Lajme Shqip Thursday, 12 December 2013 16:29

Ministri i Jashtëm i Holandës, Frans Timmermans nuk dëshiron të bëjë “punë të pisët” me kundërshtimin e anëtarësimit të parakohshëm të Shqipërisë në BE. Ministri holandez po kërkon aleatë brenda BE-së për të mbështetur pozicionin e tij.

Komisioni Evropian ka propozuar dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë. Liderët e BE-së dhe liderët e qeverive të vendeve anëtare do të marrin për këtë çështje një vendim në mbledhjen e datës 19 dhjetor.

Qeveria holandeze, sipas Timmermans beson se Shqipëria nuk është ende gati të marrë statusin kandidat (një vendim me efekt politik). Vendi ka plotësuar kushtet politike, por nuk i ka zbatuar ende të gjitha, shprehet ministri holandez. Ai kërkon që statusi Shqipërisë t’i jepet në mesin e vitit të ardhshëm nëse do të jetë gati.

Shumica në parlamentin holandez (VVD, SP, PVV, ChristenUnie dhe CDA) është kundër statusit kandidat për Shqipërinë. Kjo u mësua gjatë debatit të zhvilluar të mërkurën për zgjerimin e BE-së.

Por ministri i Jashtëm shprehet se, nëse Holanda zbulon që tani qëndrimin kundër Shqipërisë, ajo do ta gjejë veten të lënë mënjanë. Vendet e tjera që ndajnë të njëjtin mendim, që Shqipëria ende nuk është gati, do t’ia lënë “punën e pisët” në dorë holandezëve, raporton shekulli.

Pas kësaj, Holandës do t’i duhet të përballet me kritikat dhe vendet e tjera nuk do të preken nga furtuna. Timmermans nuk dëshiron që të luajë këtë lojë. Parlamenti praktikisht ra dakord me propozimin e ministrit që t’i lënë kohë edhe një javë për të gjetur aleatë në BE.