Lajme Shqip Monday, 02 December 2013 15:21

Shkup- Gjuha shqipe edhe më tutje vazhdon të nënçmohet në Fondin Republikan të Shëndetësisë, thonë për “Lajm” burime partiake. Është interesant se informatat për këtë nënçmim të shqipes vijnë pikërisht nga anëtarë të BDI-së, që janë të revoltuar nga mënyra se si është rregulluar tani e drejta e drejtorit shqiptar të nënshkruhet në dokumentet zyrtare.

Ata kanë dërguar në adresën tonë kopje të një dokumenti që dëshmon se drejtori shqiptar i fondit Xhemali Mehazi, nuk ka fituar të drejtën e plotë të nënshkruhet në gjuhën shqipe, siç pretendoi para do kohe me deklaratat e veta në media.

Në këtë dokument vërehet se para se të shkruajë emrin në gjuhën shqipe, Mehazi është i detyruar të shkruajë emrin e tij në gjuhën maqedonase si ЏЕМАЛИ МЕХАЗИ.

“Ja se çfarë kuadro ka dërguar BDI në poste të larta. Kjo është turp. Ky rast tregon nënçmim klasik të gjuhës shqipe. Më mirë të ishte nënshkruar vetëm në gjuhën maqedonase, se sa shqipja të degradohet në këtë formë”, thotë një burim në BDI, që insiston të mbetet anonim.

“Lajm”të dielën nuk ka arritur të kontaktojë me përfaqësues të FSSH-së, për të marrë qëndrimin e tyre lidhur me këtë zgjidhje, që vlerësohet sërish si skandal.

Mehazi para një kohe u lavdërua se ka përfunduar “lufta” mes tij dhe drejtoreshës maqedonase Maja Parnaxhieva Zmejkova lidhur me të drejtë që të nënshkruhet shqip. Mirëpo me këtë rast ai nuk përmendi se para se të nënshkruhet shqip, duhet fillimisht të nënshkruhet në gjuhën maqedonase.

Ndërkaq një muaj më parë, drejtoresha Parnaxhieva Zmejkova, ia pat ndaluar plotësisht Mehazit që ta shkruajë emrin e tij me shkronja shqipe.

Në dokumentet që pat siguruar “Lajm”, drejtoresha Parnarxhieva Zmejkova pat kërcënuar të punësuarit në Fond me masa disiplinore, nëse në ndonjë dokument përdoret alfabeti latin.

Më datë një tetor të këtij viti drejtori Mehazi, me anë të një kërkese të bërë me shkrim ka kërkuar nga kolegët që përgatisin lëndë që duhet të nënshkruhen nga ai, t’ia shkruajnë emrin me shkronja latine.

Në të njëjtën datë i është përgjigjur drejtoresha Zmejkova, ku thotë se nuk do të ketë ndryshime në mënyrën e të shkruarit të korrespondencës në nivel të FSSH. “Gjuha maqedonase dhe alfabeti cirilik në përputhje me aktet ligjore të Republikës së Maqedonisë është mënyra zyrtare e korrespondencës me shkrim dhe për këtë arsye të gjitha aktet në FSSH do të përgatiten në mënyrën që janë përgatitur deri tani. Të dy nënshkrimet me kompetenca të barabarta në FSSH në vendin për nënshkrim të dokumenteve do të shkruhen në gjuhën maqedonase në alfabetin cirilik, njëjtë si në periudhën e mëparshme”, thuhet në përgjigjen e drejtoreshës Zmejkova.

Ndërkaq, më 8 tetor, drejtoresha Zmejkova ka dhënë urdhër që askush nuk guxon të përgatisë dokumente me alfabet latin, pasi do të sanksionohet me masa disiplinore.

Edhe përfaqësimi i shqiptarëve dhe gjuhës shqipe në FSSH është në gjendje të mjerueshme.

Në njësitë rajonale të Fondit në Gostivar, Strugë, Kërçovë, Manastir e Shkup ka vetëm tre për qind shqiptar. Në viset e banuara me 20 për qind shqiptar s’ka asnjë kërkesë në gjuhën shqipe. Gjithçka bëhet në maqedonisht dhe në alfabetin cirilik. Ndërkaq prej shtatë udhëheqësve të sektorit vetëm njëri është shqiptar. Prej 30 udhëheqësve të njësive rajonale, vetëm tre janë shqiptar.

