Lajme Shqip Saturday, 08 September 2012 16:54

Erjon Bogdani ka qenë padyshim protagonisti i ndeshjes mes Shqipërisë dhe Qipros pasi që me aktivizimin e tij, reparti i sulmit rifilloi të funksiononte. Por sulmuesi shqiptar nuk ka festuar siç duhet paraqitjen dhe golin e tij të radhës me fanellën kuqezi, pasi menjëherë pas ndeshjes është larguar i ngrysur nga stadiumi.

Lojtari nuk ka folur as me gazetarët, duke u larguar i shoqëruar nga familjarët e tij, ndërsa më pas është mësuar nga kapiteni Cana se si ai kishte mësuar pas ndeshjes lajmin për vdekjen e gjyshes së tij dhe kjo ishte arsyeja pse ishte larguar në atë mënyrë.

Për më tepër, familjarët e Bogdanit kanë preferuar që të mos i tregojnë asgjë atij deri pas përfundimit të ndeshjes, ndonëse gjyshja e lojtarit të kombëtares shqiptare kishte ndërruar jetë që në drekë. Ata kishin vendour që t’ia mbanin të fshehtë në mënyrë që të mos e shpërqendronin dhe që ai të vazhdonte të jepte maksimumin për kombëtaren kuqezi.

Një gjë e tillë ndodhi, pasi Bogdani arriti të bënte diferencën me lojë dhe me gol, për të ndihmuar kombëtaren për të marrë suksesin 3-1 në sfidën kundër Qipros. Jo rastësisht, si lojtarët kuqezinj, ashtu edhe trajneri i kombëtares qipriote, deklaruan në përfundimin e ndeshjes se ishte sulmuesi shqiptar ai që bëri diferencën mes dy skuadrave. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 08 September 2012 10:01

Xhani De Biasi është munduar që të evitojë në maksimum euforinë pas suksesit 3-1 ndaj Qipros që pozicionon përkohësisht Shqipërinë në kreun e Grupit E të kualifikueseve për Botërorin 2014 në zonën e Evropës. Tekniku italian ka folur pozitivisht për ekipin e tij, por ka theksuar se e pret më shumë punë në takimet e ardhshme. 

“Siç e patë, ishtë një ndeshje shumë e vështirë por ne duhet të mësohemi të korrigjojmë ato pika që i kemi të dobëta. Mendoj se e gjithë skuadra luajti mirë dhe të gjithëe lojtarët u impenjuan shumë duke bërë një lojë të kënaqshme. Sigurisht, shpresoja që Çani e Bogdani të jepnin maksimumin e tyre në momentin kur i aktivizova. Mendova të shfrytëzoj freskinë e tyre dhe ndodhi pikërisht ajo që prisja”.

“Kjo fitore është punë e të gjithë grupit. Kjo është një skuadër në të cilën kemi afruar lojtarë të mirë. E kemi nsiur me këmbë të mbarë dhe jemi në rrugën e duhur.  Përsa i përket Zvicrës, padyshim që do të jetë ndoshta ndeshja më e vështirë e grupit. Do të shkojmë atje për të bërë më të mirën dhe do të punojmë kokulur për këtë sfidë”, deklaroi De Biasi pas përfundimit të takimit. (LajmeShqip.com)

 

 
Lajme Shqip Friday, 07 September 2012 22:09

Kombëtarja shqiptare e futbollit i ka nisur me këmbën e mbarë eliminatoret e Botërorit 2014 duke marrë një fitore të rëndësishme 3-1 në ndeshjen e parë përballë Qipros. Falë këtij suksesi të kombinuar me rezultatet e tjera në Grupin E, kuqezinjtë e shohin veten në vendin e parë, një pozitë që duhet ta mbrojnë pas tre ditësh në fushën e vështirë të Zvicrës.

Në ndeshjen e luajtur në “Qemal Stafa” përballë rreth 10 mijë spektatorëve, kombëtarja e drejtuar nga Xhani De Biasi ka marrë iniciativën që nga minuta e parë, falë edhe një rreshtimi ofensiv ku në repartin e avancuar ishte dyshja Salihi-Sadiku. I pari humbet raste të njëpasnjëshme, ndërsa i dyti, në momentin e parë që shfaqet para porte, arrin të shënojë. Në minutën e 36-të, pas një goditje dënimi të debutuesit Meha, është pikërisht sulmuesi elbasanas që gjen golin e vanatazhit me një gjuajtje me kokë, duke entuziazmuar tifozerinë e pranishme në stadium.

Por qipriotët, inekzistentë në fushë në pjesën e parë, arrijnë të gjejnë golin e barazimit në mënyrë fatlume në shtesën para pushimit të ndeshjes. Është Laban që ekzekuton një goditje dënimi, e cila nuk devijohet nga asnjë prej mbrojtësave kuqezi dhe përfundon pas krahëve të Ujkanit, i cili sheh në mënyrë të pabesueshme se si topi përfundon në rrjetë.

