Lajme Shqip Wednesday, 08 January 2014 13:30

Ministri i Jashtëm i Holandës ka nënshkruar një marrëveshje me homologun e tij kuban për hapjen e dialogut politik duke shkelur kështu vendimin e BE-së për të kufizuar vizitat e nivelit të lartë me vendin komunist.

Frans Timmermans në ditën e dytë të vizitës në këtë vend, i kërkoi BE-së që të rregullojë marrëdhëniet me Kubën. “Hanava ndër shekuj ka qenë pikë takimi mes Evropës dhe Amerikës dhe besoj se ka ende një rol të rëndësishëm për të luajtur.”

Ministri kuban, Bruno Rodriguez mirëpriti mundësinë për të mbajtur takime me interes të përbashkët.

Kuba – që prej kohës kur drejtimin e vendit e mori Raul Kastro në vitin 2008 pas tërheqjes së vëllait të tij Fidel Kastro – është kthyer në një zonë ekonomike të stilit kinez dhe po përgatit një ligj të ri për investimet e huaja.

Një delegacion biznesmenësh shoqëroi Timmermans, në vizitën e parë të një ministri të Jashtëm holandez që prej revolucionit kuban të vitit 1959.

Holanda është një mbrojtëse e fortë e të drejtave të njeriut dhe demokracisë dhe vazhdimisht ka mbështetur organizata disidentësh në Kubë. Gjithashtu ka pasur lidhje të forta tregtare me vendin ishullor, pasi Porti  Roterdamit ka shërbyer si pikë hyrëse për nikelin dhe eksporte të tjera për vende të ndryshme. Shkëmbi tregtar mes dy vendeve për vitin 2012 ishte 791 milionë dollar, që shumica i përket eksporteve ekskluzive të Kubës.

Në vitin 1996, Bashkimi Evropian miratoi “pozicionimin e përbashkët”, që kushtëzonte marrëdhëniet me Kubën deri në futjen e sistemit politik pluralist dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Kuba e ka kundërshtuar një gjë të tillë duke e cilësuar “politikë të nëndheshme që kërkon të ndërhyjë në punët e saj të brendshme”, shkruan shekulli.

“Mendoj se dialogu është më i mirë se ta t’i kthejmë krahët”, tha Timmermans. “Mendoj se është koha që Evropa të rishikojë pozicionin në lidhje me Kubën dhe të shikohet nëse mund të negociojmë një pozicion të ri.”

 

 
Lajme Shqip Wednesday, 16 October 2013 08:53

Tiranë- (E plotësuar) Kryeministri Edi Rama e cilëson rekomandimin e KE-së, për t’i dhënë Shqipërisë statutin kandidat, si një inkurajim për të çuar përpara reformat e nevojshme për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian. Në një konferencë të përbashkët me ambasadorin e BE-së Ettore Sequi, Rama theksoi se kjo nuk është një ditë për sulme apo lavdërime, por duhet të shërbejë si inkurajim për çdo shqiptar.

“Për ne as propozimi i sotëm për statusin, as statusi vetë dhe as hapja e bisedimeve për anëtarësim, nuk janë arsye për të mos njohur arritjet e qeverive të mëparshme në legjislacionin e integrimit. Ky proces ka qenë më i gjatë se jetëgjatësia e një qeverie të vetme dhe kush më shumë e kush më pak të gjithë kanë patur meritat e veta. Në nuk gjejmë sot rastin për tu lavdëruar, as për të sharë opozitën, për të ndarë popullin në të mirë dhe të keq. Ne jemi të inkurajuar sot nga propozimi i KE-së dhe çdo shqiptar pa dallim duhet të ndihet i inkurajuar.”- deklaroi Rama. 

Kryeministri nënvizoi se qeveria është dakord 100% me kushtet themelore të raportit, për të nisur procesin e hapjes së negociatave për anëtarësim, duke shprehur angazhimin për të forcuar frymën e gjithëpërfshirjes në politikën shqiptare. 

“Risia e madhe kësaj here është se për herë të parë raporti flet për mundësinë reale të hapjes së bisedimeve për anëtarësim,nëse përmbushen disa kushte themelore me të cilat jemi 100% dakord, lufta kundër korrupsionit, forcimi i sistemit gjyqësor, reforma e administratës liritë dhe të drejtat themelore. Më vjen mirë që raporti i progresit e nënvizon firmën gjithëpërfshirëse të qeverisjes sonë, ne do të vazhdojmë të jemi tërësisht të angazhuar që ta forcojmë këtë vijë të re në politikën shqiptare. Më vjen mirë që raporti flet qartë dhe për aktin normativ që nesër i paraqitet kuvendit.”- deklaroi Rama, raporton BW. 

 

Shqipëria merr statusin kandidat

 

Bruksel- (E plotësuar) “Shqipëria ka bërë progres në plotësimin e kritereve politike të Kopenhagenit, që kërkojnë stabilitet të institucioneve demokratike, zbatimin e ligjit, të drejtave të njeriut dhe mbrojtje të minoriteteve”, thuhet në progresraportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë.

Sa i takon demokracisë dhe zbatimit të ligjit, raporti nënvizon se, pavarësisht tensioneve dhe klimës së polarizuar politike para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, Shqipëria vazhdoi përpjekjet për plotësimin e kritereve të vendosura.

“Procesi i 23 qershorit, që rezultoi një fitore e pastër për koalicionin opozitar të Partisë Socialiste, është vlerësuar pozitivisht nga misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë. Kryeministri në largim pranoi humbjen duke i hapur rrugën ndryshimit të qeverive”, vijon progresraporti.

