12
 
Lajme Shqip Thursday, 27 March 2014 15:08

Shqiptarët e rekrutuar në luftën e Sirisë pas vitit 2012 e në vazhdim kanë pasur përplasje të ashpra mes tyre pasi janë hedhur në betejë, duke u bërë në disa raste pjesë e grupeve rivale me njëri-tjetrin.

Disa përgjime të imamit të vetëshpallur të xhamisë së Mëzezit, Bujar Hysa, me shqiptarët e dërguar në Siri, tregojnë se përplasjet në fjalë kanë arritur shpeshherë deri në rrëmbime dhe vrasje. 

Dy imamët e vetëshpallur, Genc Balla (xhamia e Unazës së Re) dhe Bujar Hysa (xhamia e Mëzezit), akuzohen se me rrjetin e tyre kanë rekrutuar 86 shtetas shqiptarë, të cilët janë dërguar në Siri. 

Pasi shkonin atje, shqiptarët bashkoheshin me formacionet e organizatës Al Nusra, një grup i armatosur i dyshuar për lidhje me Al Kaedën, që lufton me opozitën legjitime “Ushtria e Lirë e Sirisë” dhe forcat qeveritare të Bashar Al Asadit.

Gjatë zhvillimeve të brendshme në Siri, disa prej shqiptarëve të rekrutuar janë bërë pjesë e opozitës legjitime siriane, por pas këtij kalimi ata janë cilësuar “tradhtarë” prej shqiptarëve që ishin rreshtuar në organizatën Al Nusra. 

Hasan Korvafaj nga Vlora mësohet se është vrarë nga forcat e ushtrisë së lirë të Sirisë, në fillim të janarit. Pas vrasjes, forcat opozitare të Asadit morën peng familjen e tij dhe katër familje të tjera të shqiptarëve nga Kosova. 

Për këtë fakt tregon një bisedë e përgjuar mes imamit Bujar Hysa dhe Shyqyri Kacës (në kërkim) në datën 7 janar 2014.

Bisedë e datës 7 janar 2014

Bujar Hysa: Kush është kapur peng?

Shyqyri Kaca: Shpresim Gjoka dhe Mehmet Stefasani, familjet e tyre dhe familja e Hasan Korvafajt, që u vra pas shpine gjatë një sulmi nga ushtria e lirë. Ata kanë dalë në video dhe kërkojnë të ulen armët dhe të merremi vesh… vendi ku mbahen peng, do sulmohet nga grupi i “Doëla”, i udhëhequr nga një çeçen.

NJë tjetër përgjim është regjistruar në datën 10 janar 2014, mes imamit të vetëshpallur Bujar Hysa dhe Almir Dacit, ish-imam në Pogradec. Në këtë bisedë, Bujar Hysa informohet nga Almir Daci për shqiptarët që kanë kaluar në përbërje të Ushtrisë së Lirë Siriane. 

Almir Daci i thotë se ata janë penduar për vendimin dhe kanë kërkuar të kthehen në radhët e organizatës Al Nusra, por imami i Mëzezit, sipas përgjimit, thotë se ata duhet të gjykohen dhe t’u pritet koka.

Bujar Hysa dhe Almir Daci flasin në këtë bisedë për një shqiptar që kishte dalë në pamje me video, duke treguar se i ishte bashkuar Ushtrisë së Lirë Siriane (opozita e ligjshme e Asadit). 

Për këtë person, dyshohet se imami i Mëzezit ka urdhëruar t’i pritet koka, ndërsa Almir Daci, ish-imam i Leshnicës në Pogradec, ka thënë se do të ketë “një gjyq special”.

Përgjimi i bisedës mes Almir Dacit dhe Bujar Hysës më 10 janar 2014.

Almir Daci: Ai personi që doli në video me shami të kuqe, thotë se ka ikur vetë nga grupi i shqiptarëve dhe nëse kthehet, për të do ketë gjyq të veçantë.

Almir Daci: Ajo që patë në video, ishte se nuk u binden urdhrave të të parit tonë këtu. Tani po luten të kthehen, thonë jemi të Nusra, kanë sjellë edhe rrobat, por atyre do tu shtypet koka.

