Lajme Shqip Tuesday, 02 October 2012 16:22

Prishtinë –Policia e Kosovës ka penguar studentët e Lëvizjes studentore Studim, Kritikë, Veprim, gjatë një aksioni simbolik para Stacionit Policor “Qendra” në Prishtinë, duke arrestuar katërmbëdhjetë prej tyre.

Ndërkohë, sipas informacioneve, ata janë duke u mbajtur në polici dhe janë duke u intervistuar.

Aktivistët e lëvizjes studentore Studim, Kritikë, Veprim, kanë vendosur në muret e këtij stacioni policor një pamflet ku thuhej se “ligji mbi arsimin e lartë në Republikën e Kosovës, neni 13 pika 4 thotë se në lista e bartësve të arsimit të lartë gëzon paprekshmërinë nga organet e rendit publik, përveç në rastet e përcaktuara ndryshe me ligjet e veçanta”.

Me këtë aksion, aktivistët e kësaj lëvizjeje kanë dashur ta shprehin pakënaqësinë e tyre ndaj ndërhyrjes së organeve të rendit në hapësirat e institucioneve publike të arsimit të lartë në Kosovë, siç ishte rasti i ndërhyrjes së djeshme gjatë protestës së drejtuesve dhe studentëve të Parlamentit të Studentëve në oborrin e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës.(LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 01 October 2012 11:39

Prishtinë (Plotësuar 15:45)- Disa studentë të lënduar dhe disa të tjerë të ndaluar në polici, është bilanci i protestës së sotme të përfaqësuesve të Parlamentit studentor të UP-së, të cilët me dhunë u futën në oborrin e rektoratit, raporton KTV.

Qëllimi i tyre ishte që të kundërshtojnë, siç kanë thënë ata, emërimet politike që janë bërë në këtë institucion. Por policia ndërhyri menjëherë dhe i nxori të gjithë nga oborri i këtij institucioni. Gjatë ndërhyrjes policia ka përdorur sprej. Përfaqësuesit e studentëve thonë se kur njerëz të politikës janë në fund të karrierës së tyre, rehabilitohen në Universitetin e Prishtinës. Studentët kundërshtojnë fuqishëm emërimin e Nuri Bexhetit për prorektor në UP.

Musa Preteni, nga Parlamenti i Studentëve, ka thënë se i sapoemëruari si prorektor për Arsim, Nuri Bexheti, është i njohur për keqpërdorime dhe mashtrime. Sipas Pretenit, Nuri Bexheti është shkelës i ligjit, duke qenë ligjërues i rregullt në tri fakultete, në atë Filozofik, Juridik, në Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe në disa fakultete private. Nga ana tjetër, rektori i ri, Ibrahim Gashi, i cili sapo ka marrë edhe zyrtarisht detyrën nga pararendësi i tij, Mujë Rugova, ka thënë se emërimet janë bërë konform statutit të UP-së. Ai ka shprehur keqardhje që ka nisur punën në këtë situatë të krijuar, e cila sipas Gashit, nuk ka qenë aspak e nevojshme. (LajmeShqip.com)

*************************************

Prishtinë – Studentë të Universitetit të Prishtinës, si dhe drejtues të Parlamentit Studentor, në orët e paradites, kanë nisur një protestë para Fakultetit Filologjik, duke penguar hyrjen e të ftuarve në ceremoninë e fillimit të vitit të ri akademik në Universitetin “Hasan Prishtina”.

Protesta, sipas tyre, është organizuar për të kundërshtuar emërimet politike që janë bërë në Rektorat. Me këtë rast, Policia e Kosovës ka ndërhyrë për të shpërndarë protestuesit, të cilët kanë hyrë në oborrin e rektoratit të Universitetit “Hasan Prishtina”.

Siç bën të ditur gazetari i “Zërit”, janë arrestuar rreth 10 studentë, ndërkaq protestuesit raportohet se janë larguar nga oborri i rektoratit.Megjithatë, protesta ende po vazhdon dhe shihen forca të shumta të policisë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 08 June 2012 14:47

Prishtinë – Prokuroria Publike Komunale e ka caktuar si prioritet rastin e rektorit të Universitetit të Prishtinës, Mujë Rugova.

