Lajme Shqip Tuesday, 19 March 2013 19:46

Në Gjykatën Penale në Shkup sot ka vazhduar procesi gjyqësor për rastin “Monstra” lidhur me vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc.

 

Procesi gjyqësor sot u zhvillua me dyer të mbyllura dhe pa praninë e gazetarëve, për shkak se janë dëgjuar transkriptet e bisedave të përgjuara telefonike të të akuzuarve në ditën kur ditën e 12 prillit kur ndodhi vrasja e pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit. Trupi gjykues ka vlerësuar se bëhet fjalë për dëshmi sekrete dhe se nuk është e lejuar që seanca të zhvillohet me dyer të hapura.

Seanca e ardhshme është caktuar të zhvillohet më 25 mars, por nuk dihet vazhdimi i saj për shkak se në rast të ekstradimit të shpejt të dy të dyshuarëve kryesor për vrasjen e pesëfishtë Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq, që u arrestuan dy javë më parë nga policia e Kosovës në Prishtinë, sipas procedurave gjyqësore mund të fillojë proces i ri gjyqësor nga fillimi.

Autoritetet kosovare kanë shqiptuar masën e paraburgimit për dy të ndaluarit nga Maqedonia, ndërsa nuk janë dhënë hollësi për vendndodhjen e tyre dhe për afatet se kur do të realizohet ekstradimi.

 

Demiri dhe Ismailoviq bashkë me katër persona të tjerë nga Shkupi sipas aktakuzës së në ngritur nga organet hetimore maqedonase akuzohen se janë vrasësit kryesor të katër të rinjve maqedonas dhe një peshkatari në prillin e vitit 2012 pranë liqenit të Smilkovcit në periferi të Shkupit. Procesi gjyqësor lidhur me këtë rast është shtyer për 19 mars. Autoritetet kosovare tashmë po mbajnë në njërin nga burgjet hetimore dy të ndaluarit Demiri dhe Ismailoviq, duke i shqiptuar atyre masën e paraburgimit prej 30 ditëve. (INA/LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 15 September 2012 12:28

Shkup – Një dëshmitar i mbrojtur i shpallur me pseudonimin “E1″ do të jetë kyç në hetimet dhe zbardhjen e vrasjes së pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit.

Televizioni Kanal 5 ka theksuar se dëshmitari i mbrojtur për dy javë do të merret në pyetje dhe do të jap dëshminë e tij para gjykatës penale.

Avokatët mbrojtës kanë shprehur mëdyshje nga dëshmia që do të sjellë ky dëshmitar i mbrojtur. Avokatët mbrojtës kanë theksuar se hetuesia ka stërzgjatur hetime dhe nuk ka prova të mjaftueshme.

E1, siç thuhet, do të dëshmojë në kushte të veçanta dhe kritere, duke i`u fshehur identiteti dhe pamja e tij, por edhe zëri. Në procesin gjyqësor do të jenë të pranishëm edhe avokatët dhe të akuzuarit. Në operacionin “Monstër” lidhur me vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc policia kishte mbajtur si dëshmitar të mbrojtur Haki Hazirin, i cili kishte kërkuar që të heq dorë nga ky status dhe është shndërruar si pjesë e gjashtë të dyshuarve për terrorizëm dhe ndihmë – pjesëmarrje në vrasjen e pesëfishtë.

Deri në fund të muajit tetor pritet të përfundojnë hetime dhe të ngrihet akuza kundër të akuzuarve, në të kundërtën ata do të duhet të lihen të lirë. Në burgjet e Manastirit dhe Prilepit tashmë gjenden katër të dyshuarit për vrasjen në Smilkovc që ndodhi në prill të këtij viti, ndërsa dy të dyshuar të tjerë janë në arrati. Përfaqësuesit ndërkombëtar në Maqedoni kanë kërkuar një proces transparent hetimor dhe shmangien e ndikimeve politike në mbylljen e rastit të vrasjes së pesëfishtë. (INA)

 
Lajme Shqip Thursday, 12 July 2012 16:33

Shkup – Gjykata e Shkupit ka dënuar edhe dy shqiptarë të tjerë të arrestuar gjatë operacionit “Monstër” lidhur me vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit.

