12
 
Lajme Shqip Tuesday, 18 February 2014 13:27

Një bandë shqiptare e trafikut të drogës në Francë është arrestuar nga policia. Mësohet se në pranga kanë rënë gjashtë shqiptarë të moshave nga 20 deri në30 vjeç. 

Aksioni i ndërmarrë nga policia Clermont-Ferrand në provincën e Auvergne në qendër të Francës, pranë Lionit, ka bërë që të sekuestrohet edhe 2,140 kg heroinë dhe 70 gramë kokainë. 

Banda e shqiptarëve që merrej me shitjen kokainës dhe kanabisit, mendohet se e kishte nisur aktivitetin para një vit dhe udhëhiqej nga dy vëllezër, citon “La montagne fr”.

Hetimet kishin nisur në 25 shtator të vitit 2013, kur policia kishte arrestuar një person të droguar dhe gjatë kontrollit në banesën e tij ishte gjetur lëndë narkotike kokainë. Sipas policisë kjo ishte sasia më e madhe e herohinës e sekuestruar në këtë qytet. Vlera e rishitjes së  heroinës, kokainës dhe kanabisit arrinte në 115.000. Gjatë aksionit janë konfiskuar edhe tre automjete.

 

 
Lajme Shqip Friday, 14 February 2014 13:03

Tre shqiptarët, të cilët akuzoheshin për trafik armësh në Jemen janë lënë të lirë. Lajmi është konfirmuar nga vetë shtetasit shqiptarë, të cilët janë duke qëndruar në një hotel në Jemen. Ata shprehen se nuk kthehen dot në vendin e tyre, pasi autoritet nuk ia kanë dhënë pasaportat. 

Mësohet se lirimi i tyre u bë pas një greve urie 3-ditore, që shqiptarët mbajtën brenda në burg.  Ata i kanë bërë thirrje shtetit tonë që t’i kthejë në Atdhe. 

Ngjarja ka datuar mëngjesin e 18 dhjetorit të vitit 2012, ku anija EOS është ndaluar pasi kishte ngarkesa me municion luftarak dhe kjo ka çoi në burgosjen e marinarëve. Në anijen EOS u sekuestruan rreth 180 tonë armatime, municione dhe eksplozivë.

Shtetasit shqiptarë të arrestuar kanë qenë: Arif Bakillari, Nezir Shahaj dhe Mihal Cangonji. Autoritetet jemenase thanë se, ekuipazhi shqiptar i anijes “EOS” është ndaluar pasi ngarkesa me municion luftarak që ishte në bordin e anijes shoqërohej me dokumente të falsifikuara.

Mësohet se anija kishte si destinacion portin Um-Kasr (Umm Qasr) në Irak ku do të shkarkonte ngarkesën me armatim. Më 16 dhjetor, për shkak të një defekti anija kërkoi futjen për riparim dhe furnizim me karburant në portin Mukalla. Tri ditë më pas autoritetet ndërhynë duke sekuestruar ngarkesën dhe ndaluar ekuipazhin e përbërë nga tre shqiptarë, dy indianë dhe një shtetas grek. EOS u ngarkua në Tivar të Malit të Zi me armatim e municione për llogari të një kompanie serbe me destinacion Irakun. Nga Greqia, vendi ku drejtimin e anijes e mori kapiteni Ari Bakillari, anija ka bërë disa ndalesa përfshirë dhe Somalinë, vendin me veprimtari të lartë të piraterisë detare. Itinerari u ndërpre në Jemen, ndërsa lëvizjet e anijes u bënë pjesë e një hetimi të strukturave të Kombeve të Bashkuara. 

Në janar të këtij viti, Presidenti i Jemenit fal tre marinarët shqiptarë. Presidenti i Republikës së Jemenit, Abd Rabbuh Mansur Hadi, ka kërkuar që çështja e anijes së bashku me ngarkesën e saj të mbyllet. Më tej në dokumentin zyrtar përcaktohet qartë që anija të kthehet në Irak, duke i kërkuar këtij vendi që të marrë përsipër angazhimin ligjor për të mos përsëritur më veprime të tilla. 

