Lajme Shqip Sunday, 09 February 2014 15:41

Organizatorët e protestave studentore kanë deklaruar para pak çastesh se të hënën nuk do të ketë protestë para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, ashtu siç ishte paralajmëruar deri dje.

Durim Jasharaj ka thënë në një konferencë shtypi, e cila është mbajtur të dielën para selisë së Rektoratit, se studentët protestues do të vëzhgojnë zhvillimet e mëtutjeshme në UP, pas “dorëheqjes” së rektorit, Ibrahim Gashi që ndodhi mbrëmë. 

Sipas tij, Gashi nuk ka dhënë dorëheqje, por është shkarkuar nga presioni dhe protestat e studentëve dhe shoqërisë civile. 

Jasharaj ka thënë se studentët nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre, dhe prioritare për ta është shkarkimi i Këshillit Drejtues.

“Ky Këshill duhet të shkojë sa më parë, sepse pikërisht ky organ është ai që e ka emëruar ish-rektorin mashtrues”, ka thënë Jasharaj, transmeton Koha.net. 

Studentët, po ashtu kanë kërkuar edhe lirimin e menjëhershme të të gjitha të arrestuarve gjatë protestës së djeshme para Rektoratit të UP-së.

 
Lajme Shqip Sunday, 09 February 2014 15:11

Prishtinë- Gjykimi ndaj protestuesve të arrestuar të premten gjatë protestës para Rektoratit, ka nis në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku janë duke u deklaruar avokatët mbrojtës të të pandehurve. 

Ky proces, siç mëson Koha.net, mund të zgjas relativisht gjatë, duke qenë se avokatët duhet të deklarohen për secilin prej të pandehurve. 

Prokuroria ka kërkuar nga 30 ditë paraburgim për 28 të pandehurit, ku ndër ta janë edhe drejtori i KIPRED-it, Ilir Deda dhe anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Ylli Hoxha. /koha/ 

 
Lajme Shqip Saturday, 08 February 2014 21:41

Transmetuesi publik në Kosovë si duket e ka radhën për t’u sulmuar! Daut Haradinaj zbuloi planin duke paralajmeruar nje sulm të mundshëm në RTK pa specifikuar nga kush. Një burim i sigurtë ndërkombëtar në Kosovë ka thënë se AAK e koordinuar me një pjesë të LDK dhe Fatmir Limajn dhe disa të pakënaqur të PDK po koordinojnë veprimet me njërën nga tri sindikatat e RTK ku në mesin e antarësisë së saj ka aktivistë aktiv të VV, për të hyrë dhunshëm në transmetuesin publik.

Në kuadër të këtij veprimi kanë qenë edhe takimet e fundit të disa anëtarëve të kësaj sindikate me deputetë të Kuvendit të Kosovës të të gjitha partive politike. Burimi thotë se “Deputetët kanë rënë në grackën e këtij veprimi për shkak se të pavetëdijshëm i kanë shërbyer këtij plani”.

Burime të sigurta ndërkombëtare thonë se këto veprime janë të planifikuara dhe të koordinuara për shkak se sivjet është vit zgjedhor dhe këto subjekte politike dëshirojnë ta kenë në dorë RTK që ende konsiderohet e fuqishme për nga ndikimi. “Por sulmi eventual në RTK do ta prish shumë imazhin e Kosovës në botë për shkak se ka të bëjë me sulm në medium që nënkupton sulm në demokraci”, kanë thënë burime ndërkombetare. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 05 February 2014 16:47

Qindra studentë tëUniversitetit të Prishtinës janë mbledhur edhe sot paraRektoratit të UP-së, për të kërkuar dorëheqjen e rektorit Ibrahim Gashi.

Organizatat studentore tashmë të përkrahura edhe nga shoqëria civile vazhdojnë të protestojnë edhe sot duke kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre.

Protesta është organizuar përsëri nëpërmjet një marshiprotestues. Marshi i parë është nisur nga Qendra e Studentëve, ndërsa marshitjetër nga sheshi “Skënderbe” për t’u takuar para Rektoratittë Universitetit të Prishtinës.

Disa policë po qëndrojnë rreth oborrit të Rektoratit të Universitetit “Hasan Prishtina”, por nuk njoftohet të ketë patur incidente gjatë protestës sq Studentëve.

 
Lajme Shqip Saturday, 01 February 2014 14:09

Nuk është arritur marrëveshje në mes të përfaqësuesve të Parlamentit Studentor (PS) dhe përfaqësuesve të Këshillit organizativ të protestave të studentëve që kanë filluar ditë më parë. 

