Lajme Shqip Monday, 30 June 2014 12:10

Kuvendi i Shqipërisë u mblodh sot në një seancë të veçantë, duke i hapur dyert  Presidentit të KE-së, Jose Manuel Barroso, i cili përshëndeti dhe inkurajoi deputetët shqiptarë për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë. Ai shprehu bindjen e tij se Bashkimi Evropian, ka si synim kryesor bashkimin me Evropën Juglindore dhe se pa këtë të fundit, bashkimi i Evropës nuk quhet i plotë.

Pas vlerësimit për marrjen e statusit, ai i siguroi deputetët shqiptarë se Evropa nuk është krejtësisht e bashkuar dhe nuk ka si të jetë pa përfshirjen në të edhe të Europës Juglindore. 

“Është një nder i veçantë për mua, që të flas para jush vetëm disa ditë pas vendimit historik atij për ti dhënë Shqipërisë statusin kandidat, një vendim të propozuar nga institucioni që unë drejtoj. Jam i kënaqur që këtë moment historik e ndaj me ju. Prej këtu fillon një fazë e re premtuese, i jep shtysë progresit të mëtejshëm se perspektiva e vendeve të Evropës Juglindore është diçka reale, ne i mbajmë premtimet tona kur partnerët tanë arrijnë progres”, tha ai. 

“Para 10 vitesh ne bashkuam Lindjen dhe Perëndimin pas dekadash ndarjesh. Nuk do jetë i plotë bashkimi i Evropës pa Evropën Juglindore, nga Tirana në Sarajevë nga Beogradi në Prishtinë njerëzit e shohin BE-në si shpëtim”, shtoi ai. 

Duke folur për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Presidenti i KE-së theksoi se ai është një projekt paqeje, që arrihet nëpërmjet ndarjes së sovranitetit të secilit shtet anëtar. Ky bashkim arrihet “duke ndarë sovranitetin tonë, duke mbledhur sovranitetin e secilit vend që aderon në BE”, deklaroi Barroso.

Barroso shprehu bindjen se Shqipëria do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, por theksoi se kjo arritje kërkon punën dhe angazhimin e vet shtetit, dhe se përgjegjësia më e madhe varet nga përkushtimi ynë:

“Unë besoj, se Shqipëria do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, besoj te ky hap, i statusit të vendit kandidat, por tani shumica e punës varet nga ju, si përfaqësues i këtij populli, të cilin e respektojë shumë. Unë besoj se ju mund të merrni të mirat e anëtarësimit në BE, por mund të jepni dhe kontribut për të dhënë stabilitet në këtë rajon”. 

Barroso e mbylli fjalimin duke shprehur mbështetjen e Komisionit Evropian, i cili do të vazhdojë të mbështetë dhe të ndjekë zhvillimet dhe zbatimin e reformave nga Shqipëria:

“ Komisioni Evropian do të vazhdojë të punojë bashkë me ju, me miqësi dhe përkushtim që së bashku me popullin shqiptar të shkruajmë të ardhmen evropiane të vendit dhe kapitujt e historisë së Shqipërisë”, deklaroi Barroso.

 
Lajme Shqip Saturday, 28 June 2014 14:30

Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqen në Stokholm, çdo vit publikon shifrat e shpenzuara nga 171 shtete të botës në ushtri. 

Referuar raportit të publikuar nga ky Institutit, Shqipëria në periudhën 1992 – 2013 ka shpenzuar 3,131 miliard dollar për ushtrinë. Sipas grafikut, shpenzimet më të vogla kanë qenë në vitin 1998, një vit pas trazirave në vendin tonë, ku Qeveria ka shpenzuar vetëm 70.4 milion dollarë në fushën ushtarake. Ndërsa niveli më i lartë i shpenzimeve arrihet në vitin 2009, vit kur Shqipëria u bë anëtare e NATO-s. Në këtë vit në zërin “shpenzime ushtarake” kanë shkuar 251 milionë dollarë. 

