Lajme Shqip Wednesday, 19 October 2011 10:34

Kongresi i Këshillit të Europës miratoi me 88 vota pro raportin e raportuesit të partisë popullore gjermane Volkram Gebel për zgjedhjet lokale në Shqipëri.

Në pr/ rezolutën e miratuar kërkohet që Shqipëria të lërë mënjanë zhvillimet paszgjedhore e të shmangë debatet politike por të gjitha palët të bashkëpunojnë për reformat.

Sipas KiE-së secila palë të mbajë përgjegjësitë për situatën e krijuar në vend ndërsa ka theksuar se Shqipëria duhet të ndërmarrë nismat e nevojshme për integrimin e vendit.

Duke iu referuar situatës politike në vend, KiE-ja theksoi se situata është e polarizuar dhe zhvillimet në vend kanë ndikuar në reformat demokratike.

 
Lajme Shqip Friday, 14 October 2011 18:09

Tiranë – Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, ambasadori Eugen Wollfarth, u shpreh sot në një intervistë televizive, se “partitë politike duhet të përgatiten dhe të fillojnë dialogun për reformën e kodit zgjedhor, e cila duhet të nisë pa humbur kohë”.

“Të gjithë e dëgjuam progres-raportin e Komisionit Evropian. Shpresojmë të ketë një efekt kthjellues, por ajo që vëmë re në këtë fazë është se partitë duket se nuk po lëvizin nga llogoret e tyre dhe se janë të përgatitura të rrinë në këto llogore. Kjo nuk është e mirë. Ato nuk duhet të sillen sikur të ishin në vitet 1914-1915, por të përgatiten për të ardhmen dhe të fillojnë reformat, midis të cilave është edhe reforma zgjedhore”, ka thënë Wollfarth.

Sipas tij, “rregullorja e Kuvendit do të ishte një fillim shumë i mirë dhe ka pasur propozime lidhur me këtë. Propozimet kanë ardhur edhe nga Partia Socialiste në formën e një katalogu, i cili është i hapur dhe duhet të kontribuojë si bazë për atë dialog që nevojitet vërtet për ta përgatitur Shqipërinë për të ardhmen, për zhvillimin e kësaj shoqërie, për stabilizimin e institucioneve demokratike, të cilat zakonisht varen nga zgjedhjet e mira.

Duhet të shohim zgjedhje akoma më të mira në të ardhmen. Ne kemi nevojë t’i shohim ato, populli shqiptar meriton t’i shohë”, ka theksuar Wollfarth.

Sipas Wollfarth ajo që duhet bërë tani është, “dialog dhe jo hedhje e fajit tek të tjerët”. “Palët duhet të fillojnë dialogun. Nuk ka rëndësi se në çfarë formati. Nuk ka rëndësi nëse bëhet në mënyrë private apo publike. Zakonisht, përgatitjet e mira fillojnë privatisht”, është shprehur Wollfarth.

Gjithashtu, ai thekson se duhet të ndërtohet besimi. “Besimi duhet të zëvendësojë mosbesimin dhe ky besim është i nevojshëm për të ndërtuar të ardhmen e Shqipërisë. Unë kam besim për këtë dhe Prezenca e OSBE-së mbetet gjithashtu e gatshme të japë mbështetjen e saj. Unë kam besim se Shqipëria mund të përgatitet për të ardhmen, por hapat duhet të ndërmerren që tani, ora po ecën dhe kjo vlen edhe për reformën e Kodit Zgjedhor”, ka thënë Wollfarth.

Sipas tij, “rruga e rëndësishme që duhet ndjekur është që palët të bëjnë dialog për çështje konkrete, në vend të debateve të zjarrta”.

“Natyrisht”, vijon ai, “edhe këto debate janë pjesë e jetës parlamentare, por tani palët duhet t’i futen konkretisht punës, të kenë mendime të qarta, të peshuara mirë, të paraqesin drafte të mirëfillta dhe pastaj të kalojnë te vendimmarrja”.

“Kuvendi ka rifilluar punën prej pak më shumë se katër javësh, por deri tani nuk ka pasur ndonjë arritje të rëndësishme. Duket sikur kjo kohë nuk është përdorur si duhet. Kjo kohë duhet përdorur për t’u përgatitur për dialog, për ndërtimin e besimit, për punën mbi projektligjet, përfshirë dhe duke filluar nga reforma e kodit zgjedhor, që ne do të donim ta shihnim së shpejti”, ka theksuar Wollfarth.