Por, edhe pas këtij dekreti, dy prej shqiptarëve qëndruan deri dje në burgun e Mukallës, ndërsa mekaniku i anijes doli i lirë nga gjykata më 5 janar të këtij viti. Konkretisht në burgun e Jemenit ndodhej kapiteni i anijes, Arif Bakillari dhe oficeri i parë, Mihal Cangonji, ndërsa ka qenë i lirë mekaniku Nezir Shahaj.

 
Lajme Shqip Monday, 10 February 2014 16:21

Ekzekutim me varje pritet të jetë dënimi për katër shqiptarët që u arrestuan nga policia kineze disa ditë më parë, si pjesë e një rrjeti ndërkombëtar për trafikimin e drogës dhe qenieve njerëzore, bën me dije NOA.

Kina ka një ligj të fortë për luftimin e drogës, ku trafikantët  e drogës  apo të njerëzve ekzekutohen në vdekje pa ndonjë mundësi për t’u mbrojtur me avokat.

Ata u ndaluan në qytetin Xinhua dhe se vepronin në bashkëpunim me një grup trafikantësh nga Nigeria, ku edhe u arrestuan 30 shtetas nigerian. Ky rrjet ndërkombëtar vite me radhë ishte nën hetime dhe në këtë operacion ishte përfshirë edhe policia italiane dhe ajo e Togos, të cilat i ofruan informata shtesë policisë kineze.

Nga informacionet e grumbulluara shpjegohet se shqiptarët nga Shqipëria përmes rrugëve ilegale sillnin në Kinë lëndë narkotike të llojit marijuanë, ndërsa gjatë kthimit ata merrnin refugjatë duke i premtuar tokën italiane. Kinezët paguanin shuma të mëdha parash për të mbërritur në destinacionin e kërkuar evropian.

Sipas informacioneve të policisë kineze, një nga shqiptarët kishte krijuar një rrjet të prostitucionit në këtë qytet detar duke ofruar kinezëve “femra të bardha”.

Aksioni i arrestimeve u konfirmua edhe nga komandanti i forcave speciale Mario Parente në Romë.

 

 
Lajme Shqip Sunday, 09 February 2014 15:45

Shqiptari Emin Eddie Egriu është kandidat për nëKongresin Amerikan. Diaspora shqiptare i bën apel të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen, “të japin kontributin e tyre për të bërë të mundshme që Eminitë jetë përfaqësuesi i shqiptarëve në KongresinAmerikan”.

“Një zë i një shqiptari në Kongres mund të ndryshojë shumë gjëra të cilat ne na qëndrojnë pingul mbi kokë duke mos mundur t’i realizojmë me dekada të tëra. Ky zë numrin e dekadave e redukton në vite, prandaj fuqia e zërit të një shqiptari në Kongresin Amerikanështë shumëfish më e fuqishme për të realizuar aspiratat tona!

Ftojmë artistët tonë në SHBA, Eliza Dushku, James Belushi, Stan Dragoti, Agim Kaba (aktor në SHBA), James Biberi (aktor në SHBA) gjithashtu edhe të gjithë personat publik si këngëtarët, modelet, Emina Cunmulaj (modele e njohur në SHBA) dhe shumë artistë të tjerë të cilët do të bënin të mundur që Emini të jetë më afër se kurrë Kongresit Amerikan.

Emini në Kongresin Amerikan do të ishte pasuria më e madhe të cilën ne mund të imagjinojmë aktualisht, prandaj mos kurseni mundin”, thuhet në komunikatën e Mërgatës shqiptare në SHBA, drejtuar të gjithë shqiptarëve.

 
Lajme Shqip Friday, 24 January 2014 16:53

Një shkollë fillore në Berlin merr emrin e një shqiptari. Bëhet fjalë për shkollën e tetë të integruar, e cila qysh në këtë vit shkollor, në gjysëmvjetorin e dytë do të mbajë emrin e Refik Veselit, një heroi të heshtur shqiptar të njohur si njëri ndër bashkëkombësit e tij jo të pakët që kanë shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Autoritetet e shkollës kishin marrë që më herët vendimin për emrin shqiptar të shkollës së tyre, por procedurat burokratike e kishin shtyrë këtë për një kohë. Së fundi, edhe enti për arsim i qarkut Friedrichshain-Kreuzberg e ka bërë të ditur vendimin.