Ajo tashmë ka nisur procesin e hetimeve rreth dyshimeve për blerjen e çmimit në Amerikë, i fituar në muajin maj nga UP-ja. Kryeprokurori i kësaj prokurorie, Haki Gecaj, ka thënë se procesi është në fazën e mbledhjes së informatave të para që lidhen me këtë rast.

Hetimet nuk do të bëhen vetëm për dyshimet rreth keqpërdorimeve për rastin e fundit. Ato do të zgjerohen në një periudhë më të gjerë, duke përfshirë edhe paraardhësit e rektorit Rugova. Sipas Gecajt, çdo gjë që ka të bëjë me Rektoratin dhe dyshimet e ngritura nëpërmjet mediave do të hetohen nga prokuroria.

Ndërkohë, deklarimeve të disa prorektorëve se Këshilli drejtues i UP-së ka dalë jashtë kompetencave sa u përket vendimeve për financat u është përgjigjur anëtari i këtij këshilli, Milazim Krasniqi. Ai  i ka thënë KTV-së se vendimi është në përputhshmëri me statutin e UP-së dhe është brenda mandatit të tij. (LajmeShqip.com)  

 
Lajme Shqip Monday, 04 June 2012 15:02

Prishtinë (PLOTESUAR 23:00)- Pas zhvillimeve aktuale rreth Universitetit të Prishtinës, Këshillit Drejtues i këtij institucioni në mbledhjen e mbajtur pas dite ka vendosur që të formojnë një komision hetimor lidhur me procedurën dhe vërtetësinë e mirënjohjes së marrë nga Samitin e Cilësisë, por edhe për qartësimin e keqpërdorimeve të mundshme gjatë vizitës në SHBA.

Lajmin e bëri të ditur anëtari i këshillit drejtues, Milazim Krasniqi, i cili ka thënë për Kosovapress se ky komision ka për detyrë që brenda një jave t’i paraqes raport këshillit drejtues lidhur me këto çështje.

Kurse, sa i përket shkrimeve të fundit lidhur me keqpërdorimet e mundshme në UP, Krasniqi thotë se anëtarët e këshillit kanë diskutuar me tone shumë kritike ndaj punës së menaxhmentit të cilat kanë rezultuar me vendimine për hetime, i cili hap rrugë qartësimit të keqpërdorimeve eventuale që mund të ketë pasur gjatë udhëtimit për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Rugova: S’e bleva çmimin

Drejtuesit e Universitetit të Prishtinës në një konferencë për media kanë arsyetuar marrjen e çmimit për cilësi nga Samiti i Cilësisë, duke thënë se nuk e kanë blerë çmimin, por kanë kryer obligimet e anëtarësimit në këtë asociacion.

Kurse, sa i përket shpenzimeve, kanë thënë se mediat kanë shpifur, madje paralajmëruan se do t’i padisin në gjyq. Rektori i Universitetit të Prishtinës, Mujë Rugova tha se janë lauruar nga samiti me çmimin më të lartë, medaljen e artë për cilësi dhe menaxhim në bazë të punës, në bazë të sondazheve që i ka bërë samiti i cilësisë, i cili është samit botëror.

Ai shtoi se është një sukses shumë i madh ky çmim pasi që në momentin e ndarjes së mirënjohjes dhe largimin e delegacionit serb por edhe shtetet e tjera që nuk e kanë njohur e as nuk duan ta dëgjojnë emrin e Kosovës.

“Dokumentet që i kemi përpara, drejtpërdrejt nga samiti, janë dëshmi dhe vetë sasia e mjeteve të shpenzuara janë dëshmi se ky menaxhment që nga fillimi është i interesuar të përfundon me shumë syçelëti për çdo lekë që harxhohet, por qëndron edhe kjo se që nga dita e parë ne kemi pas një reaksion të shprehur”, ka thënë Rugova.

Rektori Rugova po ashtu tha se ka pasur probleme me Serbinë me burgosje, rrahje e të tjera, por, siç tha ai, këso lloj përgojimesh dhe përpjekjesh për ta denigruar çdo gjë që është arritur në UP nga mediat nuk ka përjetuar.