Bujar Hysa: Lërini të kthehen dhe, pasi t’ju lëpijnë këmbët, prijuani kokat./Panorama/

 

 
Lajme Shqip Saturday, 15 March 2014 14:55

Ishte mesi i dhjetorit të dy viteve më parë, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të shpallnin një organizatë terroriste si krahun e Al- Kaedës. Quhej Al-Nusra dhe ishte themeluar në Siri. FBI-ja e përkufizoi si një grup që po shfrytëzon një përplasje gjithnjë e më të gjerë sektare, duke rekrutuar myslimanë suni që e shihnin veten si të përjashtuar nga pushteti i Assad-it. Aso kohe, të dhënat për këtë organizatë terroriste si dhe nisjen e hetimeve të njësisë federale amerikane do t`i bënte publike pikërisht “Reuters”. Organizata, përgjatë ditëve në vijim, mori përsipër një sërë sulmesh në Damask dhe Alepo, ndërsa luftëtarët e saj u thanë se iu bashkuan rebelëve në sulmin kundër forcave të Bashar Al Assad. “Al-Nusra, shkruante ‘Reuters’ synon të rigjallërojë Kalifatin Islamik, një perandori që në kulmin e vet u shtri nga India në Spanjë. 

Mirëpo, që në dhjetorin e vitit 2012, u fol që në këtë grup ishin përfshirë të paktën 700 shqiptarë nga të gjitha trevat. Madje aso kohe u fol edhe për mbështetjen me  armatim që bënte mafia shqiptare për grupet që iu kishin bashkuar lëvizjes Al- Nusra. Të dhënat për implikimin dhe furnizimin me armë nga Shqipëria dhe Kosova u publikuan nga një agjenci izraelite, ndërkohë që, që prej asaj kohe, nisën të vinin trupat e parë të pajetë të shqiptarëve, shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë dhe të Shqipërisë. Organizata Al-Nusra është përmendur edhe dje në sallën e gjyqit teksa prokurorja e çështjes së celulave terroriste, ka lexuar akuzën ndaj tetë të arrestuarve si dhe 5 të të kërkuarve, që besohet dhe dyshohet se janë konkretisht të përfshirë në mënyrë të drejt për drejtë si pjesë e kësaj organizate. 

“Burg pa afat”

 Verdi Morava, Edmond Balla, Orion Reçi dhe Astrit Tola kanë dalë mëngjesin e djeshëm para Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku janë njohur me rivlerësimin e masës së sigurisë. Ndryshe katër personave të tjerë të vënë nën akuzë për nxitje dhe financim të terrorizmit, të cilët dolën dy ditë më parë para gjykatës, bashkëpunëtorët e tyre kanë refuzuar të ngrihen në këmbë, duke injoruar thirrjet   që ka bërë gjyqtari. Madje, as në momentin kur prokurorja e çështjes ka nisur komunikimin me ta, mësohet se katër të arrestuarit si organizatorë dhe financues të rekrutimeve për në Siri të besimtarëve, kanë refuzuar që ta shikojnë. Referuar të dhënave që vijnë nga gjykata, bëhet e ditur se asnjëri prej tyre nuk ka pranuar të marrë avokat, ndonëse për Moravën, janë shfaqur në dyert e gjykatës dy mbrojtës, të cilët janë zgjedhur nga familja e tyre.

 Njëri prej mbrojtësve të Moravës ka deklaruar se qëndrimi i klientit të tij para gjykatës ka qenë mohues, që do të thotë nuk ka pranuar akuzat, ndërsa në lidhje me aktivitetin e tyre, mësohet se tashmë janë referuar edhe denoncimet të tjera që kanë të bëjnë me mashtrimin dhe dërgimin në Siri të familjarëve të tyre. Pak momente pasi ka përfunduar seanca gjyqësore e masës së arrestit ndaj katër personave, një burrë nga Shkodra, nën masa të rrepta sigurie, ka mbërritur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, duke rrëfyer se imami i vetëshpallur Genci Balla i kishte marrë gruan dhe djalin e tij të mitur. Shkodrani, mësohet se ka kërkuar nga autoritetet hetimore vetëm t`i kthehet i biri i tij që sot është 7 vjeç. Denoncimi Zamir M, është 39-vjeçari shkodran që ka denoncuar ditën e djeshme ‘rrëmbimin’ e bashkëshortes dhe të djalit të tij nga imami i “Unazës së Re”. Të dhënat   e lëna nga burri në prokurori mësohet se kanë të bëjnë me një histori që daton vitin 2011, kohë kur ish-gruaja e tij, Almira K., u nda prej tij se u martua me personin që, sipas tij, quhej Genci Balla. Aso kohe djali i tij F, ishte vetëm katër vjeç dhe ish-gruaja ia ka marrë djalin me vete dhe është larguar nga shtëpia ku jetonin bashkë në një lagje të qytetit të Shkodrës. 