Sipas ambasadorit të OSBE-së, “ajo që duhet të kemi gjithnjë parasysh është se shpejtësia e zhvillimit është në dorën e shqiptarëve”.

“Ne mund të japim këshilla, jemi të gatshëm të japim këshilla, kemi edhe durimin për të dhënë këshilla. Mbetet të shihet sa i duruar është populli shqiptar me atë që po ndodh në skenën politike. Ne do të donim të shihnim hapa më të shpejtë. Njerëzit e meritojnë, vendi e meriton dhe kjo do t’i shërbejë edhe përparimit dhe sigurisë në rajon”, ka përfunduar kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth.

 
Lajme Shqip Monday, 26 September 2011 08:56

Tiranë (PLOTËSUAR 12:27) -KQZ votoi me 7 vota pro asgjësimin e fletëve të votimit të 8 majit në datën 25 tetor. Ka patur debate mes anëtarëve për këtë vendim por në fund është rënë dakord për djegien e tyre.

Procesi do të zgjasë deri në 31 dhjetor dhe do të kushtojë 54 milionë lek të vjetra.

Tiranë (PLOTËSUAR 12:05) – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nisi të hënën shqyrtimin e p/vendimit “Për hapjen e kutive të votimit dhe kutive të materialeve zgjedhore, të përdorura për zgjedhjet vendore të 8 Majit”.

Akti i propozuar nga administrata e KQZ-së, është në zbatim të nenit 178, pika 5 dhe 6 të Kodit Zgjedhor. Ai përcakton pastrimin e kutive të materialeve zgjedhore, por edhe atyre të fletëve të votimit. Sipas draft-vendimit, KQZ pritet të vërë në dispozicion rreth 1 milion e 800 mijë lekë për këtë proces, që pritet të zgjasë 60 ditë.

Në fillim të mbledhjes, përfaqësuesi ligjor i PS-së në KQZ, Eridian Salianji, e kundërshtoi aktin, i cili, sipas tij, është i nxituar.

“Fletët e votimit nuk mund të digjen pasi ato janë objekt i kallëzimit penal që PS ka bërë në prokurorinë e Tiranës, për sa i takon rezultatit për kryeqytetin. Fletëvotimet janë prova e vetme që faktojnë manipulimin zgjedhor në bashkinë e Tiranës dhe ato nuk mund të asgjësohen pa u shprehur më parë Prokuroria për kallëzimin tonë”, tha Salianji.

*****************************

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të mblidhet paraditen e sotme për të shqyrtuar projektvendimin “Për hapjen e kutive të votimit dhe kutive të materialeve zgjedhore, të përdorura për zgjedhjet vendore të 8 Majit”.

Ky p/vendim përcakton pastrimin e kutive të materialeve zgjedhore, por edhe atyre të fletëve të votimit. Sipas draft-vendimit , KQZ pritet të vërë në dispozicion rreth 1 milion e 800 mijë lekë për këtë proces që pritet të zgjasë 60 ditë.

Por, përfaqësuesit ligjorë të Partisë Socialiste në KQZ e kanë konsideruar këtë akt si të parakohshëm përsa kohë në Prokurorinë e Tiranës ka një kallëzim penal të bërë nga ky subjekt politik, ku objekt hetimi janë fletët e votimit.

 
Lajme Shqip Thursday, 15 September 2011 12:57

Debate të ashpra janë regjistruar në mbledhjen e KQZ-së të thirrur nga kryetari Arben Ristani për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve lokale të 8 majit.

Si nënkryetarja Dëshira Subashi ashtu edhe anëtari Artan Laze kanë marrë fjalën për të denoncuar ato që i qujanë si deformimet e ligjit gjatë administrimit të zgjedhjeve nga KQZ. Por gjatë kësaj kohe kryetari Ristani nuk i ka lejuar të vijojnë më tej duke i ftuar kolegët e tij që t’i përmbaheshin temës për të cilën ishte mbledhur KQZ.

Në këtë moment, dy anëtarët Subashi e Laze kanë vendosur të braktisin mbledhjen. Ndërkohë mazhoranca në KQZ miratoi vetëm me votat e saj, në këtë rast 4, rezultatin përfundimtarë të zgjedhjeve të 8 majit duke shënuar kështu zyrtarisht edhe nisjen e mandateve për të gjithë bashkiakët dhe komunarët në Shqipëri.