Ai shkoi edhe me larg duke kërcënuar mediat publikisht, duke thënë se, në bazë të dokumentacionit që posedojnë, të gjithë ata të cilët kanë shpifur do të dalin para gjyqit, sikurse edhe vetë menaxhmenti i UP-së, nëse janë bërë keqpërdorimet.

Ndërsa, zëvendësrektori për marrëdhënie ndërkombëtare, Naser Mrasori, e mbrojti asociacionin që ka ndarë çmimin, duke thënë se nuk është një organizatë fantome e as që shet mirënjohje, siç është shkruar, por është një organizatë që ruan prestigjin e vet që 27 vite me radhë.

“Hulumtimi i këtij institucioni për të ndarë një çmim të tillë ka qenë me një periudhë të gjatë, nuk ka qenë brenda natës, siç është shkruar nëpër gazet,a apo që është shkruar me aplikime dhe të laurohen njerëzit brenda pesë minutash. Këtu ka qenë një garë nga 178 vende, në samit kanë marr pjesë 117 vende, kurse janë nderuar 40 institucione, ka pasur kompani prestigjioze, ka pasur institucione shumë prestigjioze, që nuk është përzgjedhur nga ne, por është përzgjedhur nga 178 shtete”, ka thënë Mrasori.

Edhe Mrasori akuzoi mediat duke thënë se kanë luajtur një rol destruktiv që nga dita e parë kur kanë ardhur. Kurse, zëvendësrektori për çështje financiare, Enver Kutllovci tha se mjetet që janë derdhur në konton e asociacionit nuk kanë qenë për blerjen e çmimit por Universiteti i Prishtinës është i anëtarësuar në asociacion dhe për çdo vit paguan nga 3900 euro.

“Për shtatë ditë 385 euro për qëndrimin në Amerikë edhe rektori edhe prorektori kanë shpenzuar, 985 euro e 66 cent dhe janë kthyer, nga 7 mijë janë kthyer 6014 euro, se të thuhet dhe të abuzohet dhe të apelohet është pak për me u tmerruar por sikur ata që mendojnë se kanë fakte për keqpërdorime, ne mendojmë se kemi fakt për shpifje”, ka thënë ai.

Ai ftoi institucionin e prokurorisë që të hetojë në kuptimin që ka apo nuk ka shkelje të tilla. Ditë më parë, Universiteti i Prishtinës është vlerësuar me medaljen e artë për cilësi, ndërsa sot ky asociacion ka dërguar vendimet e samitit të cilësisë, ku shkruan për artikujt që janë dhënë në Kosovë, duke shprehur shqetësimin për uljen e prestigjit të këtij asociacioni dhe duke shtuar që do të vijë dhe t’i paditë mediat që sipas tyre kanë shpifur por gjithashtu kanë sjellë përgjigje zyrtare lidhur me mënyrën dhe procedurën se si është zgjedhur Universiteti i Prishtinës. (LajmeShqip.com)

***************************************************

Prishtinë – Disa anëtarë të Këshillit Drejtues, në mbledhjen e sotshme, pritet të kërkojnë sqarime për gjendjen në Universitet dhe për blerjen e një çmimi ndërkombëtar.

Burime të Express thonë se në këtë mbledhje mund të iniciohet procedura e shkarkimit të Rektorit Rugova. Rektori i UP-së, Mujë Rugova, sot rreth orës 15, do të dalë para kolegëve të tij, ku pritet të japë shumë sqarime. Por për të shkuar në punë e në këtë mbledhje, atij do t’i duhet së pari të kalojë nëpërmjet shumë studentëve, të cilët pritet të protestojnë para Rektoratit. 

