Lajme Shqip Saturday, 08 June 2013 00:12

Trajneri përfaqësueses shqiptare të futbollit, Xhiani de Biazi, ka fajësuar lodhjen e lojtarëve të tij në minutat e fundit të ndeshjes për golin e pësuar, që i hoqi Shqipërisë 3 pikë të vlefshme në eliminatoret e Botërorit 2014.

“Unë ndjej shumë keqardhje, pasi kemi bërë një ndeshje të mirë ndaj një kundërshtari cilësor. Kemi dalë para porte në të paktën 5 raste. Në 45 minutat e para krijuam raste edhe para shënimit të golit, ndërsa te e dyta mund ta kishim mbyllur lehtësisht ndeshjen. Gjëja më e rëndësishme për mua është që skuadra përballoi kundërshtarin. Mendoj se në këtë ndeshje, problemi kryesor ishte se ata kanë avantazhin e kampionatit që është në mes, ndërsa lojtarët tanë ishin në fund të sezonit. Kjo është arsyeja pse në pjesën e dytë ne i dhamë atyre iniciativën”, tha trajneri italian.

“Në tre ndeshje radhazi kemi pësuar vetëm një gol. Sinqerisht, do të pranoja kurdoherë që Shqipëria në tre ndeshje radhazi ndaj Sllovenisë e Norvegjisë të pësonte vetëm një gol. Shpërqendrimi në fund është pjesë e mentalitet, por edhe e gjendjes fizike. Besoj se fitorja do të ishte shumë më e bukur, por vendi i dytë është shumë i mirë për momentin. Sot humbëm dy pikë por më shumë se kaq nuk mund të kërkojmë”, deklaroi De Biazi pas ndeshjes. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Saturday, 08 June 2013 00:01

Kombëtarja shqiptare e futbollit është ndalur në një barazim 1-1 që ka pasur më shumë shijen e humbjes përballë Norvegjisë. Në stadiumin “Qemal Stafa”, të mbushur si rrallëherë, kuqezinjtë kanë zhvilluar një ndeshje të madhe, por nuk kanë arritur të çojnë deri në fund mrekullinë, pasi një pavëmendje në minutat e fundit ka bërë që në vend të 3 pikëve, të marrim vetëm 1 nga kjo sfidë.

Kuqezinjtë kanë dominuar, me De Biazin që kishte orientuar skuadrën drejt sulmit, duke ushtruar një presing të lartë, për të vënë në vështirësi kundërshtarin. Rastet e njëpasnjëshme që krijojnë kuqezinjtë nuk janë rastësi, ndërsa portieri mik vihet disa herë në vështirësi në pjesën e parë. Por nëse Salihi shpërdoron rastet që i shfaqen, Valdet Rama tregon të gjitha aftësitë e tij me një gol spektakolar që shfaq saktësisht të gjitha aftësitë e tij individualë. Driblim perfekt, sprint dhe pastaj gjuajtje milimetrike që ndalet vetëm në rrjetë. 1-0 dhe i gjithë “Qemal Stafa” feston këtë gol, që mbyll edhe pjesën e parë të ndeshjes.

Teorikisht duhej të ishte Norvegjia që duhej të sulmonte, por në fakt janë kuqezinjtë që krijojnë raste të tjera, duke iu afruar më shumë golit, sidomos me Salihin i cili detyron portierin të devijojë topin në traversë. Më pas, është Basha që nuk arrin të shtyjë topin në rrjetë, duke humbur një mundësi të artë për të mbyllur ndeshjen. Por kur nuk shënon, do të pësosh dhe ky rregull i artë i futbollit respektohet më së miri në minutën e 87-të, kur pas një goditje këndi të norvegjezëve, një nga lojtarët më shtatshkurtër të kësaj skuadre, Hogli, dërgon topin në rrjete me një gjuajtje me kokë.