Në komentin e tij të shkurtër për këtë proces, kryetari Ristani citoi edhe njëherë raportin e OSBE-ODIHR-it sipas të cilit zgjedhjet lokale të 8 majit ishin “transparente dhe kompetitive”.

 
Lajme Shqip Saturday, 03 September 2011 18:31

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, votoi sot me 4 vota pro dhe 2 kundër, kërkesën e PD-së, e cila e konsideron të pavlefshëm votimin në komunën Shalë, të Qarkut të Shkodrës.

Sipas kërkesës së përfaqësuesve të PD-së, në zgjedhjet e fundit më 21 gusht në në qendrën 0119, kishin votuar dy banorë të komunës që nuk ishin në listën e zgjedhësve por që kishin marrë pjesë në votim me vendim Gjykate.

Ndërsa përfaqësuesit e opozitës në Komision, e kundërshtuan këtë pretendim, me arsyetimin që banorët kanë votuar në bazë të vendimit, të institucioneve të drejtësisë.

Në këto kushte, kërkesa e komisionerëve të djathtë nuk mori  fuqi vepruese, pasi votimi kërkon 5 vota të anëtarëve të KQZ-së.

Partia Demokratike paraqiti pranë Kolegjit, kërkesën ankimore për pavlefshmëri në komunën Shalë, ku pas numërimit të votave në KQZ, kandidati i PS-së u shpall fitues me 2 vota më shumë se ai i i së djathtës.

Ndërsa mbetet ende i pambyllur rezultati zgjedhor për komunën e Shalës, Partia Demokratike pritet ta rikthejë në fillim të javës së ardhshme, ankimin e saj në Kolegjin Zgjedhor.

Në zgjedhjet e zhvilluara në 21 gusht në komunën Shalë, Partia Socialiste arriti që të fitonte me kandidatin e saj Balë Vuksani me 644 vota, kundrejt 642 votave të Dedë Tonaj nga koalicioni i djathtë.

Me përfundimin e ankimimit për këtë zonë, pritet që KQZ-ja, të shpallë edhe rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 8 majit në vend.

 
Lajme Shqip Saturday, 03 September 2011 13:51

Tiranë – I gjithë spektri i politikës shqiptare, bie dakort për ndryshime të domosdoshme dhe të menjëhershmë në ligjin zgjedhor, jo vetëm për faktin se ka dy palë rekomandime nga OSBE/ODIHR-i, të publikuara pas zgjedhjeve paralamentare të 2009-ës dhe pas zgjedhjeve vendore të 8 majit por edhe për shkak të boshllëqeve që u reflektuan në praktikën zgjedhore, veçanërisht të 8 majit.

Kreu i PDS-së, Paskal Milo, shprehet se për këto ndryshime, është e domosdoshme që të gjenden disa ekuilibra që u prishën me ndryshimet që iu bënë Kodit Zgjedhor, në prill të vitit 2008-të.

“Koha provoi që këto ndryshime ishin të dëmshme për procesin zgjedhor në tërësi por në mënyrë të veçantë krijuan një klimë politike e elektorale të dëmshme për partitë e vogla, për shkak të bashkëpunimit të fshehtë dhe objektivave të njëjta që kishin dy partitë e mëdha, të cilat donin të zhduknin nga skena politike, ato që quhen parti të vogla”, deklaron Milo.

Sipas tij, e gjithë kjo periudhë, që pas 2008-ës, dëshmoi se faji nuk ishte i partive të vogla, të cila kanë shërbyer si instrumente ekuilibri në jetën politike shqiptare por i dy partive të mëdha sepse kriza politike, jo vetëm që nuk u shua por u thellua më tej.
Për një ligj zgjedhor afatgjatë dhe që të jetë një bazë e mirë për të garantuar zgjedhje të lira, të ndershme dhe të barbarta, kreu i PDS-së propozon, që në radhë të parë të korrigjohet sistemi zgjedhor.

“Të paktën të futet elementi i korrektimit kombëtar në sistemin rajona proporcional që ekziston. Kjo për të mos lënë më tej, padrejtësi të hapur që u bëhet partive të tjera, përveç PD dhe PS, votat e të cilave shkojnë në mënyrë të padrejtë në shportën e dy partive të mëdha dhe ato marrin mandatet e deputetëve me djersën e të tjerëve”, nënvizon Milo.