Të larta kanë qenë shpenzimet edhe në 2008, ku ekzatësisht janë lëvruar 233 milion dollarë për shpenzime ushtarake. Ndërsa në vitin e fundit të përfshirë në këtë raport, 2013 vendi ynë ka shpenzuar 168 milion dollarë. 

Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Maqedoninë, Malin e Zi apo Bosnjën rezulton se në total Shqipëria ka shpenzuar më shumë në ushtri, por për këto shtete të dhënat e raportit nisin shumë vite më vonë. Më konkretisht, Maqedonia nga viti 1996 deri në 2013 për ushtrinë, ka shpenzuar 3 miliard e 46 milion dollar, ku shpenzimet më të shumta, 436 milion dollar janë kryer përgjatë vitit 2001, vit në të cilin Maqedonia ishte në luftë, ose gati dy herë me shumë se sa vendi ynë në viti me shpenzimet më të larta. 

Edhe Bosnje Hercegovina është pothuajse në të njëjtat nivele. Për periudhën 2002 – 2013, ky shtet ka investuar 3 miliard e 90 milion dollarë. Ndërkohë, Mali i Zi ka shpenzuar shumë më  pak. Në periudhën 2006 – 2013, ky vend ka kryer shpenzime ushtarake rreth 626 milion e 800 mijë dollar ose 5 herë më pak se Shqipëria. 

Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqen në Stokholm është një institucion i pavarur ndërkombëtar i dedikuar për kërkimin shkencor në konfliktet, armatimet, kontrollit të armëve dhe çarmatimit. Themeluar në vitin 1966, ky Institut jep të dhëna, analiza dhe rekomandime lidhur me nivelin e armatimit në botë. Vetëm në vitin 2013 në të gjithë botën janë shpenzuar  1,747 biliard dollarë ku shtetet që kanë investuar më shumë janë Amerika, Kina, Rusia, Arabia Saudite dhe Franca. 

 
Lajme Shqip Monday, 28 April 2014 13:03

Në të parën mbledhje pas vendimit të ndryshuar të Kuvendit, Komisioni i Reformës Territoriale në prani të ministrit të Pushtetit Vendor, i thirrur ne seance pyetjesh nga deputetet, miratoi kriteret mbi te cilen do te behet ndarja e re e territorit te vendit. 

Kriteri baze eshte krijimi i njësise funksionale, jo më pak se 30 mije banorë.
 
“Ne propozojmë që të thellojmë ushtrimin e aplikimit e kritereve, në përcaktimin e zonave funksionale, pra që do të jenë në të ardhmen pastaj, ndoshta njësitë e reja administrative territoriale, duke u nisur nga rrethi. Pra një zonë funksionale mos të jetë më e madhe se sa rrethi. Brenda rrethit shohim mundësinë se sa zona funksionale do të kemi”, tha Bledi Çuçi, ministër  i Pushtetit Vendor.

Perjashtim nga kriteret, qe perveç njesise funksionale, permban edhe lidhjet kulturore, historike dhe te tradites mes tyre, do te bejne vetem komunat minoritare.

“Komunat me përbërje minoritare, të mos bashkohen në një bashki të madhe, në mënyrë të tillë, që do të sillnin pastaj përzierjen e popullsisë dhe do të krijonin ndonjë premisë për humbje të identitetit të tyre etnik.Këto komuna, sigurisht që do të trajtohen me një vëmendje të veçantë”, tha Çuçi.

Me propozim te deputetit socialist Blendi Klosi u qartësua edhe nje tjeter kriter, ai qe lidhet me kufirin e komunave.

“Ta heqim këtë frikë që kanë, ose një pështjellim që kanë komunitetet që komunat mund të shpërbëhen dhe të themi që territori i komunave nuk mund të cahet në dy rrethe, ose në dy bashki”, tha Klosi.

“Ne mendojmë që kufiri ekzistues i komunës nuk duhet prekur”, sqaroi Çuçi.