Normalisht, një vit më parë, një barazim 1-1 ndaj Norvegjisë do të cilësohej një rezultat i mirë. Por fakti se tifozët largohen të mërzitur nga stadiumi “Qemal Stafa” tregon se si kjo kombëtare ka filluar të ketë pretendime më të mëdha se loja dinjitoze, siç e tregon fakti se pas 6 ndeshjesh të luajtura, vazhdon të mbajë ende vendin e dytë në renditjen e grupit. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Friday, 07 June 2013 08:06

Xhani De Biazi, në konferencën e fundit për shtyp para ndeshjes me Norvegjinë, ka paralajmëruar se kësaj sfide nuk duhej t’i jepej më shumë rëndësi sesa ka realisht, pasi gjithçka mund të ndodhte në 4 ndeshjet në vijim.

“Kjo ndeshje nuk është vendimtare dhe nuk i duhet dhënë rëndësi absolute, më shumë se ka realisht. E them këtë i ndërgjegjshëm se cilido qoftë rezultati i ndeshjes, fati i përfaqësues tonë përcaktohet nga ajo që do të bëjmë në 4 ndeshjet e radhës. Marrim shembullin që fitojmë me Norvegjinë, por humbim katër ndeshjet e mbetura, atëherë nuk shkojmë askund. Por mund të ndodhë edhe që nuk bëjmë rezultat në këtë sfidë, por fitojmë ato 4 pasardhëset”, shpjegoi trajneri italian.

Kush do të luajë në fushë e lojës sot ndaj Norvegjisë, do ta mësojë vetëm në drekë, pasi tekniku italian ka dyshime për një pozicion në rreshtimin e skuadrës, ndërsa ka vendosur të mbajë enigmë formacionin e tij.

“Nuk e kam vendosur formacionin, pasi kam dyshimet e mia për një rol të veçantë. Formacionin përfundimtar do ta vendos pas seancës së fundit që do të zhvillohet në mëngjes. Aty do të shoh situatën dhe do të vendos përfundimisht për të zgjidhur ato dyshime që kam”, shpjegoi De Biazi, i cili mendon se askush nuk duhet të nënvlerësojë Norvegjinë.

“Do të luajmë ndaj një kundërshtari të fortë, që ka shumë cilësi, forcë fizike dhe është një miks mes lojtarësh të rinj dhe atyre ekspertë. A mund t’i çuditim si në ndeshjen e parë? Nuk ma merr mendja, tani na njohin dhe janë të përgatitur për çdo gjë”, deklaroi trajneri italian. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 03 June 2013 00:26

Trajneri i përfaqësueses shqiptare të futbollit, Xhani De Biasi, ka mbyllur sot përfundimisht listën e përfaqësueses për ndeshjen kundër Norvegjisë, duke i bashkuar grupit ekzistues prej 18 lojtarësh edhe 8 emra të tjerë. Bie në sy fakti se pavarësisht rëndësisë së ndeshjes, tekniku italian ka vazhduar të eksperimentojë, duke mbledhur tashmë në total 6 emra të rinj për kombëtaren shqiptare, 6 futbollistë që mund të debutojnë që në ndeshjen e fundjavës.

Debutuesve Gjasula e Llullaku, tashmë i janë bashkuar edhe mbrojtësi Ilir Berisha, mesfushorët Amir Abrashi, Ergys Kaçe dhe Vullnet Basha., duke çuar në 6 numrin e futbollistëve që mund të luajnë për herë të parë me kombëtaren ndaj Norvegjisë. Ndërkohë, pjesë e “listës shtesë” të kombëtares ishin edhe mbrojtësi i Empolit, Elseid Hysaj, mesfushorët Emiliano Vila e Valdet Rama, si dhe sulmuesi Hamdi Salihi.

Të gjithë këto lojtarë do të jenë të pranishëm në rifillimin e grumbullimit në ditën e hënë, për t’i hapur rrugë pjesë së dytë të përgatitjeve për ndeshjen kundër skandinaveve. (LajmeShqip.com)

Lista përfundimtare e kombëtare shqiptare të futbollit:

Portierë: Samir Ujkani (Kievo), Etrit Berisha (Kallmar), Orges Shehi (Skënderbeu).

