrioti-Kukësi                        0-3

36’ (ag) Pengili, 75’ Mziu, 78’ Popoviç

Flamurtari-Vllaznia                    3-1

3’ Idrizaj, 45’ Nelaj, 86’ Lena / 53’ Shtubina

Besa-Apolonia                          1-1

40’ Maliniç / 64’ Dushku

Tirana-Bylis                              2-1

11’ Lika, 77’ Limani / 39’ Sefa

Shkumbini-Tomori                    2-1

20’, 22’ Mile / 76’ Avdo

Klasifikimi: Skënderbeu 58 pikë, Kukësi 49, Teuta 48, Flamurtari 45, Tirana 42, Laçi 37, Vllaznia 35, Kastrioti 34, Besa 31, Bylis 29, Shkumbini 26, Luftëtari 19, Tomori 16, Apolonia 12.

 
Lajme Shqip Saturday, 27 April 2013 21:41

Kukësi vazhdon të rishkrujë historinë e futbollit shqiptar, duke realizuar jo vetëm një ngjitje të bujshme brenda vitit nga Kategoria e Parë në Kategorinë Superiore, por edhe duke mbyllur sezonin e parë në elitën e futbollit shqiptar me një pozicionim në vendin e dytë në klasifikim.

Kuksianët e drejtuar me sukses nga Armando Cungu kanë dhënë një tjetër provë force me suksesin 6-1 kundër Flamurtarit, një rival direkt që shpresonte t’i rrëmbente vendin e dytë në renditje. Por veriorët kanë qenë të pandalshëm përballë tifozerisë së tyre, duke mos i lënë asnjë hapësirë skuadrës së drejtuar nga Ernest Gjoka dhe duke bërë që ata të regjistrojnë një nga humbjet më të bujshme të viteve të fundit.

Flamurtari, një skuadër e ndërtuar për të fituar trofe, jo vetëm që nuk ka arritur një gjë të tillë, por tashmë e sheh veten jashtë Europa Legaue, pasi fitorja e Teutës në fushën e Bylis ka bërë që durrsakët të marrin vendin e tretë dhe të shkëputen nga skuadra vlonjate.

Përsa i përket luftës për mbijetesë, duket se gjithçka ka përfunduar me humbjen e sotme të Shkumbinit në fushën e Laçit, pasi peqinasit mbeten 6 pikë pas Bylisit që gjendet para tyre dhe në dy javët e fundit, duke parë kalendarin, duket thuajse e pamundur që ballshiotët të mos fitojnë qoftë edhe një pikë. (LajmeShqip.com)

Kategoria Superiore

Java 24 / Rezultatet

Kukësi-Flamurtari              6-1

8’ (p), 22’ Allmuça, 47’, 60’ Hoxha, 51’ Progni, 75’ Popoviç / 76’ Muzaka

Luftëtari-Tomori                 2-2

32’ (p) Fonseka, 38’ Lluka / 7’ Muxhaj, 10’ (ag) Fonseka

Laçi-Shkumbini                  1-0

62’ Ndreka

Bylisi-Teuta                        1-2

30’ Bakiu / 60’ Jakupi, 67’ Hodo

Apolonia-Tirana                  0-0

Vllaznia-Besa                     0-1

67’ Berisha

Klasifikimi: Skënderbeu 55 pikë, Kukësi 46, Teuta 45, Flamurtari 42, Tirana 39, Laçi 37, Vllaznia 35, Kastrioti 34, Besa 30, Bylis 29, Shkumbini 23, Luftëtari 19, Tomori 16, Apolonia 11.

 
Lajme Shqip Saturday, 13 April 2013 20:20

Skuadra e Kukësit vazhdon mrekullitë e saj në këtë sezon, pasi vetëm 4 javë para fundit të Kategorisë Superiore, kanë arritur të ngjiten në vendin e dytë në klasifikim dhe bëhen kandidatë seriozë për luajtjen në Europa League në sezonin e ardhshëm.