Ndaj Rrahman Asanit nga Shkupi u shqiptua dënimi prej tre vite e gjysmë burg për posedim të paligjshëm të armëve, ndërsa ndaj Nazif Mehmetit u shqiptuan tre vite burg, gjithashtu për posedim të paligjshëm të armëve, raporton Ina.

Rrahmani gjatë fjalës përfundimtare mohoi se armët janë të tij dhe se as që ka ditur se ka poseduar armë në shtëpinë e tij, ndërsa Mehmeti ka theksuar se kishte siguruar armët për tu mbrojtur nga grabitësit, për shkak se dispononte një lokal që vazhdimisht ishte cak i grabitjeve. Por ai në fjalën e tij përfundimtare ka thënë se është i bindur se asnjëherë nuk ka përdorur armën.

Një muaj më parë me veprën për posedim ilegal të armëve u dënua Ibrahim Sejdini nga Shkupi me gjashtë vite burg.

Mediat pro-qeveritare maqedonase raportuan se me këto dënime mbyllen katër lëndët e ngritura si pjesë e operacionit “Monstër” lidhur me posedim të paligjshëm të armëve.

Ndërkohë, MPB jozyrtarisht bën të ditur se akoma po vijojnë hetimet për vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit, për të cilën gjashtë veta ngarkohen për kryerjen e saj si vepër terroriste.

Operacioni “Monstër” ka vazhduar me akuzat e partive opozitare shqiptare për arrestime të shqiptarëve të pafajshëm dhe akuzat për terrorizëm. Një pjesë e partive kanë akuzuar gjithashtu për ngecje të procesit gjyqësor, për shkak se MPB, sipas tyre ka dështuar në hetimet e këtij rasti, duke mbajtur në burg njerëz të pafajshëm. Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar një proces gjyqësor transparent dhe të bazuar në dëshmi dhe fakte. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 01 June 2012 08:01

Shkup – Këshilli penal i Gjykatës themelore të Shkupit vendosi vazhdimin e paraburgimit prej 30 ditëve për pesë të arrestuarit në operacionin “Monstër”, të  cilët u dyshohen për vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit. 

Tre nga të ndaluarit po vuajnë paraburgimin në burgun e Manastirit, ndërsa dy të dyshuarit e tjerë janë në arrati, por sipas gjykatës, ky vendim është shqiptuar edhe për dy të arratisurit. 

Për të dyshuarin e gjashtë, i cili është Haki Aziri, nuk është sjellë asnjë vendim, pasi që ai në ditën e gjashtë ishte sjellë para gjykatësit hetues dhe se ishte shpallur person i zhdukur nga dita e operacionit “Monstër”, ku u bë arrestimi i rreth 30 personave të dyshuar për vrasjen e pesëfishtë që ndodhi në prill të këtij viti pranë Liqenit të Hekuranës në afërsi të fshatit Smilkovc të Shkupit. 

Ministrja e MPB, Gordana Jankullovska dhe prokurori publik Shvrgovski kanë deklaruar se ndaj këtyre të dyshuarëve ka dëshmi të forta se gjoja ata kanë kryer vrasjen e pesëfishtë dhe kanë ndihmuar në kryerjen e saj. (INA)

 
Lajme Shqip Thursday, 31 May 2012 21:42

Shkup – Operacioni policor “Monstër” ka qenë në qendër të vëmendjes së seancës së sotme parlamentare të pyetjeve të deputetëve. 

Deputeti i PDSH-së, Imer Aliu ka kërkuar përgjegjësi dhe llogari nga ministrja e MPB-së, Gordana Jankullovska lidhur me të arrestuarit dhe të paraburgosurit e këtij rasti, duke përfshirë rastin e të zhdukurit për gjashtë ditë të Haki Hazirit, tashmë i paraburgosur në Manastir dhe brutalitetin ndaj femrave të ndaluara shqiptare nga njësitet speciale në korridoret e gjykatës.