Më tej, aleati i koaliciont të selisë rozë, propozon që “listat e kandidatëve për deputetë duhet të jenë të hapura dhe jo të mbyllura, që ato të varen nga humori i kryetarit të parties”, duke e cilësuar këtë si “element të demokracisë parlamentare”.

Milo parashtron edhe një propozim tjetër, i cili sipas tij, është i lidhur me mënyrën sesi do të funksionojë e gjithë piraminda e administratës zgjedhore duke filluar nga KQZ dhe deri tek komisioni i votimit, në qëndrën e votimit.

“Këto komisione dhe veçanërisht KQZ, duhet të kenë një natyre dhe përbërje tjetër. Apsolutisht që duhet hequr dorë nga kompozimi partiak politik i tyre dhe duhet krijuar një administratë zgjedhore e pamvarur, me njerëz që kanë integritet që njohin dhe respektojnë ligjin dhe që të mos u nënshtrohen presioneve të partive politike”, deklaron Milo.

Me të njëjtën logjikë, ai shprehet se duhen të kompozohen edhe komisionet e niveleve të tjera më poshtë.

Gjithashtu kreu i PDS-së, mbështet propozimin e hedhur për të aplikuar votimin eletronik, që sipas tij, do të jetë një arritje serioze dhe do të garantojë drejtësi në procesin e numërimit të votave si dhe shprehjen adekuate të vullnetit të lirë të shqiptarëve për të votuar për atë subjekt politik që ata dëshirojnë.

“Por që të bëhet kjo, ka nevojë që reforma zgjedhore dhe vendimet lidhur me të, të merren sa më shpejt pasi përgatitja e infrastrukturës zgjedhore do kohë, aq më shumë kur kemi të bëjmë me elementë të teknikës elektronike, ku dihet që zonat rurale, janë të vështira për të vendosur funksionimin  e teknologjisë moderne”, thekson Milo.

Gjithashtu ai shprehet se në Kodin Zgjedhor, duhen reflektuar edhe propozime të tjera sikurse mbështetja e partive politike në fushatat elektorale, nga buxheti i shtetit.

“Duhet të ketë kritere të tjera të matshme përveç përfaqësimit parlamentar sepse ka parti të cilat janë të suksesshme në zgjedhjet për pushtetin vendor, që kanë një peshë politike dhe nuk mund të ndahen me thikë, sepse pushteti vendor funksionon veçantë pushtetit qëndror”, përfundon kreu i PDS-së, Paskal Milo.

 
Lajme Shqip Friday, 02 September 2011 16:39

Tiranë – Kolegji Zgjedhor vendosi sot të detyrojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të pranojë shqyrtimin e kërkesës ankimore të Partisë Demokratike për zgjedhjet për kryetar në komunën Shalë (qarku Shkodër).

Një javë më parë Komisioni Zgjedhor nuk arriti të merrte një vendim për ankimimin e PD-së, për shkak se mungonte një nga anëtarët e djathtë të KQZ-së dhe, sipas kodit zgjedhor, vendimi për të nisur shqyrtimin e një çështje duhet të marrë të paktën katër vota.

Në padinë që përfaqësuesit ligjorë të PD-së depozituan në Kolegjin Zgjedhor i kërkonin trupës gjyqësore të detyrojë KQZ-në të shprehet lidhur me këtë çështje, pasi ajo nuk u shqyrtua më parë.

Në mbledhjen e KQZ-së të datës 26 gusht përfaqësuesit e PS-së në Komision kundërshtuan autorizimin e përfaqësuesit të PD-së, Ivi Kaso, i ngarkuar për të ndjekur procedurën ankimore. Sipas nenit 26 të kodit zgjedhor, anëtarët e propozuar nga opozita në KQZ thanë se përfaqësuesi i çdo subjekti nuk ka të drejtë të lërë zëvendës të tij.

Më 21 gusht në komunën Shalë u mbajtën zgjedhjet për kryetar, ku pas numërimit të votave në KQZ, fitues u shpall kandidati i “Koalicionit për të ardhmen”, Bale Vuksani, me 644 vota, kundrejt rivalit të tij të koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Dedë Tonaj, me 642 vota.

Komuna Shalë po mban peng shpalljen nga KQZ të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve vendore të 8 majit. Një ditë më parë kryetari i KQZ-së, Arben Ristani deklaroi se mund të kemi një rezultat përfundimtar brenda dhjetë ditëve në rastin më të mirë dhe nëse do të kemi një proces tjetër në Shalë, brenda muajit shtator mund të shpallet rezultati.