Mbrojtës: Admir Teli (Karabak), Debatik Curri (Gençlebirligi), Mërgim Mavraj (Grojter Fyrth), Renato Arapi (Skënderbeu), Tefik Osmani (Teuta), Armend Dallku (Vorskla Poltava), Ilir Berisha (Orebro), Elseid Hysaj (Empoli)

Mesfushorë: Jurgen Gjasula (Duisburg), Migjen Basha (Torino), Ansi Agolli (Karabak), Armando Vajushi (Liteks Loveç), Ervin Bulku (Sepahan), Sabien Lilaj (Skënderbeu), Valdet Rama (Real Vajadolid), Vullnet Basha (Sion), Amir Abrashi (Grasshopers), Emiliano Vila (Pas Janina), Ergys Kaçe (PAOK),

Sulmues: Azdren Llullaku (Gaz Metan), Erjon Bogdani (Siena), Edgar Çani (Katania), Hamdi Salihi (Jiangsu Sainti).

 
Lajme Shqip Saturday, 01 June 2013 21:51

Amir Abrashi do të jetë e reja e radhës e kombëtares shqiptare të futbollit për ndeshjen kundër Norvegjisë, duke u bërë një ndihmë më shumë për kuqezinjtë në sfidën e rëndësishme kundër Norvegjisë.

Mesfushori, që pak ditë më parë mori edhe shtetësinë shqiptare, do të jetë pjesë e ekipit kombëtar, siç ka konfirmuar vetë ai duke bërë të ditur se një ditë më parë i kishte thënë jo Zvicrës dhe Otmar Hitzfeld në një takim që kishte pasur me këtë të fundit.

“Zhvilluam një bisedë miqësore me z. Hitzfeld. Ai më tha që po më ndiqte me vëmendje dhe unë thjesht duhej të kisha pak durim. Por unë jam i ndërgjegjshëm që në pozicionin tim te Zvicra, janë 7 lojtarë para meje”, tha 23 vjeçari për repartin ku aktivizohen futbollistë si Inler, Behrami, Xhemajli, Shvegler, Gelson, Fabian Frei dhe Salatiç.

“Ndaj kam vendosur që të luaj me Shqipërinë. Më vjen keq, por kjo është e rëndësishme edhe për karrierën time”, tha futbollisti që më në fund ka siguruar lejen nga Federata Zvicerane për të veshur fanellën kuqezi të përfaqësues shqiptare.

Mesfushori i talentuar ka qenë pjesë e përfaqësueses U-21 të Zvicrës, me të cilën ka luajtur 18 takime si dhe është shpallur nënkampion Evrope në vitin 2011. Ai ishte pjesë e kombëtares olimpike zvicerane që mori pjesë në Lojërat Olimpike Londër 2012 një vit më parë. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Tuesday, 28 May 2013 19:56

Kombëtarja shqiptare ka nisur zyrtarisht grumbullimin për ndeshjen kundër Norvegjisë, pasi trajneri De Biasi ka publikuar një listë të parë prej 18 emrash të grumbulluar për këtë sfidë të eliminatoreve të Botërorit 2014.

Trajneri italian ka bërë të ditur vetëm 18 emra të kombëtares, ndërsa ka lënë enigmë 8 emra të tjerë, për të cilët ka thënë se do të konfirmohen vetëm me 8 qershor, pasi një pjesë e këtyre lojtarëve janë në aktivitet apo janë në “balotazh” me futbollistë të tjerë për një vend në kombëtare.

“Kam afruar ata lojtarë që janë në formën më të mirë fizike pasi dihet se jemi në fund të sezonit dhe lodhja e garës së gjatë bën të vetën. Në përzgjedhjen e lojtarëve marr parasysh karakteristikat që duhen te skuadra për të përballuar kundërshtarin e radhës. Përsa i përket formacionit, dihet që kemi mungesa të rëndësishme. Zëvendësuesit e atyre që mungojnë do të dalin nga seancat stërvitore që do të zhvillojmë këto ditë”, tha trajneri italian që i ka bërë vend në kombëtare dy debutuesve, Jurgen Gjasula dhe Azdren Llullaku, ndërsa ka kthyer pas rreth dy vitesh mbrojtësin Admir Teli.