Ueb faqja e Fondit për Sigurime Shëndetësore është vetëm në gjuhën maqedonase.

 
Lajme Shqip Thursday, 28 November 2013 12:54

Shkup- Një incident është shënuar mëngjesin e sotëm kur disa të rinj shqiptarë kanë tentuar të vendosnin flamurin kombëtar në pjesën ballore të Kalasë së Shkupit.

Alsat-M raporton se ka qenë ndërhyrja e Policisë ajo që ka penguar qëllimin e patriotëve të rinj nga Shkupi.

Rasti është denoncuar pranë medias nga qytetarë shqiptarë, ndërsa Policia nuk është prononcuar ende zyrtarisht.

 
Lajme Shqip Tuesday, 12 November 2013 17:27

Shkup- Persona të panjohur kanë rrahur brutalisht një shtetas të Kosovës, që kishte ardhur për vizitë në Shkup.

 

Sipas policisë, persona të panjohur, njëri prej të cilëve i armatosur, kanë sulmuar 40 vjeçarin dhe më pas i kanë marrë edhe 500 euro që i kishte me vete. Incidenti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 21.15 në pjesën qendrore të Shkupit, transmeton ina.

Policia theksoi se ka ndërmarrë masat për zbardhjen e incidentit, ndërsa viktima është dërguar për shërim në spitalin e qytetit. 

 
Lajme Shqip Friday, 16 August 2013 13:01

Shkup – Lideri i shqiptarëve në Maqedoni, Ali Ahmeti, po bëhet gazi i botës. E kjo fatkeqësisht nuk është hera e parë, e me gjasë nuk do të jetë as e fundit!
Rasti i parë u shënua më 28.02.2006, atëherë ku z. Ahmeti pretendoi se Pentagoni ngriti flamurin amerikan për nder të tij.
Asokohe, “Dnevnik” fillonte artikullin me titull “Ahmeti e ka valëvitur flamurin në Pentagon”?, ndërsa artikulli fillonte me deklarimin e Bashkimit Demokratik për Integrim që pretendonte se flamuri në Pentagon ishte ngritur për nder të kryetarit Ali Ahmeti.
Ndërsa hera e dytë, ndodhi pikërisht më 13.08.2013, kur BDI e lansoi lajmin e ngritjes së flamurit amerikan në Capitol Hill sërish për “nder” të Ali Ahmetit njofton Almakos.
Bashkimi Demokratik për Integrim plasoi në media lajmin se “Flamuri amerikan ngritët në Capitoll Hill për nder të Ahmetit”. Ishin siguruar fotografi nga ceremonia zyrtare e valimit të flamurit kombëtar amerikan mbi Capitoll Hill në Washington DC për nder të Kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, që u bë më 13 gusht, me rastin e përvjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes paqësore të Ohrit.
Gafa e parë u demantua shpejt nga disa media që ironizuan me pyetjen se mos vallë Ali Ahmeti e ka marrë me vete flamurin. Madje, edhe vetë ambasada e SHBA-ve e kishte demantuar një lajm të tillë.
Mirëpo, kjo nuk mjaftoi që ta mbush me mend hierarkinë e BDI-së, ata vijuan me mashtrimin e radhës dhe keqpërdorimin e shtetit amerikan duke pretenduar se në Capitol Hill, Washington DC sërish u ngrit flamuri për nder të kryetarit Ahmeti.
Vlen të sqarojmë se në të dyja rastet flamuri amerikan vendoset për nder të çdo qytetari që mund të bëjë një pagesë modeste dhe se deri më tani, flamuri në këto vende është ngritur për nder të mbi 100.000 personave, e ndër të cilët është edhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, z.Ali Ahmeti. Pra, kushti i vetëm për këtë “nder” është të paguash.
Pas hulumtimit që Almakos i bëri këtij programi në faqet publike arritëm deri tek konstatimi se bëhet fjalë për një program publik ku kërkesë për ta ngritur flamurin mund të bëjë çdo qytetar amerikan, i cili kundrejt një shume të caktuar merr flamurin që është ngrit bashkë me certifikatën ku shënohet identiteti i personit në emër të të cilit është bërë kërkesa që të ngritet flamuri. Madje, ka ndodhur që vetëm brenda një dite të vetme të ngriten 300 flamuj përmes këtyre shërbimeve me pagesë.
E kontaktuar, ambasada e SHBA-së ka preferuar që mos të komentojë asgjë.