Bashke me kriteret, komisioni miratoi programin e punes. Qeveria ka afat te percaktoje deri ne 15 maj, 3-4 variante te hartes se re elektorale, qe megjithe kriteret eshte ende e veshtire te percaktohet ne sa bashki do te reduktohet vendi. Pas mberritjes se hartave ne komision, atij i lihen 5 dite per seancat degjimore dhe diskutimi me ekspertet. Pas ketij procesi, Komisioni do te miratoje variantet me te pranueshme, qe per dy muaj do te konsultohen me qytetaret, per t’u ritkhyer per miratim ne kuvend pas dates 20 korrik, qe perkon dhe me fundin e ketij sesioni. 
/ Top Channel

 
Lajme Shqip Wednesday, 09 April 2014 12:12

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka zbardhur këtë të martë dhjetë vendime që e penalizojnë shtetin shqiptar për çështjen e pronave me tetë milionë euro. Sipas vendimeve të hedhura në faqen e Gjykatës së Strasburgut bëhet fjalë për kthimin dhe kompensimin e pronave për familjet Karagjozi, Koço, Shehu, Dvorani, Sallabanda, Gogo, Tartari, Okaj dhe Budina të cilët i janë drejtuar ndër vite gjykatës europiane, duke paditur shtetin shqiptar. Avokati për çështjet e Strasburgut, Sokol Puto i cili përfaqëson disa nga këto familje, shpjegon procedurat që do të ndjekë pala fituese.

 “Ankuesit duhet t’i drejtohen Avokaturës së Shtetit dhe Ministrisë së Financave  për të ndjekur procedurën për ekzekutimin e vendimit dhe procedura që ndiqet në të tilla raste është një vendim i qeverisë për çështjet konkrete dhe ekzekutimi i të tilla vendimeve përgjithësisht bëhet nga Fondi Rezervë i qeverisë”, sqaron Sokol Puto, avokat i çështjeve në Strasburg. “Vendimet e gjykatës në rastin konkret duhet të ekzekutohen brenda një afati 3-mujor nga zbardhja e tyre, përndryshe, nëse ky afat kalohet nisin të llogariten edhe penalitete të tjera ose interesa”, thotë Puto. Aktualisht me të njëjtin kazus ndodhen në Strasburg edhe gati 379 çështje të tjera të shtetasve të ndryshëm kundër shtetit, ndërkohë që 60 çështje të tjera Gjykata e të Drejtave të Njeriut i ka dhënë kohë Shqipërisë që të gjejë zgjidhje.    

 
Lajme Shqip Monday, 31 March 2014 14:35

Agjencia Amerikane e Inteligjencës, CIA, në analizën e saj për vitin 2013, ka konstatuar se Shqipëria renditet e 131-ta mes 228 shteteve, përsa i përket produktit të brendshëm bruto. Sipas raportit të CIA-s, produkti bruto i brendshëm për frymë në Shqipëri është rreth 8.200 dollarë, një nivel ky pothuajse i njëjtë me vende afrikane të botës së tretë si Namibia e Tongo. Për këtë shkak raporti i CIA-s e klasifikon vendin tonë si një ndër më të varfrit në Evropë.

CIA publikon çdo vit raportin “The World Factbook”, ku analizohen një seri treguesish ekonomikë, politikë e shoqërorë, që nisin që nga të dhënat e popullsisë e shkojnë deri te qeverisja, energjetika, transporti e Forcat e Armatosura.

Një tjetër fakt që vlen për t`u theksuar është se përveç shtetit të ri të Kosovës, të gjitha vendet e tjera të Ballkanit e kanë Produktin e Brendshëm Bruto për frymë e kanë në kuota me të larta se Shqipëria. Sipas përllogaritjeve të kryera nga ekspertë të Agjencisë Amerikane të Inteligjencës, Maqedonia renditet në vendin 113 më 10.800 dollarë, Serbia në të 111-in me 11 100 dollarë, Mali i Zi në të 107 me 11 900 dollarë, ndërsa Kroacia e cila paraqitet shumë më mirë, ka një nivel të Produktit të Brendshëm Bruto për frymë prej 17.800 dollarësh.