Para nëntë anëtarëve të Këshillit Drejtues të UP-së, Rugova duhet të rrëfejë edhe dyshimet më të fundit se çmimin për cilësi që e ka marrë në emër të këtij institucioni të arsimit të lartë publik në vend, e ka paguar me para dhe jo siç është prezantuar, si e arritur e UP-së. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Sunday, 03 June 2012 14:34

Prishtinë – Lëvizja Studentore për Barazi “Studim, Kritikë, Veprim”, ditë më parë, ka informuar për rastin e fundit të ‘blerjes së një çmimi nga Rektori i UP-së, Mujë Rugova, dhe prorektori Naser Mrasori”. Kjo lëvizje sot gjatë një konferencë për shtyp, i kanë bërë publike gjetjet e tyre kundër Rugovës, Mrasorit dhe prorektorit tjetër Enver Kutllovci.

“Sipas vendimit Ref. nr. 1/439 të lëshuar me 23.05.2012 nga prorektori Enver Kutllovci, mësuam se rektori Muje Rugova dhe prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar, Naser Mrasori, vizitojnë New Yorkun nga data 25-30 qershor, ndërsa Britaninë e Madhe nga 1-2 qershori. Sipas vendimit kjo bëhet pasi që atje do të merrnin pjesë në Samitin për Cilësi dhe Teknologji të B.I.D.(Business Initiative Diractions), ku do të marrin një çmim ndërkombëtar për ‘cilësi’. Në këtë mënyrë ata zgjodhën ta mashtrojnë publikun. Ata kishin vendosur që ta blejnë çmimin”, tha Astrit Dehari në konferencën për shtyp.

Sipas një kuponi të shpenzimeve shihet se ata paguan 3900 euro për të marrë këtë “çmim”. Në këtë vlerë përfshiheshin fjetja, ushqimi, çmimi, një foto me çmimin dhe një DVD. Por sipas tyre, nuk mjaftonte vetëm kaq, këta dy përfaqësues të UP-së morën edhe 7000 euro mëditje për udhëtimin e mashtrimit nga fondi publik i Universitetit të Prishtinës. Sipas ligjeve ne fuqi që përcaktojnë tarifat për meditje të udhëtimeve zyrtare jashtë vendit, del se për kaq ditë sa kanë qëndruar në SHBA dhe në Britani të Madhe atyre u takon mëditja prej 4644 eurosh.

“Pra, ne duam të dimë, ku janë edhe 2356 euro, apo me gjuhën e ne studentëve: 47 pagesa për semestër”? SKV kërkon shkarkim të menjëhershëm të Mujë Rugovës, Naser Mrasorit dhe Enver Kutllovcit. “Kërkesa për shkarkim të rektorit dhe prangosje të tij merr kuptim edhe më shumë pas një sërë dokumentesh që i kemi dërguar në Prokurori dhe pas atyre që po i publikojmë sot. Rektori Rugova, në vitin 2010 ka deklaruar se ka pasuri të patundshme 2 ara ( 3800 m2 dhe 700m2), një livadh (1800m2) e një mal (6000m2) dhe për atë vit rektori deklaroi se posedonte të depozituara 15,000 euro. Rektori Rugova, në vitin 2011 ka deklaruar se me po të njëjtat ara, livadhe e me të njëjtin mal ka të depozituara 55,000 euro. Rektori Rugova, në vitin 2012 ka deklaruar se me po të njëjtat ara, livadhe e me të njëjtin mal ka të depozituar hiq me pak se 102,050euro. Këto deklarime janë kulmi i korrupsionit…”.

SKV thotë se Mujë Rugova dëmton buxhetin e Republikës, duke qenë në moshë të pensionit, e duke marrë pagë vjetore 18 mijë euro nga UP dhe si anëtar i bordit të KEK-ut, 9200 euro tjera. Anëtari tjetër i SKV-së, Rron Gjinovci, ka kërkuar nga ministri i Arsimit, Ramë Buja, që të suspendojë rektorin dhe prorektorët keqpërdorues si dhe të fillojë procedurat e shkarkimit të tyre. “I kërkojmë Prokurorisë së Shtetit që në bazë të fuqive që ka të prangosë menjëherë këta keqpërdorues dhe t’i thellojë hetimet për t’i prangosur edhe dhjetëra keqpërdorues të tjerë”.