Refik Veseli, në kohën Luftës së Dytë Botërore, kur ishte 17 vjeç, kishte fshehur dhe mbrojtur një familje hebreje që në Shqipëri kishte ardhur nga Jugosllavia, shkruan morgenpost.de.

Veseli kishte mbajtur edhe pas luftës kontakte me familjen e shpëtuar. Sot ai dhe një numër shqiptarësh janë nderuar me titullin e “Njerëzve të drejtë” nga organizatat hebrenje që kultivojnë kujtimin për holokaustin. /AlbInfo/

 
Lajme Shqip Tuesday, 07 January 2014 21:15

Emigrantët shqiptarë në Greqi janë duke u përballur sërish me pengesa nga shteti fqinj për dokumentet e qëndrimit. Problem sërish janë toponimet. 

Ndërsa pak muaj më parë për shkak të tyre, fëmijëve shqiptarë që kanë lindur në shtetin fqinj nuk iu lejohet kalimi në kufi, këtë herë atyre nuk po iu rinovohen lejet e qëndrimit.

Mijëra familjeve shqiptare iu është dërguar nga shteti grek një letër ku njoftohen se iu lihet në dispozicion vetëm një muaj afat për të bërë rregullimin e vendlindjes së tyre në pasaportat shqiptare, në të kundërt atyre i është komunikuar largimi nga Greqia. 

Vendlindja e fëmijëve shqiptarë të lindur në Greqi është e shkruajtur në shqip, ndërsa shteti fqinj kërkon që ato të shkruhen në gjuhën angleze, duke e vënë këtë kusht për rinovimin e lejeve të qëndrimit në Greqi. 

Iris Hajdinaj është një nënë që të dy fëmijët e saj janë lindur në Greqi, të cilëve i rrezikohet qëndrimi atje. 

“Fëmijëve të mi nuk u është dhënë leja e qëndrimit vetëm për arsyen sepse pasaportat e tyre quhen të pavlera sepse në vend to shkruhet Selanik në vend të Thesaloniki. Ky është një problem shumë serioz. Fëmijëve të mi i skadojnë dokumentet në korrik, por lejen e mëpasshme nuk e dhanë vetëm për këtë arsye, thotë Iris Hajdinaj. 

Si ky rast janë mijëra emigrantë shqiptarë që këto ditë, që ka nisur edhe periudha e rinovimit të lejeve të qëndrimit në Greqi, po përballen me kërkesën e shtetit fqinj për ndryshimin e emërtimit të vendlindjes në dokumentet  e tyre të identitetit. 

Për shkak të afatit të ngushtë, vetëm një muaj që iu është lënë në dispozicion, emigrantët kanë parë si mundësi të vetme të kërkojnë ndihmën pranë zyrave të PS në Greqi, raporton “Top Channel”. 

Kryetari i degës së Selanikut Tomor Demiraj thotë se, pranë zyrës së tij ka dyndje të qindra  bashkëkombasve që po përballen me këtë kërkesë të re të shtetit fqinj. 

“Ne kërkojmë një vendim të shpejtë të mundshëm brenda këtyre ditëve sepse është muaji që shqiptarët ripërtërijnë dokumentet dhe ata po i prishin dokumentet”, thotë Demiraj. 

Për këtë shkak ai dhe drejtues të tjerë të zyrës së PS në Selanik kanë ardhur në Shqipëri për të kërkuar ndihmën e shtetit shqiptar. Ata kanë vënë në dijeni Kryeministrin dhe kanë marrë kontakte me Ministrinë tonë të Jashtme. 

Ndërkohë qindra shqiptarë, që prej vitesh kanë ndërtuar jetën në shtetin fqinj, në kushtet e kërkesës për largim nëse nuk bëhet rregullimi i shkrimit, kanë hapur proces gjyqësor në Greqi. 

