Lajme Shqip Saturday, 28 January 2012 12:57

Tiranë- “Gazeta Shqiptare” bën me dije se Shqipëria pritet t’i nisë një notë-proteste Qeverisë së Maqedonisë për përmbajtjen e pamjeve të vendosura në harkun “Porta Maqedonia”, elementë të së cilës i referohen “Maqedonisë së Madhe”.

Shqipëria ankohet se harku i vendosur kohët e fundit në qendër të Shkupit, përfshinë dhe një pjesë të Prespës së Vogël, e cila i përket Shqipërisë”. Kështu shkruan gazeta greke “Protothema”, e cila i referohet burimeve të saj në lidhje me këtë veprim që pritet të ndërmerret nga ana e Qeverisë Shqiptare. Në shkrimin me titull “Protesta dhe nga Tirana.

Të gjithë fqinjët kundër Gruevskit”, “Protothema” shkruan se gjithashtu Qeveria Shqiptaret në notëprotestën që pritet t’i nisë Maqedonisë, do të përmendë dhe faktin e heqjes së gjuhës shqipe nga Aeroporti “Aleksandri i Madh” në Shkup. Më tej, në shkrimin e saj e përjavshmja greke nuk kursen sulmet ndaj Kryeministrit Gruevski, duke vënë në dukje se tashmë jo vetëm Greqia, por edhe Shqipëria është e pakënaqur me veprimet e tij.

“Përpjekjet e Gruevskit për të promovuar të ashtuquajturën Alexandrismo, duke vendosur statujën e Aleksandrit të Madh në Shkup, harqe për të përmendur fitoret që nuk ekzistojnë dhe një seri të politikave që shtrembërojnë realitetin shkakton reagime jo vetëm nga Greqia, por edhe nga Shqipëria”, – shkruan ‘Protothema’.

 
Lajme Shqip Monday, 23 January 2012 04:55

Tiranë – Në adresën e postës elektronike publike të portalit LajmeShqip.com kanë mbërritur fillimisht një reagim nga Bashkimi Demokratik për Integrim, me titullin “sqarim rreth vizitës së z. Imami” dhe vetëm 18 minuta më vonë, ka mbërritur edhe ai nga “Ministria e Mbrojtjes e Republikes se Maqedonise” me subjektin “Njoftim për Opinion”.

Publikimin ekskluziv të videos dhe fotografisë për skandalin, BDI-ja e ka quajtur dezinformatë dhe të paverifikuar… Këto reagime kanë ardhur pas publikimit të videos dhe fotografisë ekskluzive të skandalit për mosprezencën e flamurit shqiptar gjatë takimit të dy Ministrave në Maqedoni, Ministrit të Jashtëm maqedonas Nikola Poposki dhe Ministrit shqiptarë të Mbrojtjes Arben Imami.

Portali LajmeShqip.com, date 21 janar 2012 në orën 14:10 ka publikuar ekskluzivisht videon gjatë takimit si dhe fotografinë. Lajmin e plotë mund ta lexoni këtu. Videon në Youtube mund ta gjeni këtu. Portali ka njoftuar qartë për dy takimet e ndara.

Në fund të këtij reagimi janë postuar dy reagimet origjinale zyrtare, të cilat mund t’i shkarkoni këtu atë të BDI-së dhe këtu atë të Ministrisë së Mbrojtjes së Maqedonisë.

Fotografia gjatë takimit Imami-Poposki, e mbajtur pa simbolet shtetërore:

Fotografia gjatë takimit Imami-Besimi, me simboliet shtetërore:

Video e takimit Imami-Poposki pa simbolet shtetërore:

Duhet të theksohet, se reagimet zyrtare injorojnë totalisht faktin e mosvendosjes së simboleve shqiptare, si dhe janë në mënyrë të qartë tendencioze për shpërqëndrim e vëmendjes dhe konfuzion në opinionin publik, derisa në të gjitha nivelet dhe format zyrtare takimi është vërtetuar të ketë qenë zyrtar dhe jo informal, ndryshe nga sa  kanë tentuar ta quajnë reagimet zyrtare nga të dyja palët.