Goli i pësuar në shtesën e pjesës së parë është një goditje e rëndë për kuqezinjtë që në pjesën e dytë duken të tronditur psikologjikisht. Gabimet e njëpasnjëshme të përfaqësueses shqiptare bëjnë që Qipro të marrë kontrollin e ndeshjes dhe t’i afrohet shumë golit të dytë. Më saktësisht, është Vila që për pak shënon autogol, por fatmirësisht gjuajtja e tij drejt portës tonë ndalet nga shtylla.

De Biasi provon të ndryshojë duke larguar Sadikun për të aktivizuar Hykën, por edhe kjo lëvizje sjell shumë pak të reja. Atëherë trajneri vendos të rrezikojë gjithçka në minutat e fundit, duke larguar Vilën e Salihin, për të aktivizuar Bogdanin e Çanin. Kjo lëvizje rezulton ajo e duhura pasi është i riu Çani që gjen rrugën e rrjetës pas një harkimi të Hykës në minutën e 84-t, ndërsa Bogdani shënon një supergol me një predhë nga jashtë zonës në minutën e 87-të për të vulosur fitoren 3-1 të kuqezinjve dhe golin e tij të 17-të personal me fanellën kuqezi.

Të martën, kombëtaren e De Biasit e pret një ndeshje shumë më e vështirë ndaj Zvicrës, ku më shumë se rezultati, do të jetë e rëndësishme të shihet nëse kuqezinjtë arrijnë të përmirësojnë lojën e tyre apo do të vazhdojnë të shfaqin pasiguritë që shfaqën në shumë momente gjatë sfidës me ekipin modest të Qipros. (LajmeShqip.com)

Kualifikueset e Botërorit 2014, zona e Evropës

GRUPI A

Kroaci-Maqedoni          1-0

69’ Jelaviç

Uells-Belgjikë                0-2

41’ Kompani, 83’ Vertongen

GRUPI B

Maltë-Armeni               0-1

70’ Sarkisov

Bullgari-Itali                  2-2

30’ Manolev, 66’ Milanov / 36’, 40’ Osvaldo

GRUPI C

Kazakistan-Irlandë       1-2

37’ Nurdauletov / 89’ (p) Kin, 90’ Doil

Gjermani-Ishujt Faroe  3-0

28’ Gëtze, 54’, 72’ Ozil

GRUPI D

Estoni-Rumani               0-2

55’ Torje, 75’ Marika

Andorra-Hungari           0-5

12’ Juhazh, 32’ (p) Gera, 53’ Szalai, 68’ Priskin, 82’ Koman

Holandë-Turqi                2-0

17’ Van Persi, 90’ Narsing

GRUPI E

Shqipëri-Qipro                3-1

36’ Sadiku, 84’ Çani, 87’ Bogdani / 45’+3’ Laban

Slloveni-Zvicër                 0-2

20’ Xhaka, 51’ Inler

Islandë-Norvegji             2-0

21’ Arnason, 81’ Finbogason

GRUPI F

Rusi-Irlandë e Veriut     2-0

30’ Faizulin, 78’ (p) Shirokov

Azerbajxhan-Izrael         1-1

65’ Abishov / 50’ Natço

Luksemburg-Portugali   1-2

13’ Da Mota / 28’ Kristiano Ronaldo, 54’ Helder Postiga

GRUPI G

Lihtenshtejn-Bosnje H.   1-8

61’ Kristen / 26’, 31’ Misimoviç, 33’, 40’, 83’ Ibisheviç, 46’, 65’, 81’ Xheko

Lituani-Sllovaki               1-1

18’ Zhaliukas / 41’ Sapara

Letoni-Greqi                    1-2

42’ (p) Cauņa / 57’ Spiropulos, 70’ Gekas

GRUPI H

Mali i Zi-Poloni                2-2

27’ Drinçiç, 45’ Vuçiniç / 6’ (p) Błaszczikovski, 55’ Mierzejevski

Moldavi-Angli                  0-5

3’ (p), 29’ Lampard, 32’ Defo, 74’ Milner, 84’ Beins

GRUPI I

Gjeorgji-Bjellorusi           1-0

52’ Okriashvili

Finlandë-Francë              0-1

20’ Diabi

 
Lajme Shqip Friday, 07 September 2012 08:16

Zvicra mund thellë Shqipërinë, të paktën përsa i përket premiove që futbollistët e kësaj përfaqësueseje do të përfitojnë në rast fitoreje në çdo ndeshje të kualifikueseve të Botërorit 2014.