Ndërkohë, përsa i përket listës së dytë, atë prej 8 emrash, mendohet se aty bëjnë pjesë futbollistë si Ergys Kaçe, Vullnet Basha, Amir Abrashi, Emiljano Vila apo Elis Bakaj. (LajmeShqip.com)

Lista e 18 lojtarëve të konfirmuar nga trajneri De Biazi:

Portierë: Samir Ujkani (Kievo), Etrit Berisha (Kallmar), Orges Shehi (Skënderbeu).

Mbrojtës: Admir Teli (Karabak), Debatik Curri (Gençlebirligi), Mërgim Mavraj (Grojter Fyrth), Renato Arapi (Skënderbeu), Tefik Osmani (Teuta), Armend Dallku (Vorskla Poltava).

Mesfushorë: Jurgen Gjasula (Duisburg), Migjen Basha (Torino), Ansi Agolli (Karabak), Armando Vajushi (Liteks Loveç), Ervin Bulku (Sepahan), Sabien Lilaj (Skënderbeu).

Sulmues: Azdren Llullaku (Gaz Metan), Erjon Bogdani (Siena), Edgar Çani (Katania).

 
Lajme Shqip Wednesday, 22 May 2013 19:11

Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Xhani De Biasi, ka vendosur që ndeshjen kundër Norvegjisë, të vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2014, ta përgatisë në një mënyrë shumë të veçantë, pasi ka filluar grumbullimin “me pjesë”. Ndonëse nuk është publikuar ende lista e lojtarëve të grumbulluar për këtë takim, tekniku italian nis që sot punën me lojtarë të kampionatit shqiptar.

Ndonëse zyrtarisht kuqezinjtë do të mblidhen me 29 maj, trajneri ka vendosur që të punojë veçmas me futbollistët e kampionatit shqiptar, ku për momentin konfirmohen vetëm emrat e portierit Shehi, mbrojtësve Osmani e Arapi si dhe sulmuesit Plaku. Të tjerët pritet t’i bashkohen ekipit në ditët në vazhdim, bashkë me legjionarët.

Por situata për momentin është disi e çuditshme, pasi publikimi i listës së kombëtares për ndeshjen kundër Norvegjisë është peng i konfirmimeve që priten nga lojtarët e rinj që do të veshin fanellën kuqezi.

Pasi janë konfirmuar prania e Jurgen Gjasulës (Duisburg) dhe Ergys Kaçes (PAOK), ftesa janë dërguar edhe për Azdren Llullakun (Gaz Metan), Amir Abrashin (Grasshopers), Vullnet Bashën (Sion) dhe Ilir Berisha (Orebro). Por për momentin nuk ka ardhur asnjë konfirmim zyrtar të pranisë të të gjithë këtyre futbollistëve në listën anti-Norvegji, pasi ashtu si Loret Sadiku i Helsingborgs, Abrashi dhe Basha mund të jenë të detyruar të presin deri në shtator për të veshur fanellën kuqezi. Këta të fundit kanë luajtur me kombëtaret e moshave të Zvicrës dhe për këtë arsye do të presin leje nga FIFA për aktivizimin.

