Lajme Shqip Wednesday, 17 October 2012 16:10

Kapiteni i përfaqësueses shqiptare, Lorik Cana, duket qartë që nuk është kënaqur “vetëm” me 3 pikët e marra ndaj Sllovenisë, edhe pse ky ishte një nga kundërshtarët më të vështirë në grup. Lideri i kuqezinjve ka bërë të qartë se suksesi ishte mëse i merituar, por nuk i hiqet nga mendja fakti që Shqipërisë i mungojnë 3 pikët e ndeshjes me Islandën, ku duhej të kishte fituar dhe e meritonte një gjë të tillë.

“Kjo ishte një fitore tepër e rëndësishme për ne. Ekipi tregoi se ka shumë dëshirë t’i bëjë tifozët të ndihen krenarë dhe t’u japë kënaqësi. Sigurisht, nuk ishte e lehtë pas disfatës që pësuam ndaj Islandës, sepse të them të drejtën meritonim fitoren në atë ndeshje. Kur kundërshtari u bë i rrezikshëm, ne mbizotëruam prej tifozëve. Ne pjesën e parë mendoj se e dominuam lojën”, tregoi kapiteni i kuqezinjve që në minutat e fundit të sfidës luajti si një mesfushor shkatërrues para mbrojtjes, duke i lënë vendin e tij në prapavijë Currit.

Cana u ka bërë thirrje tifozëve që të mbështetin kombëtaren edhe në vazhdim, pasi ajo e meriton një gjë të tillë edhe pse u mund pak ditë më parë “gabimisht” nga Islanda.

“Dua që njerëzit të na mbështesin, sepse jemi ballkanas dhe pas një humbjeje gjithnjë ulim kokën. E kuptoj që thonë se çdo edicion kemi qenë njësoj, por duhet të kemi më shumë gjakftohtësi. Katër ditë më parë e merituam 10 herë më shumë fitoren nga sa e merituam sot. Njerëzit duhet të shohin edhe që nuk pësuam asnjë goditje në portë. Mendoj se meritonim 9 pikë pas këtyre katër ndeshjeve”, ishin fjalët e kapitenit kuqezi. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Wednesday, 17 October 2012 12:31

Xhani De Biasi më në fund është kthyer i qeshur në konferencën për shtyp, duke lënë pas “atmosferën gri” që e rrethonte gjatë ditëve të fundi, pas humbjes me Islandën. Suksesi përballë Sllovenisë ka bërë që kuqezinjtë të jenë përsëri pranë objektivave të tyre dhe këtë fakt e ka pranuar edhe trajneri italian.

“Pas me Islandës na akuzuan dhe na thanë se prekëm fundin, ndërsa tani jemi në majë. Sinqerisht, më duhet të them se kam mbetur i zhgënjyer nga disa komente, pasi skuadra edhe në atë takim luajti mjaft mirë, por futbolli është i tillë, që humbet edhe kur paraqitesh mirë. Dhe ne një gjë e tillë na ka ndodhur. Mund t’ju them të njëjtën gjë edhe për këtë ndeshje. E gjithë skuadra luajti shumë mirë, dhe fitorja na ka buzëqeshur. Në minutat e fundit kemi vuajtur disi, ndaj bëra lëvizje, duke futur futbollistë me eksperiencë si Curri dhe Dallku, të cilët mund të përballonin edhe terrenin e vështirë. E di që në rast se do të kishim fituar edhe me Islandën do të ishim nëntë pikë dhe llogaritë do të bëheshin ndryshe, megjithatë duhet ta shohim veten në këtë pozicion që jemi”, shpjegoi trajneri italian.

Tekniku i përfaqësues shqiptare nuk ka fshehur dot edhe entuziazmin e tij për “eksperimentet” e suksesshme që kreu duke futur emra të rinj në formacionin e skuadrës.

“Roshi ka dhënë sinjale pozitive dhe synimi im ka qenë ta aktivizoja nga minuta e parë në ndeshjen me Islandën. Edhe ndryshimet e tjera që kam bërë në skuadër kanë dhënë sinjale pozitive, siç është rasti i Berishës. Personalisht e dua shumë këtë skuadër, pasi luan me shpirt”, tha ai, pa fshehur një eufori të cilën në ditët e mëparshme e kishte luftuar po vetë.