Ekipi i drejtuar nga Armando Cungu ka mundur me rezultatin 2-1 Tiranën, duke treguar edhe një herë se nuk është rastësisht në këtë pozicion në klasifikimin e kampionatit shqiptar. Në një ndeshje mjaft emocionuese, skuadra kuksiane ka arritur të shfrytëzojë hapësirat e lëna nga mbrojtja e kryeqytetasve, ndonëse për të marrë tri pikët i është dashur goli i Popoviç në minutën e 89-të, ndërsa Çota kishte shënuar barazimin për Tiranën vetëm 2 minuta më parë.

Hapi lart në renditje i Kukësit ka ardhur pasi Flamurtari ka gabuar në ndeshjen e vet në fushën e Kastriotit, duke u mundur me rezultatin e pastër 3-0. Vlonjatët janë shfaqur shumë larg formës së tyre të zakonshme, duke humbur kështu një mundësi të mirë për të ruajtur pozicionet në renditje që të çojnë në Kupat e Evropës.

Ndërkohë, Skënderbeu ka fituar 2-0 përballë Besës dhe bëhet gati për të festuar një tjetër titull kampion, ndoshta matematikisht që nesër, nëse Teuta mundët përballë Vllaznisë në takimin që mbyll javën e 22-të të Kategorisë Superiore. (LajmeShqip.com)

Kategoria Superiore

Java 22 / Rezultatet

Skënderbeu-Besa         2-0

35’ Souza, 68’ Fagu

Kukësi-Tirana              2-1

79’ Brahja, 89’ Popoviç / 87’ Çota

Kastrioti-Flamurtari      3-0

38’ Hysa, 50’ Karapici, 64’ Shaba

Apolonia-Shkumbini     1-1

45’ Dushku / 83’ Sekseni

 

 
Lajme Shqip Sunday, 31 March 2013 19:07

Tirana dhe Vllaznia kanë mbyllur ndeshjet e javës së 30-të me fitore që i mbajnë në garë për vendin e tretë që çon në Europa League në sezonin e ardhshëm. Bardheblutë kanë dalë me një fitore të rëndësishme nga fusha e Kastriotit, ndërsa shkodranët kanë mundur në fushën e tyre Tomorin që po bëhet gati për kthimin në Kategorinë e Parë në sezonin e ardhshëm.

Tirana i ka dhënë fund krizës së saj me suksesin 3-0 në Krujë përballë Kastriotit vendas. Në një ndeshje ku vendasit kanë dominuar në lojë, bardheblutë kanë shfrytëzuar aftësitë individualë në repartin ofensiv dhe lojën në kundërsulm, pasi kanë goditur brenda pak minutash në pjesën e dytë falë kundërzbritjeve të shpejta, duke mbyllur ndeshjen dhe duke u kthyer 4 pikë larg Flamurtarit e Kukësit që ndajnë vendin e tretë në renditjen e Kategorisë Superiore.

Në të njëjtën kuotë pikësh me Tiranën është edhe Vllaznia, që ka mundur 2-1 Tomorin, skuadrën beratase që tashmë duket se është dorëzuar plotësisht dhe po mendon më shumë për sezonin e ardhshëm, se si do të paraqitet në Kategorinë e Parë. Megjithatë, për të zgjidhur ndeshjen, Vllaznisë i është dashur një paraqitje e shkëlqyer e Arsen Hajdarit, autor i dy golave në këtë sfidë, për t’i dhënë suksesin ekipit të drejtuar nga Artan Bushati që mban ende shpresa për ngjitjen mes ekipeve më të mira. (LajmeShqip.com)

Kategoria Superiore

Java 20 / Rezultatet

Kastrioti-Tirana            0-3

61’ Abilaliaj, 71’ Lika, 78’ Çota

Vllaznia-Tomori            2-1

12’, 45’ Hajdari / 30’ Mitraj

Klasifikimi: Skënderbeu 49 pikë, Teuta 38, Flamurtari 36, Kukësi 36, Tirana 32, Vllaznia 32, Laçi 28, Kastrioti 28, Bylis 26, Besa 24, Luftëtari 18, Shkumbini 16, Tomori 9, Apolonia 9.

 
Lajme Shqip Saturday, 30 March 2013 19:37

Nëse lufta për titullin kampion në Kategorinë Superiore duket se ka përfunduar, me Skënderbeun që thjesht “shtyn” javët deri në dorëzimin e trofeut të tretë radhazi, shumë e hapur duket beteja për vendin e dytë dhe të tretë në renditje që sigurojnë pejsëmarrjen në Europa League.