Por për ta as kjo nuk është zgjidhje, pasi procesi në gjykata është i tejzgjatur dhe kapërcen afatin njëmujor të lënë nga shteti fqinj. Në këto kushte duket se më të përfituarit janë avokatët grekë, që duke shfrytëzuar  kushtet e emergjencës  janë duke iu vënë tarifa të larta emigrantëve shqiptarë. Pavarësisht kësaj ata thonë se janë gati të paguajnë për shtyrë lejet e qëndrimeve në Greqi. 

Ndërsa nga kontaktet zyrtare në Tiranë iu është thënë se me palën greke po punohet për zgjidhje përfundimtare të çështjes së toponimeve, afati që shteti grek iu ka lënë kërkon, thonë ata, një zgjidhje të shpejtë./shekulli online/ 

 

 
Lajme Shqip Saturday, 04 January 2014 22:21

Një hakmarrje “alla shqiptarçe” e kanë quajtur masakrimin me armë dhe thikë të djalit 12-vjeçar, të Adnan Tafilit mediet suedez. Djali 12-vjeçar i të burgosurit Tafili është plagosur rëndë në Suedi, ku ka marrë azil. 

Sipas medieve suedeze djali i Tafilit, u gjet i rrahur keq në zonën Boda/Hässleholmen në Boras rreth orës 16:30 në prag të Vitit të Ri në një stacion autobusi. 12-vjeçari është qëlluar tri me  armë dhe përveç kësaj është çarë keq në qafë, por që policia nuk e ka konfirmuar.

 

Mediet suedeze

 

Një 12-vjeçar është dhunuar rëndë në Boda në Boras sot rreth orës 16:00. Policia ka nisur një hetim paraprak me akuzën e tentativës së vrasjes pasi djaloshi ka marrë dëmtime serioze.

“Kemi rrethuar zonën dhe aktualisht po kërkojmë dëshmitare. Ende nuk kemi asgjë të sigurt”, shprehet Anki Larsson, oficer policie. “Ka një arsye special, por nuk mund të flas mbi këtë arsye por kjo nuk përbën ndonjë sekret.”

Policia ka vizituar djaloshin në spital por nuk ka dashur të bëjë publike atë që ai ka dëshmuar.

12-vjeçari është dhunuar në ambient të hapur, ndërsa policia tregohet e kujdesshme duke mos dhënë detaje mbi atë që ka ndodhur.

Fillimisht djaloshi është dërguar në spitalin e Boras, por më pas u dërgua në spitalin universitar në Gothenburg për ndihmë më të specializuar.

Ai ka dëmtime serioze por që nuk përshkuar se për çfarë dëmtimesh bëhet fjalë. Policia thotë se për ngjarjen janë vënë në dijeni prindërit. Deri mbrëmë vonë nuk ka pasur asnjë person të arrestuar.

Faqja informative, “GP.se”, raporton se policia është vënë në kërkim të një personi 20-25 vjeç.  Pas krimit ai është parë duke u larguar me shpejtësi nga autobusi i shkollës në Boda. I dyshuari është 180 cm i gjatë, ka flokë të shkurtër dhe mban mjekër. Sipas dëshmive ishte i veshur me të zeza dhe një jelek reflektues.

 

Një çështje e ndërlikuar

Armiqësia brutale dhe e zgjatur mes dy familjeve shqiptare mund të jetë pas tentativës për vrasje të djalit 12-vjeçar të Admir Tafilit, në Boras të Suedisë pak ditë më parë.

Babai i djalit dhe xhaxhai janë në burg për vrasjen e dy vëllezërve. Për shkak të një hakmarrje mbi dy vëllezërit, nga ana tjetër, është vrarë gjyshi i 12-vjeçarit rreth pesë vjet më parë. 