“Duke parë progresin e bërë nga Shqipëria, Komisioni rekomandoi në tetor 2012 që Shqipërisë t’i jepej statusi i vendit kandidat me kusht që të plotësohet disa masa në sistemin e drejtësisë, administratën publike dhe rishikimin e rregullores së parlamentit. Në dhjetor 2012 Këshilli i BE-së i kërkoi Komisioni Evropian që t’i raportonte Këshillit kur Shqipëria të plotësohet këto kritere”, thuhet në raport.

Status kandidat dhe hapje të negociatave për anëtarësim me kusht

Komisioni Europian i rekomandon që “Shqipëria të marrë Statusin e vendit kandidat duke rënë dakord që ajo të vazhdojë të ndërmarrë aksione në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”: ky është formulimi i paraqitur sot vendeve anëtare të Bashkimit europian, i siguruar nga Zëri i Amerikës. Ndërkohë hapja e bisedimeve kushtëzohet me përmbushjen e detyrimeve veçanërisht për reformën në administratë, shtetin ligjor dhe të drejtat themelore.

Në ndryshim nga viti i kaluar kur rekomandimi për dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë kushtëzohej me përmbushjen e tri reformave, atë të parlamentit, ligjin për Gjykatën e Lartë dhe atë për Shërbimin Civil, këtë herë Komisioni Europian në dokumentin e tij për Shqipërinë, u propozon vendeve anëtare që asaj “t’i jepet statusi kandidat me mirëkuptimin që Shqipëria të vazhdojë të ndërmarrë reforma në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

Vendimi përfundimtar pritet të merret në dhjetor, gjatë Këshillit të Ministrave të vendeve anëtare, mes të cilëve megjithatë nuk mungojnë skeptikët. Por sipas disa diplomatëve perëndimorë, vështirë se Këshilli mund të rrëzojë një rekomandim pozitiv. Do të jetë po ky Këshill që do të duhet të vendosë për hapin tjetër kryesor në marrëdhëniet mes Brukselit dhe Tiranës, atij që lidhet me datën për hapjen e bisedimeve për anëtarësim.

Sipas Komisionit Europian “që të mund të shkojë drejt nivelit tjetër dhe të hapen bisedimet për anëtarësim Shqipëria duhet të përmbushë të tjera përparësi kyçe, me një fokus të veçantë në reformat për administratën, shtetin ligjor dhe të drejtat themelore”, vlerëson Komisioni i cili thekson se, “dialogu politik konstruktiv dhe i qëndrueshëm do të mbetet thelbësor për një proces të suksesshëm reformash”. /shekulli/

 

Shqipëria drejt marrjes së Statusit

 

Komisioneri per Zgjerimin dhe Politiken Evropiane te Fqinjësisë, Štefan Füle, do të paraqesë sot në Bruksel Strategjine e re të Zgjerimit dhe Raportin Vjetor për vendet që janë në procesin e pranimit, njoftoi zyra e shtypit e Delegacionit të BE-së në Tiranë.

Mediat nderkombetare njoftuan qe dje qe sot Shqipëria do të jetë më afër objektivit të saj për tu bërë vend i ri kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Është e mundshme që Komisioni Evropian të hapë dritën jeshile për kandidaturën e Shqipërisë”- citojnë burime të BE-se, mediat italiane si TgCom dhe ANSA.

Sipas TgCom, ekzistojnë të gjitha gjasat që Komisioni Europian t’i hapë rrugë kandidaturës së Shqipërisë për anëtarësim, duke iu afruar kështu më shumë objektivit të saj.
TgCom i referohet kështu burimeve të saj në Komisionin Europian, një ditë para publikimit të raportit final për zgjerimin për vendet e Ballkanit.
Shqipëria duhet të bëjë këtë javë një hap vendimtar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Ekzekutivi i BE pritet të rekomandojë për shtetet anëtare për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat shkruan ndërkohë ‘Il Sole 24 orë’ në Itali,transmeton B.Web.
Sipas kësaj agjencie lajmesh, ndërsa disa qeveri perëndimore mund të tregohen të ftohta ndaj Shqipërisë, Italia është një vend që e mbështet përpjekjen e Tiranës për anëtaresim në familjen Europiane.

ANSA sjell në vëmendje edhe njëherë kushtet që duhet të plotësonte Shqipëria një vit më parë, reformat në fushën e drejtësisë, administratës publike apo edhe rregulloren e parlamentit.

Burime diplomatike në Bruksel thanë për Zërin e Amerikës se ky rekomandim vjen pas vlerësimeve pozitive në raport progresin e hartuar për Shqipërinë i cili do të bëhet publik gjatë ditës së sotme.

Pas katër vitesh, që kur në 2009 paraqiti zyrtarisht kërkesën për anëtarësim, dhe pas tre dështimeve radhazi, Shqipëria duket këtë herë se do të gëzoje Statusin e vendit kandidat. KE e rekomandoi edhe vitin e kaluar duke e kushtëzuar megjithatë me përmbushjen e tre reformave, atë të parlamentit, ligjin për Gykatën e Lartë dhe atë për Shërbimin Civil. Por sërish mosmarrëveshjet politike e bën të pamundur që vendet anëtare, dhjetorin e kaluar të jepnin dritën jeshile. Këto tre reforma u miratuan në fund të majit të kaluar, ndërkohë që klima pozitive në të cilën u mbajtën zgjedhjet e 23 qershorit dhe tranzicioni i butë i pushteteve janë pikë plus për të.

