Lajme Shqip Wednesday, 14 August 2013 16:05

Mitrovicë- Nata e mbrëmshme në veri të Mitrovicës ka kaluar me të shtëna armësh të shpeshta nga grupe të caktuara serbësh, të cilat kanë shqetësuar tej mase banorët e asaj pjese të qytetit.

Të shtëna armësh zjarri janë dëgjuar fillimisht rreth orës 20:30, në afërsi të stacionit policor në veri të Mitrovicës, por nuk ka pasur të lënduar, bëjnë të ditur burime të Kosovapress-it nga veriu.

Sipas këtyre burimeve, po ashtu mbrëmë, rreth orës 22:30, në rrugën ‘Mbreti Petër’, në veri të qytetit të Mitrovicës, përkatësisht në afërsi të stacionit të policisë ka pasur të shtëna. Mësohet se një person ka qëlluar me armë në drejtim të një personi tjetër me inicialet M. K., por, për fat të mirë, viktima nuk është lënduar.

Ndërkaq, pas mesnatës, rreth orës 1:14, në rrugën ‘Knjaz Millosh’ në veri të Mitrovicës, janë dëgjuar breshëri të shtënash nga armë automatike që kanë zgjatur për disa minuta.

“Policia ka dalë në vendngjarje dhe ka gjetur gëzhoja të kalibrit 9mm, por autorët nuk janë identifikuar”, kanë thënë burimet.