Lajme Shqip Wednesday, 27 June 2012 20:10

Prishtinë -Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Qeveria e Republikës së Kosovës njoftuan se sot hyn në fuqi Marrëveshja bilaterale mbi statusin e forcave (SOFA).

“Marrëveshja mbi statusin e forcave ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës na mundëson thellimin e bashkëpunimit dhe partneritetit dypalësh për promovimin e sigurisë së popullit të Kosovës dhe për të kontribuar për paqe dhe stabilitet në Ballkan”, theksohet në komunikatën e dërguar pak më parë nga Ambasada Amerikane në Prishtinë.

Marrëveshje dypalëshe mbi statusin e forcave, e nënshkruar më 18 shkurt 2012, përkufizon statusin ligjor të personelit ushtarak të Shteteve të Bashkuara dhe shtetasve të SHBA-ve që punojnë në Kosovë në programet në mbështetje të sigurisë së përbashkët.

“Marrëveshja do të lehtësojë një varg veprimtarish të përbashkëta, siç është përfshirja e Gardës Kombëtare të Iowa-s në Programin i partneritetit shtetëror me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), që do të vazhdojnë bashkëpunimin e mëtejshëm afatgjatë dhe të qëndrueshëm për siguri. SOFA demonstron fuqinë e aleancës ndërmjet SHBA-ve dhe Kosovës’, thuhet në njofttimin e Qeverisë së Kosovës. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 19 May 2012 10:58

Prishtinë – Kuvendi i Kosovës pritet që së shpejti ta ratifikojë marrëveshjen për statusin e forcave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SOFA), e cila është nënshkruar më 18 shkurt të këtij viti nga zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, William Burns, dhe nga ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj.

Zyrtarë të lartë institucionalë kanë bërë të ditur se presidentja Atifete Jahjaga, në bazë të kompetencave të saj kushtetuese, tashmë i ka kërkuar Kuvendit që ta fusë në votim këtë marrëveshje, në njërën nga seancat e radhës që do t’i mbajë. Këshilltari për informim i presidentes, Arbër Vllahiu, nuk e ka mohuar parashtrimin e një kërkese të tillë në Kuvend, ashtu sikur nuk ka dhënë shpjegime rreth përmbajtjes së marrëveshjes dhe rëndësisë që ka ratifikimi i saj.

SOFA në fakt siguron kornizën ligjore brenda së cilës personeli civil i ushtrisë amerikane dhe Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së do të veprojë në Kosovë. Në bazë të saj ky personel, që nuk është pjesë e misionit të NATO-s, parashihet të punojë me pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës me qëllim të zhvillimit të aftësive të kësaj force në kryerjen e katër misioneve: zjarrfikjen, kërkim-shpëtimin, largimin e materieve të rrezikshme, si dhe largimin e mjeteve eksplozive.(K.N)