Lajme Shqip Saturday, 25 August 2012 11:40

Ksavi Hernandez beson se tashmë situata mes Barcelonës dhe Real Madrid i është kthyer normalitet, pasi në “El Clasico” të fundit nuk kishte skena nervozizmi të theksuar si në ndeshjet e mëparshme.

“Kemi folur më përpara me Iker dhe Pujol rreth tensionit që lind në këto ndeshje. Por ato janë normale, është fryma e sportivitetit. Në vitet e kaluara kishte më shumë tension se normalisht dhe tani fatmirësisht situata është qetësuar. Edhe pse të gjithë duam të fitojmë, kthimi në normalitet është i mirë për të gjithë, për futbollin në përgjithësi”, tha mesfushori i Barcelonës.

Sipas tij, katalanasit e kishin merituar fitoren në sfidën e parë dhe kishin treguar se ishin superiore ndaj Realit.

“Janë dy vizione të ndryshme për të parë futbollin. Ne ishim më të freskët fizikisht, dominuam në mbajtjen e topit, krijuam raste dhe ishim superiorë. Më shumë se rezultati, na kënaqi momenti që po kalojmë. Ishim superiorë ndaj Realit dhe kush e ka parë ndeshjen mund ta shihte lehtësisht këtë gjë”.

“Murinjo ka ankesa ndaj gjyqtarëve? Më çudit pak por kështu është”, përfundoi futbollisti i Barcelonës. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 24 August 2012 12:43

Tito Vilanova, trajneri i Barcelonës, ka mbrojtur portierin Viktor Valdes, falë gabimi të të cilit, Reali shkon më i qetë në ndeshjen e kthimit të Superkupës, pasi është mundur vetëm 3-2 në sfidën e parë në “Kamp Nou”. Sipas teknikut katalanas, është vetë taktika e lojës së Barcelonës që topi të luhet me këmbë duke filluar nga portieri.

“Viktor ia kemi kërkuar ne një gjë të tillë për të filluar lojën me kombinime që nga ai. Do ta mbështetim që ai të vazhdojë të luajë me këmbë siç ka bërë më përpara. Të mos harrojmë se na ka ndihmuar në qindra raste me lojën e tij, një gabim është mëse i pranueshëm”.

“Nuk është mungesë fati, janë thjesht rrethana loje. Me rezultatin 3-1 gjithçka do të ishte më e thjeshtë por ne nuk do të ndryshojmë asnjëherë mentalitetin tonë. Një gjë të tillë ia kërkuam ne Valdes, nuk mund të luajmë mirë futboll nëse nuk e fillojmë nga portieri”.

“Di të them që kemi bërë një ndeshje të mirë, kemi dominuar dhe kemi krijuar raste. Edhe rezultati deri tani flet në favorin tonë. Mos harroni që Madridi ka lojtarë të mirë dhe ka cilësi të shënojë gola edhe kur nuk krijon shumë raste para portës”, tha Vilanova, i cili më pas lëshoi një thumbim në adresë të Murinjos.

“Nuk çuditem që Murinjo flet përsëri për gjyqtarët. Por sipas meje, Klos Gomes, në përgjithësi e drejtoi mirë takimin”. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 24 August 2012 10:01

Trajneri i Real Madrid, Zhoze Murinjo, beson se vijërojtësi bëri një “gabim të madh” duke quajtur të rregullt golin e Pedro gjatë takimit të fituar 3-2 nga Barcelona në përballjen e parë të Superkupës së Spanjës në “Kamp Nou”.

Sulmuesi spanjoll shënoi golin e barazimit në minutën e 56-të të sfidës pasi më parë Kristiano Ronaldo kishte kaluar në avantazh madrilenët, por përsëritjet televizive treguan se ai ishte në pozicion jashtë loje në momentin e aksionit.

“Goli i parë i Barcelonës ishte një gabim i vijërojtësit dhe kjo është e padiskutueshme. Nuk dua të jem kritik ndaj disa vendimeve të marra në pjesën e parë të ndeshjes. Unë e di se për çfarë flas, por nuk dua të vazhdoj duke ua treguar këto gjëra të tjerëve”, tha Murinjo duke iu referuar gjykimit të Klos Gomez, gjyqtar të cilin e ka paragjykuar si një “armik personal” që në sezonin e kaluar.

“Nuk më pëlqeu pjesa e parë që zhvilluam ne, shpesh bëmë një lojë që nuk do të dëshironim ta bënim dhe Barcelona na rrezikoi duke u shfaqur shumë më superiore. Pas pushimit kemi bërë një lojë krejtësisht ndryshe”, tha trajneri i madrilenëve i cili iu përgjigj pyetjeve edhe për Kaka, duke bërë të qartë se për momentin nuk ishte një alternativë e vlefshme në planet e tij.

“Nëse do të më nevojiteshin të bëja ndryshime ofensive, kisha në stol Higuain e Di Maria, kisha Diarra e Granero për mesfushën dhe dy mbrojtës si Marcelo e Varane. Ndaj Kaka nuk bënte pjesë në planet e mia për t’u ulur në stol në këtë sfidë”, tha Murinjo, duke lënë të kuptohet se kjo situatë do të vazhdojë nëse braziliani nuk largohet sa më parë nga madrilenët. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 23 August 2012 23:46

Barcelona ka arritur të fitojë sfidën e parë të Superkupës së Spanjës përballe Real Madrid me rezultatin 3-2, por duke ditur se ka humbur një mundësi të artë për të hipotekuar fitoren e trofeut që në ndeshjen e parë. 

Reali ishte shumë pranë kapitullimit me një rezultat të thellë, por në ndihmë u ka ardhur portieri i katalanasve, Viktor Valdes, i cili me gafën që bëri i dha mundësinë Di Marias të shënonte golin e rezultatit 3-2.

Në një ndeshje mjaft të mirë, gjithçka ka ndodhur në pjesën e dytë, ku fillimisht kanë qenë madrilenët që kanë kaluar në avantazh në “Kamp Nou” me anë të Kristiano Ronaldo.

Por gëzimi i miqve ka zgjatur vetëm 2 minuta, aq sa i është dashur Pedro të shfaqet para Kazijas dhe ta ndëshkojë atë me një gjuajtje të pakapshme.

Në minutën e 70-të, Mesi ka arritur të transformojë saktësisht një 11 metërsh për të kaluar në avantazh skuadrën e tij, ndërsa në minutën e 78-të, Ksavi çoi rezultatin në 3-1 për ekipin vendas.

 

 

Ndeshja dukej e mbaruar, por jo për Di Marian, i cili shfrytëzon një gafë të jashtëzakonshme të portierit Viktor Valdes për të çuar topin në rrjetë dhe për shkurtuar rezultatin përfundimtar të kësaj sfide të parë në 3-2.

Ky rezultat komplikon disi situatën e Barcelonës, pasi në “Santiago Bernabeu”, pas një jave, madrilenëve do t’u mjaftojë vetëm një gol për të siguruar trofeun. (LajmeShqip.com)