Lajme Shqip Friday, 16 August 2013 09:35

Damask – Historiani kosovar nga Siria, Muhamed Mufaku- Arnauti, shpreh shqetësim lidhur me pjesëmarrjen e shqiptarëve në luftën civile në Siri.

Arnauti thekson shqiptarët po luftojnë krah për krah me fundamentalistët islamikë dhe grupet terroriste siriane.

“Kemi shqiptarë të armatosur që luftojnë me motive fundamentaliste për të krijuar një shtet islamik në Siri. Ata po stërviten dhe po luftojnë atje. Ndonjë ditë do të kthehen në Kosovë me po të njëjtat ide dhe kjo është shumë e rrezikshme”, thotë historiani Arnauti.

Historiani me prejardhje kosovare, në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, tha se shqiptarët nuk kanë çfarë kërkojnë në luftën e Sirisë.

“Fushëbeteja e shqiptarëve nuk është në Siri, por është këtu. Për tu inkuadruar në jetën e Kosovës, për të krijuar vende pune dhe ambient të mirë”, porositi ligjëruesi aktual në Universitetin e Amanit në Jordani, transmeton Reporteri.

Këtë kërkesë Arnauti e bëri për shkak se në shtetin aziatik nuk po dihet kush me kë po lufton.

“Kush me kë po lufton, nuk dihet. Kemi grupe josiriane që kanë ardhur. Kanë ardhur grupe nga Tunizia, dhe Libia, Ballkani dhe vendet tjera. Me fjalë të tjera Siria është shndërruar në një Afganistan. Por përmend rastin e vrasjes të një hoxhe nga Shkupi në betejë me kurdët. Si është e mundur që personi i njejtë që ka luftuar për pavarësinë e Kosovës, të luftojë kundër kurdëve që kërkojnë të drejtat e tyre për autonomi, të cilat pa dyshim se i meritojnë”, potencoi ai.

Arnauti tha se Bashkësia Islame dhe institucionet tjera nuk duhet të rrinë indiferentë karshi këtij zhvillimi.

“Më së pari media, Bashkësia Islame e Qeveria e Kosovës duhet urgjentisht të mblidhen dhe ta diskutojnë një gjë të tillë. Të ndërmarrin diçka. Unë nuk e kam dëgjuar askënd përveç deputetit Amir Ahmeti ta ketë përmendur këtë zhvillim”, përfundoi Arnauti

 
Lajme Shqip Monday, 12 August 2013 15:46

Damask – Një tjetër shqiptarë nga Shkupi këtyre ditëve u vra në luftën mes forcave qeveritare dhe opozitës siriane në Siri. 

Bëhet fjalë për Nimetulla Imerin, 38 vjeç nga fshati Gërçec i Shkupit, i cili këtyre ditëve u vra si pjesëtar i forcave opozitare në përleshjet me ushtrinë e regjimit të Bashar al – Assad. Imeri është një nga studentët që ka kryer studimet në shtetet arabe dhe se njihej si një përkrahës i opozitës siriane për rrëzimin e regjimit të Asadit. Ai njihej si luftëtar i njohur me emrin “Ebu Zejdi”, raporton INA.
Para një jave në përleshjet në Siri u vra Sami Abdullahu nga Shkupi, ndërsa një muaj më parë Rasim Zeqiri nga Bellovishta e Gostivarit.

 
Lajme Shqip Thursday, 10 May 2012 18:13

Bruksel – Bashkimi Evropian e dënoi atë që e përshkruajti si “një akt të terrorizmit të pastër” në Damask, por theksoi se plani sirian i paqes i hartuar nga i dërguari ndërkombëtar Kofi Anan, mbetet “mënyra më e mirë për të shkuar përpara”.

“Sulmet e dyfishta me bomba duket se kishin në shënjestër një numër të madh të viktimave si dhe shkaktuan dëme materiale”, citoi DPA Majkëll Manin, zëdhënësin e shefes për Politikë të Jashtme të BE-së Ketrin Eshton.

“Incidentet në rritje të sulmeve me bomba dhe shkeljet e vazhdueshme të armëpushimit e bëjnë misionin e Ananit gjithnjë e më të vështirë”, ka thënë ai. Televizioni sirian shtetëror tha se nga dy shpërthimet e fuqishme që goditën Damaskun kanë vdekur mbi 50  persona dhe janë plagosur 170 të tjerë.

Televizioni i ka quajtur shpërthimet “sulme terroriste”. Pamjet televizive treguan dhjetra automjete të djegura dhe të shkatërruara, sikurse edhe trupa të djegur. Raportet thonë se shpërthimet, të cilat goditën pak para orës 8, kishin në shënjestër një bazë të zbulimit ushtarak.

Askush nuk ka marrë përgjegjësinë. Kreu i misionit vëzhgues të Kombeve të Bashkuara  gjeneral-majori Robert Mud ka vizituar skenën e ngjarjes dhe i ka dënuar sulmet. (LajmeShqip.com)