Lëvizja Studentore për Barazi “Studim, Kritikë, Veprim”, ka bërë publike disa formularë të deklarimit të pasurisë nga rektori Muje Rugova në vitin 2010, 2011, 2012, si dhe vendimin e prorektorit Enver Kutllovci për lejimin e 7 mijë eurove për udhëtimin e blerjes se çmimit për “cilësi”, të cilat ajo thotë se i ka siguruar. (G.E)

 
Lajme Shqip Thursday, 31 May 2012 15:33

Prishtinë – Sipas një komunikate të lëshuar nga Lëvizja Studentore për Barazi “Studim, Kritikë, Veprim”, “një kompani, e quajtur Business Initiative Direction (Drejtimi për Nismat Biznesore), “i mashtroi” mashtruesit që po na mashtrojnë, rektorin Mujë Rugova dhe prorektorin për marrëdhënie ndërkombëtare Naser Mrasorin. Kjo kompani, e dërgoi mesazhin mashtrues në adresën e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës dhe ky institucion mashtrimin e propozuar na e drejtoi neve”, thuhet në reagimin e kësaj lëvizjeje.

Sipas SKV, Business Initiative Directions (BDI), është e njohur për mashtrimet që i ka bërë më herët. Rasti më i hapur është kur BDI i ka dërguar mesazh të tillë një kompanie nga Botswana, për performancë të mirë biznesore në vitin 2010. “Por, problemi ishte që kjo kompani nuk punonte që nga viti 2003”, thonë në SKV.

Sipas SKV, ajo që kërkon BDI nga viktimat e mashtrimit të saj, është pagesa prej minimum 3.800 euro për ta blerë medaljen dhe pjesëmarrjen në një gala mbrëmje ku ndahen çmimet, për ata që i kanë blerë ato.

“Ndërsa çfarë ofrojnë është: një dhomë gjumi ,një certifikatë, një buton dhe një fotografi. Kjo fotografi publikohet në disa revista, e të gjitha ato janë të dyshimta sepse publikojnë informatat e njëjta dhe kanë të njejtin sponsorizues, për të cilin nuk dihet shumë sepse nuk mund të gjenden të dhëna”, theksojnë aktivistë të Lëvizjes SKV.

SKV thotë se mbetën të befasuar nga lajmi që UP po shpërblehej me medalje të artë për cilësi, menaxhim dhe rezultate të vazhdueshme. Kjo, sipas SKV-së, po ndodhte në kohën kur Njësia Speciale e Policisë së Kosovës po i rrahte studentët e UP-së, kur Rektorati po i shkelte në mënyrë flagrante të Drejtat e Njeriut (siç u deklarua KLDMNJ), kur UP-ja po udhëhiqej nga një i pensionuar, kur në prokurori po dorëzoheshin dokumente për keqpërdorime në UP, kur në Universitet nuk ka literaturë, kur në Universitet nuk ka hapësirë të nevojshme për studim, kur në Universitet nuk ka investime në cilësinë e studimeve. “Dhe befasia jonë ishte me vend. Ky ishte vetëm një mashtrim, pjesë e të cilit janë rektori Mujë Rugova dhe prorektori Naser Mrasori”.

SKV vlerëson se është e turpshme se si udhëheqësi i institucionit kryesor të Arsimit të Lartë në Kosovë bënë gafa të tilla. “Në vend se ai të ishte një intelektual që zhvillon mendimin kritik në Kosovë, ai bëhet palaço i mashtrimeve. Mujë Rugova, në fund të mandatit të tij të paligjshëm si Rektor i UP-së, më çdo kusht po mundohet të krijojë e të marrë çmime. Ai së fundmi ia dha vetes titullin “Profesor Emeritus”, ndërsa tani e pranoi medaljen e artë të mashtrimit”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Studentore për Barazi, SKV.