“Ajo që duhet t’ju them është se shpresa vdes e fundit dhe ne kemi të drejtë të shpresojmë për gjithçka që ka lidhje me kualifikimin. Skuadra ka dhënë sinjale pozitive në fushë dhe unë besoj shumë, pavarësisht se kemi humbur një takim ndaj Islandës, që na ka penalizuar shumë në aspektin e pikëve”, tregoi trajneri i kombëtares që më sa duket ka filluar të mendojë përsëri për një kualifikim të mundshëm në Brazil 2014. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 16 October 2012 22:15

Shqipëria ka arritur të kthejë buzëqeshjen te tifozët me një paraqitje mbresëlënëse përballë Sllovenisë, në takimin e fituar 1-0 ndaj skuadrës që nuk e kishim mundur asnjëherë më përpara. Një gol i Roshit në pjesën e parë ka vendosur fatin e kësaj ndeshje, ku De Biasi fitoi bastin e tij me ndryshime të mëdha në formacion. 

Tekniku italian uli në stol portierin Ujkani, mbrojtësin Dallku si dhe mesfushorin Meha, duke u dhënë hapësirë respektivisht Berishës, Agollit e Roshit. Të tre këta lojtarë janë pikërisht ato që shkëlqejnë në këtë takim, duke i dhënë këtë sukses kombëtares kuqezi. Sidomos Agolli dhe Roshi janë të jashtëzakonshëm në lojën e tyre duke krijuar rrezikshmëri të lartë për kundërshtarët.

Pas një dominimi të qartë në mbajtjen e topit, goli i avantazhit kuqezi do të vijë në minutën e 36-të me autor Roshin që çon topin në rrjetë me një gjuajtje me kokë pasi shfrytëzon më së miri një harkim nga Vila.

Kuqezinjtë krijojnë edhe shumë raste të tjera, si në pjesën e parë të ndeshjes, ashtu edhe në pjesën e dytë, duke treguar superioritet përballë kundërshtarit, ndonëse terreni i rënduar nga reshjet e shumta të shiut nuk ndihmonte aksionet e shpejta. Por goli i dytë nuk erdhi dhe takimi u mbyll me këtë fitore minimale që ringjall edhe një herë shanset e kuqezinjve të De Biasit për një renditje të mirë në grup, por sidomos shpërblen trajnerin italian për vendimin e tij për të nxjerr nga formacioni futbollistë që cilësoheshin si të padiskutueshëm.

Me këtë sukses, kombëtarja shqiptare është ngjitur në kuotën e 6 pikëve në grupin e saj dhe ndan vendin e tretë me Islandën që na mundi pak ditë më përpara. (LajmeShqip.com)

GRUPI E

Qipro-Norvegji            1-3

42’ Aloneftis / 44’ Hangeland, 82’ (p) Eliounousi, 83’ King

Islandë-Zvicër              0-2

66’ Barneta, 79’ Gavranoviç

Shqipëri-Slloveni          1-0

36’ Roshi

Renditja: Zvicër 10 pikë, Norvegji 7, Shqipëri 6, Islandë 6, Slloveni 3, Qipro 3.

 
Lajme Shqip Monday, 15 October 2012 17:56

Xhani De Biasi duket qartë se nuk po përjeton një moment shumë të lumtur në drejtimin e kombëtares shqiptare të futbollit. Humbja e paparashikuar ndaj Islandës i ka lënë dukshëm pasoja teknikut italian që është shfaqur mjaft i nervozuar në konferencën për shtyp para ndeshjes me Slloveninë, duke bërë të qartë që kritikat ndaj tij nuk ishin të drejta.

“Këto ditë kam dëgjuar deklarata nga shumë njerëz të cilët mund ta njohin lojën e futbollit, por flasin për gjëra që nuk i dinë. Unë nuk kam pse justifikohem para askujt, pasi në fund të fundit, po mundohem të bëj diçka me lojtarët që kam në dispozicion. Të gjithë, nga lojtari i fundit e deri te unë, po bëjmë maksimumin, por mos harroni kontaktin me realitetin. Nëse ka ndonjë njeri që mendon se në kombëtare kemi Mesi apo Iniesta, dua t’i kujtoj që gabohet rëndë. Shqipëria ka lojtarë të mirë, por jo yje që të bëjnë diferencën dhe të na nxjerrin nga situata në ndeshje”, ishte komenti i trajnerit italian që si rrallëherë është shfaqur shumë i nervozuar para mediave.