Në raportin e saj “The World Factbook”, CIA konstaton se edhe pse ekonomia shqiptare vazhdon të rritet, vendi është ndër më të varfrit në Evropë, si pasojë e informalitetit të madh në ekonomi dhe infrastrukturës së papërshtatshme të transportit dhe energjisë.  Pavarësisht kësaj në analizën e saj për vitin 2013, agjencia amerikane e inteligjencës thekson se qeveria ka zbatuar një paketë reformash fiskale për të reduktuar shkallën e ekonomisë në të zezë dhe për të tërhequr investime të huaja.

Raporti thekson se remitancat, dikur një mbështetës i rëndësishëm i rritjes ekonomike, kanë rënë nga niveli prej 12 deri ne 15% të produktit te brendshëm bruto përpara krizës financiare të vitit 2008 në 7% të GDP-së në vitin 2012. Përsa i përket sektorëve të tjerë, CIA ka përmendur atë të bujqësisë, i cili është përgjegjës për pothuajse gjysmën e numrit të të punësuarve. Pavarësisht kësaj ky sektor zë vetëm një të pestën e produktit të brendshëm bruto dhe kufizohet kryesisht në sipërmarrje të vogla familjare për shkak të mungesës së pajisjeve moderne, problemeve me pronësinë dhe dominimit të sipërfaqeve të vogla e joeficiente të tokës.

Përsa i përket sistemit të taksave në raportin “The World Factbook”, Agjencia Amerikane e Inteligjencës, ka konfirmuar se kodi fiskal mjaft kompleks, si dhe kërkesat e shumta për të licencuar bizneset sjellin si pasojë klimë të vështirë biznesi në Shqipëri. Sipas këtij raporti një tjetër faktor, i cili kontribuon në shtimin e vështirësive për tërheqjen e investimeve të huaja janë edhe problemet e furnizimit me energji së bashku me infrastrukturën e amortizuar.

Në përfundim të raportit të saj CIA thekson se, vendi do të vazhdojë të përballet me sfida për shkak të rritjes së borxhit publik, duke qenë se ka tejkaluar limitin ligjor të kuotës prej 60% të produktit të brendshëm bruto në vitin 2013.

 
Lajme Shqip Thursday, 20 March 2014 16:07

Shqipëria, Mali i Zi dhe katër vende të tjera që nuk janë pjesë e Bashkimit Europian, i janë bashkuar nismës së unionit për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Lajmin e ka bërë publik një deklaratë e Catherine Ashton-i, e cila është shefja e diplomacisë së Bashkimit Europian. Deklarata thotë se Shqipëria, Mali i Zi, Islanda dhe Moldavia, në përputhje me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, pranojmë sanksionet e BE-së ndaj Rusisë.

Në këto sanksione përfshihen pezullimet e udhëtimeve dhe ngrirja e llogarive bankare për një numër të caktuar rusësh dhe zyrtarësh të Krimesë.

Norvegjia dhe Lihtenshtejni, të cilat nuk janë pjesë e Bashkimit Europian, por bëjnë pjesë në Komuniteti Ekonomik Europian, i janë bashkuar gjithashtu sanksioneve. “Bashkimi Europian i merr në konsideratë këto vendime dhe i mirëpret ato”, tha Ashton në deklaratën e saj.

Sanksionet ndaj Rusisë vijnë pas asaj që Bashkimi Europian e cilësoi si aneksimi i Krimesë. Kjo e fundit mbajti referendumin ditën e dielë për bashkimin me Rusinë. Ndërsa Putini firmosi dekretin për njohjen e Krimesë si shtet të pavarur dhe sovran, pjesë të Federatës Ruse. 

 

 
Lajme Shqip Sunday, 16 March 2014 16:42

Paga minimale në Shqipëri është më ulëta në rajon dhe në Evropë. Sipas një analize të realizuar nga OPEN Date Albania, Shqipëria renditet e fundit në Europë përsa i përket pagës minimale. Krahasuar me vendet e rajonit, vendi ynë me vlerë të pagës minimale prej 156 euro renditet i fundit  edhe në krahasim me  Kosovën. Vende të tjera të rajonit si Kroaci; Mal i Zi; Maqedoni apo Serbi aplikojnë paga minimale më të larta së Shqipëria, duke i ofruar kështu qytetarëve një nivel më të mirë jetese. Ndërsa, Kosova aplikon një pagë të veçantë minimale, sipas moshës së të punësuarit. Nën moshën 35 vjeç, paga minimale është 130 Euro/Muaj, ndërsa për moshën 35-65 vjeç paga minimale është 170/Muaj Euro.