SKV u bën thirrje mediave të vendit që t’i shfrytëzojnë aftësitë dhe kapacitetet e tyre për ta zbardhur edhe më shumë këtë rast. Ndërsa, Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, lidhur me çmimin e “fituar”, SKV ia parashtron këto pyetje:

1. A është vlerësuar UP-ja nga ndonjë komision? Nëse po, kur?
2. Si është krijuar kontakti me BDI dhe si është kumtuar lajmi për “medaljen për cilësi”?
3. Cilat janë shpenzimet që janë krijuar nga kjo ngjarje (pagesa e pjesëmarrjes, pagesa e biletave të udhëtimit, pagesa e hotelit, pagesa për ushqim etj.)? Ditë më parë, Universiteti i Prishtinës, përmes një komunikate për medie, lajmëroi se është laureuar me çmim për cilësi në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. (K.N)

 
Lajme Shqip Tuesday, 29 May 2012 13:47

Prishtinë – Vendimi i Ministrit të Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Bujës, që të gjithë studentëve të Universitetit të Prishtinës, t’u lejohet të marrin pjesë në zgjedhjet studentore, ka shtyrë studentët e Lëvizjes Studentore, “Studim, Kritikë, Veprim”, që të ndërpresin protestën e tyre. Ata menjëherë pas kumtimit të vendimit nga ana e ministrit Buja, kanë larguar tendat dhe gjërat tjera, nga oborri i Rektoratit.

Studentët e Lëvizjes Studentore “Studim, Kritikë, Veprim”, qysh në orët e hershme të mëngjesit të së hënës kishin “uzurpuar” Rektoratin, duke mos lejuar hyrjen e asnjë punëtori në këtë institucion.

Rreth 30 studentë të kësaj lëvizje, protestën e vazhduan edhe gjatë natës, duke protestuar ndaj vendimit të Komisionit Zgjedhor të UP-së, që ua ndalon dy përfaqësuesve të kësaj lëvizje, Rron Gjinocit dhe Durim Jasharajt, të marrin pjesë në zgjedhjet studentore, për shkak të një procesi gjyqësor që ata kanë me rektoratin.

Mirëpo, krejt kjo mos marrëveshje mes SKV-së dhe rektoratit, përfundojë kur në oborrin e Rektoratit erdhi të martën, ministri i MASHT-it, Ramë Buja, i cili para këtyre studentëve shfaqi vendimin e tij, ku thuhet se, të gjithë studentët e UP-së kanë të drejt të zgjedhin dhe të zgjidhën, në zgjedhjet studentore.

Por, Buja pati një lutje për të gjithë studentët, duke i thirrur ata që të respektojnë procedurat e zgjedhjeve. “Kjo është e thënë, e shkruar dhe askush nuk ua ndalon. Unë iu kisha lutur miqësisht dhe zyrtarisht, që të jeni respektues të procedurës së zgjedhjeve, në mënyrë që çdo gjë të shkojë mirë. Për ndryshe asnjë arsye nuk ka që ju të mos të merrni pjesë në procesin zgjedhor”, ka thënë Buja.

Vendimin e ministrit Buja, para protestueseve e lexoi, Rron Gjinoci, për të cilin edhe ishin mbledhur. Ai pasi që u sigurua nga ministri Buja, se atij dhe Durim Jasharajt, u lejohet të marrin pjesë në zgjedhjet e UP-së, tha se padrejtësia zgjidhet me organizim dhe me rezistencë paqësore.

“Padrejtësia zgjidhet me organizim dhe me rezistencë paqësore. Unë i ftoj të gjithë studentët e UP-së, që ku do që janë në të gjitha fakultetet e tyre të bashkohen dhe të organizohen ashtu që t’i përgjigjen me forma studentore të gjitha padrejtësive që u bëhen atyre. I ftojë studentët dhe profesorët vullnetmirë që të punojnë për një Universitet të Prishtinës, i porosisë Rektoratin, organizatat e varura studentore, të gjitha administratave të fakulteteve që të përgatiten mirë se tash e tutje, do të kenë punë me SKV-në”, ka thënë Gjinoci. (G.E)

 
Lajme Shqip Monday, 28 May 2012 10:20

Prishtinë – Studentët e organizatës për “Studim Kritikë Veprim”, janë mbledhur në shenjë proteste para hyrjes kryesore të ndërtesës së rektoratit të Universitetit të Prishtinës, siç thuhet në komunikatë për  njohjen e të gjitha të drejtat si studentë të rregullt të Universitetit të Prishtinës të Durim Jasharajt dhe Rron Gjinovcit.