Nga ana e saj, ministrja e MPB-së, Jankullovska ka theksuar se gjatë këtij aksioni janë respektuar të gjitha standardet profesionale dhe rregullat e sjelljes së policëve. Ajo ka shtuar se deputeti Aliu po tenton të manipulojë me të dhënat lidhur me operacionin “Monstër”.

“Procedura para hetimore është kryer dhe në bazë të atij para-hetimi është ngritur padi penale për terrorizëm dhe ne nuk kemi arsye të fshehim se kemi siguruar argumente të cilat ia kemi dorëzuar Prokurorit përgjegjës”, theksoi Jankullovska.

Debati ka kulmuar kur ministrja Jankullovska i ka thënë deputetit Aliu që të ketë kujdes se çfarë deklarohet. “Unë punoj në interes të Republikës së Maqedonisë, por nuk e dij se për çfarë interesa ju punoni. Kujdes se çfarë flisni dhe respektoni ligjet”, deklaroi Jankullovska. Ndërkohë, përgjigja e deputetit të PDSH-së ka qenë se nuk mund ta kërcënojë ate dhe se ajo duhet të përgjigjet për të paraburgosurit që siç u shpreh po mbahen si pengje dhe janë të rrahur.

Policia maqedonase ndërmori operacionin e koduar ‘Monstër’, për arrestimin e autorëve të vrasjes së 5 të rinjve maqedonas në 13 prill, në Smilkovcë. Më 13 prill, në bregun e liqenit pranë Smilkovcit u vranë qytetarët maqedonas Kire Triçkovski, Aleksandar Naçeski, Filip Slavkovski dhe Cvetanço Acevski të moshës prej 18 deri 20 vjeç, si dhe Borçe Stefanovski (45) nga fshati Creshevë. Pesë personat, sipas informacioneve të deritanishme të policisë, janë vrarë me armë automatike nga shumë pranë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 12 May 2012 12:17

Shkup (PLOTESUAR)-Rreth 100 të rinj maqedonas kanë protestuar sot para Qeverisë, me thirrjet kundër radikalizmit islamik dhe dënimit të autorëve të vrasjes së pesëfisht në Shkup. 

Të rinj me flamuj maqedonas dhe kanë kënduar këngë nacionaliste dhe thirrje raciste antishqiptare dhe kundër Qeverisë ndër të cilat “Vdekje për shqiptarët”, “Stop terrorizmit islamik”, “Qeveria shqiptare”. Një pjesë e tyre kanë mbajtur të fshehur fytyrat dhe me kapela në kokë, duke urdhëruar që gazetarët të mos afrohen pranë turmës. 

Para Qeverisë janë të pranishme forca të mëdha policore, që po ndjekin lëvizjen e turmës së vogël të protestuesve. (LajmeShqip.com)

****************************************

Shkup – Në Shkup sot janë paralajmëruar protesta para Qeverisë nga grupe qytetarësh maqedonas.

Protesta e organizuar nga grupi i ashtuquajtur “Protesta para Qeverisë” do të mbahet pasdite para Qeverisë dhe se ajo do të jetë si kundërpërgjigje për protestat e djeshme të shqiptarëve dhe për zbardhjen dhe dënimin e shpejt të autorëve të vrasjes së pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit.

Sipas mesazheve të bëra nëpërmjet rrjeteve sociale, ky organizim do të jetë në formën e kundërprotestës kundër shqiptarëve. Në këtë profil virutal të internetit nuk kanë shpëtuar fyerjet e rënda antishqiptare dhe antifetare. Protestuesit maqedonas kanë bërë thirrje për masivitet në këtë protestë. Protesta vjen një ditë pas protestave të shqiptarëve të organizuara në Shkup dhe qytete tjera. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 11 May 2012 10:05

Shkup (PLOTESUAR 21:00)-Mediat maqedonase sot sërish i kanë dhënë kahje fetare se sa etnike protestave të organizuara në Shkup, Tetovë dhe qytete tjera në Maqedoni.