Edhe më poshtërues është fakti se partia e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) e quan takimin Imami-Poposki si “konfidencial”, ndërsa Qeveria e Maqedonisë dhe ajo e Shqipërisë e kanë quajtur takimin zyrtar, duke i publikuar njoftimet zyrtare pas përfundimit të takimeve.

Publikimet në faqet zyrtare të internetit: Të gjitha reagimet, njoftimet zyrtare të Qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Maqedonisë, nuk e mohojnë takimin zyrtar të Ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë, Arben Imami dhe atij të ministrit të Jashtëm të Maqedonisë, Nikola Poposki. Ata e vërtetojnë se takimi ishte zyrtar, derisa njoftimi për takim është bërë në dy faqet zyrtare të internetit;

– asaj të Shqipërisë (kliko këtu për njoftimin e përfundimit të takimit dhe këtu për reagimin pas publikimit të skandalit) *** Nëse në linkat e dhënë nuk janë njoftimet, atëherë kliko këtu për Njoftimin për takimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë dhe këtu për Reagimin e Imamit pas publikimit të skandalit***

 dhe

– të asaj të Maqedonisë (kliko këtu për njoftimin zyrtar nga Qeveria e Maqedonisë në ANGLISHT dhe këtu MAQEDONISHT) *** Nëse në linkat e dhënë nuk janë njoftimet, atëherë kliko këtu për Njoftimin për takimin e Qeverisë së Maqedonisë në ANGLISHT dhe këtu për MAQEDONISHT***.

Për skandalin e publikuar kanë reaguar të gjitha mediat profesionale, mbarëshqiptare, përfshirë këtu me një zë të fuqishëm edhe Aleancën Kuq e Zi, si dhe shoqata të ndryshme që kanë kërkuar tërheqjen e Ambasadorit të Shqipërisë nga Shkupi deri në kërkesën për falje publike të Republikës së Maqedonisë për këtë akt që ka fyer simbolet e kombit, të turpshme, skandaloze dhe poshtërues.

Ministria e Jashtme e Maqedonisë e ka quajtur takimin zyrtar, kurse ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë e ka quajtur takimin informal, duke publikuar njëherë Njoftimin për shtyp të mbylljes së takimit të suksesshëm në Maqedoni dhe pastaj me një reagim zyrtar duke e injoruar totalisht faktin e mosvendosjes së simboleve shqiptare.

Portali ka raportuar për mosprezencën e flamurit shqiptar gjatë takimit të zhvilluar mes ministrit të jashtëm të Maqedonisë, Nikola Poposki dhe atij të mbrojtjes së Shqipërisë, Arben Imami, ndërsa lidhur me takimin e dy homologëve, Imami – Besimi, portali LajmeShqip.com, ka raportuar, duke e hijëzuar dhe theksuar mbititullin (citat i paragrafit, bashkë me mbititullin e paragrafit; “Takimi Imami-Besimi me flamujtë e të dy vendeve… Në të njëjtën ditë, ministri Arben Imami është takuar edhe me homologun e tij në qeverinë e Maqedonisë Fatmir Besimi dhe siç tregon foto, në këtë takim ministri shqiptarë i Maqedonisë e respekton pikë për pikë protokollin zyrtarë ku në tryezën e vogël shihen mjaft qartë dy flamunj të vegjël ai kuqezi dhe ai maqedonas”).

Injoranca e reagimeve zyrtare
Asnjëri nga reagimet që kanë mbërritur në adresën zyrtare të Portalit nuk i ka përmendur asnjërin nga këto tre momente skandaloze, poshtërime dhe ofendime që i janë bërë shtetit shqiptar.