Me tej në komunikatë thuhet se vendimi për moslejimin e tyre për të marrë pjesë në zgjedhjet studentore të këtij viti është i pabazuar në Rregulloren për Zgjedhje të UP-së, në Statutin e UP-së apo në Ligjin për Arsimin e Lartë, është vendim i motivuar politikisht.

“Frika nga programi ynë i cili parasheh liri për Universitetin e Prishtinës dhe një universitet për shoqërinë, po bënë që organizatës sonë t’i vihen pengesa të paarsyetuara dhe të pabazuara. Paniku që ka kapur administratën e UP-së, organizatat e varura studentore, dhe pushtetin, po e nxjerr vrazhdësinë e tyre dhe gatishmërinë që të shkelin çdo parim për ta ruajtur gjendjen e tyre ekzistuese”, thonë SKV.

Ata kanë njoftuar se kanë bërë ankesën në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, ndërsa po ashtu kanë dorëzuar listat e tyre tek Komisioni Zgjedhor me Rronin dhe Durimin si emrat e parë në listën e Parlamentit Studentor.

“Ne nuk i njohim vendimet që na janë lëshuar deri tani, pasi ato nuk bazohen në ndonjë nga dokumentet e përmendura dhe i kërkojmë MASHT-it që të mos e bëjë gabimin e njëjtë. Gjithashtu i jemi drejtuar Avokatit të Popullit dhe Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, për të kërkuar nga këto institucione që të thonë fjalën e tyre për rastin eklatant të shkeljes së të drejtave elementare të njeriut”, thuhet më tej dhe  se qëllimi i tyre është pengimi i punës së rektoratit derisa të shfuqizohen vendimet e padrejta dhe kolegëve të tyre tu lejohet pjesëmarrja në zgjedhje si e drejtë që u takon duke qenë studentë të rregullt të UP-së.

“Ne do ta mbajmë të mbyllur hyrjen e ndërtesës, nuk do të hyjmë në objekt dhe do të kujdesemi që oborri i rektoratit për herë të parë pas shumë kohësh të jetë prapë publik, pra i studentëve”, thuhet në fund të komunikatës për media të Levizjes Studentore për Barazi – “Studim Kritikë Veprim”.

Policia e Kosovës u ka kërkuar aktivistëve të Lëvizjes “Studim, Kritikë, Veprim”, që deri në ora 11:30 ta lirojnë hyrjen e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, në të kundërtën ata do të jenë të detyruar që të ndërhyjnë për t’i larguar studentët protestues. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 23 May 2012 21:46

Prishtinë – Policia e Kosovës ka arrestuar 20 aktivistë të Lëvizjes “Studim, Kritikë dhe Veprim”, ndërsa njëri nga të arrestuarit është dërguar me ambulancë në Qendrën Kliniku Universitare të Kosovës (QKUK). Policia e ka marrë këtë aksion për të arrestuar këta aktivistët, pasi që ata kishin bllokuar hyrjen e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës dhe dëshironin që të pengonin shortin për zgjedhjet studentore në UP.

Nuk ka munguar as dhuna e Policisë së Kosovës për të shpërndarë këta aktivistë, ndërsa disa studentë kanë pësuar edhe lëndime. Ngjarja ka filluar kur ka dalur jashtë Rektoratit, sekretari i këtij institucioni, Vaxhid Sadriu duke dhënë arsyetimin se Rron Gjinovci dhe dy përfaqësues të të tjerë nga Lëvizja “Studim, Kritikë dhe Veprim”, nuk mund të marrin pjesë në procesin zgjedhor të studentëve të UP-së.