Duket se dy humbjet radhazi kanë bërë që trajneri italian të harrojë fjalën mrekulli, atë të kualifikimit në Botëror, dhe të mendojë për atë që duhej të ishte realisht objektivi i kësaj përfaqësueseje, sigurimi sa më parë i vendit të katërt në grup për të evituar një pozicion më të keq në renditje. Kjo gjë ndoshta ka ndikuar në përgatitjen psikologjike të sfidës përballë Islandës, siç ka pranuar edhe vetë trajneri.

“Unë e kuptoj se pas fitores së parë me Qipron, njerëzit përreth kombëtares i rrëmbeu entuziazmi, por më pas u zhgënjyen nga humbja me Zvicrën dhe Islandën. Në këtë pikë dua të sqaroj se ndaj Qipros luajtëm më keq por fituam 3-1. Por duhet të shohim para tani, mund të fitojmë ndaj çdo kundërshtari, por edhe mund të mundemi. Është e pafalshme të përfshihemi nga fantazia në këto momente”, ishin fjalët e trajnerit i cili në fakt ka qenë i pari që ka përdorur gjithmonë fjalët “ëndërr” apo “mrekulli” sa herë që prononcohej për mediat.

Nervozizmi i trajnerit është parë edhe në ultimatumin që u ka bërë lojtarëve të përfaqësueses. “Se kush do të luajë nga fillimi, do ta vendos vetëm në ditën e ndeshjes. Të gjithë lojtarët janë në analizë, të gjithë janë para një provimi. Nuk e di se çfarë ndryshimesh do të bëj, por ju garantoj që do të ketë të tilla me Slloveninë”, ishte paralajmërimi i trajnerit, një “dorashkë sfide” për futbollistët që mund të rezultojë fatale për trajnerin italian, ashtu siç i ka ndodhur çdo trajneri të përfaqësueses sa herë që është munduar të bëjë ndryshime drastike në ekip. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 13 October 2012 12:30

Xhani De Biasi është shfaqur dukshëm i zhgënjyer me rezultatin e ndeshjes kundër Islandës, ku ai dhe tifozët shqiptarë prisnin një fitore për të vazhduar ëndrrën e kualifikimit në Botërorin 2014. Sipas trajnerit italian, ishin kuqezinjtë ata që e meritonin fitoren në këtë sfidë dhe jo kundërshtari që krijoi vetëm 3 raste.

“Të vjen keq të humbësh në një ndeshje si kjo, në të cilën mendoj se luajtëm më mirë se kundërshtari. Goli i parë që pësuam ishte krejtësisht gabimi i ynë. Nuk duhet të bëjmë më gabime të tilla. Më vjen shumë keq për këtë ndeshje që humbëm pasi ishte përgatitur krejtësisht ndryshe dhe është e tmerrshme të mendosh që kemi pësuar dy gola nga Islanda”, tha trajneri italian që dukej qartë që nuk e kishte parashikuar kurrsesi një rezultat kaq negativ në “Qemal Stafa”.

“Ne bëmë gabime dhe krijuam raste për shënim, por realizuam vetëm një gol. Ata u mbrojtën mirë dhe ishin finalizues edhe më të mirë. Kishim gjithë javën që flisnim për rivënien anësore të kundërshtarit dhe pikërisht aty gabuam. Luajtëm një ndeshje më të mirë se ndaj Qipros, por u ndëshkuam nga gabimet tona”, tha trajneri i cili më pas tregoi se pse kishte bërë zëvendësimet në pjesën e dytë të ndeshjes.

“Nga Meha prisja më tepër, prandaj e zëvendësova, sepse pashë se nuk arrinte të shprehte në fushë potencialin e tij. Aktivizova Roshin pasi dëshiroja që të përmirësoja lojën në krahë. Sadiku bëri një ndeshje të shkëlqyer, futa Salihin e Bogdanin për ta mbështetur, me synimin për të fituar ndeshjen, por u ndëshkuam nga një goditje dënimi”, tregoi trajneri. Në fund, De Biasi nuk ka mbetur pa thumbuar edhe kundërshtarin e tij, Lars Lagerbak, i cili pas ndeshjes i bëri komplimente kuqezinjve për lojën e zhvilluar në këtë sfidë.