Federata Zvicerane ka negociuar me kapitenin Gokhan Inler shumën që do të përfitojë çdo futbollist për ndeshjet që luan kjo kombëtare dhe është përckatuar që për çdo fitore, Shaqiri & Co. do të përfitojnë 12 mijë franga zvicerane, ndërsa një barazim ka vlerën e 5 mijë frangave. Nuk ka rëndësi kundër cilës skuadër arrihen këto rezultate, pasi këto premio jepen automatikisht ndaj lojtarëve që luajtën në fund të çdo ndeshje, ndërsa ata që qëndrojnë në stol përfitojnë gjysmën e kësaj shume.

Nga ana tjetër, futbollistët e kombëtares shqiptare të futbollit, të cilët do të luajnë të martën kundër Zvicrës, përfitojnë shumë më pak se kolegët e tyre zviceranë. Premio e vendosur nga FSHF për çdo fitore është 3 mijë euro për futbollist, me barazimin që është caktuar 1 mijë euro për lojtar.

Por Komiteti Ekzekutiv ka vendosur që në rast rezultatesh të mira, të jepen edhe premio ekstra, si për shembull dyfishimi i shumave të mësipërme, edhe pse ky vendim nuk është i zyrtarizuar në asnjë shkresë por është një akord verbal mes futbollistëve kuqezi dhe presidentit të FSHF, Armand Duka.

Kërkesa e vetme e lojtarëve të përfaqësueses kuqezi është që të ketë një premio të ndryshme të ndeshjeve brenda nga ato jashtë Shqipërisë, për shkak të rritjes së shkallës së vështirësisë, por për momentin, mbetet në fuqi vendimi i marrë që dy vite më parë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 04 September 2012 12:31

Shqipëria duhet të presë ende për të parë kombëtaren e futbollit në fazën finale të një turneu madhor ndërkombëtar. Ky është mendimi që trajneri Xhani De Biasi ka dhënë në konferencën për shtyp para ndeshjeve me Qipron e Zvicrën, të vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2014.

“Është e vërtetë se kam thënë që kualifikimi në Botëror do të ishte një mrekulli, do të ishte maksimumi i maksimumeve. Për ne, objektivi real dhe të cilin mund ta shohim si një mrekulli të vogël, do të ishte renditja në fund të edicionit në vendin e tretë në grup. Nëse e arrijmë këtë, atëherë kemi bërë hapin gjigand para”, deklaroi trajneri italian i cili ka preferuar që të qëndrojë sa më shumë me këmbë në tokë për t’iu shmangur euforisë para ndeshjeve të para të kuqezinjve.

Trajneri ka komentuar më pas edhe grumbullimin për herë të parë me fanellën kuqezi të Alban Mehës e Burim Kukelit, ashtu si edhe lënien jashtë përzgjedhjes të sulmuesit më në formë shqiptar për momentin, Edmond Kapllanit.

“Çdo lojtar që unë përzgjedh ka shansin që të luajë menjëherë, madje edhe si titullar. Por unë duhet të shoh se në cilën gjendje fizike janë lojtarët, pasi kampionate të ndryshme kanë filluar në periudha të ndryshme. A do të jenë Meha e Kukeli në formacionin titullar do të përcaktohet vetëm nga fakti se kush është në formë më të mirë fizike e sportive. Kapllani? Mua më janë dashur mesfushorë në këtë ndeshje ndaj kam bërë zgjedhje për të afruar Mehan e Kukelin, por Kapllani është sulmues dhe për momentin në këtë repart nuk kemi probleme. Gjithsesi, ai është nën vëzhgimin tonë dhe do të ketë shansin të bëhet pjesë e ekipit kombëtar”, ka treguar trajneri italian.

Gjatë konferencës për shtyp, ai ka vendosur që të qëndronte sa më i rezervuar për formacionin që do të hidhte në fushë kundër Qipros e Zvicrës. “Janë skuadra më të forta dhe do të ishte më e mira që të mos i jepnim avantazhe të tjera”, tha tekniku italian. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 01 September 2012 13:10

Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Xhani De Biasi, ka preferuar që të ketë sa më shumë lojtarë në dispozicion për dy ndeshjet e para zyrtare të vlefshme për eliminatoret e Botërorit 20154, ndaj Qipros dhe Zvicrës.

Ajo që bie në sy menjëherë në listën me 24 emra është grumbullimi për herë të parë i dy futbollistëve që sapo janë pajisur me pasaportën shqiptare, Alban Meha i Paderborn dhe Burim Kukeli i Zyrih. Të dy mesfushorët pritet të jenë pjesë e planeve të përfaqësueses shqiptare pasi kanë shkëlqyer me ekipet e tyre dhe janë kthyer në protagonistë në kampionatet respektive. Duke parë vështirësitë që ka shfaqur reparti i mesfushës në ndeshjen miqësore me Moldavinë në gusht, të dy këto lojtarë pritet të jenë në formacion ndaj Qipros.

