Lajme Shqip Thursday, 19 June 2014 14:02

Posta Shqiptare ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi mbi kryerjen e shërbimit të legalizimit të dokumenteve të studentëve shqiptarë, që duan të studiojnë në Itali. Marrëveshja u nënshkrua gjatë ditës së mërkurë në ambientet e Ambasadës Italiane, mes Ambasadorit italian Masimo Gaiani, dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Postës Shqiptare, Ardit Çela.

Drejtori i Postës, tha se kjo marrëveshje do t’u vijë në ndihmë studentëve, për të aplikuar në universitetet italiane.

“Ne jemi këtu për të rikonfirmuar edhe njëherë bashkëpunimin midis dy institucioneve, por tani të përqendruar te studentët. Posta Shqiptare, është një institucion publik i cili ka në vëmendje të rinjtë që studiojnë në shtetin Italian, dhe do të krijojë politika mbështetëse për këta studentë nëpërmjet shërbimeve me tarifa të ulëta ”, tha Çela.

Gaiani falënderoi Postën Shqiptare dhe drejtorin e saj, për bashkëpunimin dhe përshëndeti nënshkrimin e marrëveshjes duke thënë se do t’i lehtësojë procedurat e aplikimit të studentëve nëpërmjet shërbimit postar, por edhe do t’i ndihmojë ato për sa i përket tarifave, ku do jenë me kosto simbolike.

Objekti i këtij nënshkrimi, konsiston në legalizimin e dokumenteve nëpërmjet shërbimit postar ekspres të brendshëm në 9 qytete: Tiranë, Durrës, Elbasan, Pogradec, Korçë, Shkodër,Lezhe, Kukës, Peshkopi. 

Gjithashtu, nëpërmjet Postës Shqiptare realizohet dhe dorëzimi i pasaportave me vizë në adresë të tyre për këto qytete.

Qytetarët ndjehen të kënaqur nga shërbimet e ofruara nga Posta Shqiptare, ndërkohë që kompania është e angazhuar për të zgjeruar dhe përmirësuar më tej cilësinë e shërbimit.