Burime diplomatike nga Brukseli shpjeguan për Zërin e Amerikës se Komisioni pritet t’i rekomandojë vendeve anëtare që Shqipërisë t’i jepet Statusi pa kushtëzime të mëtejshme, përvec nevojës që të vazhdojnë përpjekjet në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ndërkohë që Shqipëria do të duhet të përmbushë përparësi të tjera kyce në mënyrë që të vendoset për hapjen e bisedimeve për anëtarësim.

Eurokomisioneri Fule deklaroi sot se zgjerimi do të vazhdojë pavarësisht krizës dhe se vendet kandidate që do t’i bashkohen BE-së duhet të jenë gati edhe në terma ekonomike.

Në bazë të raportit të Komisionit Evropian, liderët e 28 vendeve të BE-së do ti hapin dritën jeshile Shqipërisë në dhjetor. Aktualisht vendet kandidate zyrtare për tu bashkuar me BE-në janë Turqia, Islanda, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia.

 
Lajme Shqip Sunday, 12 May 2013 14:57

Tiranë – Tre ligjet e shumëpërfolur si kusht për marrjen e statusit të Shqipërisë si vend kandidat për në Bashkimin Europian do të miratohen pas 23 Qershorit. Këtë bëri të ditur kryeministri Sali Berisha gjatë përurimit që i bëri rikonstruksionit të rrugës Ura Gjadër-Mnelë. Në fjalnë e tij, kreu i qeverisë nuk kurse akuzat ndaj aleancës së majtë.

“Aleanca e 1 prillit, është Aleanca e trillimit mashtrimit e nihilizmit. Ne më 23 qershor, do votojmë për 3 ligjet, kanalizimet, ujësjellësat, rrugët, shkollat”, tha ai, transmeton bw.

Deklarata e kryeministrit vjen si përgjigje ndaj propozimit të kreut të LSI, Ilir Meta që ofroi një kompromis, votimin e 3 ligjeve në këtë legjislaturë të Kuvendit dhe zbatimin e tyre në muajin shtator. Kompromisit i është përgjigjur pozitivisht kreu i PS, Edi Rama.

 
Lajme Shqip Thursday, 09 May 2013 14:27

Tiranë – Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, e ka cilësuar Ditën e Evropës si ditën e mirënjohjes që shqiptarët kanë ndaj vendeve të BE-së.

Gjatë një bashkëbisedimi me studentët e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, Berisha sërish ka akuzuar kreun e opozitës se ka bllokuar ligjet e kërkuara nga BE për marrjen e statusit kandiat.

“Problemi i statusit, edhe ai kalon në reforma të mëdha. KE doli në konkluzionin se Shqipëria ka plotësuar detyrimet e saj dhe do i rekomandojmë Këshillit të Ministrave të vendeve anëtare t’i japë statusin e vendit kandidat, me kusht që të miratohen 3 ligje. Për këto tre ligje ishte arritur totalisht ujdia me ndërmjetësimin e zyrtarëve të lartë të komisionit. Ishte arritur ujdi e plotë. Askujt nuk mund t’i shkonte mendja se këto tre ligje që prisnin prej disa muajsh në parlament dhe për të cilat ishte arritur konsensusi, në mënyrën më paradoksale dhe të papranueshme këto ligje nuk u votuan dhe u mor peng një pasaportë e shkëlqyer për secilin prej nesh, siç ishte statusi i vendit kandidat. Pasojat, shtimi i ndjeshëm i investimeve, grante të gjitha të Komisionit evropian në Shqipëri.”-u shpreh kryeministri Berisha, raporton BË.

Berisha theksoi se thirrja e referendumit “ishte një masë ekstreme dhe se mazhoranca ka gatishmërinë t’i votojë 3 ligjet sa më parë që të jetë e mundur”. 

 
Lajme Shqip Tuesday, 23 April 2013 11:03

Luksemburg (plotesuar)- Ne Luksemburg eshte mbledhur sot ne mesdite  Këshilli i Stabilizim-Associimit BE-Shqipëri.

Komisioneri per zgjerimin, Stefan Fule ka theksuar se vendi duhet te vijoje me axhenden e reformave te kerkuara, nderkohe qe ka shtuar se BE pret progres nga Shqiperia lidhur me procesin zgjedhor.

Sipas ministres se Integrimit, Majlinda Bregu, qeveria eshte e angazhuar per plotesimin e detyrimeve. “Do t’i permbushim te gjitha detyrimet, perfshire luften kunder korrupsionit”- ka thene ajo, duke kujtuar se kete detyrim nuk e kane vetem vendet aspirante per kanditate, por edhe ato qe jane tashme pjese e BE.

Ajo ka theksuar se dihet tashme pse nuk u votuan tre ligjet e integrimit, duke kujtuar bllokimin e bere nga opozita.

Ne kete takim pritet që vendet anëtare të shprehin mes te tjerash edhe qëndrimin e përbashkët për ecurinë e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Pritet qe vendet anetare te kembengulin ne plotesimin e axhendes se reformave te Shqiperise ne kuader te marrjes se statusit te vendit kandidat ne BE.

****************************************************

Tiranë – Sot ne Luksemburg pritet te mblidhet Këshilli i Stabilizim-Associimit BE-Shqipëri.

Ne kete takim pritet që vendet anëtare të shprehin mes te tjerash edhe qëndrimin e përbashkët për ecurinë e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Mesohet se në mbledhjen e Këshillit do të jetë i pranishëm komisioneri për zgjerimin Stefan Fule, kurse delegacioni shqiptar drejtohet nga Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu.