“Dnevnik” raporton se mijëra besimtarë islam kryesisht të komunitetit shqiptar protestuan rrugëve të Shkupit dhe para qeverisë. Sipas gazetës, protestuesit e radikalizuar kanë tentuar që të hyjë në ambientet e qeverisë, mirëpo ato nuk janë lejuar nga policia. Gazeta ka nxjerrë edhe disa nga parullat fyese të protestuesve “ Vdisni kaurë”, “Nikolla Terrorist”, “Ali çetnik” “Ali dhe Gruevski homoseksualë”, etj.

Edhe televizioni pro qeveritar “Sitel” raportoi se mijëra mysliman protestuan para qeverisë me moton “Myslimanët nuk janë terroristë” si dhe thirrje tjera. Sipas “Sitel” edhe në Tetovë dhe Gostivar është protestuar me flamujt islam  dhe thirrje islamike, por duke përmendur edhe shprehjen e revoltës kundër proceseve të montuara kundër shqiptarëve.

Portale dhe faqe të ndryshme informative gjithashtu kanë dhënë në qendër të vëmendjes fotografitë e protestës, duke nxjerrë protestues me flamujt fetar si dhe thirrjet fetare. Gjithashtu ato kanë informuar se protestuesit ishin besimtarë islam, duke reaguar kundër arrestimeve të fundit lidhur vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc. (LajmeShqip.com)

********************************************

Shkup (PLOTESUAR 16:35) – Në Shkup është mbyllur protesta paqësore dhe se të gjithë protestuesit janë shpërndarë nga godina e Qeverisë. Disa protestues kanë hedhur gurë në drejtim të Qeverisë, duke thyer disa xhama, ndërsa ka pasur edhe tentime për të provokuar incidente me policinë, por këto janë shmangur nga ana e organizatorëve spontan të protestës dhe protestuesit.

Turmat e grumbulluara nga pjesa qendrore e Shkupit ka lëvizur në drejtim të Gjykatës Themelore të Shkupit, duke u drejtuar më pas drejt Qeverisë.

Protestuesit kryesisht me flamuj kombëtarë dhe parulla “ Shqipëri Etnike”, “Nikolla Terrorist”, Sopot 2”, “UÇK”, “Amerikë jemi me ty”, “Myslimanët nuk janë terroristë” si dhe thirrje “Vrasës”, “Stop proceseve të montuara”, “Shqipëri Etnike”, ndërsa për dallim nga protesta e kaluar tashmë flamujt fetarë nuk janë të pranishëm në krye të turmës. Gjithashtu nuk kanë munguar edhe thirrjet fetare “Allahu Ekber”.

Protesta është zhvilluar në Tetovë, ku protestuesit janë drejtuar nga sheshi i Tetovës në drejtim të Gjykatës Themelore të Tetovës. Protesta masive nuk ka pasur në qytetet tjera si Gostivar, Strugë, Dibër dhe Kërçovë, edhe pse ato ishin paralajmëruar përmes rrjeteve sociale.

************************************

Shkup (PLOTESUAR 12:20)- Turmat e grumbulluara nga pjesa qendrore e Shkupit ka lëvizur në drejtim të Gjykatës Themelore të Shkupit, duke u drejtuar më pas drejt Qeverisë. 

Protestuesit kryesisht po mbajnë flamuj kombëtar, me transparente dhe parulla “ Shqipëri Etnike”, “Nikolla Terrorist”, Sopot 2”, “UÇK”, “Amerikë jemi me ty”, “Myslimanët nuk janë terrorist” si dhe thirrje “Vrasës”, “Stop procesve të montuara”, “Shqipëri Etnike”.  ndërsa për dallim nga protesta e kaluar tashmë flamujt fetar nuk janë të pranishëm në krye të turmës. Gjithashtu nuk kanë munguar edhe thirrjet fetare “Allahu Ekber”. 

