Lajme Shqip Friday, 07 October 2011 14:47

Presidenti Obama ishte i prerë: “Bota ka humbur një vizionar”, tha ai. Kush vdiq? Papa? Dalai Lama? Një poet apo artist i madh? Jo. Ishte pionieri i Apple.

Vdekja e çdo njeriu në moshën 56 vjeçare do ishte shumë pikëlluese për gruan e familjen e tij. Dhe askush nuk do e mohojë se Steve Jobs ishte një teknik brilant, me dhunti të mëdha për biznes dhe aftësi marketingu.

Ishte ai më shumë se gjithkush tjetër në botën e teknologjisë, që pa potencialin e krijimit të kompjuterëve mjaftueshëm të vegjël sa për t’i pasur në shtëpi.

Por edhe pse ishte kaq i zoti, a e meritonte Steve Jobs këtë tip nderimi që mori nga fansat dhe nga media servile? BBC mbi të gjitha i udhëhoqi programet me vdekjen e tij.

Apo vlerësimi i tij deri në shenjtërim nuk do të thotë diçka për botën moderne dhe fiksimin tonë pas pajisjeve të tilla elektronike?

Nuk ka dyshim se që nga viti 1977 dhe pas lançimit të Apple II- kompjuteri i parë i prodhuar në tregun masiv- shumë gjëra që dikur bëheshin në letër ose në telefon, tani janë bërë më të lehta e më të shpejta në ekran.

Por megjithëse shumë janë të varur nga kompjuteri, duke kontrolluar pafund e-mailet, duke naviguar e duke blerë online- a do thotë kjo se jetët tona kanë ndryshuar për më mirë?

Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Majkëll Blumberg, ishte tipik kur tha: ‘Amerika ka humbur një gjeni që do kujtohet me Edisonin dhe Ajnshtajnin, idetë e të cilit kanë ndryshuar botën për gjeneratat që do vijnë’.

Prit pak! Po Nelson Mandela dhe Peshkopi Tutu, që ndihmuan për t’i dhënë fund aparteidit në Afrikën e Jugut? Ka onkologjistë dhe kërkues që punojnë pas skene dhe që kanë luftuar kancerin dhe kanë shpëtuar jetë të panumërta. Papa i fundit, zonja Theçer dhe Ronald Regan, së bashku me ish- presidentin sovjetik, Gorbaçov, rrëzuan 70 vite komunizëm pa shumë bujë.

Ata që mendojnë se Steve Jobs ishte në të njëjtën ligë, duhet të fikin kompjuterat e të dalin jashtë më shumë. Ata duket se po bëjnë një gabim thelbësor në lidhje me arritjet e Steve Jobs- e në fakt për vetë kompjuterat.

Blumberg tha se Jobs ka ndryshuar jetët tona njësoj si Ajnshtajni. Jo, nuk e ka bërë.

Ajnshtajni ka ndryshuar në mënyrë thelbësore mënyrën se si e shohim universin. Jobs mezi bëri disa pajisje elektronike që duken bukur, por që bëjnë ato gjëra që i bënim dhe më parë- dëgjojmë muzikë, dërgojmë mesazhe e mbledhim informacion.

Dikur e kërkonim informacionin në libra- tani e kërkojmë informacionin (shpesh i pasaktë) online. Dikur çonim telegrame, tani e-maile. Po, Steve Jobs e ka bërë pazarin më të lehtë online. Por prapë është pazar.

Kur Gutenberg shpiku makinën e shtypit në shekullin 15, ai ndryshoi në të vërtetë botën. Librat u përhapën në mbarë botën kur u bë e mundur të prodhohen kopje të pafundme nga i njëjti libër.

Ngjashëm me këtë edhe baballarët e Revolucionit Industrial në Britani ndryshuan jetët tona përtej imagjinatës.

Sigurisht ka të fiksuar pas kompjuterëve, jeta e të cilëve sillet rreth ekranit, Twitter, eBay dhe Facebook. Por ta, Steve Jobs duket si njeriu më i rëndësishëm në planet. Por ta quash atë vizionar është qesharake. Ai mezi përshpejtoi disa gjëra që ne i bënim gjithsesi.

Çka ka rëndësi është se bota është sërish e njëjta siç ishte para Steve Jobs. Ai ishte një djalosh i zgjuar që pati fat. Njeriu më i rëndësishëm në planet? Mblidheni veten.

Nga A.N. Wilson, Daily Mail

 
Lajme Shqip Thursday, 06 October 2011 08:51

Apple ka konfirmuar vdekjen e themeluesit dhe drejtuesit ekzekutiv në faqen zyrtare të internetit, duke vendosur fotografinë me emrin dhe mbiemrin e tij, Steve Jobs, dhe vitin e lindjes 1955, me atë të vdekjes 2011.

Ish-drejtuesi i Apple ka vuajtur gjatë nga kanceri. Steve Jobs ishte 56-vjeçar, arriti të zhvillojë një ndër kompanitë më të mëdha dhe më atraktive në botë. Së fundmi, Apple sapo kishte lansuar produktin Iphone 4S, që pritet të jetë edhe simboli i fundit që ka lidhur jetën e themeluesit të saj legjendar, Steve Jobs.

Ndër produktet tjera të sukseshme, me të cilat bëri revolucione, jane Macintosh, Iphone, Ipad dhe produkte të tjera.

Është një shok i vërtetë vdekja e tij. Steve Jobs ishte shembull për shumë njerez dhe i njohur për të mos u dorëzuar deri në sekondin e jetës së tij. Jobs vazhdimisht u kritikua, për shkak se injoronte sëmundjen e tij. Ai punoi pandërprerë, pavarësisht gjendjes së tij shendetësore.