Ata kanë dalë nga takimi që kanë zhvilluar të premten, me të njëjta qëndrime me të cilat kishin hyrë në takim. 

Qëndrimet e tyre dallojnë në një pikë. Parlamenti Studentor do që të presë vendimet e Komisionit që të martën është themeluar nga Senati i UP-së, e i cili do të merret me shqyrtimin e revistave në të cilat ka publikuar stafi akademik i UP-së, kurse protestuesit duan dorëheqjen e menjëhershme të rektorit Ibrahim Gashi. Ata kanë paralajmëruar vazhdim të protestave. /Koha/

 
Lajme Shqip Friday, 31 January 2014 13:09

Një grup studentësh, të vendosur të çojnë në fund kërkesën e tyre për largimin e rektorit Ibrahim Gashi nga drejtimi i Universitetit “Hasan Prishtina, sërish janë stacionuar sot në hyrje të Rektoratit. Nuk bënë punë as përpjekjet, jo fort të të buta, të personave të sigurimit, meqë protestuesit depërtuan në oborr duke kaluar kanxhat që rrethojnë këtë institucion. Kjo është dita e katërt e protestës së tyre, e cila vazhdon të jetë e qetë. Dje e pardje ata zhvilluan disa performanca simbolike, me mesazhe të qarta.

Numri i pjesëmarrësve s’është i madh.

Ajo po mbikëqyret nga policia, e cila ka deklaruar se nuk do të ndërhyjë deri sa ajo të jetë e qetë. /koha/

 
Lajme Shqip Thursday, 30 January 2014 12:46

Policia e Kosovës ka konfirmuar përmes një n njoftimi për medie se sot studentët sërish kanë bllokuar Rektoratin e Universitetit “Hasan Prishtina”. “Sot në rrugën “Xhorxh  Bush”, në Prishtinë, që nga ora 07:45 e mëngjesit  ka filluar të mbahet një protestë e paparalajmëruar. Në protestë po marrin pjesë një grup studentësh, rreth 35 persona, të cilët kanë bllokuar hyrjen e ndërtesës së Rektoratit të Universitetit të Prishtinës.Policia është prezentë në lokacionin e sipërshënuar dhe po bën monitorimin e rrjedhës së protestës. Deri në këto momente nuk është raportuar për ndonjë incident”, thuhet në njoftimin e policisë. 

Studentët duket janë të vendosur, të heqin nga posti rektorin. Ata për të tretën ditë me radhë kanë bllokuar sot Rektoratin. Ndonëse ishte paralajmëruar se para tyre aty do të jetë policia, studentët u treguan më të shpejtë, duke kaluar rrethojat dhe për t’u pozicionuar para hyrjes. Policët dhe personat privatë të sigurimit, që ishin aty, provuan t’i ndalin, por nuk ia dolën.    Tani po vazhdon bllokimi i Rektoratit nga studentët. /koha/

 
Lajme Shqip Wednesday, 29 January 2014 10:51

Prishtinë- Studentët e Universitetit të Prishtinës vazhdojnë me bllokimin e Rektoratit. Ashtu si edhe dje, studentët bëjnë të ditur se protesta e tyre nuk do të ndalet deri në realizimin e kërkesave.

Përmes një deklarate nga Klubi Politik i Studentëve, “Lëvizja Studentore për Barazi, Studim, Kritikë, Veprim”, Studentët e Ulqinit në Universitetin e Prishtinës, studentët kërkojnë dorëheqjen e mënjëhershme të Rektorit, Ibrahim Gashi, “sepse rektori duhet të ndalojë publikimet shkencore në revista të rrejshme e jo të publikojë rrejshëm punime shkencore”.
Ata kërkojnë fillimin e mënjëhershëm të hetimeve, “rreth keqpërdorimeve në Universitetin e Prishtinës dhe ngritjen e një mekanizmi për verifikimin e të gjithë titujve akademikë, sepse duhet të ndalen turbotitujt shkencorë e plagjiatet me pagesë, përmes një mekanizmi verifikues e transparent, në mënyrë që të kemi shkencë e dije”.
Ata kërkojnë “Largimin e ndikimit të pushtetit në Universitetin e Prishtinës, nëpërmjet heqjes së Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, sepse duhet të kemi Universitet të studentëve e jo Universitet të pushtetarëve.”
Përmes deklaratës, ata u bëjnë thirrje studentëve të të gjithë fakulteteve të bashkohen. “Universiteti është e ardhmja, të ardhmen e bëjmë ne sot. Ta bëjmë Universitetin insitucion të dijes e t’i kthejmë dinjitetin. Vatrës së dijes, t’i japim kuptim e arsyeshmëri, universitet ku studiohet, ku ka libra e jo skripta. Ka profesorë me diplomë e jo diplomë pa profesor. Ka mensë që të ushqen e jo që të mbush barkun. Ka punime shkencore e jo punime pa shkencë. Ka studentë që ngrenë zërin e jo servilë të qëllimshëm e të pa vesh”, përfundon deklarata, raporton Shqiptarja.
Dje,  27 studentë u arrestuan nga Policia e Prishtinës, pas protestës para Rektorarit të UP-së.  Sipas njoftimit të Lëvizjes Studentore, gjatë ndërhyrjes për të shpërndarë protestën, Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës përdorën dhunë të shfrenuar mbi studentët protestues. 