Për takimin Imami-Poposki, portali LajmeShqip.com i ka quajtur poshtëruese dhe ofenduese për shtetin dhe popullin shqiptar, për të cilat kanë reaguar edhe mediat më të fuqishme dhe serioze kombëtare, tre momente;

1) Mungesa e simboleve shqiptare; Portali e ka quajtur poshtërues faktin se në sallën e takimit nuk ka ekzistuar asnjë simbol i Shqipërisë,  as në vendin e flamujve ku qëndronin ai i Maqedonisë dhe ai i Evropës dhe as flamuri i vogël në tryezën e takimit. Asnjë simbol i shtetit.

2) Momentin e pritjes që i ka bërë Imami Poposkit, duke e pritur disa minuta në këmbë ministrin e punëve të Jashtme të Maqedonisë; Portali ka raportuar se edhe vetë takimi është zhvilluar në kushte thuajse poshtëruese për delegacionin shqiptar, për arsye se ministri Arben Imami e ka pritur në këmbë ministrin e Jashtëm të Maqedonisë, në vend që të ishte e kundërta, kur kujtojmë që takimi është kërkuar nga vetë shefi i diplomacisë së Maqedonisë. Pamjet se si ministri Imami e pret ministrin Poposki mund ti shinni këtu në videon ekskluzive.

3) Mënyrën e uljes së delegacioneve në tavolinën e ministrave Poposki dhe Imami; Portali gjithashtu e ka quajtur poshtërim shtesë mënyrën se si Imami është ulur krahas ministrit Poposki, sikur delegacioni shqiptar të ishte vartës i ministrit Poposki, i cili qartazi është ulur në krye të tryezës dhe jo përballë delegacionit shqiptar.

Ky reagim i portalit LajmeShqip.com vjen pas reagimit të Maqedonisë zyrtare në postën publike elektronike dhe si rezultat i përdhosjes të jashtëzakonshme të simboleve kombëtare, injorancës dhe tendencave të shfaqura gjatë ditës së dielë nga pala maqedonase dhe ajo shqiptare për të minimizuar skandalin dhe ofendimin bashkë me injorancën injoruar në tërësi skandalin dhe poshtërimin.

Në momentet e këtij reagimi, ka disa informata jozyrtare që thonë se Qeveria e Maqedonisë e ka përgënjeshtruar lajmin e Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, duke e quajtur takimin zyrtar dhe jo informal.

Gjatë ditës Portali do të sjellë të gjitha reagimet relevante të palëve, bashkë me një përmbledhje kryesore të publikimeve nga ana e mediave profesionale dhe mbarëkombëtare mbi këtë skandal. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 21 January 2012 14:10

Shkup – Takimi zyrtarë mes ministrit të jashtëm të Maqedonisë, Nikola Poposki dhe ministrit të mbrojtjes së Shqipërisë Arben Imami zhvilluar një ditë më parë (20 janar 2012) në Shkup, mund të quhet një skandal i vërtetë diplomatik mes dy vendeve. Ashtu siç tregojnë edhe këto pamje të siguruara ekskluzivisht nga LajmeShqip.com, në tryezën e takimit dhe në zyrën e shefit të diplomacisë maqedonase, mungon simboli kombëtar shqiptarë Flamuri kuqezi, i cili si çdo takim protokollar mes dy delegacionesh duhet të jetë i pranishëm gjatë bisedimeve mes delegacioneve.