Pritet qe vendet anetare te kembengulin ne plotesimin e axhendes se reformave te Shqiperise ne kuader te marrjes se statusit te vendit kandidat ne BE. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 25 March 2013 15:31

TIRANË- Nis punimet në Tiranë konferenca me temë ‘Just BE’. Marrin pjesë Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësise Evropiane Stefan Fyle, si dhe Kryetari i Parlamentit Europian për Ballkanin, Eduard Kukan. Gjatë konferencës u prezantua një portal web i Delegacionit të Bashkimit Europian, që do të jetë një platformë për të gjithë ata që ndajnë interesin për integrimin e Shqipërisë në BE.

INTEGRIMI, FYLE: 2013-ta PLOT MUNDESI E SHANSE, E KENI VETE NE DORE
Gjatë fjalës së tij në konferencë, eurokomisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, theksoi rëndësinë që Europa të jetë prioritet në axhendën politike, pavarësisht vëmendjes dhe angazhimit të partive politike në fushatën elektorale. Ndërsa shpjegoi arsyet e organizimit të konferencës “Just BE” në Tiranë, komisioneri Fyle theksoi se politika dhe qytetarët shqiptarë e kanë vetë në dorë përparimin e vendit drejt integrimit evropian. Sipas tij, 2013-ta do të jetë një vit plot shanse për Shqipërinë, por shfrytëzimi i këtyre mundësive mbetet në dorën e shqiptarëve.

“Fillimisht dua të sqaroj 6 gjëra kryesore pse zhvillohet kjo konferencë, pse tani?
1-Së pari në Komisionin Evropian jemi të interesuar për Shqipërinë dhe jemi të angazhuar plotësisht që të ndihmojmë Shqipërinë për të arritur aspiratat evropiane. Do të vazhdoj që të vi në Shqipëri dhe të luftojmë edhe natyrën, sepse herën e fundit që isha këtu, dy herë i ra rrufeja avionit dhe sërish jam këtu.
2-Duhet të intensifikohet dhe të fuqizohet angazhimi i klasës politike, pavarësisht se vëmendja e tyre përqendrohet në zgjedhjet e ardhshme. Duke mbajtur Europën si prioritet ne axhendën politike, së bashku me çështje të tjera të rëndësishme është shumë e rëndësishme.
3- Nuk erdhëm këtu për tu bërë pjesë e fushatës politike, ne respektojmë zgjedhjen që do të bëjnë zgjedhësit shqiptare dhe unë shpresoj që politikanët në Shqipëri të respektojnë rezultatet.
4- Ky aktivitet nuk është seri leksionesh, por një mundësi që ne të komunikojmë me njëri-tjetrin, të shkëmbejmë ide, mendime. Për atë se si duhet ta mbajmë fokusin tek Europa, se si t’i mbajmë premtimet.
5- Eshtë një mundësi që të flasim drejtpërdrejt me median dhe shumë të tjerë në Shqipëri. Jam i lumtur që të gjithë të mësojnë më shumë për Europën.
6-Nuk dua që ne ta shikojmë këtë konferencë si një aktivitet të izoluar, por si një përpjekje nga ana jonë për të ndërtuar një bazë të fortë për një angazhim gjithnjë e me aktiv.”- u shpreh komisionari Fyle.

Ndërsa përmendi përfitimet që do të ketë vendi pas çeljes së negociatave për anëtarësim në BE, eurokomisioneri theksoi se ka ardhur koha që Shqipëria të tregojë rezultatet e pritshme dhe qytetarët të përfitojnë nga këto mundësi.

“Siç e dini janë hasur disa vështirësi përsa i përket ecjes përpara me reformat që kanë të bëjnë me BE. Besoj se Shqipëria i ka kapacitetet e duhura për t’i zgjidhur këto çështje dhe të ndërmarrë hapat e duhura për të ecur përpara drejt BE-së. Shumica dërrmuese e shqiptarëve e shikojnë të ardhmen e tyre në BE. Integrimi evropian do të sjellë stabilitet dhe begati. Konsensusi duhet të konfirmohet me anën e veprave, synimi i Shqipërisë për integrim në BE duhet të sillet me anën e programeve dhe axhendave politike. Ky synim nuk duhet të bëhet viktimë e politikave të brendshme të partive.”- u shpreh Fyle.

Ndërsa përmendi rastin e Kroacisë, që pritet të anëtarësohet së shpejti në union, komisionari Fyle tha se mbështetja për axhendën evropiane është kyçe për të ecur përpara në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Më tej, komisioneri nënvizoi rëndësinë e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, që sipas tij, do të dërgojnë një mesazh të qartë për BE-në.

“Eshtë përgjegjësia e të gjitha partive politike, e gjithë shoqërisë shqiptare që të kontribuojë që zgjedhjet e ardhshme të arrijnë një nivel të lartë të standardeve demokratike, duke mos lënë vend për të kontestuar. Kjo arritje do të na çojë një mesazh të qartë. Publiku shqiptar duhet të kuptojë se çfarë është BE-ja dhe duhet që udhëheqësit shqiptarë ta çojnë vendin përpara.”- deklaroi Fyle.

KUKAN: TEJKALONI PROBLEMET POLITIKE, E ARDHMJA NË BE MBI TO
Kryetari i Parlamentit Europian për Ballkanin, Eduard Kukan gjatë fjalës së tij në këtë konferencë e vuri theksin tek integrimi i Shqipërisë në BE, një proces ky që sipas tij në radhë të parë bëhet për qytetarët, prandaj i bëri apel politikës të lërë mënjanë problemet e brendshme dhe të plotësojë aspiratat e shqiptarëve.