Familja e 12-vjeçarit ka shkuar në Suedi tre vjet më parë, ku kërkuan azil për arsye sigurie. Shtëpinë e familjes së tij e kanë hedhur në erë në vitin 2012. Askush nuk ishte në shtëpi kur ndodhi shpërthimi, por shkatërrimi ishte i madh. Disa muaj më parë babai i 12-vjeçarit u arratis nga burgu i Drenovës, së bashku me gjashtë të burgosur të tjerë, por nuk mundi të dalë nga vendi, ai është arrestuar nga policia lokale në një depo të vjetër në një qytet të afërt./shekulli/

 

 
Lajme Shqip Monday, 30 December 2014 12:33

Athinë- Shqiptarët në Greqi përjashtohen nga asistenca familjare. Sipas “Plus, gazeta e Athinës”, përmes procedurave të reja shqiptarët janë përjashtuar nga asistenca në vendin fqinj. Më në fund zbulojmë vendimin ku bazohen nëpunësit e OGA (Entit të Siguracioneve Bujqësore), për të përjashtuar lehtë e bukur shqiptarët emigrantë, nga asistenca familjare A21. Kaluan muaj të tërë, madje disa prej jush e keni marrë edhe këstin e parë, për të zbuluar se çfarë fshihet në të vërtet, pas refuzimit këmbëngulës të nëpunësve. Në njësinë qendrore të OGA, në rrugën “Averof” 7, ku detyrimisht drejtohen të gjithë banorët e Atikës e zonave të afërta, radha është pafund.

Çdo ditë aparatura në hyrje lejon deri në 250 numra, për t’ju shërbyer të interesuarve për procedurën. Pa ekzagjerim, numrat mbarojnë e shumta deri në orën 10.00 (në 08.30 hapet zyra). E megjithatë, deri në orën 14.30 salla është e mbushur me njerëz. Nuk janë vetëm të huaj, mes tyre ka mjaft grekë. Sepse procedura e re e sivjetshme ka shumë pikëpyetje nga të gjithë, ndërkohë që dhe shlyerja nga shteti grek vonon pa masë. Por kjo nuk ka rëndësi, nëse e përfiton, një moment, akoma dhe muajt e parë të vitit 2014, shuma do të depozitohet në llogarinë bankare. Çfarë duhet të zbulonim ka lidhje me vendimin, sipas të cilit, shtetasit e vendeve të treta nuk përfshihen në vendimin e ri të asistencave. Në sallën pritëse shqiptarët reagojnë të indinjuar, madje disa prej tyre guxojnë të flasin me ton të lartë. Unë paguaj gjithë taksat! –thotë një prej tyre. Tjetri i kërkon nëpunësit ku e ka vendimin. Nëpunësi, nga ana e tij gjithashtu mjaft i indinjuar (ç’e gjeti me këta emigrantët nëpër këmbë, pse s’venë andej nga erdhën!!!) i tregon vërtetimin. Por është i njëjti me atë që kemi vendosur në gazetë, fjalë për fjalë, si në greqisht dhe në shqip. Në asnjë kënd, cep, pikëpresje, nuk përjashtohet askush. Përkundrazi, thotë se kusht bazë është qëndrimi ligjor 10-vjeçar në Greqi, që vërtetohet nga deklaratat tatimore të fundit. Përveç kësaj, ka familje shqiptare, me dokumente si emigrantë (jo minoritarë) që e kanë marrë një shumë. Një ngatërresë e tërë.

Të cilës i jep fund përgjegjësja e zyrës, E.P. në një bisedë pa kasetofon, pa leje zyrtare, por më tepër se sqarues. Menjëherë pas publikimit në Fletoren Zyrtare të Vendimit Ministror për Asistencën Familjare të OGA 27 publikohet një reformë e vendimit ministror me nr 27/.15239/645/16.5.2013, në fletoren zyrtare e gjeni me kodin (??? ?’3180), me titull “Përcaktim i procedurës për asistencën e përgjithshme familjare etj.” e ministrive të Ekonomisë dhe Punës, Sigurimit Shoqëror dhe Ndihmës Sociale. Konkretisht, në paragrafët e nenit 2, ky vendim i ri ministror përcakton dhe përfituesit si më poshtë: 2. Përveç sa më sipër, sipas kategorisë së përfituesit kërkohen fotokopje të sigluara të: -Dokument i qëndrimit të ligjshëm për shtetas të vendeve të BE-së -Letërnjoftim i posaçëm për homogjenët, omogjenët e huaj (minoritarët). -Leje qëndrimi për shtetasit e vendeve të treta nga zona europiane e shteteve si Zvicra, si dhe shtetas të vendeve të tjera jashtë BE-së, europiane, që qëndrojnë në mënyrë të ligjshme në Greqi dhe janë prindër të fëmijëve me shtetësi greke. -Letërnjoftim i posaçëm për shtetas të huaj azilantë politik, refugjatë, të cilët kanë përfituar këtë status.

