Lajme Shqip Tuesday, 15 October 2013 14:54

Tiranë- Franc Vranicki, ish– i dërguari i OSBE-së në Shqipëri në vitin e vështirë 1997, rikthehet në kujtesë për ngjarjet asokohe.
“Ishte një situatë historike në të cilën Europa, pak a shumë u përqendrua në problemet e Jugosllavisë. Në këtë kontekst Shqipëria ishte në hijen e këtyre zhvillimeve. Megjithatë OSBE u përqendrua në Shqipëri, sepse një vit më parë, pra në 1996, OSBE hartoi një raport nën kryesimin e Zvicrës. Ky raport vuri re një shkelje të qartë të parimeve të OSBE në Shqipëri, sidomos sa i përket zhvillimit të zgjedhjeve të fundit dhe fakti se si njerëzit e politikës trajtoheshin nga qeveria. Kjo ishte arsyeja e parë pse Danimarka u fokusua të Shqipëria. Së dyti, ashtu siç edhe ndodhi, lufta shpërtheu në Shqipëri midis partive të ndryshme. Ju mund të spekuloni se cilat ishin këto parti. Disa njerëz thanë se ajo që ndodhi ishte Veriu kundër Jugut, disa të tjerë thanë se ishte partia e Sali Berishës, e të tjerë thanë se ishte partia e Fatos Nanos. Ose disa të tjerë thanë se ishte luftë midis bandash. Pavarësisht nga kjo, situata u konsiderua plotësisht e pakënaqshme. Ministri i Jashtëm danez, z.Petersen, më pyeti nëse isha gati dhe i përgatitur të kujdesesha për situatën në Shqipëri në emër të tij. Kjo ndodhi në mars të 1997-ës. Dy muaj më parë kisha lënë postin e Kancelarit Federal të Austrisë. Kështu, shkova në Tiranë si edhe në vende të tjera të Shqipërisë. Fillova të punoj për të gjetur mjetet se si të ulja në një tavolinë fraksionet dhe partitë e ndryshme për të arritur një zgjidhje për të ardhmen e Shqipërisë”, tregon Vranicki për GSH.
Vranicki shprehet se Sali Berisha nuk ishte entuziast për praninë e OSBE-së.
“E njihja Sali Berishën nga takime të ndryshme të mbajtura në Vjenë apo në vende të tjera, pra e njihja atë që më parë. Edhe ai më njihte mua. Megjithatë ai nuk ishte shumë entuziast për OSBE-në, sepse raporti i kësaj të fundit, i hartuar nga zviceranët, e kritikoi reagimin e tij dhe mënyrën e qeverisjes së vendit. Kështu, përtej mirësjelljes, dashamirësisë dhe miqësisë, ishte shumë e qartë se ai nuk e pëlqeu praninë time në Tiranë dhe misionin tim nën përgjegjësinë e OSBE-së, ndërsa shprehu pikëpamjen e tij se ai e konsideronte iniciativën e OSBE-së si të padrejtë dhe si diçka që minimizonte pozicionin e tij si President i Shqipërisë”, tregon ish- kancelari, tashmë 76- vjeçar.
Për sa i përket Fatos Nanos, ai tregon: “E takova atë në Tiranë për herë të parë. Natyrisht ai u përpoq më shumë të kuptonte misionin e OSBE-së. Ishte e rëndësishme për mua, dhe për njerëzit që punonin për mua, që të ishim sa më shumë objektivë dhe të drejtë që të mundnim midis të dy fraksioneve”.
Vranicki i kujton kështu shqiptarët në atë kohë: “Takova shumë shqiptarë në rrugë dhe bisedova me ta pikësëpari, ishte e rëndësishme t’u shpjegoja përse kisha ardhur në Shqipëri dhe cili ishte qëllimi i misionit tim. U përpoqa t’u shpjegoja se vija nga një vend ku standardi i jetesës ishte i lartë, kështu që nuk kishte arsye përse të mos ishte e njëjta gjë edhe për Shqipërinë. Pata mundësinë të komunikoja me publikun shqiptar nëpërmjet televizionit dy herë në javë. Ishte e rëndësishme të kuptonin detyrën time. Një nga aspektet më të tmerrshme ishte fakti se një numër i madh armësh ishin lirshëm në duart e shqiptarëve. Kështu u thashë se në vendin tim, një numër i kufizuar njerëzish zotërojnë armë. Duhej shumë për t’ua shpjeguar. Mbaj mend një eksperiencë. Një ditë një burrë m’u afrua në rrugë dhe më pyeti pse isha kundër armëve. Iu përgjigja: “Jam kundër armëve sepse nuk është gjë e mirë që në një vend të civilizuar, njerëzit të zotërojnë armë privatisht”. Kjo bisedë ndodhi në mëngjesin e asaj dite. Në mbrëmje, i njëjti person erdhi në hotelin ku qëndroja dhe më solli një pako brenda së cilës ndodhej një kallashnikov. Ma dha mua. Kurrë nuk kisha mbajtur në duar një të tillë më parë. Ia kalova personelit të sigurimit. Më pas i thashë se ishte gjë shumë e mirë që erdhët dhe ma dorëzuat kallashnikovin. Dhe më pas e pyeta: “A të binda?” M’u përgjigj aty për aty: “Jo dhe aq, sepse ky është një nga tre kallashnikovët që kam në shtëpi”.”
Vranicki shprehet se ishte e nevojshme që çështja e Shqipërisë të tejçohej në nivelin ndërkombëtar europian.
“Duhej të flisja shumë për këtë çështje sepse jo shumë nga këto ministra e dinin ekzaktësisht situatën në këtë vend. Atë çfarë ata dinin ishte se Shqipëria ishte një vend i mbyllur komunist. Ata ishin në dijeni edhe për Enver Hoxhën dhe e ngatërronin situatën në Shqipëri me atë në Jugosllavi. Duhej shumë punë për të bërë, por qëllimi final ishte mbajtja e zgjedhjeve të lira e të drejta, sepse pritshmëria ishte një parlament i sapozgjedhur, baza e të cilit të ishte komunikimi midis partive të Berishës dhe Nanos”, pohon ai.
Sipas tij: “Askush nuk mund të përjashtojë plotësisht ndikimin politik nga jashtë. Në rastin e Shqipërisë, mendoj se arsyeja kryesore në shpërthimin e trazirave dhe dhunës ishin protestat e njerëzve për shkak të akuzave të përhapura kundër politikanëve, të cilët dyshoheshin se ishin të korruptuar”.
Vranicki shprehet se edhe 16 vite më vonë, konflikti politik në Shqipëri është ende i fortë, e megjithatë thekson se për herë të parë vendi ia doli të mbajë zgjedhje të ndershme.
“Të dyja partitë kryesore kanë deklaruar integrimin europian si objektivin e tyre kryesor, por ato ende po “luftojnë” kundër njëra-tjetrës. Më 1997, komuniteti ndërkombëtar i ofroi fonde të konsiderueshme qeverisë shqiptare për përmirësimin e infrastrukturës, shtimin e investimeve dhe modernizimin e vendit. Por kam frikë se shqiptarët në atë kohë nuk i shfrytëzuan sa duhet fondet ndërkombëtare. Kështu pasi u arrit progresi politik, nuk pati progres të konsiderueshëm ekonomik. Nuk u arrit progres ekonomik dhe politika pësoi një ngërç. Jam i lumtur që situata është përmirësuar tani në Shqipëri. Pa dyshim ka debate politike dhe konkurrencë, por kjo është normale në demokraci moderne, përse nuk duhet të jetë normale në Shqipëri?”, nënvizon ai./tema/