“Përpara 10 vitesh kur Sllovakia hyri dyert e BE nuk është se nuk kishim të meta, por e përdorëm potencialin tonë për ti bërë gjërat që të funksiononin, ne e kapëm mundësinë që na u dha, e kam për të gjithë Sllovakinë. Po ti kthehemi Shqipërisë, vjet festoi 100- vjetorin, kam parë shumë shqiptarë që shikojnë drejt së ardhmes. Shqipëria ka nevojë për praninë evropiane dhe BE që ka nevojë për Shqipërinë partnere të fortë në BE dhe anëtare të saj. Sot jam këtu që të theksoj mundësinë që i jepet Shqipërisë me integrimin, që shoqëria të transformohet. Ne duhet të vëmë të ardhmen mbi cdo lloj problemi të brendshëm. Vetëm duke mos harruar këtë, vendi do jetë pjesë integrale e BE. Axhenda e integrimit tuja është ende në listën tonë të prioriteteve, duhet të jetë edhe për Shqipërinë, Zënkat dhe problemet politike nuk duhet ta ndërpresin këtë proces, të tejkalohen dallimet me njëri-tjetrin, që mund të jenë duke mbajtur peng progresin e vendit në këtë proces”, apeloi ai.

Sipas Kukan, i gjithë procesi ka të bëjë jo vetëm me procesin ekonomik por edhe politik e kulturor. Ai theksoi se, “roli aktiv i qytetarëve dhe shoqërisë civile në procesin e integrimit është vërtetë jetik”. “Zëri juaj duhet të dëgjohet dhe jo vetëm në mënyrë simbolike, por si një zë që duhet t’u kërkojë llogari përfaqësuesve tuaj politik për procesin e integrimit”, tha Kukan. “Zëri juaj duhet të dëgjohet, ti kërkoni llogari politikanëve për procesin e integrimit”, iu drejtua ai qytetarëve shqiptarë.

“Parlamenti duhet të jetë një vend ku marrëveshjet politike të diskutohen, qeveria të sqarohet, qytetarët të kenë mundësi ta shikojnë jetën politike të vendit. Ju duhet të ndërtoni institucione të forta dhe demokratik,. Ne i njohim politikanët tuaj, ata kanë mundësi, por përpjekjet e tyre duhet të kenë rrënjët tek demokracia”, tha Kukan më tej.

SEQUI: INTEGRIMI, ME SHUME PERFITIME
Fjalën e hapjes e mbajti Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Ettore Sequi, i cili foli për rëndësinë që Bashkimi Europian ka për shqiptarët. Evropa është një shpresë e madhe, tha Sequi.

“Ky diskutim përqendrohet në një varg aspektesh të integrimit në BE. Do paraqesim një platformë për të gjithë ata që dëshirojnë të informohen për BE”, tha ai.

Integrim sipas Sequit, do të thotë më shumë përfitime, punë më të shumta, rritje ekonomike, mbrojtja e konsumatorëve, më pak korrupsion, Integrimi do të thotë shndërrim, transformim.

Ai shtoi se “ BE përfaqëson sot një shoqëri më moderne që përcakton në thelb vlerat e paqes, respektit për të drejtat e njeriut, një sistem vlerash dhe rregullash që ne i ndajmë. Të gjithë ata që ndajnë këto rregulla janë qytetarë të BE. Është edhe një ftesë për të thënë thjesht jini europianë”.

Komisioneri Fyle pritet të prezantojë një portal web të Delegacionit të Bashkimit Europian, që do të jetë një platformë për të gjithë ata që ndajnë interesin për integrimin e Shqipërisë në BE. 

Fyle vjen në Tiranë pas një turi në rajon, për t’u ndalur në Beograd e në Kosovë. Në axhendën e tyre, Fyle e Kukan nuk kanë përfshirë
takime me krerët e politikës shqiptare, por gjithsesi që ata të zhvillojnë takime të ndara në Tiranë, me ministren e Integrimit, Majlinda Bregu,
në takimin dypalësh me qeverinë, dhe me kreun e Komisionit të Integrimit, Ditmir Bushatin, në takimin me opozitën. 
Fokusi i bisedave pritet të jenë zgjedhjet e 23 qershorit, retorika nacionaliste dhe reformat për integrimin europian.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 22 February 2013 13:55

TIRANE– Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle mbërriti dje në Tiranë, ndërsa paraditen e sotme nisi takimet me krerët më të lartë të shtetit shqiptar.

Ministri Westerwelle pritet të ketë një axhendë të ngjeshur takimesh sot. Dita nisi me takimin mes tij dhe homologut shqiptar, Edmond Panariti, ku do të diksutohet për marrëdhëniet bilaterale mes Shqipërisë dhe Gjermanisë për një sërë projektesh të përbashkëta.

Vizita e tij në Tiranë do të vijojë me takimet me kreun e shtetit Bujar Nishani, kryeminstrin Berisha dhe kreun e opozitës Edi Rama. Vizita e Westerwelle, vjen pas nje shtyrje të asaj të planifikuar më 14 shkurt, për shkak të një fatkeqësie familjare. 

NISHANI TAKON WESTERWELLE: DO ARRIJMË STANDARTET E KËRKUARA NGA BE 
ORA 13:00-
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, zotin Guido Westerwelle, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë. 

Në vijim të shkëmbimit të mirëseardhjes, Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen ndaj popullit gjerman dhe qeverive të tij për mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë në fushën ekonomike, për anëtarësimin në NATO, lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj dhe për mbështetjen e vazhdueshme në udhëtimin europian. Integrimi Europian mbetet objektivi prioritar dhe Shqipëria do të vazhdojë angazhimin e saj për arritjen e standardeve të kërkuara me qëllim që jo vetëm të jetë një kontributore në Bashkimin Europian, por që qytetarët shqiptarë të përfitojnë nga këto standarde.