-Letërnjoftim i posaçëm për qëndrimin e shtetasit të huaj i njohur me statusin e refugjatit, ose për sa nuk kanë statusin e refugjatit por janë pajisur me leje qëndrimi për arsye humanitare. Siç e vini re më sipër dhe në foto, vendimi i ri përcaktues kufizon gamën e përfituesve, duke lejuar shtetasit e vendeve të treta të marrin asistencën vetëm në rast se fëmijët e tyre janë pajisur me pasaportën greke./shekulli/ 

 
Lajme Shqip Monday, 30 December 2014 12:04

Mësimi fillon dhe para nxënësve mban ligjëratë Ibrahim Ibrahimi, që njëherësh është edhe imam i kësaj xhamie. Mësimi jepet kryesisht në gjuhën shqipe, por edhe atë arabe.

Imami thotë se është i kënaqur me pjesëmarrjen e nxënësve në mësim-besim, dhe këtë punë ai e bën ai me plot dëshirë dhe pa obliguar fëmijët që të paguajnë.

“Numri i nxënësve është i kënaqshëm, janë 37 nxënës dhe deri më tash edhe prindërit e fëmijëve janë të kënaqur me mësimin. Qëllimi im është që përveç mësim-besimit, fëmijët tanë të mësojnë edhe të flasin gjuhën shqipe. Për të lexuar në gjuhën shqipe, në fillim fëmijët kanë pasur shumë probleme, mirëpo tani kanë përparuar shumë në këtë drejtim”, thotë Ibrahimi.

Ai po ashtu shpreh gatishmërinë që të bashkëpunojë me shkollën shqipe, përkatësisht me LAPSH-in, në mënyrë që së bashku të ruajnë dhe mbrojnë gjuhën dhe identitetin e kombit. Kjo vlen sidomos për më të vegjlit, që janë lindur e rritur në Zvicër.

Dardani, Endriti dhe Arjeta janë disa ndër nxënësit e rregullt që ndjekin mësimet e fesë islame.

“Jam Dardan Ajeti, jam 14 vjeç dhe me dëshirë i ndjek mësimet e fesë. Kurse do të ishte mirë të shkoja edhe në shkollën shqipe”

“Unë jam Endrit Shabani dhe jam 12 vjeçar. Në mësimin e fesë shkoj qe një vit. Aty mësojmë shqip dhe duatë arabisht. Në shkollën shqipe kam qenë një vit, por tash nuk jam më”.

“Quhem Arjeta Beadini, jam 12 vjeçare dhe mësimet e fesë i ndjek tash dy vite, vij me qejf këtu. Në shkollën shqipe nuk kam qenë asnjëherë, mirëpo këtu jam mësuar mjaft mirë që të lexoj shqip. Arsyen pse nuk shkoj në shkollë shqipe s`di ta them. Ndoshta prindërit nuk më kanë propozuar asnjëherë që të shkoj në shkollë shqipe”

