Lajme Shqip Wednesday, 21 August 2013 23:08

Babai i “Zonjës së Parë” Odeta Nishani, është një nga pronarët trashëgimtarë të një pasurie që përfshin “Bar Restorant Sarajet” dhe 1500 metra truall deri në rrugën para oborrit të Partisë Demokratike.

Trashëgimtarët e ligjshëm të kësaj prone janë familjet Kazazi dhe Kosova, të cilat kanë degëzuar trashëgimtarët e tyre.

Ali Kosova, babai i Odeta Nishanit, është pjesëtar i kësaj trashëgime.

Gazeta TemA ka siguruar dokumentet hipotekore dhe origjinën e pronës, e cila është e ligjshme, si trashëgimi që buron nga një pronë e regjistruar me nr. 878 më 4 nëntor 1943 në pronësi të Mustafa e Hamza Kosovës, të cilët janë djemtë e Osman Kazazit dhe Fehmi Kazazit.

Ali Kosova, babai i Odeta Nishanit, është djali i Mustafa Kosovës, që e ka zotëruar këtë pronë deri në vitin 1947. Ali Kosova e ka fituar pronën përmes një vendimi gjykate të vitit 1999, i cili kundërshton një vendim të mëparshëm të kthimit të pronave që njihte pronarë vetëm familjen Kazazi. Pas këtij vendimi prona është ndarë në dy pjesë mes familjes Kosova dhe Kazazi.

Sipas gjithë regjistrave hipotekare, prona kufizohet nga veriu me rrugën Abdi Toptani (dikur Alqi Kondi), që është rruga që kalon para “Torre Drinit”, nga jugu nga ish –“Kinema Kosova”, nga lindja nga rruga “Hiqmet Dervishi”, që i bie rruga para oborrit të PD, në një gjerësi prej 34 m, nga perëndimi nga rruga “Pashë Toptani”.

Sipas këtij gentpalni, brenda pronës si pasuri kryesore gjendet “Bar Restorant Sarajet” dhe një sipërfaqe trualli rreth 1500 metra, që sipas përshkrimit hipotekar i bie të dalë në pjesën fundore të rrugicës para PD-së, aty ku është “Kafe Jurnal”, së bashku me pjesën sipër “Kafe Jurnal” ku gjendet dhe zyra e ish- kryetarit të PD-së, Sali Berisha.

 
Lajme Shqip Monday, 19 August 2013 14:57

Tiranë – Analisti Fatos Lubonja, në një shkrim të publikuar tek e përditshmja “Panorama” mbi debatin e fundit për SHQUP-in, shprehet se akti i Berishës është i turpshëm. Sipas tij, ky është një akt plaçkitje.
“Së pari, s’ka qytetar normal të qytetit të Tiranës që të mos e përjetojë atë si një akt plaçkitjeje të pronës publike. Dhe kjo pikërisht në momentin kur kjo parti do të duhej të ishte më kokulur se kurrë, pasi është ndëshkuar me votë pikërisht për arrogancë, prepotencë dhe për politika plaçkitëse të pronës publike. Mesazhi është se s’ka shpresë që kjo parti të reflektojë qoftë edhe një sekondë për dënimin që i dha publiku.
Por ky akt ka edhe simbolika të tjera. Kalimi i PD sot te godina e selisë së Shtëpisë Qendrore të Oficerëve, me një histori dhe arkitekturë që të kujton ndërtesat e regjimit, sikur i heq edhe leskrën e fundit të hipokrizisë kësaj partie, që në fakt ka qenë trashëgimtare e PPSH-së si në frymë, edhe në stil. Ideja se në atë godinë do të jetë selia e partisë që lindi nga lëvizja antikomuniste do t’i japë tashmë edhe një ngjyrim qesharak kësaj ndërtese”, shkruan Lubonja.
Megjithatë, ai thotë se godina aktuale e PD-së, duke parë arkitekturën e zonës, nuk duhet të ekzistojë.
“Nëse doni mendimin tim, godina ku është selia e PD-së nuk duhet të ekzistojë fare atje ku është. Merrni urbanistin më të rëndomtë, tregojini ligjin apo rregulloren urbanistike, dhe do t’ju thotë se në respekt të raportit ndërtim-gjelbërim, ajo godinë nuk duhet të ekzistonte. Pse? Sepse grataçielat rrotull PD-së – e kam fjalën për atë majtas me xhama që është mbi dhjetëkatëshe, atë djathtas që është njëzetepesëkatëshe, atë që po ndërtohet përballë saj, por edhe Torre Drinin pak më prapa, në një qytet normal do të duhej të kishin midis tyre hapësira të gjelbra rreth e rrotull shumë më tepër sesa ç’do të mund t’u krijohej edhe sikur të shembeshin të gjitha ndërtesat që kanë pranë. Me një kalkulim të thjeshtë del se ose këto grataçiela nuk do të duhej të ishin projektuar dhe ndërtuar – dhe ky është mendimi im – ose që godina e PD-së do të duhej të ishte rrafshuar së bashku edhe me ndërtesa të tjera”, shprehet Lubonja.