Po pikërisht situata e komplikuar me dokumentacionet e gjithë këtyre prurjeve të reja ka bërë që De Biasi të ruajë deri në minutat e fundit enigmën për listën e kombëtares shqiptare. Ky është vetëm problemi i parë trajnerit italian, i cili si problem më serioz do të ketë atë të përshtatjes sa më shpejt të emrave të rinj me pjesën tjetër të ekipit, duke mos harruar se këtyre futbollistëve u është premtuar një rol protagonisti me kombëtaren shqiptare, për t’i bindur që të refuzojnë përfaqësuese të vendeve të tjera që i ndiqnin me interes. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 09 May 2013 18:32

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka regjistruar një tjetër hap pozitiv në renditjen e FIFA-s, duke u ngjitur tashmë në vendin e 43-të në botë, për të përmirësuar me 5 pozicione klasifikimin e muajit të mëparshëm. Skuadra e De Biasit, ka thyer kështu një tjetër rekord të historisë së saj në këtë klasifikim, duke u bërë pjesë tashmë e skuadrave më të mira të kontinentin evropian, por edhe atyre në të gjitha botën.

Me pozicionimin e 43-të në botë, të 24-tin në Evropë, Shqipëria ka lënë pas kombëtare të njohura në arenën e futbollit botëror që në vitet e fundit kanë qenë pjesë e fazës finale në aktivitete ndërkombëtare si Turqia, Bullgaria, Sllovakia, Sllovenia e Polonia.

Duke pasur parasysh se para se të dalë renditja e muajit të ardhshëm, Shqipëria mund të bëjë hapa të tjerë para falë ndeshjes zyrtare kundër Norvegjisë për eliminatoret e Botërorit 2014. Në rast fitoreje, atëherë kuqezinjtë mund t’i afrohen dhe të kalojnë skuadra të tjera në evropiane në renditje si Serbia, Irlanda e Ukraina, tre përfaqësueset e kontinentit tonë që janë më afër.

Klasifikimi evropian në këtë rast është edhe më i rëndësishëm se ai botëror, pasi nëpërmjet tij do të cilësohen edhe vazot e shortit për Euro 2014 që zhvillohen në Francë. Këtë radhë, pozicionimi sa më lart në vazo është shumë i rëndësishëm, duke pasur parasysh se në fazën finale të aktivitetit që zhvillohet në Francë do të marrin pjesë 24 skuadra nga 16 që kanë marrë pjesë më parë. Ndaj mundësia e pranisë së 3 skuadrave më të lehta në grup do të bënte më të thjeshtë arritjen e këtij objektivi nga përfaqësuesja që drejtohet nga italiani De Biasi. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Monday, 06 May 2013 19:42

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka marrë një lajm mjaft të mirë për ndeshjen e muajit të ardhshëm ndaj Norvegjisë, pasi ka mësuar se futbollisti me më shumë eksperiencë i kësaj skuadre, mbrojtësi Xhon Arne Rise, ka vendosur t’i japë lamtumirën kombëtares në moshën 32 vjeçare.

Futbollisti pritej të ishte në Tiranë me kombëtaren e vendit të tij në ndeshjen e radhës së eliminatoreve të Botërorit 2014, por duket se ka parë të arsyeshme që të mendojë më shumë për karrierën në klub, pas 110 ndeshjeve të luajtur me përfaqësuesen skandinave.

“Pasi jam menduar shumë, kam vendosur të mos vazhdoj më në futbollin ndërkombëtar. Po hyj në pjesën e fundit të karrierës time dhe jam në një moshë ku duhet të marr një vendim të qartë për të arritur objektivin tim të fundit, të luaj për 4-5 vitet e ardhshme në elitën e futbollit evropian”, tha futbollisti që aktualisht vesh fanellën e Fullhem në kampionatin anglez, ndërsa në të kaluarën ka luajtur me Liverpulin, Romën e Monakon.

Duket se përballë këtij vendimi janë dorëzuar edhe drejtuesit e kombëtares norvegjeze, me në krye trajnerin Egil Olsen, i cili e ka falënderuar publikisht për kontributin e tij të jashtëzakonshëm që nga viti 2000. (LajmeShqip.com)

 
Lajme Shqip Thursday, 28 March 2013 11:16

Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Xhani De Biasi, në një intervistë të gjatë për tuttomercatoweb.com ka treguar se si ka ndryshuar tashmë mendimi për përfaqësuesen që ai drejton dhe se si është rritur optimizmi për pjesëmarrjen në Botërorin 2014. Sipas tij, situata është e tillë sa shumëkush do ta cilësojë si dështim nëse Shqipëria nuk arrin të shkojë në këtë aktivitet ndërkombëtar.