Pas ndeshjeve të sotme, vendin e tretë në renditje e ndajnë Flamurtari dhe Kukësi në të njëjtën kuotë pikësh, ndërsa janë vetëm 2 pikë nga Teuta e vendit të dytë. Pikërisht durrsakët nuk kanë arritur të bëjnë mrekullinë ndaj Skënderbeut në takimin e mbyllur 0-0, duke mos arritur t’i japin pak më shuam emocion kampionatit në javët e fundit dhe komplikuar pozicionin e tyre, pasi i kanë dhënë mundësinë ndjekësve të afrohen.

Nuk ka përfituar Flamurtari, kandidat për vendin e dytë në renditje, pasi edhe vlonjatët janë ndalur në shtëpi me rezultatin 0-0 përballë Besës që lufton për mbijetesë. Por hapa para ka bërë Kukësi, ekipi që në këtë sezon ka çuditur të gjithë, ndonëse debutues në Kategorinë Superiore.

Kuksianët kanë fituar me rezultatin 5-1 përballë Shkumbinit, një goleadë që ka mbajtur kryesisht firmën e Popoviç, autor i tre golave në pjesën e parë të ndeshjes, duke dënuar peqinasit që duket se janë dorëzuar dhe sezonin e ardhshëm do të luajë një kategori më poshtë.

Për kuksianët do të jetë vendimtare kjo javë, pasi luajnë ndeshjen e parë të gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë ndaj Laçit, ndërsa të shtunën vizitojnë pikërisht Teutën, rivalen direkte për renditjen në vendin e dytë në klasifikim. (LajmeShqip.com)

Kategoria Superiore

Java 20 / Rezultatet

Luftëtari-Bylis            1-1

30’ Fonseka / 44’ Gërxho

Apolonia-Laçi            1-1

14’ Buljan / 40’ Ribaj

Kukësi-Shkumbini       5-1

6’, 9’, 43’ Popoviç, 63’ Manuka, 85’ Malindi / 86’ Gjata

Skënderbeu-Teuta     0-0

Flamurtari-Besa          0-0

Klasifikimi: Skënderbeu 49 pikë, Teuta 38, Flamurtari 36, Kukësi 36, Vllaznia 29, Tirana 29, Laçi 28, Kastrioti 28, Bylis 26, Besa 24, Luftëtari 18, Shkumbini 16, Tomori 9, Apolonia 9.

 
Lajme Shqip Saturday, 16 March 2013 16:55

Problemet e javës së fundit me protestat për rrogat e prapambetura dhe çështjen e shumëpërfolur të ndeshjes Besa-Tirana, duket se ka shpërqendruar bardheblutë, të cilët janë mundur sot në kryeqytet nga Flamurtari,. Kuptohet që një humbje përballë vlonjatëve nuk mund të cilësohet çudi, por në fakt kjo ndeshja ishte e tillë, pasi në pjesën e parë bardheblutë luajtën mirë dhe fituan 3-1, ndërsa në pjesën e dytë thuajse nuk ekzistuan në fushë dhe vlonjatët shënuan 5 gola.

Pjesa e parë e takimit ka shfaqur Tiranën që luante qartë në sulm, duke krijuar rrezikshmëri të vazhdueshme në portën kundërshtare dhe duke gjetur rrjetën 3 herë me anë të Morinës, Takut e Gilman Likës. Ndërsa Flamurtari dukej në kaos të plotë dhe vetëm një gol i Muzakës ishte shumë pak për këto 45 minuta të para nga një skuadër e ndërtuar me idenë për të luftuar për trofe.

Por pjesa e dytë tregon një tablo tjetër, që hapi vend për dyshime edhe mes tifozëve në tribuna. Tirana thuajse nuk ekziston më në fushën e lojës dhe nga kjo situatë përfiton lehtësisht Flamurtari që gjen rrjetën pa shumë probleme. Pepa (2), Muzaka, Lena dhe Memelli me penallti vulosin 5 golat vlonjatë të pjesës së dytë si dhe suksesin e thellë 6-3 përballë Tiranës që është larguar nga fusha mes kontestimeve të tifozerisë së vet.