 
Lajme Shqip Sunday, 18 August 2013 12:19

Tiranë- Qendra e Shtëpisë së Ushtarakëve, përveç rëndësisë së madhe, ka edhe një vlerë të konsiderueshme në para.
Nga një studim i gazetës ‘Shekulli”, rezulton se në bazë të matjeve vetëm godina e SHQUP-it ka një sipërfaqe prej 1 mijë metra katrorë. Por kjo është vetëm sipërfaqja e objektit të ndërtimit, pasi nëse do të llogaritet rritet edhe më shumë. Brenda rrethimit trualli është mbi 1 hektarë, ose rreth 10.600 metra katrorë. Është parcela më e madhe në atë zonë që sipas ekspertëve në treg vlen minimum 20 milionë euro, pa llogaritur vlerën e ndërtesës.
Godina e SHQUP tashmë do të jetë seli e PD-së, pas vendimit të kryeministrit në ikje, Sali Berisha, ndërkohë që mazhoranca e le ka lënë të kuptohet se do ta zhbëjë vendimin e marrë nga ana e Berishës.

 
Lajme Shqip Friday, 16 August 2013 15:12

Tiranë-Qeveria ka zbardhur sot në faqen në ueb të kryeministrisë vendimin për Shtëpinë Qendrore Ushtarake Popullore (SHQUP).

Përvec godinës së SHQUP që i kalon si seli Partisë Demokratike, një vendim i ngjashëm është marrë dhe për Fierin, ku Shtëpia e Ushtarakëve i kalon për zyra Partisë Demokratike, dega Fier.

 

V E N D I M PER SHQUP
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE MINISTRIA E BRENDSHME, TË PASURISË SË PALUAJTSHME “SHTËPIA QENDRORE E USHTRISË”, ME QËLLIM PAJISJEN E SUBJEKTIT PARTIA DEMOKRATIKE E SHQIPËRISË ME NDËRTESË, PËR SELI QENDRORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 22, shkronja “b” e 22/1, të ligjit nr.8580, datë 17.2.2000, “Për partitë politike”, të ndryshuar, dhe të neneve 8, pika 3, 13 e 16, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Ministria e Mbrojtjes te Ministria e Brendshme, të pasurisë së paluajtshme, të konfirmuar nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë, me emërtimin “Shtëpia Qendrore e Ushtrisë”, me numër rendor 32, përkatësisht sipas formularit që i bashkëlidhet këtij vendimi, miratuar me vendimin nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar”.

2. Prona e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, të hiqet nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes, që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar.

3. Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Brendshme, brenda datës 20.8.2013, të përfundojë procedurat e marrjes në dorëzim të pronës.

4. Ministri i Brendshëm të lidhë kontratën e huapërdorjes, sipas Kodit Civil, me subjektin politik Partia Demokratike e Shqipërisë.

5. Ngarkohen ministri i Brendshëm, ministri i Mbrojtjes dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

PER FIERIN
2-PËR DHËNIE MJEDISESH PARTISË DEMOKRATIKE TË SHQIPËRISË, PËR ZYRA VENDORE NË FIER, TË QARKUT TË FIERIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të neneve 22 e 22/1, të ligjit nr.8580, datë 17.2.2000, “Për partitë politike”, të ndryshuar, si dhe të pikës 3, të nenit 8, dhe të nenit 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kati i pestë i ndërtesës me emërtimin “Shtëpia e Ushtarakëve”, me vendndodhje në Fier, t’i jepet për mjedise Partisë Demokratike të Shqipërisë, për zyra vendore në Fier, të Qarkut të Fierit, sipas formularit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Ministri i Brendshëm të lidhë kontratën e huapërdorjes, sipas Kodit Civil, me Partinë Demokratike të Shqipërisë, në përputhje me nenet 22,, shkronja “b”, dhe 22/1, të ligjit nr.8580, datë 17.2.2000, të ndryshuar, për periudhën derisa partia politike plotëson kushtet e parashikuara në këto nene.