Në këtë listë ka edhe kthime futbollistësh, duke filluar nga mbrojtja ku është grumbulluar Tefik Osmani i Vllaznisë dhe Franc Veliu i Flamurtarit, lojtarë të cilët nuk ishin thirrur në ndeshjen e fundit të përfaqësueses.

Një kthim mund të cilësohet edhe ai i Gilman Likës në mesfushë, bashkë me Armando Sadikun e Ahmed Januzin në repartin e sulmit. Bie në sy se në repartin e avancuar janë 6 lojtarë, që tregon se De Biazi dëshiron të hedhë në fushë një formacion shumë ofensiv ndaj Qipros në ndeshjen e parë.

Mungesat e mëdha janë ato të të dëmtuarve Curri e Vangjeli në prapavijë, por edhe mungesat për zgjedhje teknike të mesfushorëve, Bakaj e Muzaka, si dhe sulmuesit Kapllani, dy emra të njohur në kombëtaren kuqezi. (LajmeShqip.com)

Lista e kombëtares shqiptare

Portierë: Samir Ujkani (Palermo), Etrit Berisha (Kalmar), Orges Shehi (Skënderbeu)

Mbrojtës: Lorik Cana (Lacio), Armend Dallku (Vorskla Poltava), Tefik Osmani (Vllaznia), Andi Lila (PAS Janina), Mergim Mavraj (Grojter Furth), Renato Arapi (Skënderbeu), Franc Veliu (Flamurtari).

Mesfushorë: Sabien Lilaj (Skënderbeu), Jahmir Hyka (Luzern), Emiljano Vila (PAS Janina), Burim Kukeli (Zyrih), Ansi Agolli (Karabak), Alban Meha (Paderborn), Gilman Lika (Tirana), Ervin Bulku (Sepahan).

Sulmues: Armando Sadiku (Lugano), Odise Roshi (FSV Frankfurt), Hamdi Salihi (DC Junajtid), Edgar Çani (Pa skuadër), Erjon Bodgani (Siena), Ahmed Januzi (Vorskla Poltava).

 
Lajme Shqip Thursday, 30 August 2012 15:19

Mesfushori i talentuar i Paderborn, një nga zbulimet e Bundesligës 2 në sezonin e kaluar, Alban Meha, do të vesh fanellën e përfaqësueses shqiptare për ndeshjet kundër Qipros dhe Zvicrës në shtator.

Futbollisti kosovar ka marrë ftesën nga trajneri Xhani De Biasi pasi është pajisur me pasaportën shqiptare dhe do të jetë në gjendje të zbresë në fushën e lojës në këto takime kaq të rëndësishme për kuqezinjtë, të vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2014.

Meha është një lojtar mjaft i talentuar dhe për këtë arsye, shumë kuqezinj të tjerë që aktivizohen në Gjermani si Mavraj, Kapllani, por edhe Lala apo Skela, i kanë këshilluar trajnerit De Biasi që ta grumbullojë atë sa më parë në kombëtare. Sapo është marrë garancia e sigurimit të pasaportës shqiptare për Mehën, FSHF i ka dërguar atij ftesën, siç është konfirmuar sot edhe nga vetë klubi i Paderborn.

“Alban ka patur një zhvillim të shkëlqyer te Paderborn. Thirrja e tij në kombëtare është konfirmimi i një pune të mirë të përbashkët”, ishin fjalët e menaxherit të klubit, Mikael Born.

Ndërkohë, një tjetër futbollist kosovar i afruar në kombëtare për këto dy ndeshje, Burim Kukeli i Zyrihut, është bërë objekt polemikash në Zvicër. Ka bërë shumë bujë fakti se gazeta zvicerane “Blick” e ka cilësuar vendimin e tij për t’u bashkuar me Shqipërinë si të gabuar, ndërsa edhe ka ironizuar me lojtarin duke i kujtuar se miku i tij më i afërt, Gokhan Inler, ishte kapiten te Zvicra, ndërsa ai kishte bërë kontratën e parë si profesionist vetëm në moshën 24 vjeçare.

Për më tepër, kjo gazetë në mënyrë të turpshme ka tentuar të ulë figurën e mesfushorit kosovar, duke i kujtuar atij se në vitet e para të karrierës së tij, kishte punuar edhe si pjatalarës.

Këto komente në mediat zvicerane duket se po tensionojnë më shumë situatën para ndeshjes mes dy kombëtareve, duke patur parasysh se në radhët e përfaqësueses zvicerane luajnë shumë futbollistë me origjinë shqiptare si Behrami, Xhemajli, Shaqiri, Xhaka e Mehmedi. (LajmeShqip.com)