Nëse Tirana tashmë ka humbur në mesin e renditjes, Flamurtari vazhdon të luftojë për vendin e dytë, i cili mbetet ende në dorë të Teutës. Durrsakët kanë fituar sot minimalisht 1-0 ndaj Kastriotit falë golit të Jakupit dhe kanë ruajtur diferencën prej 2 pikësh që kanë ndaj ekipit vlonjat. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 10 March 2013 19:18

Dy ditët e fundit kanë sjellë në skenë përsëri fytyrën e vërtetë të shëmtuar të futbollit shqiptar, atë të dhunës në stadiume. Pas skandalit të një ditë më parë kur kryetari i bashkisë së Gramshit ka hyrë me makinën e tij në ambientet e brendshme stadiumit, në tentativën për t’i dhënë një “mësim” gjyqtarëve, skandali i radhës vjen nga Kavaja, ku kryebashkiaku Elvis Roshi ka goditur trajnerin e Tiranës, Nevil Dede në pushimin e ndeshjes.

Është mësuar se në pushimin e ndeshjes, kur rezultati i takimit ishte 1-0 për ekipin vendas, Roshi ka hyrë në dhomat e zhveshjeve të Tiranës dhe ka kërcënuar me jetë futbollistët bardheblu, duke i kërkuar qartësisht të mos bënin tentativa “të kota” për të fituar ndeshjen pasi rrezikonin jetën e tyre. Këto kërcënime ai i ka shoqëruar edhe me veprime, pasi ka goditur me grusht trajnerin e bardhebluve, Nevil Dede.

Lojtarët e Tiranës kanë refuzuar fillimisht të dalin në fushën e lojës për pjesën e dytë të takimit, por ka qenë trajneri Dede ai që ka insistuar që të vazhdohet takimi për të evituar incidente edhe më të pakëndshme. Ndërkohë, ai ka bërë kallëzim penal ndaj kryebashkiakut të Kavajës, i cili është zhdukur nga stadiumi dhe është shpallur në kërkim. Për të garantuar mbarëvajtjen e ndeshjes deri në fundin e saj, është dashur mbërritja me shpejtësi e forcave RENEA që kanë siguruar qetësinë në stadium dhe kanë evituar probleme të tjera.

Në një situatë të tillë, thuajse çdo rezultat sportiv i kësaj jave ka kaluar në plan të dytë, duke parë nevojën urgjente të reformës së legjislacionit përkatës, që u jep të drejtë personave me pushtet të bëjnë ligjin dhe rolin e të fortit në stadiumet shqiptare. Ky nuk është rasti i parë i këtij lloji, pasi pason ato të panumërta ku deputetë të parlamentit shqiptar janë bërë nxitës të dhunës ndaj gjyqtarëve e kundërshtarëve, por duket se kohët e fundit kjo dhunë ka përshkallëzuar në mënyrë të tillë, sa po bën të pamundur zhvillimin e sportit të futbollit në Shqipëri, duke shëmtuar lojën dhe duke larguar edhe ata pak tifozë që kanë mbetur në stadiume. (LajmeShqip.com)

Kategoria Superiore

Java 18 / Rezultatet

Kukësi-Laçi          2-1

70’ Popoviç, 80’ Brahja / 75’ (ag) Hoxha

Besa-Tirana         2-1

30’ (p) Çikalleshi, 90’+2’ Batha / 90’ Lika

Vllaznia-Bylis        1-0

23’ (p) Dragoi

Flamurtari-Teuta  1-1

38’ Muzaka / 82’ Muriqi

Klasifikimi: Skënderbeu 45 pikë, Teuta 34, Flamurtari 32, Kukësi 30, Vllaznia 29, Tirana 29, Kastrioti 28, Laçi 24, Bylis 22, Besa 20, Luftëtari 17, Shkumbini 16, Tomori 9, Apolonia 8.

 
Lajme Shqip Saturday, 09 March 2013 18:05

Skënderbeu ka hedhur një tjetër hap drejt titullit të tretë kampion radhazi falë suksesit 4-2 ndaj Tomorit, ndërsa ka vërtetuar se vetëm matematika është ajo që e ndan nga ky trofe.

