Lajme Shqip Sunday, 06 April 2014 15:15

Një ish-futbollist i skuadrës së Arsenalit, i quajtur Ebu Isa el-Andalus, i cili u rrit me sportistin, Cristiano Ronaldo të skuadrës së Real Madrit-it ka vendosur të luftojë në shtetin sirian.

Ai  është duke luftuar në Siri kundër forcave të Bashar al-Assad-it, raporton ‘’Mirror’’.

Njeriu, i cili thuhet se ka braktisur jetën e mëparshme, është filmuar në dy video dhe është postuar në “FiSyria.com”.

Ai ka thënë se është me origjinë nga Portugalia. Me një AK 47 në dorë dhe fytyrë të mbuluar, ish-sportisti thotë se la paratë dhe mënyrën e jetesës në Evropë për t’iu bashkuar rrugës së Allahut.

 
Lajme Shqip Thursday, 05 December 2013 14:39

Bruksel- Shefi antiterror i Bashkimit Evropian, Gilles de Kerchove, pritet të tërheqë vërejtjen në një takim të ministrave të Brendshëm të BE-së për “kërcënimin e madh të sigurisë” që paraqet rritja e numrit të luftëtarëve të huaj në Siri.Deklarata e siguruar nga agjencia AP, në mënyrë specifike bën thirrje për përdorim më të mirë të informacioneve të pasagjerëve, për të gjurmuar se kur dhe si udhëtojnë rebelët për në Siri.

Ministrat e Brendshëm të BE-së do të shohin edhe për mënyrat se si të bashkëpunojnë më afër me fqinjin e Sirisë, Turqinë, përmes së cilës shumica e luftëtarëve arrijnë në Siri.

“Bashkimi Evropian duhet të ndihmojë Turqinë në përmirësimin e kontrollit në kufij dhe aeroporte dhe duhet të bëjë më shumë në parandalimin e radikalizmit të individëve, posaçërisht në kampet e refugjatëve”, thuhet në deklaratë.

Një zyrtar i lartë i BE-së, i cili ka kërkuar të mbetet anonim për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, ka thënë se përveç luftëtarëve nga Bashkimi Evropian, ka rreth 500 nga vendet e Ballkanit. Ai ka theksuar në veçanti kontributin nga Bosnja dhe Kosova.

“Kosova ka 80 deri në 200, nga 2 milionë banorët e saj”, ka thënë ai.

Zyrtari ka thënë se numri total i luftëtarëve të BE-së mund të jetë mbi 1,000.

 
Lajme Shqip Thursday, 28 November 2013 22:27

Beograd-  Qeveria serbe premtoi një risistemim për 75 azilkërkuesit sirianë, të cilët u sulmuan nga banorët e Obrenovacit në Serbinë Qendrore. Të larguar nga lufta civile në Siri, sirianët ishin sistemuar nga autoritetet në disa çadra të ngritura në këtë qytetet. Megjithatë, banorët vendas nuk e mirëpritën aspak këtë vendim dhe sulmuan sirianët, duke i dhunuar fizikisht e duke i vënë zjarrin tendave të tyre.

Ngjarja e shëmtuar ndodhi mbrëmjen e së mërkurës dhe dhjetëra sirianë u detyruan të mbijetonin një natë me shumë pak veshmbathje në mes të ngricës dhe dëborës.

Vendasit justifikuan veprimin e tyre çnjerëzor me frikën se lëshimi rrënjë i sirianëve në qytet do të rriste kriminalitetin dhe ulte vendet e punës për serbët, transmeton TCH.

Autoritetet ndërhynë vetëm mëngjesin e së enjtes dhe tashti flitet se ata do të dërgohen në juglindje të vendit, në Tutin.

Lajmi i publikuar në agjencia Tanjug nuk specifikon nëse do të merren masa ligjore kundër agresorëve.

Për shkak të pozicionit gjeografik, Serbia pret aktualisht 4 mijë azilkërkues sirianë, të cilët tentojnë të kalojnë transit në këtë vend, rrugës së tyre për në vendet e BE-së.  

 
Lajme Shqip Friday, 01 November 2013 17:53

Rusia është gati të paguajë 2 milionë dollarë për operacionin e asgjësimit të armëve kimike siriane në Shqipëri. “Rusia është gati të japë rreth 2 milionë dollarë për eliminimin e armëve kimike në Siri, dhe këto mund të transferohen dhe shkatërrohen në Shqipëri”- shkruan e përditshmja ruse ”Kommersant”.

Përveç një kontributi prej 2 milionë dollarësh Moska është gati të ndihmojë dhe me transportin dhe asgjësimin e sigurtë të tyre në Shqipëri, vendi aleat i ngushtë i SHBA-së. 