Ndërkohë vendet e Europës aplikojnë paga shumë herë më të larta krahasuar me rajonin dhe Shqipërinë. Vendi i cili ka pagën minimale më të larë të është Luksemburgu dhe arrin në 1921 Euro/Muaj. Më pas renditet Belgjika, Irlanda, Franca, Britani e Madhe. Gjermania aplikon pagë minimale në bazë të sektorëve, dhe tarifa më e ulët arrin 7 euro/ora për 48 orë pune në javë.

Ndër vendet me pagë minimale më të ulët, e cila nuk i kalon 200 euro/muaj renditen Bullgaria, Serbia, Mali Zi, Rumania. Ndërsa Italia, Danimarka, Austria, Finlanda, Suedia, Zvicra dhe Norvegjia nuk aplikojnë pagë minimale zyrtare. Paga minimale është paga më e ulët që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo punëdhënës, vendas ose i huaj. Paga minimale përcaktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave me propozimin e Ministrit të Punës. Paga minimale mujore në shkallë vendi aktualisht është 22 000 lekë. Kjo pagë jepet për 174 orë pune në muaj të kryera gjatë kohës normale të punës.

 
Lajme Shqip Tuesday, 14 January 2014 11:22

Gazeta prestigjioze “The Wall Street Journal” dhe Fondacioni Heritage publikuan raportin mbi Indeksin për Liritë Ekonomike në botë. Shqipëria renditet e 25 mes 43 vendeve të rajonit të Evropës ndërsa në klasifikimin global ajo është mbi mesataren botërore, në vendin e 54. Një pikë e dobët për liritë ekonomike në vend vazhdon të mbetet lufta kundër korrupsionit dhe e drejta e pronës.

Shqipëria ka 66,9 pikë në klasifikimin me 100 pikë të Indeksit për Lirinë Ekonomike për vitin 2014 duke u radhitur e 54-ta në botë.  Shqipëria renditet e 25 në mesin e 43 vendeve të rajonit të Evropës ndërsa në klasifikimin global ajo është mbi mesataren botërore.

Në historinë 20-vjeçare të këtij Indeksi, Shqipëria ka përparuar në klasifikimin e lirive ekonomike me rreth 17 pikë, duke u renditur mes 20 vendeve me përmirësimet më të mëdha.

Me rritjet e shënuara në nëntë nga 10 kategoritë e lirive ekonomike, Shqipëria është ngjitur gradualisht në kategorinë “mesatarisht e lirë” duke çaluar ende në kategorinë e të drejtës së pronës.

Sipas raportit, reforma të rëndësishme strukturore kanë përfshirë liberalizimin e tregtisë, privatizimin , zbatimin e taksës së sheshtë konkurruese, si dhe modernizimin e mjedisit rregullator .

Megjithatë, në aspektin e zbatimit të ligjit, raporti thekson se gjyqësori mbetet subjekt i ndërhyrjeve politike  dhe se reforma më të thella institucionale për të çrrënjosur korrupsionin e vazhdueshëm dhe rritjen e pavarësisë së gjyqësorit janë kritike për të siguruar një liri më të madhe ekonomike në Shqipëri.

Mjedisi rregullator i dobët, me rregulla të zbehta të prokurimit, një kulturë e mosndëshkimit dhe ndërhyrjet politike, e bëjnë të vështirë për gjyqësorin të merret me korrupsionin në nivele të larta dhe që është rrënjosur thellë në Shqipëri, një vend që po ashtu shërben si tranzit për trafikimin e qenieve njerëzore dhe armëve të paligjshme dhe narkotikëve.