Korçarët e drejtuar nga Mierel Josa kanë dominuar plotësisht ndeshjen, edhe pse janë gjetur në disavantazh pas golit të Elmazit. Lilaj, Çaushaj dhe dy gola të Plakut kanë bërë menjëherë diferencën për ekipin kampion të Shqipërisë,ë ndërsa një ngushëllim shumë i vogël për miqtë ka qenë goli i shënuar nga Mitraj. Tashmë Tomori e sheh veten shumë pranë rënies nga kategoria dhe duket se vetëm një mrekulli mund të shpëtojë skuadrën e Miles.

Një ndjshje shumë e rëndësishme në luftën për mbijetesë ka qenë edhe ajo mes Luftëtarit dhe Apolonisë, ku gjirokastritët kanë fituar 3-2 për të marrë disi frymë më lehtësisht pasi i janë larguar pak fundit të renditjes. Fonseka, Beqiri dhe Lluka kanë qenë autorët e golavet për ekipin gjirokastrit që tashmë ka kaluar pikërisht Apoloninë në renditje dhe mban gjallë shanset për mbijetesë.

Edhe Shkumbini është mes skuadrave që rrezikon seriozisht rënien dhe këtë e ka vërtetuar më së miri humbja në Krujë përballë Kastriotit vendas. Ka qenë një gol i Kalarit në pjesën e dytë që ka vulosur fatin e ndeshjes, duke lënë peqinasit mes katër skuadrave të fundit në renditje, në zonën e rënies nga kategoria. Ndërsa Kastrioti është i sigurt në mesin e tabelës së klasifikimit, pas një serie pozitive prej 6 ndeshjesh radhazi ku kanë regjistruar 5 fitore e 1 barazim. (LajmeShqip.com)

Kategoria Superiore

Java 18 / Rezultatet

Luftëtari-Apolonia        3-2

5’ Fonseka, 75’ Beqiri, 85’ Lluka / 37’ Dushku, 89’ Ndoni

Kastrioti-Shkumbini      1-0

67’ Kalari

Skënderbeu-Tomori     4-2

34’ Lilaj, 37’ Çaushaj, 45’, 49’ Plaku/ 32’ Elmazi, 63’ Mitraj

Klasifikimi: Skënderbeu 45 pikë, Teuta 33, Flamurtari 31, Tirana 29, Kastrioti 28, Kukësi 27, Vllaznia 26, Laçi 24, Bylis 22, Besa 17, Luftëtari 17, Shkumbini 16, Tomori 9, Apolonia 8.

 
Lajme Shqip Monday, 10 December 2012 19:17

Humbja 1-0 në fushën e Bylisit në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë ka mjaftuar që drejtuesit e Flamurtarit të binden përfundimisht për të larguar trajnerin spanjoll Hulian Rubio nga drejtimi i skuadrës.

Në fakt shkarkimi i tij përflitej prej kohësh, por drejtuesit e skuadrës vlonjate vazhdonin t’i jepnin një mundësi tjetër trajnerit që iu afrua ekipit në fillimin sezonit, pasi kishte kaluar një vit në drejtimin e Tiranës.

Menjëherë pas ndeshjes së Kupës u pa qartë që raporti mes palëve ishte krisur përfundimisht, pasi mes trajnerit spanjoll dhe shefit të klubit, Geri Çipi, shpërtheu një debat që pa hyrë në dhomat e zhveshjeve. Debati ka vazhduar më pas edhe në prani të lojtarëve, duke paraprirë vendimin e sotëm të shkarkimit të tij.

Tashmë duket se Flamurtari do t’i kthehet përsëri një ish-trajneri, Gugash Maganit i cili dy sezone më parë i shpalli nënkampionë të Shqipërisë dhe bëri që ekipi vlonjat të kthehej në elitën e futbollit shqiptar. Bisedimet mes palëve kanë filluar prej kohësh, pasi drejtuesit e Flamurtarit e shihnin që eksperiencës së Rubios në drejtimin e kësaj skuadre po i vinte fundi. (LajmeShqip.com)