 
Lajme Shqip Saturday, 21 September 2013 15:01

Damask- Gra të ndryshme nga Tunizia po udhëtojnë drejt Sirisë për të bërë seks me luftëtarët islamikë në të ashtuquajturin “xhihadi seksual”.
Një ministër i qeverisë tuniziane u tha anëtarëve të parlamentit të këtij vendi se gratë shkojnë në Siri për të bërë seks me 20, 30 deri në 100 burra, përpara se të kthehen shtatzënë në Tunizi.
Ministri i Brendshëm, Lutfi ben Jeddou nuk e përcaktoi megjithatë numrin e grave që janë kthyer shtatzëna pas ‘xhihadit seksual’.
“Pas marrëdhënieve seksuale që i bëjnë në emër të ‘jihad al- nikah’ (lufta e shenjtë seksuale), ato kthehen shtatzëna në vendin tonë,” tha ai.
Disa salafistë myslimanë të linjës së ashpër e pranojnë seksin jashtëmartesor në kuadër të ‘luftës së shenjtë seksuale’.
France24 raporton se janë qindra gra që shkojnë në një ‘betejë’ të tillë.
Jeddou megjithatë tha se që kur mori detyrën në mars, ka parandaluar rreth 6 mijë të rinj që të shkojnë në Siri.
Në internet ka nisur të qarkullojë edhe videoja e një vajze 17 vjeç, Rahmah, e cila u zhduk nga shtëpia, por më vonë u mësua se kishte shkuar në Siri për të kryer xhihadin seksual.
Prindërit e saj thonë se asaj i kanë bërë lavazh truri.
Po ashtu në internet qarkullon një thirrje nga një sheik, që kërkon nga gratë myslimane që të angazhohen në xhihadin seksual.
Gazetat në Tunizi raportojnë për rastin e një burri të ri, që divorcoi të shoqen dhe të dy u nisën për në Siri një muaj më parë. Ai deklaroi se do e lejonte atë që të angazhohej në xhihad seksual me muxhahedinët./tema/

 
Lajme Shqip Tuesday, 10 September 2013 14:03

Uashington – Shumë amerikanë kundërshtohen në sulm eventual të SHBA-së ndaj Sirisë edhe krahas fushatës të administratës së Barak Obamas t’i përgjigjet përdorimit të përfolur të armëve kimike, për çfarë Uashintoni e akuzon regjimin e Bashar al Asadit, tregojnë rezultatet nga shumë anketa të zbatuara.

Anketën që e zbatoi agjencia AP tregoi se vetëm 20 për qind e të anketuarve konsiderojnë se aksioni ushtarak i SHBA-së në Siri do t’i kthejë vendet e tjera në një të ardhme ta shfrytëzojnë armën e tyre për shkatërrim masiv.

Kjo anketë është zbatuar prej datës 6 deri më 8 shtator dhe ka përfshirë 1.007 të anketuar mbarë SHBA-në.

Shumica e amerikanëve kundërshtohen edhe në sulmet e kufizuara, ndërsa 53 për qind e të anketuarve kanë shprehur druajtje se SHBA-të, në rast të sulmit do të duhet një kohë të gjatë të angazhohen ushtarikisht në Siri.

Anketa tregoi se 61 për qind e të anketuarve dëshirojnë që Kongresi të prononcohet kundër aksionit ushtarak, 26 për qind kanë qenë “për”, derisa të tjerët kanë qenë të papërcaktuar.

Hulumtimi, gjithashtu tregoi se 54 për qind e të anketuarve nuk e pëlqejnë mënyrën në të cilën Obama u përgjigj për krizën në Siri.

Edhe anketa e agjencive Rojters dhe Ipsos tregon se amerikanët, ashtu siç marrin informata të reja për përdorimin e përfolur të armëve kimike, gjirhnjë e më shumë janë kundër intervenimit amerikan ushtarak në Siri.

Sipas kësaj ankete, 63 për qind e amerikanëve kundërshtohen në intervenimin, që është për 10 për qind më shumë në krahasim me fund të muajit gusht.

Ashtu siç citojnë mediat që e transmetojnë anketën e agjencisë britanike, përkrahja për intervenimin amerikan në Siri është në rënie sepse vetëm 16 për qind e amerikanëve besojnë se SHBA-të duhet ushtarikisht të angazhohen.

Madje edhe nëse tregohet se forcat e presidentit sirian Asad kanë përdorur armë kimike, vetëm 26 për qind e amerikanëve të anketuar kanë thënë se SHBA-të duhet të intervenojnë. Rreth 52 për qind e të anketuarve janë prononcuar se ushtria amerikane nuk duhet të përzihet në konflikt nën këto rrethana.

Sipas anketës që e zbatoi Si-En-En dhe ORC, 59 për qind e të anketuarve konsiderojnë se kongresi nuk duhet të miratojë kurrfarë aksioni ushtarak në Siri, me ç’rast më shumë se 70 për qind pej tyre besojnë se sulmi eventual nuk do të kontribuojë për qëllimet dhe interesat amerikane.

Kur kongresi do të miratonte rezolutë me të cilën do të miratohet intervenimi, 55 për qind e amerikanëve edhe më tutje do të kundërshtohen në sulmet ajrore ndaj të gjithë Sirisë, ndërsa pa rezolutë të sulmeve do të kundërshtohen 71 për qind e tyre.