Pas disa konflikteve verbaale, studentët kanë dashur të hynë në Rektorat, por që janë arrestuar nga Policia e Kosovës. “Aktiviteti politik është rreptësishtë i ndaluar… Ju kemi certifikuar me ju shtri dorën e pajtimit. Ti mund të jesh udhëheqës, por ju tre keni qenë. Ju kanë ndaluar se po ju trajton se person problematik”, ka thënë Sadriu

“Kam qenë në burg i kom mbaj 30 ditë”, ka thënë Gjinovci. Pas qetësimit të situatës sekretari i rektoratit, Vaxhid Sadriu ka mbajtur një konferencë për media, cili ka thënë se Lëvizja “Studim, Kritikë dhe Veprim” po mundohet të implikojë politikën në UP. “Kjo organizatë edhe më herët që ka qenë e emërtuar Qendra për Studim, Kritikë dhe Veprim, Qendra e Vetëvendosjes, mjerisht po i aplikon edhe urdhrat e dikujt tjetër dhe po mundohet me i implikuar në politikat e UP-së. Nuk do të ketë politikë në UP sa i përket organizatave studentore”, ka thënë Sadriu.

Për më tepër ai ka shtuar se Komisioni Zgjedhor është bërë tolerant dhe e ka certifikua këtë organizatë, por sipas tij ata prapë janë në rrugë. Ai ka shtuar se janë certifikuar me kusht që Rron Gjinovci, Durim Jashari dhe Astrit Dehaja të mos jenë persona kontaktues në këtë lëvizje. Sipas Sadriut drejtuesit e kësaj lëvizje kanë ardhur në Rektorat për të prishur procesin. Ai madje thotë që Rron Gjinovci ka filluar të kërcënojë atë dhe t’i thotë se do t’i bijë studentët dhe mediat në Rektorat.

Por krejt ndryshe deklarojnë drejtuesit e Lëvizjes “Studim, Kritikë dhe Veprim”. Teutë Rrusta nga kjo lëvizje, ka thënë se që të tre këta studentë janë eliminuar pa kurrfarë baze ligjore. “Janë eliminuar Rron Gjinovci, Durim Jashari dhe Astrit Dehari me arsyetimin e këta kanë qenë të ndëshkuar prej Komisioni Disiplinor prej fakulteteve përkatëse dhe kanë proces gjyqësor aktiv. Kjo është e pavërtetë për këtë arsye ne sot e kemi bërë një ankesë duke e dëshmuar që asnjëra prej pikave që ata i kanë dhënë për mos me i pranuar këta anëtar në listën tonë nuk janë ligjore dhe nuk mbështeten asnjë bazë ligjore, për arsye se janë përjashtuar prej fakulteteve më herët dhe janë në fakultete tjera”, ka theksuar Rrusat.

Pas përfundimit të aksioni, studentët kanë qëndruar për disa minuta para Rektoratit dhe pastaj janë shpërndarë. Zgjedhjet për Parlamentin Studentor pritet të mbahen më 6 qershor, ndërsa në zgjedhje garojnë 14 organizata studentore. (K.P)

 
Lajme Shqip Wednesday, 23 May 2012 09:00

Prishtinë – Aktivistët e Organizatës Studentore “Studim, Kritikë, Veprim “, kanë dorëzuar në Prokurorinë Publike Komunale të Prishtinës një sërë dokumentesh që, sipas tyre, paraqesin parregullsitë e shumta në Universitetin e Prishtinës.

Sipas aktivistëve Alisa Hasani dhe Rron Gjinovci, këto dokumente mund të përbëjnë material të mjaftueshëm për hetim nga prokurorët. Aktivistët thonë se në dokumentet e dorëzuara shihen qartë parregullsitë e kontratave dhe të vendimeve, të cilat janë nënshkruar nga rektori Mujë Rugova, Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës dhe Ministria e Arsimit.

Aktivistët kanë bërë thirrje që kompetencat e Këshillit Drejtues t’i kthehen Senatit të UP-së dhe këshillave të fakulteteve. Sipas tyre, Universiteti i Prishtinës duhet të çlirohet nga klanet politike, që po e mbërthejnë për përfitime financiare dhe t’u kthehet studentëve dhe shoqërisë kosovare.

Aktivistët gjithashtu i kanë bërë thirrje edhe Kuvendit të Kosovës që të mos e pranojë Projektstatutin e ri të UP-së dhe ta kthejë  mbrapsht për rirregullim dhe për ndarje të drejtë të kompetencave në universitet. (LajmeShqip.com)