Referuar të dhënave bëhet e ditur se gruaja ishte njohur me imamin në një fondacion islamik, vend në të cilin ajo punonte dhe që aty kishte vendosur të martohej me Genci Ballën, ndonëse Genci ligjërisht është i martuar me një grua tjetër dhe mësohet se nga kjo martesë ka katër fëmijë. Zamir M. i ka treguar prokurores së çështjes të gjitha detajet dhe se sipas tij ai ka dyshime që ish-gruaja e tij dhe i biri kanë mbërritur në Siri, ku ai ka kërkuar vetëm që t`i kthehet i biri dhe asgjë tjetër. Ndërsa bëhet me dije se janë të shumta denoncimet e tjera që kanë ardhur nga Pogradeci dhe Librazhdi në lidhje me persona që dyshohet se janë rekrutuar nga Balla dhe janë dërguar për në Siri. Ndërkohë që nga Librazhdi, vjen edhe alarmi tjetër që janë rreth 20 xhami të cilat janë të panjohura nga Komuniteti Musliman, një fenomen ky tashmë mjaft i rrezikshëm për hetimet e ndërmarra nga autoritete e hetimit dhe të zbulimit në vend.   

Mbështetësit e Ballës mallkojnë hoxhallarët shqiptarë

  Ka vijuar edhe ditën e djeshme beteja në rrjetet sociale dhe në internet për arrestimin e imamit të vetëshpallur të xhamisë së Unazës së Re, i konsideruar nga mbështetësit si ‘hoxhë’. Ata u kanë bërë thirrje të gjithë hoxhallarëve shqiptarë, jo vetëm të Shqipërisë, por në të gjitha trevat shqipfolëse, që të ngrihen kundër shtetit shqiptar për të mundësuar lirimin e udhëheqësit të tyre shpirtëror. E ndërsa ditën e djeshme, besimtarët e dy xhamive të bastisura nga policia, nuk kanë mundur të realizojnë protestën e paralajmëruar mbështetës të shumtë janë bashkuar para gjykatës dhe kanë bërë thirrje fetare për të dëshmuar se ata janë aty për ta. Në një faqe të re, të hapur ditën e djeshme “Jetojmë me Sirinë 24 orë online”, njoftohet se: Armiqtë e fesë së Allahut na i mbyllën dy faqet e al-Guraba, në gjuhën shqipe dhe në gjuhën arabe.

 Në këtë faqe bie në sy një revoltim i madh mes komentuesve, ndërsa ndonjë që guxon të dalë kundër akteve për të cilat përfliten imamët dhe të arrestuarit, ‘përndiqen’ nga të gjithë besimtarët. Ja se çfarë thuhet në njërën nga thirrjet: “Kush i përgjigjet Xhihadit qenka “terrorist” kurse trupat e NATO-s, murtedat që i dërgojnë qenkan Paqeruajtës; kjo është ‘liria e demokracisë’. Mediumet e tyre malonike kërkojnë gabimet e hoxhallarëve, kurse hajnin dhe skandalet politike i kanë harruar. Kjo është luftë haptazi ndaj Islamit”.         

 

 
Lajme Shqip Thursday, 13 March 2014 14:49

Gjykata e Krimeve të Rënda do të jap sot masën e sigurisë për shtatë personat, të cilët rekrutonin besimtarët myslimanë për në Siri.

Është konfirmuar tashmë se, është rritur masa e sigurisë që kanë marrë autoritetet pasi pjesëmarrës në këtë seancë gjyqësore do të jenë edhe mbështetësit e shtatë të arrestuarve.