Jo vetëm kaq. Zyra e ministrit Poposki është e pajisur mësëmiri me flamurin e madh të Maqedonisë dhe atë të Bashkimit Europian por vetëm kaq. Asnjë gjurmë e simbolit shqiptarë,  flamurit kuqezi i cili nuk është vështirë të gjendet në Maqedoni,  vend në të cilin, ky simbol përfaqëson gjysmën e mos më tepër të popullisë së shtetit të Maqedonisë. Veç kësaj, edhe vetë takimi zyrtar është zhvilluar në kushte thuajse poshtëruese për delegacionin shqiptarë me në krye ministrin e mbrojtjes Arben Imami i cili pasi e ka pritur në këmbë shefin e diplomacisë maqedonase për disa minuta (ndërsa duhet të ishte e kundërta)  është reshtuar në tryezën e bisedimeve njësoj sikur të ishte një vartës i shefit të diplomacisë maqedonase Nikola Poposki, i cili siç shfaqet në këto pamje, është ulur në krye të tavolinës dhe jo përballë delegacionit shqiptar, siç ndodh zakonisht në takimet zyrtare shtetërore të nivelit të lartë. Ironia e gjithë këtij skandali shtohet edhe më tepër kur mendon se ministri i mbrojtes Arben Imami, ndodhej në Shkup për të garantuar mbështetjen e Tiranës zyrtare për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, proces i cili mbahet peng nga vendi fqinj, Greqia.

LajmeShqip.com do të kërkojë shpjegime nga autoritetet përkatëse për këtë skandal diploamatik ashtu siç bëri në rastin e flamurit shqiptarë më simbole komuniste që u përdor në një takim të nivelit të lartë parlamentar Shqipëri-BE për të zbardhur këtë veprim i cili edhe një herë tregon se mardhëniet Shqipëri-Maqedoni nuk janë aq të shkëlqyera sa tentohet të shitën ndaj faktorit shqiptarë nga politika e saj në Tetovë e në Tiranë.

Takimi Imami-Besimi me flamujtë e të dy vendeve…
Në të njëjtën ditë, ministri Arben Imami është takuar edhe me homologun e tij në qeverinë e Maqedonisë Fatmir Besimi dhe siç tregon foto, në këtë takim ministri shqiptarë i Maqedonisë e respekton pikë për pikë protokollin zyrtarë ku në tryezën e vogël shihen mjaft qartë dy flamunj të vegjël ai kuqezi dhe ai maqedonas.

Skandali i rradhës që pason një seri skandalesh…
Duket se zyrtarët shqiptarë kanë një mardhënie mjaft të ftohtë me flamurin kombëtarë kuqezi pasi akoma pa kaluar jehona e skandalit që krijoi publikimi i videos ekskluzive nga LajmeShqip.com për flamurin shqiptarë më yllin komunist në zemër të BE-së ne Bruksel tashmë me keqardhje jemi të detyruar të sjellim një tjetër skandal ku sërish flamuri ynë kombëtar injorohet si simbol.

Rasti konkret është edhe më i rëndë pasi konteskti nacionalist është i pashmangshëm kur bëhet fjalë për një vend fqinj si Maqedonia i cili më shumë se njëherë i ka shfaqur qëndrimet e veta anti-shqiptare si më politikë, në kulturë e deri në sport.

Dikur Maqedonia i’a vendosi “kufirin tek thana” në këtë rast në pikën kufitare të Qafë-Thanës kur i detyroi shqiptarët të aplikonin për vizë për t’u futur në territorin maqedonas ndërsa nga ana tjetër qeveria shqiptare nuk aplikonte standardin e dyerve të hapura për qytetarët e Maqedonisë.

Më pas ishte rradha e enciklopedisë së Akademisë se Shkencave të Maqedonisë e cila nuk hezitoi aspak të cilësonte shqiptarët si barabarë që vinin nga malet.

Pas kësaj ishte rradha e “Majmunëve të Maqedonisë” (nuk është ofendim por emri i tifozave ultras të kombëtares së futbollit të Maqedonisë) të cilët në miqësoren Maqedoni-Shqipëri lëshuan thirrje anti-shqiptare në stadium.

Sëfundi edhe injorimi i simbolit zyrtar si flamuri, në një takim zyrtarë të nivelit të lartë kundrejt një vendi që është anëtar i NATO-s dhe kishte shkuar aty për t’i treguar mbështetjen e saj një vendi i cili mbahet peng nga fqinji jonë i përbashkët Greqia për shkak të emrit. (LajmeShqip.com)