Kreu i Shtetit nënvizoi faktin se Shqipëria ka kapacitete dhe infrastrukturën e nevojshme për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme, por sfida e vetme mbetet kultura politike e aktorëve dhe shprehu bindjen se klasa politike shqiptare do ta kalojë këtë sprovë me sukses. Presidenti Nishani e siguroi ministrin Westerwelle se “Shqipëria ndonëse një vend i vogël ka luajtur dhe do të vazhdojë të luajë rolin e saj si kontribuese thelbësore e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon duke forcuar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, bashkëpunimin rajonal dhe duke inkurajuar shqiptarët që të mbështesin zhvillimin e demokracisë dhe prosperitetin ekonomik në vendet ku ata jetojnë. E gjitha kjo bazohet në një traditë sipas të cilës shqiptarët u kanë ofruar fqinjëve miqësi dhe paqe”.

Në përgjigje Kryediplomati gjerman u shpreh se vjen me një mesazh shumë të qartë e të thjeshtë se “Gjermania do të jetë në anën tuaj sidomos gjatë udhëtimit tuaj europian. Për ne nuk është një çështje kombëtare apo ekonomike, por një qëndrim politik dhe strategjik që të gjithë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor duhet të jenë anëtarë të Bashkimit Europian”.

Në këtë kuadër, Ministri i Jashtëm Westerwelle veçoi se kriteret janë kërkesa objektive duke vlerësuar për momentin si shumë të rëndësishme përgjegjësinë e faktorëve politikë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe realizimin e kritereve të Komisionit Europian. 

Presidenti Nishani dhe Ministri Westerwelle shprehën bindjen se Shqipëria dhe Gjermania mbeten partnerë seriozë në bashkëpunimin dypalësh, shumëpalësh dhe në procesin e integrimit europian.

WESTERWELLE: KUJDES ME NACIONALIZMIN, MBANI ZGJEDHJE ME STANDARTE
ORA 10:23- Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle në konferencën e përbashkët me homologun e tij shqiptar, Edmond Haxhinasto vlerësoi se Shqipëria është një vend që ka para shumë sfida por edhe shanse.

Ai nënvizoi se Gjermania e mbështet perspektivën evropiane të Shqipërisë, ndërsa i bëri apel politikës për konsensus e bashkëpunim, duke hequr dorë nga retorikat e ashpra. Sipas, Westerwelle Shqipëria duhet të fokusohet edhe tek zgjedhjet, të cilat duhet të jenë sipas standardeve evropiane.

“Kjo është vizita ime e parë, deri tani kam fituar një përshtypje mjaft të mirë për vendin tuaj dhe ju. Ju jetoni në një vend që ka sfida të mëdha, por edhe shanse të mëdha. Arsyeja e vizitës sime është që të thelloj marrëdhëniet e vendeve tona. Gjermania është një partner i rëndësishëm tregtar i Shqipërisë, por edhe qeveria federale është e angazhuar këtu me një numër të madh projektesh. Që prej vitit 1998 Gjermania i ka dhënë mbështetje Shqipërisë me 1 miliardë euro. Shqipëria e përqendron vështrimin e saj drejt Europës dhe ne këtë e përshëndesim. Por për këtë duhen plotësuar disa kritere. Ekziston konsensus në shoqëri për perspektivën evropiane, ky konsensus duhet të gjejë vend edhe në politikë. Demokracia, sundimi i ligjit, pavarësia e gjyqësorit, por mbi të gjitha zgjidhja e mosmarrëveshjeve nëpërmjet dialogut dhe jo polemikave të ashpra. Prandaj është e rëndësishme që zgjedhjet të zhvillohen mbi bazën e parimeve evropiane”, nënvizoi ministri gjerman. 

Ministri gjerman konfirmoi edhe njëherë mbështetjen e plotë të Gjermanisë për integrimin e Shqipërisë në BE, ndërsa shtoi se ky proces varet mbi të gjitha nga plotësimi i kritereve.

“Nënvizoj edhe njëherë qëndrimin gjerman, është në një linjë me miqtë dhe partnerët në Europë. Ne duam perspektivën evropiane për Shqipërinë, por secili hap varet nga plotësimi i kritereve. Për këtë kanë rëndësi jo vetëm të drejtat por edhe zbatimi. Pasi të kemi marrë raportin, atëherë do marrim vendimin tonë. Për sa i përket Gjermanisë nuk ka as lëshime, as vështirësime artificiale. Ne këtë proces e vlerësojmë drejt, ashtu sic duhet”, shtoi ai.

Ministri Westerwelle theksoi ndër të tjera se, “Fakti që sot jemi një shtet i fortë dhe i suksesshëm varet ngaqë Gjermania ka nxjerrë mësime nga e kaluara, ne mendojmë që bashkëpunimi është gjithnjë më i mirë se konfrontimi. Ne nuk bëjmë premtime të shumta, por ato që bëjmë i mbajmë”, shtoi ai më tej.

Kreu i diplomacisë gjermane, i pyetur nga gazetarët ka komentuar edhe deklaratat e fundit nacionaliste të politikës shqiptare. Duke apeluar të kihet kujdes me to, Westerwelle tha se as në Evropë, e as në Ballkan, Gjermania nuk lejon ndryshime kufijsh.

“Emocionet dhe ndjenjat nacionaliste duhen trajtuar me shumë kujdes sidomos në kohën e një fushate elektorale. Qëllimi i përbashkët duhet të jetë që një ditë të bukur të gjitha vendet e rajonit të jenë pjesë e BE dhe qytetarët të lëvizin lirisht. Për ne ndryshimet e kufijve nuk lejohen, as në Ballkan. Sipas mendimit tonë kufijtë në Evropë nuk hiqen dhe ndryshohen, thjesht humbasin rëndësinë kur je në Evropë”, shtoi ai. 