Mbrojtja e të drejtave të intelektuale është e dobët dhe Shqipërisë, thotë raporti, ende i mungon një sistem i qartë i të drejtave pronësore, veçanërisht për pronësinë e tokës.

Së bashku me mbajtjen e inflacionit në nivele të ulët, është arritur gjithashtu një stabilitet më i madh monetar.

Rritja e deficitit fiskal gjatë viteve të fundit, ka rritur borxhin publik përtej kufirit ligjor të vendosur në vitin 2008. Shpenzimet qeveritare, thotë raporti, qëndrojnë në nivelin e 28.5 për qind të PBB-së. Ngadalësimi i ekonomisë së vendit ka sjellë presione të brendshme për financat publike, duke e shtyrë borxhin publik në 61 për qind të PBB-së.

Niveli mesatar i tarifave në Shqipëri është përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme,thotë raporti, nga 5.1 për qind në 1.3 për qind. Vendi zyrtarisht mirëpret investimet e huaja, por burokracia dhe mbrojtja e pamjaftueshme e të drejtës së pronës dekurajon investimet. Sistemi financiar mbetet relativisht i zhvilluar mirë dhe i qëndrueshëm megjithë mjedisin e jashtëm sfidues. Sektori bankar është i mbikëqyrur mirë, por përqindja e kredive problematike ka qenë në rritje.

Klasifikimi i përgjithshëm i Shqipërisë është rritur me 1.7 pikë nga një vit më parë, me përmirësime të dukshme në lirinë e investimeve dhe atë të tregtisë. /Zeri Amerikës/ 

 

 
Lajme Shqip Sunday, 05 January 2014 17:56

 

Seancat e përbashkëta të qeverisë së Maqedonisë me qeverive të dy shteteve fqinje, Shqipërisë dhe Kosovës janë ende në përgatitje e sipër.

 

Zëdhënësi i qeverisë së Maqedonisë Muhamet Hoxha thotë se, nuk ka pengesa për organizimin e seancave të përbashkëta me qeveritë e dy shteteve, por tani janë krijuar kushtet duke pasur parasysh faktin se në të dyja shtetet ishin në proces zgjedhor.

 

Nga qeveria e Maqedonisë thonë se ka gatishmëri nga të gjitha palët dhe se janë në kontakt të vazhdueshëm me qeveritë e të dyja vendeve, për të caktuar datën dhe temat e diskutimit që do të kenë karakter rajonal ndërsa do të jenë në shërbim të qytetarëve, shkruan shekulli.

 

Mbledhjet e përbashkëta të qeverive të vendeve të rajonit realizohen në kuadër të bashkëpunimit rajonal si parakusht për euro integrimin.

 

 
Lajme Shqip Wednesday, 25 December 2013 22:55

Që prej 1 janarit, kufiri shqiptaro-grek do të monitorohet prej Forcave të Armatosura të ushtrisë greke. 

Lajmi publikohet nga Ministria e Mbrojtjes së vendit fqinj, e cila njofton se pas ngjarjeve të kohëve të fundit në Prespë, ku një polic grek dhe dy shtetas shqiptare humbën jetën gjatë një përleshjeje të armatosur, por edhe tentativat e njëpasnjëshme të narkotrafikanteve në pika të tjera të kufirit dypalësh, Athina zyrtare vendosi të dërgojë ushtrinë për monitorimin e kufirit. 

Burime pranë kësaj ministrie, tregojnë për “Top Channel” se, forcat ushtarake fillimisht do të vendosen zonën e Prespës, ku do të hapen së shpejti dy posta vrojtimi dhe brenda pak ditësh, pika të ngjashme do të ngrihen në të gjithë vijën kufitare prej afro 600 kilometrash.

Ndonëse ende nuk sqarohet mënyra e funksionimit të pikave në fjale, burimet shpjegojnë se roli i ushtrisë do të jetë i kufizuar. Informacionet që do të grumbullohen prej postave kufitare do t’i përcillen në kohë reale patrullave të policisë, të cilat do të veprojnë në terren për asgjësimin e bandave kriminale./shekulli/