Edhe gazeta “Ju-Es-Ej tudej” zbatoi anketë në vetë kongresin, ku prej 533 anëtarëve të të dy dhomave vetëm 44 janë prononcuar se do të votojnë për rezolutë, ndërsa 149 janë prononcuar kundër./Yllpress/

 

 
Lajme Shqip Saturday, 07 September 2013 15:13

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka krahasuar ndërhyrjen e mundshme në Siri me intervenimin e SHBA-së dhe të komunitetit ndërkombëtar në Kosovë.

“Vendimi i Amerikës për të ndërhyrë në konfliktin në Kosovë më 1999 fillimisht ka qenë i papëlqyeshëm, por në fund ka qenë gjëja e duhur për t’u bërë”, ka thënë Obama pas samitit të G20-ës në Shën Petersburg, raporton Reuters.

Ai ka përsëritur akuzat kundër presidentit sirian, Bashar al-Assad, për përdorimin e armëve kimike, duke thënë se në ditët e ardhshme do të vazhdojë të kërkojë mbështetjen e Kongresit për aksion ushtarak në Siri.

Më 21 gusht, në periferi të Damaskut ka ndodhur sulm me armë kimike, nga i cili kanë humbur jetën qindra persona. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë kanë fajësuar regjimin sirian dhe janë duke shqyrtuar mundësitë për ndërhyrje./rel/

 
Lajme Shqip Thursday, 05 September 2013 13:16

Vatikani reagon zyrtarisht ndaj lajmeve për një telefonatë mes Papa Franceskut dhe presidentit sirian Bashar al Assad.

At Frederik Lombardi përgënjeshtroi kategorikisht të ketë patur një bashkëbisedim telefonik mes Papës dhe liderit sirian.

Lajmi per telefonaten u dha ne mengjes nga edicioni online i te perditshmes argjentinase “Clarin”, te ciles iu referuan edhe mediat italiane. /top channel/

 

 
Lajme Shqip Wednesday, 04 September 2013 15:08

Tiranë- Në Shqipëri jeton një komunitet i vogël sirianësh, njëra prej tyre është Alja Noha, një vajzë e re siriane që ndjek studimet në Shqipëri dhe që vendosi të flasë për “Wake Up” te Top Channel me Eno Popin. Ajo tha se që në nisje të revolucionit sirian, që në nisjet e hershme të protestave kundër regjimit të presidentit Bashar al-Assad, komuniteti sirian në gjithë botën ka kërkuar ndihmën ndërkombëtare.
“Sot, kur kanë kaluar tre vjet që nga nisja e protestave, që më vonë u përshkallëzuan në konflikt të hapur dhe luftë civile, asnjë nga komuniteti ndërkombëtar nuk ka dëgjuar zërin e sirianëve,” tha Alja.
“Wake Up” mundësoi një lidhje telefonike me Ahmad Trad, pjesëtar i forcave rebele që lufton në periferi të qytetit të Idlebit. Ai tha se ka grupe radikale që luftojnë në Siri, por që nuk kanë peshën kryesore në konflikt.
Trad pranoi se në Siri ka shqiptarë që luftojnë kundër regjimit të presidentit Bashar al Assad, por se këta shqiptarë nuk janë pjesë e rebelëve, por e grupeve radikale fondamentaliste që luftojnë për rrëzimin e presidentit Assad dhe për ngritjen e një shteti islamik, ku ashtu siç tha edhe analisti Ilir Kulla, i ftuar gjithashtu në “Wake Up”, Damasku të jetë qendra e Kalifatit, ashtu si përpara 1 mijë vitesh./TCH/

 
Lajme Shqip Tuesday, 03 September 2013 11:22

Washington – Ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke përgatitur një sulm të mundshëm mbi Sirinë, ekziston një imazh të cilin administrata e Obamës nuk do të dëshironte që të publikohej kurrë.

Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, i cili ka krahasuar Bashar al-Assadin me Hitlerin dhe Saddam Hussein në një fjalim të gjatë gjatë së dielës, shfaqet në këtë foto duke darkuar me presidentin e Sirisë, në vitin 2009.

Assad dhe Kerry, në atë kohë një ish-kandidat për president i SHBA-së dhe një prej senatorëve me më shumë ndikim në Senat, duken tepër të përfshirë në bisedë, ndërsa gratë e tyre i qëndrojnë nga pranë.

Një kamarier me veshje popullore siriane i qëndron pranë, ndërsa Kerry dhe Assad shijojnë darkën, e cila nuk mund të konsiderohet si një pritje diplomatike, por një kortezi personale e Presidentit të Sirisë. Për ironi të fatit, pas atij takimi, Kerry deklaroi në mediat amerikane se ishte takuar me “partnerin” al-Assad, me qëllim që të diskutonte mbi mbarëvajtjen e procesit të paqes në Lindjen e Mesme.

Imazhet e këtij takimi, u publikuan të hënën nga “Daily Mail” dhe disa rrjete të tjera mediatike botërore./topchannel/