PANARITI: NUK KEMI PRETENDIME TERRITORIALE ME FQINJËT
Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve mbi marrëdhëniet e me fqinjët, Panariti ritheksoi qëndrimin se “Shqipëria as nuk ka patur, as nuk ka as nuk do të ketë pretendim territorial ndaj fqinjëve.

“Të theksoj edhe një herë qëndrimi ne qeverisë shqiptare në vullnetin e palëkundër për të patur marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunim konstruktiv me vendet e rajonit. Shqipëria do vijojë të luajë si më parë rolin në Ballkan si stabilizuese e paqes dhe prosperitetit. Shqipëria as nuk ka patur as nuk ka dhe as nuk do këtë ketë pretendime territoriale ndaj fqinjëve. Ne jemi të angazhuar që të plotësojmë rolin tonë nëpërmjet grupeve të kontaktit”, ritheksoi Panariti.

PANARITI: GJERMANIA MBËSHTETJE PËR INTEGRIMIN
ORA 09:55
Shefi i diplomacisë shqiptare Edmond Panariti gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun gjerman Guido Westerwelle u shpreh se Shqipërinë e Gjermaninë e pret një e ardhme premtuese bashkëpunimi. Panariti bëri me dije se gjatë takimit ka falënderuar ministrin gjerman për mbështetjen që Gjermani i jep vendit tonë në integrimin Evropian.

“Ne konfirmuam nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve tona. Ne diskutuam mbi forcimin e partneritetin midis dy vendeve tona, zhvillimin e marrëdhënieve dy paleshe në të gjitha fushat me interes të ndërsjelltë, sidomos në procesin e integrimit Evropan të Shqipërisë. Sidomos në problemet në Ballkanin Perëndimor. E falënderova për mbështetjen që gjermania ka dhënë në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Ministri më shprehu mbështetjen për marrjen e statusit kandidat të Shqipërisë. Nga ana tjetër e sigurova për përkushtimin e autoriteteve shqiptare dhe popullit shqiptar për tu integruar BE”, u shpreh Panariti. 

Situata në Ballkanin Perëndimor ishte një tjetër cëshjte në tryezën e diskutimit mes ministrit të jashtëm shqiptar dhe atij gjerman. Panariti bëri me dije se i konfirmoi homologut të tij angazhimin e Shqipërisë në forcimin e fqinjësisë së mirë dhe rolit bashkëpunues në rajon.

“Diskutuam mbi marrëdhëniet dhe situatën e Ballkanit Perëndimor. Vlerësove rolin konstruktiv të Gjermanisë në rajon dhe e sigurova që jemi të angazhuar për forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe do të luajmë një rol bashkëpunues në rajon. Kjo vizitë siguron vazhdimësinë e marrëdhënieve shqiptare gjermane’”, tha Panariti. 

Panariti falënderoi ministrin gjerman për mbështetjen që vendi i tij ka dhënë ndër vite si partner strategjik i Shqipërisë teksa theksoi se “e ardhmja e bashkëpunimit mes dy vendeve është premtuese”. 

NISI TAKIMI I MINISTRIT TE JASHTEM GJERMAN ME PANARITIN
Ora 09:14
Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle u prit paraditen e sotme në ambientet e ministrisë së Jashtme, ku u prit nga kreu i këtij institucioni Edmond Panariti.

Pas takimit pritet që dy homologët të mbajnë një konferencë të përbashkët shtypi për mediat.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 21 February 2013 19:30

TIRANE- Ambasadori i Britanisë në vendin tonë Nicholas Cannon ka theksuar se kusht per integrimin jane zgjedhjet e lira e te ndershme, nderkohe qe tre ligjet, jane vetem tre prej tullave ne ndertesen e integrimit.

“Si e kemi pare, ka nje vemendje te madhe nderkombetare ndaj procesit zgjedhor ne Shqiperi, edhe ne viziten e Klinton, mesazhi i saj per zgjedhjet, me viziten e komisionierit Fyle. Syte e nderkombetareve do te jene mbi keto zgjedhje edhe me shume se sa kane qene ne te kaluaren”-  ka thene ai.

Sa per ligjet e shumedebatuar, ai ka thene se duhet te krijohen kushtet per t’i votuar, pasi jane pjese e integrimit. “3 ligjet dëshmojnë aftësinë për të lënë mënjanë debatet politike”- tha ai, duke u ndalur me gjate ne rendesine e zgjedhjeve.

“Zgjedhjet e 23 Qershorit janë të rëndësishme dhe nëse do të jenë të mira do të jenë një shtysë për integrimin nëse do të jenë të dyshimta atëherë do të kthejnë pas procesin e integrimit. Në zgjedhje duhet të ketë pjesëmarrje të lartë qytetarësh dhe politika duhet të ofrojë larmi kandidaturash. Gjithashtu duhet të mbrohet e drejta e votës ” ka thene ai.

Ai ka thene se procesi i integrimit është shumë i gjatë që do të duhen vite dhe këto 3 ligje janë vetëm tre tulla në atë masë që duhet të ndërtohet për integrimin.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 13 February 2013 08:00

TIRANË– Kreu i prezencës së Bashkimit Europian Ettore Sequi ka menduar t’i përgjigjet sot zërave skeptikë që kritikojnë Bashkimin Europian për tejkalim kompetencash në cështjet e brendshme të Shqipërisë.