Sipas organit të akuzës, shtetasit Genci Balla dhe Bujar Hysa, të cilët ushtrojnë aktivitet fetar ilegal, në zonën e “Unazës së Re” dhe në fshatin Mëzez, Tiranë, dyshohet se kanë kryer veprime aktive për indoktrinuar persona të ndryshëm me ideologji radikale, për t’u angazhuar më pas në luftime në përbërje të grupeve terroriste ekstremiste që janë nën sanksione nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Ndërsa shtetasit Edmond Balla dhe Vervi Morava dyshohet se kanë kryer veprime konkrete për dërgimin e disa shtetasve shqiptarë në Siri, 3 të tjerët Fadil Musulmani, Zeqir Imeri dhe Astrit Tola dyshohet se kanë kryer veprime aktive për të ndihmuar organizatorët në rekrutimin dhe më pas dërgimin e disa shtetasve shqiptarë në Siri./shekulli/

 
Lajme Shqip Tuesday, 11 March 2014 15:09

Falë punës së Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Policisë, që hyn në lëvizje me urdhër të Prokurorisë, janë arrestuar shtatë persona, identitetet e të cilëve nuk janë zbuluar ende. Arrestimet janë kryer përkatësisht në qytetet Tiranë, Librazhd, Elbasan, Pogradec. Gjatë kontrollit janë gjetur armë zjarri, fishekë dhe një sasi e konsiderueshme lënde plasëse. Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi hetimin ndaj 7 personave të dyshuar, pas vrasjes së dy shqiptarëve në luftën e Sirisë. Ndërkohë pritet që në orët në vijim Prokuroria e Krimeve të Rënda, të japë më shumë detaje për operacionin dhe identitetin e të arrestuarve.

Të arrestuar dhe dy imamë

Zbardhen emrat e 7 të arrestuarve të cilët dyshohen se janë implikuar në krijimin e celulave të rekrutimit të besimtarëve myslimanë për të luftuar me grupet e opozitës në Siri.   Dy prej të arrestuarve janë imamë, njëri në xhaminë tek Unaza e re në Tiranë dhe tjetri në xhaminë e Mzezit. Dy prej të arrestuarve janë imamë, njëri në xhaminë tek Unaza e re në Tiranë dhe tjetri në xhaminë e Mzezit. Të arrestuarit janë Genc Balla, imam i xhamisë tek Unaza e Re në Tiranë, Bujar Hysa, imam në xhaminë e Mzezit, Tiranë dhe besimtarët: Edmond Balla, Verdi Morava, Fadil Muslimani, Zeqir Imeri dhe Almir Daci

Operacioni

Arrestimet janë kryer nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Policisë dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda në qytetet e Tiranës, Librazhdit, Elbasanit dhe Pogradecit. Gjatë kontrollit janë gjetur edhe armë, fishekë dhe sasi eksplozivi. Burime të “A1 Report” bëjnë me dije se dyshohet se të arrestuarit predikonin nxitjen e terrorizmit si dhe rekrutonin besimtarë duke i dërguar për luftë në Siri. Përve 7 të arrestuarve, policia ka shpallur në kërkim dhe 5 persona të tjerë.

Të arrestuarit

Genc Balla – Imam i xhamisë tek Unaza e Re, Tiranë

Bujar Hysa – Imam në Xhaminë e Mëzezit, Tiranë

Edmond Balla

Verdi Morava

Fadil Myslimani

Zeqir Imeri

 

Almir Daci

 

 
Lajme Shqip Wednesday, 05 February 2014 16:15

Qeveria e Kosovës sot ka miratuar projektligjin i cili parasheh dënim prej 15 vjetësh për ata që marrin pjesë në konflikte të armatosura jashtë vendit.

Ky projektligj vjen pas shqetësimeve dhe debateve të shumëta, të ngritura për shkak të pjesëmarrjes së shqiptarëve nga Kosova në luftën e Sirisë.

Ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku ka shkruar në profilin e saj në Facebook, në lidhje me këtë projektligj:

“Qeveria e Kosoves miratoi projektligjin permes se cilit bashkimi ne konfliktet e armatosura jashte territorit te vendit konsiderohet veper penale dhe e denueshme deri ne 15 vite burg”./Lajmeshqip/

 
Lajme Shqip Tuesday, 28 January 2014 17:55

Një shtetas nga Shqipëria, me nofkën Edu Samed, është vrarë para dy ditësh në Siri. Policia konfirmoi se bëhet fjalë për shtetasin Bledar Hamza 40 vjeç nga fshati Leshnicë i Pogradecit. 