“Uroj që herën tjetër, ose më mirë në Islandë, të shkojmë ne dhe të bëjmë tre raste e dy gola, siç bënë ata. Pastaj do ta shihni se edhe unë do t’i bëj komplimentet e mia trajnerit Lagerbak”, ishte batuta ironike e trajnerit italian. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 08 October 2012 15:23

Ndonëse ndeshja kundër Zvicrës tregoi limitet e dukshme të përfaqësues shqiptare në krahasim me kundërshtarët më të fortë që kemi në grup, trajneri i përfaqësueses shqiptare, Xhani De Biasi, ka deklaruar se synon vetëm fitore në dy sfidat e radhës që luajnë kuqezinjtë në Tiranë, ndonëse një prej tyre është një skuadër shumë e fortë si Sllovenia.

“Është në natyrën e trajnerit të kërkojë maksimumin në çdo ndeshje nga skuadra. Këtë kërkoj edhe unë nga skuadra për dy ndeshjet e radhës kualifikuese që luajmë në fushën tonë. Por unë jam tërësisht i përqendruar te Islanda, pasi duhet t’i marrim ndeshjet me radhë dhe të përgatitim gjithsesi secilën sa më mirë. Ndaj deri me datë 12 tetor do të luajmë ndaj Islandës, një sfidë ku pa dyshim do të luajmë vetëm për fitore”.

“Nuk kënaqemi me 4 pikë, sepse duam maksimumin. Sidoqoftë, këmbëngul se me rëndësi është fillimisht të fitojmë me Islandën. Duhet të kalojmë me sukses këtë kundërshtar dhe pastaj të bëjmë llogari për sllovenët. Islanda është ekip shumë i përgatitur në aspektin fizik, ndaj do të jetë përballje e vështirë me ta. Duhet të bëjmë kujdes me kartonët, sepse mund të humbim ndonjë lojtar të rëndësishëm”, ishte paralajmërimi i tij për lojtarët që janë ndëshkuar me karton të verdhë në dy sfidat e para ndaj Qipros e Zvicrës.

Trajneri ka sqaruar se pavarësisht mungesës në listë të disa futbollistëve të njohur, ai është duke i ndjekur ato me vëmendje dhe në të ardhmen mund të bëhen pjesë e kombëtares.

“Kombëtarja është e hapur për lojtarët më të mirë. Nuk janë ftuar për këto dy ndeshje por mund t’ju them se po shihen me vëmendje Edmond Kapllani, Bekim Balaj dhe Besart Berisha. Ata janë futbollistë që mund të thirren shumë shpejt në kombëtare”, tha De Biasi për futbollistët që mungojnë, ndonëse nuk ka hyrë në detaje porsa i përket mungesës së tyre, edhe pse ata po luajnë më rregullisht se sulmuesit e tjerë të grumbulluar me kuqezinjtë.

Në fund, De Biazi ka bërë të qartë se pavarësisht dëshirës së mirë, kualifikimi në Botëror mbetet ende një ëndërr. “Pavarësisht dëshirës së madhe për t’u kualifikuar e arritur sa më shumë rezultate pozitive në grupin tonë, nuk duhet të harrojmë se jemi ekip modest”, pranoi ai. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 06 October 2012 13:20

Debatik Curri duket se më në fund ka lënë pas kalvarin e gjatë të dëmtimeve duke u kthyer përsëri pjesë e kombëtares shqiptare të futbollit. Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare është përfshirë në listën që trajneri De Biasi ka përpiluar për ndeshjet kundër Islandës dhe Sllovenisë.

Trajneri italian ka konfirmuar thuajse të gjithë lojtarët të cilët grumbulloi edhe një muaj më parë, për sfidat me Qipron dhe Zvicrën, ndërsa jashtë asaj liste ka mbetur vetëm sulmuesi Ahmed Januzi që luan në Ukrainë.