Protesta është zhvilluar në Tetovë, ku protestuesit janë drejtuar nga sheshi i Tetovës në drejtim të Gjykatës Themelore të Tetovës. Protesta nuk ka pasur në qytetet tjera si Kumanovë, Gostivar, Strugë, Dibër dhe Kërçovë, edhe pse ato ishin paralajmëruar përmes rrjeteve sociale. (LajmeShqip.com)

************************************

Maqedoni- Përfaqësues të shqiptarëve të Maqedonisë kanë bërë thirrje sot për protesta paqësore në Shkup, Tetovë, Kumanovë, Gostivar, Strugë dhe në qytete të tjera, për të shprehur indinjatën e tyre në lidhje me operacionin policor dhe arrestimet e shqiptarëve për rastin e vrasjes së pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit.

Ndërkaq, të shtunën, maqedonasit pritet të mbajnë protestë paqësore përpara qeverisë, për të dënuar autorët e vrasjes së pesëfishtë. Ambasada amerikane në Shkup, përmes një deklarate për mediat, ftoi qytetarët të shprehin mendimin e tyre në mënyrë të qetë dhe paqësore. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 10 May 2012 20:20

Shkup – Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se e ardhmja e Maqedonisë ndërtohet vetëm duke kultivuar marrëdhënie të mirëfillta ndëretnike dhe tolerancë ndërqytetare që në vazhdimësi vlerësohet edhe nga miqtë tanë ndërkombëtar, të cilët janë bashkëpjesëmarrës në të arriturat tona të përbashkëta.

BDI, përmes kumtesës, njofton se është parti politike e cila është e përcaktuar që të mbrojë parimet e demokracisë, përfshirë edhe të drejtën për protesta demokratike, të qeta dhe paqësore.

“Andaj,  në lidhje me protestën e paralajmëruar për nesër nëpërmjet rrjeteve sociale, Bashkimi Demokratik për Integrim apelon deri tek pjesëmarrësit që të shprehin opinionet e tyre me dinjitet dhe në mënyrë paqësore e demokratike. Rendi dhe ligji duhet të respektohet nga të gjithë pjesëmarrësit në protesta në mënyrë te evitimit të incidenteve dhe keqpërdorimeve të protestave paqësore nga grupe të ndryshme”, thuhet në kumtesë.

Marrëdhëniet ndëretnike dhe ndërfetare, thuhet më tej, si dhe bashkëjetesa janë vlera të përbashkëta që kërkojnë edhe angazhimin e qytetarëve  krahas institucioneve të vendit

Njëkohësisht, BDI-ja u bën thirrje qytetarëve që të kanë durim dhe të lejojnë institucionet e vendit ta bëjnë punën e tyre në zbardhjen e rastit të vrasjes së pesëfishtë.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 07 May 2012 10:45

Tiranë (PLOTESUAR 19:30)- Qindra qytetarë shqiptarë zhvilluan sot një marshim-protestë, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, për të protestuar kundër qëndrimit të ministres së Brendshme të Maqedonis, Gordana Jankullovska dhe ministrit të Brendshem serb Ivica Daçiq, ndaj shqiptarëve të Maqedonisë.

“Ne jemi këtu për të mbrojtur të vërtetën dhe drejtësinë. Shqiptarët nuk kanë qenë, nuk janë dhe nuk do të jenë asnjëherë terroristë. Të mbrojmë të vërtetën dhe të drejtën e vëllezërve dhe motrave tona në Shkup e po ashtu edhe në Preshevë, të cilët po cënohen ditë për ditë, të cilët janë dhunuar”, thotë një prej protestuesve.

Lëvizja Shqiperia e Re, në mbeshtetje të Kushtetutës së Shqiperisë, bëri të ditur se ka bërë kallezim penal me akuzën e shpëndarjeve së materialeve kompjuterike ‘pro’ genocidit ose krimeve kundër njerezimit. Protestuesit janë ndalur pranë Ambasadës së Maqedonisë dhe asaj serbe, duke dorëzuar kallëzimin penal për përfaqësuesit e shteteve respektive. Më poshtë mund të ndiqni videon e protestës. (LajmeShqip.com) Lëvizja Shqipëria e Re, marshim në mbrojtje të dinjitetit të shqiptarëve! dt 7 Maj

*************************************

Tiranë, 7 maj – Organizata “Levizja Shqiperia e Re” sot do të organizojë një protestë paqësore në Tiranë, me moton “Në mbrojtje të vëllezërve, motrave dhe nënave tona shqiptare në Maqedoni dhe Preshevë”, njoftojnë mediat.