3. Ngarkohen ministri i Brendshëm dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë të ndjekin procedurat e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

BERISHA: SHQUP PËRDOREJ PËR MORTE E DASMA, USHTARAKËT JO PROTESTA, DO JU HEQ STATUSIN
Kryeministri në detyrë, Berisha u ndal dhe tek vendimi i qeverisë për SHQUP, sot gjatë mbledhjes së kabinetit të ministrave.
Sipas Berishës, SHQUP kishte humbur funksionet prej 12 vitesh dhe shtoi e vendimi qeverisë që kjo godinë do bëhej seli e PD-së do të zbardhej sapo Presidenti ta dekretonte zyrtarisht.

“SHQUP-i të paktën për 12 vjet ka humbur çdo lloj funksioni. Vendimi nuk u zbardh se u konstatua se kishte një gabim, vendimi nuk ishte dekretuar nga Presidenti i Republikës”.

“Të jemi të sinqertë, aty kemi parë vetëm ceremoni mortore. Dmth vetëm dasma ose ceremoni mortore. Po ka një aktivitet aty, por kjo shtëpi ka humbur të gjithë funksionet dhe nuk ka asnjë lidhje me emërtimin që mban. Qeveria, duke parë që kjo shtëpi kishte humbur funksionet, ka kontraktuar një nga arkitektët më të mëdhenj të kohës dhe ju ftoj të shkoni dhe të shihni se çfarë ndërtimesh po bëhen’.

Më tej Berisha duke iu drejtuar ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami theksoi se nëse bëhen protesta nga ushtarakët lidhur me këtë vendim qeverie, atëhere çdo ushtarak do humbasë statusin që gëzon dhe deri pensionin e ushtarakut.
Berisha:Nëse dalin në protestë në shkelje të statusit një nga një do humbin statusin. U hiqet statusi dhe le ta marrin pastaj pensionin me statusin e qytetarit.
Imami: Nuk del njeri.
Berisha: Po ca ishin ata që më erdhën këtu, më thanë ka kënduar aty Vaçe Zela. Paska kënduar, mirë vemi një pllakë, që këtu ka kënduar Vaçe Zela. Kaq dhe e mbyll këtë duke i thënë z Rama se me atë ‘ciu ciun’ e djeshëm ke treguar gjithë moralin e shpëlarë që ke si njëri. /Ballkanweb/

 

 
Lajme Shqip Friday, 16 August 2013 10:00

Tiranë – Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Major, Xhemal Gjunkshi është pozicionuar hapur kundër ndryshimit të destinacionit të Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë, që me vendim të Këshillit të Ministrave është vendosur të përdoret si seli e Partisë Demokratike.

Me anë të një letre zyrtare drejtuar në datën 14 gusht 2013, Sekretarit të Përgjithshëm të ministrisë së Mbrojtjes, Edvin Kulluri, ai shprehet se “vlerësimi ynë është që për vetë pozicionin dhe infrastrukturën kjo qendër ka shërbyer dhe gjykojmë se duhet të vazhdojë të shërbejë dhe në të ardhmen si institucion prestigjoz për aktivitetet/ceremonitë protokollare jo vetëm të Forcave të Armatosura por edhe shtetit shqiptarë. Në përmbledhje të vlerësimeve të bëra për këtë pronë prononcohemi se nuk jemi dakord për tjetërsimin e saj dhe nxjerrjen nga lista e Planit të vendosjes dhe përhapjes së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, – shprehet Gjunkshi, duke listuar në 6 paragrafë edhe argumenta të tjerë në mbështetje të qëndrimit të tij, transmeton Ballkanweb.