Sipas policisë, 40-vjeçari para pak kohësh ishte shpërngulur me familjen në Tiranë. Konfirmohet se kanë nisur dhe procedurat e tërheqjes së trupit nga Siria. 

Në dy javët e fundit janë vrarë disa shqiptarë që po luftojnë krah rebelëve sirianë, që po përpiqen ta rrëzojnë diktatorin Assad./shekulli/ 

 
Lajme Shqip Friday, 17 January 2014 13:24

Fondacioni Islamik Humitar “IHH”, i cili u bastis javën e kaluar në Turqi, për shkak të lidhjeve të tij me rekrutimet për luftëtarë nga vendet e Ballkanit për konfliktin Sirian, duket se ka hapur një problem të madh për të gjithë rajonin. Nga burime të sigurta brenda forcave të antiterrorit të Policisë së Shtetit, autoritetet turke kanë dhënë alarmin se disa misionarë të fondacionit IHH kanë vizituar së fundi disa nga vendet e Ballkanit dhe janë stacionuar brenda rretheve fondamentaliste  islamike. Në krye të listës së këtyre vendeve është përfshirë edhe Shqipëria, ku janë dhënë informacione për disa xhami, shkolla dhe fondacione islamike në Tiranë, Durrës dhe Kavajë, të cilat kanë strehuar misionarët e Al QAEDA dhe po vijojnë rekrutimet e të rinjve shqiptarë drejt Sirisë. Forca të Antiterrorit të Policë së Shtetit dhe punonjës të Shërbimit Informativ Shtetëror, pasi kanë marrë këtë informacion nga autoritetet turke, janë hedhur menjëherë në aksion duke kontrolluar të gjithë personelin e fondacioneve dhe shkollave islamike në vend, si dhe duke mbajtur në survejim të vazhdueshëm disa prej xhamive në qytetet e mësipërme. Gjithashtu, masa të tjera janë marrë për mbajtjen nën mbikqyrje të disa rrjeteve sociale me karakter fetar, si dhe janë kaluar në sitë nëpërmjet sistemit të kalimit kufitar TIMS, të gjithë shtetasit e huaj të ardhur në Shqipëri pas shtatorit 2013. Po ashtu, siç bëhet e ditur, së fundi, edhe qeveria dhe forcat e Policisë në Bosnjë Hercegovinë kanë nisur një aksion të ngjashëm për identifikimin dhe arrestimin e personave të lidhur me këtë rrjet, të cilët janë bërë një rrezik serioz për rendin dhe sigurinë në të gjithë rajonin.  Por, pas Kosovës dhe Bosnjës, tashmë është në shënjestrën e organizatës famëkeqe Al QAEDA është Shqipëria, e cila shikohet si mundësi për të mbledhur luftëtarë për në Siri. Sinjalet për zbarkimin e anëtarëve të Al QAEDA në territorin e Shqipërisë, nuk janë dhënë vetëm nga shërbimet inteligjente të vendeve të rajonin, por pikësëpari nga shërbimet ndërkombëtare. Edhe pse shqetësimi për depërtimin e Al QAEDA në Shqipëri nuk ka plasur ende në nivelet e larta politike, tensioni dhe alarmi ziejnë në mënyrë të nëndheshme. Gjithsesi, disa eksponentë të opozitës shqiptare kanë dhënë alarmin për rreshtimin e shqiptarëve në krah të militantëve islamikë në Siri, çdo mund të ketë pasoja të rënda për imazhin e Shqipërisë.   

 

Rekrutimet nga Turqia 

 

 Pjesëtarët e Fondacionit Humanitar “IHH”, të cilët u ndaluan në provincën jugore të Kilis, si pjesë e një operacioni kundër organizatës terroriste Al QAEDA, kanë rekrutuar shqiptarë në Tiranë për të luftuar në Siri. Burime diplomatike të shtetit turk, bënë me dije se 90 shqiptarë në Tiranë janë rekrutuar nga Turqia. “Grupi i fundit që ishte rekrutuar përbëhej nga 90 shqiptarë të cilët kishin fluturuar nga Tirana në Stamboll me një avion turk nr 1078 në qershor të 2013. Pavarësisht përpjekjeve të IHH për të rekrutuar ushtarë për Ushtrinë Çlirimtare të Sirisë, rreth 450 shqiptarë myslimanë dezertuan pas disa javësh luftime dhe bashkimit me al Nusra Front, një grup i Al QAEDA që drejtonte luftën e kryengritjes”, kanë cituar mediat turke.   