-Xhani De Biasi, Shqipëria është një prej surprizave të kualifikueseve të Botërorit. Skuadra është e dyta në grupin e saj pas Zvicrës. Vendimtar ishte suksesi i marrë në Oslo kundër Norvegjisë…

“Një fitore e rëndësishme kundër një skuadre që në renditjen e FIFA-s është 35 pozicione më lart. Duke gërmuar në kujtesë, nuk ka ekzistuar asnjëherë një sukses jashtë fushe ndaj një skuadre që gjendej para në renditje. Por unë jam i lumtur edhe për miqësoren kundër Lituanisë, një fitore e bukur 4-1 që më ka dhënë sinjale të rëndësishme para sfidës së 7 qershorit ku do të luajmë përsëri me Norvegjinë, këtë radhë në shtëpi”.

-Në një intervistë të vjetër e keni cilësuar të pamundur kualifikimin në Botëror…

“E vërtetë, por oreksi vjen duke ngrënë dhe gjëja që më çudit më shumë tani është se në Shqipëri duket thuajse një dështim nëse nuk arrijmë të sigurojmë pjesëmarrjen në Brazil 2014”.

-Cila ishte pritshmëria kur morët detyrën e trajnerit të kombëtares?

“Kur mora drejtimin  ekipit dikush më tha se ishte momenti i gabuar, se vihej nga një periudhë në të cilën flamujt e vjetër po largoheshin. Në të kaluarën kishte skuadra më të forta, kombëtarja mund të grumbullonte shumë lojtarë që militonin në Gjermani, por edhe në Itali si Tare. Them se me këtë skuadër, nëse në fillim të kualifikueseve do të kisha parashikuar vendin e tretë, të gjithë do të fërkonin duart nga kënaqësia. Tani duket sikur një gjë e tillë nuk mjafton”.

-Si u prit në Shqipëri fitorja ndaj Norvegjisë?

“Një gëzim i jashtëzakonshëm. Dukej i njëjtë me atë kur Italia fitoi Botërorin. Ishin të gjithë të mahnitur, shpresa në fillim të ndeshjes ishte të merrnim maksimumin një barazim. Ishte hera e parë që arrihej në një sukses të ngjashëm dhe me të drejtë, si në të gjithë herët e para, festohet në mënyrë të veçantë”.

-Cilët janë rivalët tuaj në grup?

“Në këtë moment i frikësohem të gjithëve: sigurisht Norvegjisë, por edhe Islandës që të gjithë e nënvlerësojnë, por që ka lojtarë që luanin titullarë në kampionatin anglez si Sigurdson i Totenhem. Më ka çuditur Sllovenia, që ka marrë vetëm 3 pikë, e vështirë ta shpjegosh këtë rënie”.

-Si e sheh me qetësi rrugëtimin e Shqipërisë?

“Si fillim dua të them se që në momentin që shkova aty, kam parë hapa para në organizimin e lojës. Jemi rritur faktikisht dhe shpresojmë që deri në fund të kemi të gjithë lojtarët në dispozicion. Fatkeqësisht, ndaj Norvegjisë do të na mungojnë 3 lojtarë: Cana i Lacios, Roshi, që është një lojtar që vlerësoj shumë por luan pak te FSV Frankfurt në Gjermani dhe Lila që luan te Pas Janina në Greqi. Nuk do të jetë e lehtë por para vështirësive reagojmë në mënyrën e duhur”.

-Ku duhet të mësojë kjo skuadër?

“Këto djem nuk duhet të kënaqen dhe t’u duket vetmja të mirë. Me Lituaninë kisha frikë për një rënie të ritmit pas fitores në Oslo. Por jam kënaqur pozitivisht nga prova e skuadrës”. (LajmeShqip.com)