 
Lajme Shqip Friday, 02 September 2011 08:57

Tiranë – Sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland i ka dërguar një letër kreu të Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio, ku i kërkon një opinion në lidhje me përmirësimet që duhen bërë në të ardhmen në Kodin Zgjedhor të Shqipërisë, pas zgjedhjeve të 8 majit.

Në letrën e Jaglland, e cila mban datën 24 gusht, por e publikuar sot në faqen e KiE thuhet se, “E kam ndjekur situatën nga afër dhe ia kam paraqitur çështjet autoriteteve shqiptare, pasi mendoj se KiE duhet të bëjë gjithça të mundshme për të ndihmuar Shqipërinë në shmangien e situatave të tilla në tëardhmen’, shkruan Jaglland.

“Do t’ju isha mirënjohës nëse Komisioni i Venecias do të jepte një opinion në lidhje me përmirësimet që duhen bërë në kodin zgjedhor në Shqipëri, duke pasur parasysh eksperiencën e fundit”, përfundon letra e sekretarit të përgjithshëm të KiE, Thorbjorn Jaglland.

 
Lajme Shqip Wednesday, 31 August 2011 21:26

Tiranë – PD pasi ka dështuar në javën e shkuar në realizimin e kërkesës për pavlefshmëri të zgjedhjeve në komunën Shalë drejtuar KQZ-së, siç edhe pritej, e ka çuar kërkesën në Kolegjin Zgjedhor.

Nuk dihet ende se kush do të jetë trupa e gjyqtarëve që do të shqyrtojë ankmimin këtë të premte. Një veprim të tillë ndërkohë që është shpallur fitues kandidati i Pastisë Socialiste për të majtët, shihet si një tentativë e hapur për të rrëmbyer këtë mandat.

Deputeti Taulant Balla nga selia rozë mesditën e së mërkurës, ka akuzuar direkt kryeministrin Sali Berisha si ideatorin e kësaj vjedhjeje.

“Sali Berisha, partia dhe makinareia e tij zgjedhore, po mbajnë peng rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, sepse duan të vjedhin edhe mandatin e komunës Shalë. Pasi keqpërdori ditën e zgjedhjeve, policinë e shtetit, me helikotperë e forca speciale, pasi numëroi vet votat me Ristanin, pasi gjithë shqiptarët e panë fitoren e kandidatit tonë në Shalë, Saliu nuk po pranon humbjen dhe po rivë në veprim skemën e “vjedhjes në bashkëpunim” të një mandati përmes KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor”, ka deklaruar Balla.

Pas Tiranës komuna Shalë në rrethin e Shkodrës ishte më problematikja për zgjedhjet e pushtetit vendor. Dështimi i mbajtjes së zgjedhjeve për tre hërë rresht do të merrte fund të dielën e 21 gushtit, kur 2.800 zgjedhësve iu dha mundësia për të votuar. (TCH)

 
Lajme Shqip Friday, 26 August 2011 14:18

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk arriti të premten për mungesë kuorumi (pesë vota) të kalojë për shqyrtim kërkesën ankimore të Partisë Demokratike, që kundërshton rezultatin e zgjedhjeve për kryetar në komunën Shalë (Shkodër).

Pas hedhjes në votim, me 3 vota pro dhe 2 kundër KQZ nuk kaloi për shqyrtim ankimimin e demokratëve.

Përfaqësuesit e opozitës në KQZ kundërshtuan mbrojtjen e kësaj kërkese në Komisionin Zgjedhor nga juristi i PD-së, Ivi Kaso, i cili sipas tyre, është autorizuar në këtë detyrë në kundërshtim me ligjin.

Sipas anëtarit të KQZ-së, Artan Laze, në bazë të nenit 26 të Kodit Zgjedhor, përfaqësuesi i çdo subjekti nuk ka të drejtë të lërë zëvëndës të tij, ndaj theksoi ai, kërkesa e PD-së nuk duhet pranuar si e paplotë.

Më 21 gusht në komunën Shalë u mbajtën zgjedhjet për kryetar, ku pas numërimit të votave në KQZ, fitues u shpall kandidati i “Koalicionit për të ardhmen”, Bale Vuksani, me 644 vota, kundrejt rivalit të tij të koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Dedë Tonaj, me 642 vota.