 

 Ekspertët japin alarmin

 

  Ekspertët e sigurisë japin alarmin për rreshtimin e shqiptarëve në krah të militantëve në luftën e Sirisë. Ekspertë sqarojnë edhe mënyrën e organizimit të militantëve për të rekrutuar luftëtarë në Siri. Faqet e Facebook tregojnë se islamikët po përdorin internetin për të rekrutuar luftëtarë për organizatën ISIS (Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë), një grup i lidhur me Al QAEDA. Një faqe në Facebook, e quajtur Krenaria Islame, ka më shumë se 2500 ndjekës dhe poston foto e propagandë në emër të shqiptarëve që luftojnë për ISIS në Siri. Ekspert i sigurisë në Tiranë, Arjan Dyrmishi, pohon se një numër kaq i madh ndjekësish janë një kërcënim. “Nëse të gjithë ndjekësit e kësaj faqe identifikohen si terroristë, kjo do ishte një ushtri e vogël, e cila mund të përbëjë një problem të madh. Një numër kaq i madh ndjekësish do ishte një kërcënim, edhe nëse këta njerëz thjesht identifikohen si mbështetës të Islamit politik”, thotë Arjan Dyrmishi.   

 

 Organizimi 

 

Po si janë organizuar militantë dhe raporti i tyre me Al QAEDA. Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë, ISIS, u themeluar në vitet e para të luftës në Irak. Ata u angazhuan për besnikëri ndaj Al QAEDA në vitin 2004, duke u njohur edhe si Al QAEDA në Irak. Grupi, i përbërë nga një numër grupesh rebele, fillimisht tentuan që të ngrenë një kalifat suni në Irak, por që prej atëherë i kanë shtrirë synimet e tyre, duke përfshirë edhe Sirinë. Faqja në Facebook, Krenaria Islame, përfshin video të xhihadistëve, të përkthyera në shqip, vlerësim për muxhahedinët me prejardhje shqiptare, që kanë vdekur duke luftuar në Siri dhe video ku sulmohet demokracia si e papërputhshme me Islamin. E njëjta faqe fton myslimanët shqiptarë të bashkohen me organizatën, duke lëshuar lëvdata për ish- liderin e Al Kaedës dhe terroristin Osama Bin Laden.  

 

Rreziku për Shqipërinë 

 

 Nën presionin e SHBA dhe fuqive perëndimore, organizata terroriste si Al Kaeda po fokusohen në këtë kohë në objektiva më të butë dhe po punojnë me grupe të vogla. “Megjithatë, edhe një grup i vogël personash të radikalizuar mund të jetë një sfidë e madhe për sigurinë kombëtare. Të gjithë veteranët që kthehen nga konflikti në Siri janë kërcënim për shkak të pikëpamjeve të tyre ideologjike si promovues të Islamit politike, por edhe për shkak të faktit se në çdo moment çdonjëri prej tyre mund të kryejë sulme të ngjashme si ato që kemi parë në Londër dhe Paris,” thonë ekspertët. Ata kujtojnë vrasjen shokuese në rrugët e Londrës të një ushtari britanik nga islamikë ‘të vetmuar’, dhe plagosjen e një ushtari francez në një patrullë në Paris vitin e shkuar.  

 

Reagon Komuniteti Mysliman

 

Komunitetin Mysliman në Tiranë ka reaguar pas lajmeve për rekrutimin e shqiptarëve në luftën e Sirisë. Nënkryetari i këtij komuniteti, Gazmend Aga, ka deklaruar se besimtarët shqiptare që kanë shkuar në Siri për “Xhihad”, ose e njohur si “Lufta e shenjtë”, janë mashtruar, pasi një nismë e tille bie ndesh me parimet bazë të fesë myslimane. Përfaqësuesi i Komunitetit Mysliman në vend ka shuar edhe më tej, kur thotë se janë porositur klerikët nëpër xhami që t’u tërheqin vëmendjen besimtarëve që të jenë të kujdesshëm ndaj çdo nxitje të tillë. Në Siri, ku jeton dhe një komunitet shqiptar, krahas luftës me mbështetësit e presidentit Bashar al-Assad ka dhe një përplasje mes tre grupeve në radhët e rebelëve. /sot news/ 

 
Lajme Shqip Tuesday, 14 January 2014 21:16

15 ushtarët vullnetarë shqiptarë në Siri, në krye me komandantin e tyre Lavdrim Muhaxherin, janë shfaqur se bashku në një fotografi e cila tani po bënë xhiron në rrjetet sociale.