Protesta do të jetë në formë marshimi dhe do të mbahet përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për të vijuar para Ambasadës së Serbisë në Tiranë si dhe më pas përballë ambasadës së Maqedonisë.

“Ju ftojmë në aktivizimin e secilit prej jush për t`i treguar të gjithë botës se ne  shqiptarët jemi gjallë dhe nuk e mbulojmë të vërtetën me heshtje, mosreagim dhe papërgjegjshmëri!”, thuhet në njoftimin e kësaj lëvizje, duke bërë të ditur se përmes protestës do të shprehet revolta dhe reagimi qytetar ndaj dhunës dhe arrestimeve të fundit të shqiptarëve në Maqedoni dhe Luginën e Preshevës.

Delegacioni i kësaj organizate më pas do të drejtohet tek Prokuroria e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë, dhe te Selia e Delegacionit të Këshillit të Europës për të përcjellë denoncimet kundër Ministres së Brendshme maqedonase Jankullovska dhe Ministrit të Brendshëm serb Daçiç. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 05 May 2012 19:01

Shkup – Shprehja e protestës është e drejtë demokratike e të gjithë njerëzve, ne atë e respektojmë dhe gjithmonë me seriozitet qasemi drejt analizës së situatave të këtilla, theksoi kryeministri Nikolla Gruevski i pyetur për koment rreth protestës së djeshme kundër aksionit policor “Monstra”.

Megjithatë, theksoi ai, duhet ta dimë se në demokracinë në të gjitha shtetet shpesh herë ka situata kur organizatorët e protestave të caktuara kanë ditur të manipulojnë me qytetarët të cilët shpesh nën emocione, ndonjëherë edhe të habitur kanë vepruar edhe pse më vonë ndoshta shumica prej tyre e kanë kuptuar se për momentin janë manipuluar, por në momentin e dhënë kanë besuar në atë që u është prezantuar, ajo që u është thënë dhe kanë vepruar.

“Sidoqoftë, nga ajo që jam informuar nga MPB, mund të konfirmoj se Ministria ka siguruar dëshmi të fuqishme të cilat do t’i prezantojë para gjykatës për vrasjen e pesë personave në Liqenin e Smillkovës dhe koha do të dëshmojë se ato dëshmi janë ato që është e vërteta, e jo ajo që mendoj, se dikush manipulon me njerëzit”, deklaroi Gruevski.

I pyetur nëse ka rrezik nga prishja e marrëdhënieve ndëretnike, Gruevski tha se Maqedonia është shtet multietnik dhe si të gjitha shtetet multietnike gjithmonë çdo veprim i cili ka njëfarë karrakteri lidhur me donjë etnikum të caktuar mund të interpretohet edhe ashtu edhe kështu.

“Këtu bëhet fjalë për protestë të qytetarëve e cila pati dimension të caktuar etnik i cili ishte i dukshën në ngjarjen e djeshme, por nuk besoj se do të kontribuojë dukshëm pasi që së shpejti do të fillojë procesi gjyqësor, do të ndriçohen rastet dhe njerëzit do ta kuptojnë se bëhet fjalë për dëshmi serioze dhe se nuk bëhet fjalë për punë etnike pasi që vrasja është vrasje pavarësisht se kush e ka kryer qoftë maqedonas, shqiptar, turk, rom, serb, boshnjak apo i cilësdo kombësie tjetër nuk mund të arsyetohet. “.

Ai nënvizoi se ndonjëherë disa prej partive opozitare i keqpërdorin momentet e këtilla. Manipulimet e këtilla, shtoi ai, nuk do të lejojmë të veprojnë dhe të kenë ndikim mbi gjyqësinë. (LajmeShqip.com)