Mungon mbështetja institucionale por edhe interesimi i prindërve

“Ka shumë vjet që hetohet një rënie e vogël e numrit edhe ashtu të vogël të nxënësve në mësimin plotësues në gjuhën shqipe. Arsyet për një gjendje të tillë janë të ndryshme, duke filluar nga mungesa e mbështetjes financiare nga ana e institucioneve përkatëse të Republikës së Kosovës, interesimi jo i madh i prindërve për t’i dërguar fëmijët e tyre në shkollën shqipe, fakti që ky mësim është me vetëdashje, pra prindërit janë ata që vendosin a duan apo jo t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollën shqipe, integrimi i komunitetit shqiptar në shoqërinë zvicerane, ku një pjesë e fëmijëve dhe të rinjve nuk dëshiron të identifikohet si pjesëtar i etnisë së vet, mungesa e përkrahjes së plotë nga ana e shtetit zviceran (ngase ka vende si Austria, Suedia, disa lande të Gjermanisë që e kanë marrë përsipër edhe financimin e këtij mësimi).

Gjithashtu ka një mungesë të mësuesve të përgatitur mirë për një mësim të tillë me shumë klasa e nivele, pastaj angazhimi i shumë fëmijëve nëpër aktivitete të tjera të lira, sidomos në futboll, e këto aktivitete zakonisht zhvillohen në të njëjtën kohë kur mbahet mësimi në gjuhën shqipe, pra pas kohës së rregullt të mësimit etj…”, numëron Maloku kështu shkaqet e shumta të kësaj gjendje.

Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “N. Frashëri“ në Zvicër në këto kushte në të cilat vepron ka bërë e po bën përpjekje të ruaj vijueshmërinë e këtij mësimi, duke shpresuar se do të vijnë ditë më të mira”, shton ai.

 

Shkollat Shqipe kanë nevojë për më shumë ndihmë

MASHT në kuadër të saj ka një njësi e cila përkujdeset për mësimin plotësues në diasporë dhe në këtë fushë ka bërë punë të ndryshme, duke filluar nga rregullativa ligjore, hartimi i kurrikulës për mësimin plotësues, e deri te organizimi i seminareve për mësuesit e mërgatës.

Një punë shumë e vlefshme është bërë me krijimin dhe botimin e teksteve për tri nivele për mësimin plotësues, punë kjo e realizuar në kuadër të një projekti i financuar nga pala zvicerane në bashkëpunim të ngushtë me Fakultetin e Edukimit në Cyrih dhe me një ekip të mësuesve të mërgatës si dhe të autorëve nga Kosova.

Këto tekste (Fletore tematike) tashmë janë në duar të nxënësve jo vetëm këtu por në mjaft vende të botës ku mbahet mësimi plotësues në gjuhën shqipe. Ministria e Diasporës i ka sjellë këto tekste në Zvicër.

Shkolla shqipe e mësimit plotësues në Zvicër ka nevojë imediate për një përkrahje më të thellë, në mënyrë që të arrihet të ruhet identiteti i fëmijëve dhe të rinjve tanë këtu. Për t’u realizuar kjo është e domosdoshme të bëhet më tepër” thotë Maloku.

Sido që të jetë, numri gjithnjë e më i vogël i fëmijëve shqiptarë që vijojnë mësimin plotësues në shkolla shqipe, duhet të jetë një alarm së pari për institucionet e Kosovës dhe po ashtu për komunitetin shqiptar në Zvicër. Se çfarë hapash do të ndërmarrin në të ardhmen institucionet e Kosovës dhe i LAPSH-i në Zvicër, mbetet të shihet. (Albinfo)

 
Lajme Shqip Saturday, 28 December 2013 18:42

Një student italian është vënë në pranga pasi ka tentuar të dhunojë me një shkop bejsbolli një shtetas shqiptar.

20-vjeçari italian u arrestua pasi policia dëgjoi të bërtitura në një stacion karburanti në Bolonja sot rreth orës 01:40.

Studenti është kapur nga karabinierët duke goditur shqiptarin në sheshin “Verdi”. Por ndërhyrja e menjëhershme e policisë ka parandaluar dhunimin e mëtejshëm të shqiptarit. 

Sherri mes tyre besohet se ka nisur për arsye banale, ndërsa policia e ka ende të paqartë se ku e gjeti shkopin e bejsbollit studenti. Si agresori edhe shqiptari janë nën hetim. Studenti italian akuzohet për sulm me mjete të forta.

12