Përveç komandantit të tyre, të gjithë të tjetër janë të maskuar. Në duar mbajë armë nga më të ndryshmet, ndërsa në mes kanë një mitraloz të kalibrit të madh. Disa prej tyre kanë ngritur nga një gisht që do të thotë Allahu është një, raportojne mediat shqiptare.

Të dhënat e fundit jozyrtare që vijnë nga media të ndryshme, thonë se, në luftën e Sirisë ndodhen rreth 750 shqiptarë nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia. Vetëm javën e kaluar u raportuar për vrasjen e tre shqiptarëve nga Kosova, dy nga Kaçaniku e një nga Prishtina.

 

 
Lajme Shqip Monday, 13 January 2014 10:52

“Muajin e kaluar 37 shqiptarë, 15 nga Kosova dhe 22 nga Shqipëria, gjithashtu edhe 19 boshnjakë u kthyen në vendet e tyre”, i kanë thënë agjencisë FNA burime brenda grupeve militante.

Këto burime kanë bërë të ditur se grupi Jamaat al-Islamiya në Kosovë, i ka bërë thirrje luftëtarëve të saj për të ndaluar luftimet në Siri dhe të kthehen në shtëpitë e tyre, duke shtuar se shtetasit e vendeve të tjera kanë lënë Sirinë dhe tani janë vendosur në krahinat jugore të Turqisë, duke ngelur të përhumbur pa viza dhe pasaporta .

Sipas këtyre burimeve, gjendja e dëshpërimit midis militantëve të huaj është thelluar, pas përparimeve në rritje të ushtrisë siriane në pjesë të ndryshme të vendit, të kontrolluara dikur prej rebelëve të armatosur, shoqëruar edhe me dallime të ashpra mes grupeve terroriste Salafi dhe Vehabi që luftojnë gjithashtu në Siri.

Burimet thonë se premtimet e grupeve Salafi që rekrutonin të rinjtë evropian, ishin aq tërheqëse sa kur ata arritën në Siri, i grisnin, digjnin apo i dorëzonin pasaportat e tyre te udhëheqësit e grupeve.

Raportet e mëparshme njoftonin se qindra shqiptarë myslimanë kanë qenë të rekrutuar nga Turqia dhe janë dërguar më pas në Siri, pas trajnimeve ushtarake që i merrnin në Turqi, për të marrë pjesë në luftë të armatosur kundër qeverisë së Damaskut.

Aty thuhej se një numër prej 769 të shqiptarëve janë dërguar në Siri për t’u bashkuar me të ashtuquajturën “Ushtrinë e Lirë” siriane (AMF).

Një burim, i cili pretendon se ishte atje, por që dezertoi pas dy javësh të luftës në Siri, shtoi se ata të rekrutuar janë transferuar për në Turqi përmes Tiranës, për t’u trajnuar ushtarakisht nga oficerë amerikanë në pension të stacionuar në bazën ushtarake Reyhanli në krahinën jugore Hataj të Turqisë.

Në anën tjetër, vetë javën që po lëmë pas u raportua për tre shqiptarë nga Kosova të vrarë në luftën e Sirisë. /Reporteri/

 

 
Lajme Shqip Friday, 10 January 2014 11:03

Për Komunitetin Mysliman të Shqipërisë nuk ka asnjë dyshim se nëse ka shqiptarë që kanë shkuar në Siri, ata janë mashtruar dhe gënjyer.

Gazmend Aga, nënkryetar i Komunitetit Mysliman në vendin tonë, në një intervistë për “Shqiptarja.com” thotëë se nisma të tilla bien ndesh jo vetëm me ligjet e shtetit, por edhe parimet bazë të fesë.

Ai u bën thirrje besimtarëve myslimanë që nëse duan të bëjnë një gjë për këtë vend, atëherë mund ta bëjnë me anë të lutjes, dhe jo të braktisin atdheun dhe familjen e tyre, detyrimet që kanë ndaj fëmijëve, prindërve dhe shoqërisë.