 
Lajme Shqip Tuesday, 28 January 2014 11:06

(E plotësuar) – Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Florije Ahmeti, i tha Koha. net se gjatë ndërhyrjes për zhbllokimin e Rektoratit të UP-së, policia ka arrestuar 25 studentë protestues. Ajo nuk sqaroi se çfarë veprimesh të mëtejshme do të merren ndaj të arrestuarve, por njoftoi për dy policë të lënduar. Ajo paralajmëroi se ndërkohë Policia do të prononcohet përmes një komunikate për atë që ka ndodhur sot gjatë aksionit për zhbllokimin e Rektoratit të Universitetit “Hasan Prishtina”. 

 

Policia arsyeton ndërhyrjen

 

 Policia e Kosovës përmes një kumtese për media ka njoftuar lidhur me zhvillimin e protestës së studentëve para Rektoratit të UP-së. Në kumtesë policia thekson gjatë gjithë kohës sa ka zgjatur protesta, policia ka monitoruar rrjedhën e saj dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme konform autorizimit policor, duke kërkuar nga protestuesit që të lirojnë hapësirën të cilën e kishin bllokuar, me qëllim që të krijohen rrethana të përshtatshme për punë në Rektorat.“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, ndërkohë që ka marrë kërkesën nga ana e Rektoratit të UP-së për t’u mundësuar hyrjen në ndërtesë si dhe për t’u krijuar rrethana optimale për punë. Përkundër thirrjeve dhe paralajmërimit policor, protestuesit nuk kanë përfillur zyrtarët policorë dhe njëkohësisht kanë shfaqur shenja të agresivitetit si dhe kanë ndërmarrë veprime me të cilat kanë penguar zyrtarët policorë që të ushtrojnë autorizimin dhe kompetencën e tyre. Megjithatë policia, me qëllim të neutralizimit të një situate të tillë, ka bërë një reagim duarthatë, edhe pse rezistenca e protestuesve ka qenë shumë e shprehur”, thuhet në komunikatë.

Policia njofton se ka shoqëruar në stacionin policor 27 persona, ndaj të cilëve ka filluar procedura hetimore. Sipas Policisë, një nga këta persona (femër) ka kërkuar ndihmën mjekësore dhe ajo i është ofruar.

Ndërkaq, përgjatë reagimit edhe dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore.

“Aktualisht policia bashkërisht me prokurorin e shtetit, janë në fazën fillestare të ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe procedurale, me qëllim të trajtimit të rrethanave të kësaj ngjarje. Ndërkohë që protesta po vazhdon ende jashtë hapësirës së Rektoratit të UP-së, policia po monitoron rrjedhën e situatës”, bën të ditur Policia e Kosovës./koha/

 

Studentët bllokojnë Rektoratin. Kërkojnë dorëheqjen e Gashit

 

Prishtinë- Që nga orët e hershme të mëngjesit, dhjetëra student kanë bllokuar hyrjen e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”.

Studentët kërkojnë dorëheqjen e rektorit Ibrahim Gashi si dhe kanë një sërë kërkesash tjera, ndër to, edhe largimin e ndikimit të pushtetit në UP.

Studentët mbajnë në duar parulla si “UPrish”, “Ibrahim HUP”, etjerë.

Ndërkohë, raportohet se aty po qëndrojnë edhe forca policore. Policia ka kërkuar nga studentët që të lirojnë dyert e Rektoratit./LajmeShqip/