Ndërkohë, vazhdon të bëjë përshtypje fakti se nuk merret në konsideratë grumbullimi përsëri i Edmond Kapllanit, i cili është aktualisht sulmuesi më në formë kuqezi dhe po shënon rregullisht në Bundesligën 2. Sulmuesi durrsak aktualisht kryeson renditjen e golashënuesve të këtij kampionati me 5 gola të shënuar dhe është kthyer në lojtarin kyç të skuadrës së FSV Frankfurt që gjendet aktualisht në mesin e tabelës së klasifikimit.

Duhet theksuar se në repartin avancuar janë grumbulluar sulmuesit Çani, Bogdani, Salihi dhe Sadiku, ku vetëm ky i fundit luan rregullisht dhe shënon me skuadrën e tij, ndërsa të tjerët janë aktivizuar pak ose aspak me skuadrat respektive. (LajmeShqip.com)

Portierë: Samir Ujkani (Palermo), Etrit Berisha  (Kalmar), Orges Shehi (Skënderbeu)

Mbrojtës: Lorik Cana (Lacio), Armend Dallku (Vorskla Poltava), Tefik Osmani (Vllaznia), Andi Lila (PAS Janina), Mergim Mavraj (Grojter Furth), Debatik Curri (Gençlerbirligi), Renato Arapi (Skënderbeu), Franc Veliu (Flamurtari).

Mesfushorë: Jahmir Hyka (Luzern), Emiljano Vila (PAS Janina), Burim Kukeli (FC Zyrih), Ansi Agolli (Karabak), Sabien Lilaj (Skënderbeu), Gilman Lika (Tirana), Ervin Bulku (Sepahan), Alban Meha (Paderborn), Odise Roshi (FSV Frankfurt).

Sulmues: Armando Sadiku (Lugano), Hamdi Salihi (DC Junajtid), Erjon Bodgani (Siena), Edgar Çani (Polonia Varshavë).

 
Lajme Shqip Wednesday, 03 October 2012 16:01

Kombëtarja shqiptare e futbollit mban vendin e 84-t në renditjen botërore të FIFA-s edhe për muajin tetor, pasi nuk ka bërë hapa para apo prapa në klasifikim pas dy ndeshjeve të luajtura kundër Qipros e Zvicrës.

Kuqezinjtë e drejtuar nga Xhani De Biasi kanë marrë pikët maksimale për suksesin ndaj qipriotëve, por asnjë pikë për humbjen në Zvicër, ndërsa mbeten në këtë pozicion në renditjen botërore dhe në vendin e 36-të në Evropë, shumë larg çdo pretendimi për “hapin pozitiv para” që trumbetohet prej kohësh.

Ndërkohë, ndër rivalët që kemi në grup për kualifikueset e me Botërorin 2014, me fitoren kundër Shqipërisë, kombëtarja zvicerane ka bërë hapa të rëndësishëm në klasifikimin botëror (+5 vende), duke mbajtur aktualisht vendin e 15-të në botë dhe të 11-tin në Evropë. Ky sukses është padyshim meritë edhe e futbollistëve shqiptarë të kësaj përfaqësueseje, pasi ishte Xhaka autor i golit në suksesin ndaj Sllovenisë, ndërsa Shaqiri shënoi pikërisht në sfidën kundër Shqipërisë.

Edhe Norvegjia është ngjitur në renditjen botërore (+8 vende), duke mbajtur tashmë vendin e 26-të, të 15-tin në Evropë. Një nga kundërshtarët e Shqipërisë në ndeshjet e  tetorit, Sllovenia, ka pësuar një rënie të ndjeshme prej 11 vendesh, ndërsa tani mban vendin e 35-të në botë.

Islanda me të cilin luajmë po në tetor, është ngjitur me 21 vende ne renditjen botërore, duke qenë e 97-ta. Ndërsa Qipro ka fituar edhe më shumë vende, 28 të tillë, duke qenë tashmë e 107-ta në renditjen botërore, ndonëse u mund 3-1 nga kuqezinjtë në “Qemal Stafa” një muaj më parë.

Renditja botërore vazhdon të kryesohet nga Spanja, që është e shkëputur ndjeshëm nga Gjermania e vendit të dytë dhe Portugalia që mban vendin e tretë. Mbetet për t’u theksuar se vazhdon rënia e lirë e Brazilit, që tashmë mban vendin e 14-të në renditjen botërore, të cilën e ka dominuar për shumë vite me radhë. (LajmeShqip.com)