“Madje këto janë realisht përgjegjësitë obligative për një besimtar, krahas adhurimit ndaj Zotit”, – përfundon apeli i kreut të KMSH-së, për të gjithë myslimanët. 
 
A ka Komuniteti Mysliman dijeni për këtë fakt?

Kryesisht kemi dëgjuar nëpërmjet medias dhe çfarë flitet informalisht. Nuk kemi ndonjë ankesë zyrtare prej besimtarëve apo funksionarëve të KMSH që një gjë e tillë të bisedohet në xhamitë të cilat janë nën juridiksionin e KMSH. Por gjithsesi, që në momentin që filluan të qarkullonin probleme të tilla në publik, ne i kemi porositur punonjësit tanë që tu tërheqin vëmendjen besimtarëve që të jenë të kujdesshëm ndaj çdo thirrjeje e nxitjeje të tillë shumë të dëmshme dhe tragjike për shoqërinë tonë.
 
Nga influencohen besimtarët tanë, në lidhje me fenomenin e fundit që marrin gratë dhe fëmijet me vete?

Nëse ka qytetarë që kanë shkuar nga Shqipëria, mendoj që janë të gënjyer e të mashtruar. Ndoshta ka njerëz që shfrytëzojne gjendjen ekonomike, morale apo mendore të njerëzve të ndryshëm, sepse është realisht shqetësuese që një shqiptar të përzihet në një konflikt me të cilin nuk e lidh asgjë. Nëse ka prej atyre që përpiqen ti veshin një justifikim fetar nismave të tilla, abuzojnë shumë rëndë me fenë, e cila ka ardhur për paqen, sigurinë e mirëqenien. Është totalisht e papranueshme që të bëhen thirrje dhe nxitje për të shkuar në Siri. Jo vetëm në xhami që është e patolerueshme një gjë e tillë, por mendoj që nxitje të tilla duhet të denoncohen dhe të merren masa nga strukturat kompetente.
 
Cili është qëndrimi i Komunitetit Mysliman për të gjithë ata besimtare që nisen në Siri për Xhihad?

Është shumë e gabuar dhe nuk shoh asnjë llogjikë që një Shqiptar të braktisë atdheun dhe familjen e tij, detyrimet që ka ndaj fëmijëvë, prindërve dhe shoqërisë; madje këto janë realisht përgjegjësitë obligative për një besimtar, krahas adhurimit ndaj Zotit.  Shoqëria sot funksionon në bazë të ligjeve, kushtetutave, marrëveshjeve e normave ndërkombëtare dhe janë institucionet përkatëse që bëjnë rregullatorin në momentin e padrejtësive të mundshme. Ajo që predikojmë dhe këshillojmë besimtarët është që të jenë pararojë dhe shembuj të respektimit të ligjit dhe të normave morale të bukura që ka feja jonë për mbarë shoqërinë.

Ndërsa nisma të tilla mendoj se bien ndesh në mënyrë të plotë qoftë me ligjet e shtetit dhe ato ndërkombëtare, po ashtu dhe me normat njerëzore dhe obligimet fetare, të cilat nuk bien ndesh me ligjin. Ne si besimtarë, shqetësohemi e lëndohemi kur preken njerëzit e pafajshëm, kur lëndohen fëmijët, të pastrehët e civilët. Por ajo që mund të bëjmë në këtë rast, është të lutemi që konflikti të mbarojë sa më shpejt. Iniciativat personale për çështje shtetërore zakonisht sjellin kaos dhe probleme të mëtejshme. Feja ka këshillën, lutjen, moralin dhe edukimin.
 
A ndikojnë në harmoninë ndërfetare fryma të tilla?


Iniciativat e nxitura nga ndjenja e urrejtjes, luftës dhe konfliktit në rradhë të parë dëmtojnë individin, familjen, shoqërinë dhe vetë fenë Islame nëse pretendojnë se e bëjnë në emër të fesë. Sigurisht që çdo sipërmarrje radikale prish edhe harmoninë. Është mjaft e qartë që këto janë fryt i padijes dhe manipulimeve. Feja Islame është simbol i paqes, butësisë, mëshirës, harmonisë dhe respektimit të dinjitetit njerëzor. Interpretimet e tjera që nxisin urrejtje dhe konflikt burojnë nga kapriçot e individëve apo grupeve margjinale./Shqiptarja/ 

12