 

 
Lajme Shqip Thursday, 15 August 2013 17:17

Tetovë  – Në kujtim të politikanit, shkrimtarit dhe intelektualit të mirënjohur Arbën Xhaferri, kryesiaqendrore e Partisë Demokratike Shqiptare bëri homazhe në qytetin e Tetovës.

Ata kujtuan veprën e Xhaferit duke folur fjalë miradie. Akademia qendrore përkujtimore do mbahet në Pallatin e Kulturës në Tetovë, ku do të jenë të pranishëm familjarë, miq, kolegë.

 

Gjendja e shqiptarëve nuk është përmirësuar

 

Gjendja e shqiptarëve jo që nuk është përmirësuar në këtë 10 vjeçar të fundit në Maqedoni, por ajo vazhdon të përkeqësohet.

Kjo u deklarua sot nga kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi pas një takimi që zhvilloi sot në Tetovë me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili do të jetë pjesë e ceremonisë së përkujtimit të njëvjetorit të ndarjes nga jeta të Arbën Xhaferrit. Në këtë takim ka marrë pjesë edhe këshilltari i liderit të AAK-së, gjenerali Stiven Schook. 

 “Sot, kisha nderin që të pres Ramush Haradinaj, kryetarin e AAK-së.  Personalitet i shquari i kombit tonë, Haradinaj shprehu dëshirë që të mer pjesë në përvjetorin e kujtimit të kryetarit tonë Arbën Xhaferi. Padyshim se biseduam edhe çështje tjera politike. Haradinaj shprehu interesim për gjendjen në Maqedoni, për pozicionin e shqiptarëve, unë i dhash vlerësimet tona dhe gadishmërinë tonë të jemi kontribues e njoftova që gjendja e shqiptarëve jo që nuk është përmirësuar në këtë 10 vjeçar të fundit, por vazhdon të keqësohet ende më shumë, në aspektin e realizimit të drejtave të tyre fundamentale, si në aspektin e vërshtirësive ekonomike, ashtu edhe në aspektin e vështirësive sociale”, theksoi Menduh Thaçi, raporton INA.

Ndërsa, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj theksoi se ndjehet i emocionuar dhe nderuar që merrë pjesë në këtë përvjetor dhe për të takuar kreun e PDSH-së, Menduh Thaçi.

“Është një moment me ndjenja të përziera për mua, para një viti kur u nda nga jeta zoti Arbën Xhaferi nuk munda me marr pjesë në varrim, por pata rastin me vendos lule mëpastaj, jam i nderuar që mund të mar pjesë në përvjetorin e parë, por poashtu për të takuar edhe mikun tim, kryetarin e PDSH-së Menduh Thaçi me bashkëpunëtorët, një forcë politike serioze që ka artikuluar që nga fillimi i saj interesin e shqiptarëve në Maqedoni, kemi biseduar për zhvillimet e fundit këtu dhe në Kosovë, poashtu edhe për një partneritet të vazhdueshëm që e kemi si dy parti të djathta, shqiptare, të konfirmuar me një memorandum bashkëpunimi. Pra është në vazhdën e një bashkëpunimi që kemi pas për të mirën e qytetarëve të dy vendeve”, theksoi Haradinaj.

 

 
Lajme Shqip Wednesday, 14 August 2013 19:34

Gostivar – Komuna e Gostivarit do të ketë nderin që Malik Obama ta vizitoj këtë qytet dhe do të jetë Komuna e vetme e cila do të vizitohet jashtë kryeqytetit nga Obama, vwllai i presidentit amerikan.

Takimi do të realizohet në ora 20:00. Me qëllim për koordinim dhe përgatitje sa më të mirë të vizitës zyrtare Kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, sot ( e mërkurë) priti në takim përfaqësuesit e Klubit Ballkanik për Paqe,Osmo Vtresh – president i organizatës, Nake Dacev – Menaxher Gjeneral, Stavre Gjikov – Koordinator nga këshilli organizativ për vizitën dhe delegacion nga organizata.

Në takim u diskutuan detalet e vizitës dhe parapërgatitjet e nevojshme që vizita të jetë sa më e suksesshme.