Në fakt shkresa e Shefit të Shtabit ka qenë përgjigje për letrën e marrë në datën 13 gusht 2013, nga Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë së Mbrojtjes, Edvin Kulluri, i cili kërkon prononcimin e Gjeneral Gjunkshit lidhur me statusin e pronës së SHQUP-it. E kjo për shkak se nxjerrja e kësaj prone nga plani i përhapjes dhe vendosjes së Forcave të Armatosura nuk mund të bëhet pa miratimin e Shefit të Shtabit. Mes të tjerash, Kulluri shprehet se “me anë të shkresës së protokolluar me Nr.7374 datë 13.08.2013 në Ministrinë e Mbrojtjes kërkohet kalimi në përgjegjegjësi administrimi tek Ministria e Brendshme i pronës Nr.32 me emërtim ‘Shtëpia Qëndrore e Ushtrisë’ me vendndodhje Bulevardi ‘Zhan Dark’ Tiranë. Ministria e Mbrojtjes i është drejtuar për prononcim për statusin aktual dhe perspektiv të përdorimit të pronës, institucioneve të vendosura në këtë godinë, konkretisht SHQU-së dhe QKMBM-së.
Kjo godinë është ndërtuar me qëllim plotësimin e misionit të QKMBM, me të gjitha kriteret dhe standardet teknike, çka nuk i ofron godina ku zhvillojnë aktivitetin aktualisht. SHQU shprehet se me planin e ri organizativ është parashikuar që aktiviteti i saj, për shkak të bilancit negativ financiar dhe reduktimit të aktivitetit, të zhvendosë aktivitetin pranë Hotelit të Ushtarakëve. Sa më sipër, kjo pronë dhe objektet ndërtimore të saj mbetet pa funksion në shërbim të SHQU-së dhe QKMBM-së. Në këto kushte kërkojmë prononcimin tuaj për nxjerrjen e kësaj prone nga Plani i Përhapjes dhe Vendosjes së FA dhe vijimin e procedurës ligjore për këtë qëllim”, – shprehet Kulluri në letrën drejtuar Gjunkshit. Ndërkohë burime nga Ministria e Mbrojtjes pohuan dje për TCH se “Presidenti Republikës në kapacitetet edhe të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura e ka firmosur dekretin për nxjerrjen jashtë inventarit të ushtrisë të godinës së SHQUP-it”.

 
Lajme Shqip Thursday, 15 August 2013 20:36

Edi Rama që pritet të marrë detyrën e kryeministrit në shtator reagoi kundër vendimit të qeverisë për ta kaluar Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë (SHQUP) si një seli të Partisë Demokratike.

“Ç’turp: Partia humbese qe ende qeveris nje vend te NATO-s, grabit Shtepine Qendrore te Ushtrise per ta bere seli te veten! Dhe kunder Ligjit!”, shkro Rama në Facebook.

Sipas tij ky veprim dëshmon se sa të merituara kanë qenë 1 milione shuplakat që i dha Populli më 23 qershor pushtetit plaçkites.

“8 vjet duke genjyer, vjedhur, vrare, u ndeshkuan si askush me keq prej ’92-shit e po ikin duke e ngrene perdite turpin me babezine e te marrit!”, komentoi Rama në Facebook.

Ndërkaq Presidenti Bujar Nishani ka konfirmuar për ‘A1 Report” se ka firmosur dekretin për të hequr Shtëpinë Qendrore të Ushtrisë (SHQUP) nga Minisitria e Mbrojtjes. Nishani ka shpjeguar se “iu përgjigj pozitivisht Ministrisë së Mbrojtjes.

Sipas tij “dekreti nuk kalon nga qeveria”. Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes dhe qeveria kanë firmosur vendimin që SHQUP të kalojë seli e PD-së. 

 

 
Lajme Shqip Monday, 12 August 2013 12:56

Tiranë – Ish- ushtarakët u organizuan në një protestë përpara Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë, që me një vendim të qeverisë do kalojë për për seli të Partisë Demokratike.
Ish- ushtarakët i bënë thirrje kryeministrit që të anulojë vendimin e marrë, ndërsa presidentit Nishani i kërkuan që të reagojë.
Ata paralajmëruan po ashtu kryetarin e ri të PD, Lulzim Basha, që të mos zhvendoset në ato ambiente.
“Kjo shtëpi ka 70 vjet që mëson, edukon dhe ushqen gjithë breznitë e ushtarakëve, janë kryer qindra mbledhje simpoziume të NATO-s, ceremoni dekorimesh. Ajo ka të skalitur e fotografuar të gjithë fytyrat e ushtarakëve. Edhe muret e dritaret e kësaj fasade thërrasin për ndihmë: Ushtarakë, dua të qëndroj me ju, prandaj na mbroni me çdo kusht”, tha Bajram Mane, ish- ushtarak por dhe ish- zv. Ministër i Mbrojtjes, raporton tema. 
“I bëjmë thirrje kryeministrit në ikje të anulojë vendimin dhe të mos e botojë në fletore zyrtare. Lulzim Basha të mos marrë mundimin e të zhvendoset në këto ambientet se do ta ketë të pamundur edhe më vonë, dhe siç e ka zakon që vetëm qesh, Shtëpisë Qendrore do t’i rruajë vetëm leshtë”, tha Mane.