I pranishëm në një aktivitet të organizuar në bashkëpunim me ministrinë e Mjedisit, Sequi u shpreh se Shqipëria nuk do të ishte më e mirë pa mbështetjen e BE, e cila sipas tij, ka kontribuar jo me fjalë po me vepra konkrete pa asnjë axhendë të fshehtë.

“Theksojmë se në kornizën e aplikimit të Shqipërisë për anëtarësim, përpjekje dhe investime të rëndësishme nevojitet që të bëhet në përputhje me kriteret europiane, duke përfshirë edhe zbatimin e ligjit. Mesazhi ynë politik është i qartë, Shqipëria duhet të ndjekë shembullin europian për mjedisin, sepse është thelbësore që të përmirësohen standartet e jetesës së njerëzve, duke përfshirë edhe stimulin e ekonomisë. Për ata persona jo të shumtë që kritikojnë Europën dhe Bashkimin Europian, unë ju them se jemi të kënaqur për atë që bëjmë, për të përmirësuar jetën e qytetarëve shqiptarë, jo vetëm me fjalë por edhe me fakte, pa asnjë axhendë të fshehtë. Shqipëria pa Europën sot nuk do të ishte një vend më i mirë”, tha ai.

Duke dalë jashtë fjalimit të parapërgatitur dhe që kishte në fokus mbështetjen që Bashkimi Europian ofron në mbrojtje të mjedisit në Shqipëri, Sequi tha se BE dëshiron që Shqipëria të jetë një vend më i mirë për shqiptartët, duke u angzhuar në mënyrë konkrete, që kjo të realizohet.(B.W/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 30 January 2013 16:02

Tiranë – Shqiperia dhe statusi i saj ne BE jane shkak i vizites se Komisionerit për Zgjerimin Stefan Fule, i cili ne fillim te javes se ardshme pritet te ndalet ne Tirane.

Ai do të takohet me kryeministrin Berisha dhe kryetarin socialist Rama në përpjekje për të mundësuar një zgjedhje për miratimin e tre ligjeve të kërkuara nga Brukseli

Komisioneri europian për Zgjerimin Stefan Fule pritet të vizitojë Tiranën në fillim të javës së ardhshme në një përpjekje të fundit për të mundësuar një rrugëzgjidhje për miratimin në parlament të tre reformave të përcaktuara nga Brukseli si kusht që vendi të marrë statusin kandidat.

Dje në Bruksel duke folur në një konferencë për Ballkanin të organizuar nga e djathta europian, komisioneri Fule u shpreh se do të ishte  mëkat nëse kjo cështje nuk do të tejkalohej.

Shqipëria ka një shans për ta marrë statusin në qershor, por brenda pranverës ajo duhet të miratojë tre reformat në mënyrë që komisioni t’i paraqesë rekomandimin e tij vendeve anëtare.

Komisioneri Stefan Fyle do të bëjë një përpjekje personale për të cuar drejt kompromisit shumicën dhe opozitën në Shqipëri, në mënyrë që vendi të ketë një shans për të marrë statusin kandidat qershorin e ardhshem.

Vizita e tij këtë herë ka vetëm një objektiv, të mund të zgjidhë ngërcin që ka mbajtur të bllokuar avancimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit europian. Tetorin e kaluar, komisioni i rekomandoi vendeve anëtare dhënien e statusit Shqipërisë me kusht që të miratohej reforma parlamentare, ndryshimet në ligjin për Gjykatën e Lartë dhe në atë të nëpunësit civil.

Opozita e kushtëzoi një kompromis të mundshëm me zgjidhjen e cështjes së qarkut të Fierit ku ajo pretendon se shumica ka uzurpuar drejtimin e tij. Sipas opozitës një seri vendimesh të të gjitha shkallëve të gjyqësorit shqiptar i kanë dhënë të drejtë asaj. Por e djathta në pushtet pretendon të kundërtën duke shpjeguar se cështjet gjyqësore nuk kanë përfunduar ende.

Ndonëse i gjendur nën presionin e kritikave për përdorimin e një kauze me interes më të vogël përballë atij për integrimit europian, kryetari socialist i ka mëshuar faktit se në këtë rast bëhet fjalë për një cështje parimore, ku nuk ka kuptim të kërkohet miratimi i reformave në drejtësi kur vendimet e gjykatave sipas tij shkelen dhe nuk njihen nga qeveria.

Për shkak të kësaj përplasjeje në dhjetor vendet anëtare të BE nuk morën dot një vendim për Shqipërinë duke lënë të hapur mundësinë që të shqyrtojnë kërkesën e saj për anëtarësim sapo të ketë përmbushur detyrimet e përcaktuara nga komisioni.

 

Mekat nese nuk votohen tre ligjet

“Nëse forcat politike shqiptare do të jenë në gjendje të kapërcejnë problemet e fundit ende të pazgjidhura me Brukselin, atëherë  do të ketë edhe një raport për Shqipërinë”- është shprehur Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle.

Gjatë një seancë për Ballkanin Perëndimor në Parlamentin Evropian, sipas agjencisë së lajmeve ANSAmed, Fule e ka cilesuar si nje turp, nëse tre ligjet e mbetura pa miratuar, të kërkuara nga Komisioni i BE-së, nuk do të adresohen apo nuk do të merrnin zgjidhje.

“Nëse Tirana nuk ia del të bëjë përparimin e nevojshëm, do të jetë një tjetër mundësi e humbur”- ka theksuar më tej Fule.

Komisioni Evropian do të paraqesë raporte vlerësimi mbi përparimin drejt anëtarësimit në BE në muajin prill, për Serbinë, Maqedoninë si dhe Kosovën.(P.O/LajmeShqip.com)